
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, është kritikuar për lëvizjen e Deklaratës së Pavarësisë dhe të fotos së presidentit historik, Ibrahim Rugova, nga zyra e Presidencës.
Përveç reagimeve për këtë veprim, ndaj kryetares së shtetit ka kritika edhe pse deri sot nuk ka folur për qëndrimet e saj në çështjet e sigurisë kombëtare, diplomacisë dhe përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës.
Në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, gazetari Gazmend Morina tha se nuk është i qartë qëndrimi i presidentes për çështje që, sipas tij, hyjnë në kuadër të përgjegjësive të saj kushtetuese.
“Nuk e dimë ku është roli i saj karshi sigurisë kombëtare, Forcës së Sigurisë, në aspektin ndërkombëtar, njohjeve të Kosovës dhe diplomacisë në përgjithësi. Nuk e dimë qëndrimin e saj. Krejt e duam Pavarësinë e Kosovës, por çka bën në rrafshin ndërkombëtar?”, u shpreh ai.
Morina e cilësoi Shiroka Pulën si “presidente shabllon”, duke e krahasuar me paraardhësen e saj në këtë detyrë.
Ai tha se Vjosa Osmani kishte qenë politikisht më e fuqishme.
“Vjosa Osmani ka qenë e fuqishme politikisht, ka qenë 100 për qind më kreative se kjo. Kjo është shkuar në një zyrë, si në Akademi të Shkencave. Nuk e ka haberin çka do të bëjë në të ardhmen, në kuadër të kompetencave të saj si presidente”, deklaroi Morina.