
Një megaaksion policor në tri komuna, arrestime për plagosjen me armë zjarri në Prishtinë, përleshje mes tifozëve me policë të lënduar dhe sulm ndaj një gjyqtareje gjatë një seance në terren – këto janë disa nga ngjarjet që shënuan 24 orët e fundit.
Gazeta Sinjali ka përcjellë nga afër zhvillimet, duke siguruar ekskluzivisht emrat e personave të dyshuar, detaje nga aksionet policore dhe rrethanat e incidenteve.
Prizren, Suharekë e Dragash – 22 të dyshuar në megaaksionin kundër bixhozit ilegal, sekuestrohen dy armë zjarri
Rreth 20 lokacione janë bastisur në Prizren, Suharekë dhe Dragash, në kuadër të një hetimi të gjatë për organizimin e lojërave të paligjshme të fatit dhe skemave piramidale.
Gjatë aksionit janë sekuestruar pajisje elektronike, prova materiale dhe dy armë zjarri, ndërsa disa persona janë arrestuar.
Sinjali ka siguruar identitetet e 22 personave të përfshirë në hetim: Kreshnik Bylykbashi, Engjëll Bytyqi, Nolian Danqeli, Sadri Shala, Valmir Gashi, Mefail Kuqi, Albion Jupaj, Muharrem Krasniqi, Ruzhdi Jasharaj, Dior Shala, Avdyl Bajselmani, Agim Bytyqi, Besmir Krasniqi, Sali Zhuri, Durim Gashi, Misret Shala, Jetmir Bajselmani, Sami Krasniqi, Bali Hjadari, Sabit Shala, Kadri Bylykbashi dhe Besart Krasniqi.
Numri i saktë i personave të arrestuar nga lista prej 22 të dyshuarish nuk është konfirmuar. Rasti po hetohet për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Prishtinë – Dy të dyshuar kapen në Aeroport për plagosjen me katër plumba te “LIT”
Hetimet për plagosjen e Adnan Behramit pranë diskotekës “LIT” kanë sjellë dy arrestime brenda një jave, të dyja në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Më 28 tetor u arrestua Ylber Tupalla, ndërsa më 4 nëntor u ndalua edhe Lorid Reka (2006). Të dy rezultonin në kërkim policor dhe janë ndaluar për 48 orë.
Ngjarja kishte ndodhur më 5 shtator, kur Behrami ishte qëlluar katër herë me armë zjarri. Rasti po hetohet si “Vrasje në tentativë”.
Gjilan – Përleshja mes tifozëve të Dritës dhe Prishtinës lë tre policë të lënduar, njëri rëndë në kokë
Përplasja mes tifozëve jashtë stadiumit në Gjilan ka përfunduar me tre zyrtarë policorë të lënduar, njëri prej tyre rëndë në kokë.
Incidenti ndodhi më 4 nëntor, rreth orës 14:00, afër palestrës “Bashkim Selishta”, pasi tifozëve mysafirë nuk u ishte lejuar hyrja në stadium. Përleshja dhe hedhja e sendeve të forta detyruan Policinë të ndërhyjë.
Rasti është iniciuar si “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa pamjet filmike po analizohen për identifikimin e personave përgjegjës.
Obiliq – Përplasja për udhëtarë përfundon me arrestime, në pranga Avni Tërholli dhe Bislim Thaqi
Konkurrenca mes kompanive të autobusëve dyshohet se ka përfunduar në sulm fizik në stacionin e autobusëve në Obiliq.
Shoferi i “Barileva Trade”, Fatlind Sadiku, raportoi se ishte sulmuar nga dy persona.
Të dyshuarit, Avni Tërholli dhe Bislim Thaqi, janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë. Rasti është iniciuar për “Lëndim të lehtë trupor”.
Viti – “Kjo është prona ime!” – Herion Ymeri dyshohet se sulmoi gjyqtaren Qendresa Sejdiu gjatë seancës në terren
Një seancë gjyqësore për një kontest pronësor në Sadovinë e Jerlive është ndërprerë pas një incidenti të rëndë. Herion Ymeri (1986) dyshohet se e ka kapur për krahu, e ka shtrënguar dhe e ka shtyrë dy deri në tri herë gjyqtaren Qendresa Sejdiu, duke përsëritur: “Kjo është prona ime!”
Pas ndërhyrjes së Policisë, Ymeri është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”.
SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali