
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka zhvilluar një takim me homologen e saj sllovene, Nataša Pirc Musar, në kuadër të takimit të liderëve të Procesit Brdo–Brijuni, që po mbahet në Ohër.
Gjatë takimit, Shiroka-Pula vlerësoi rëndësinë e këtij procesi, të iniciuar nga Sllovenia dhe Kroacia, për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjen e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Ajo rikujtoi se Kosova është pjesë e Procesit Brdo–Brijuni që nga viti 2013, kur ishte mbajtur takimi i parë në Slloveni, transmeton Klankosova.tv.
Sipas njoftimit, presidentja theksoi se orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet i palëkundur dhe se vendi është i përkushtuar ndaj agjendës evropiane. Ajo kërkoi që procesi i integrimit në BE të bazohet në merita, duke vlerësuar progresin dhe reformat e secilit vend.
Në takim, Shiroka-Pula theksoi gjithashtu se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet prioritet strategjik dhe synim kryesor në fushën e sigurisë.
Ajo shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj Kosovës, veçanërisht për përkrahjen në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Palët diskutuan edhe për mundësitë e thellimit të marrëdhënieve dypalëshe, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare.