Sllovenia po kërkon që Serbia të përmbushë detyrimet e saj për trashëgiminë e ish-Jugosllavisë, përfshirë dorëzimin e arkivave të shërbimeve sekrete jugosllave në Lubljanë, në një çështje që lidhet edhe me akuzat ndaj komisares evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Sipas mediave evropiane, insistimi i Lubljanës është reflektuar edhe në deklaratën përfundimtare të samitit Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, ku u përfshi thirrja drejtuar vendeve përkatëse që të përmbushin detyrimet e mbetura nga Marrëveshja për Çështjet e Trashëgimisë pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Ndonëse Serbia nuk përmendet drejtpërdrejt në dokument, diplomatët evropianë vlerësojnë se formulimi është rezultat i presionit të Sllovenisë ndaj Beogradit.
Kryeministri slloven, Janez Janshaa, ka kërkuar vazhdimisht që Serbia t’ia dorëzojë Lubljanës arkivat e shërbimeve të sigurisë, ushtarake dhe inteligjencës së ish-Jugosllavisë. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre dokumenteve vazhdon të ruhet në Beograd, ndërsa qasja në to mbetet e kufizuar, raporton klix.ba.
Çështja ka marrë vëmendje të veçantë për shkak të akuzave ndaj komisares evropiane për Zgjerim, Marta Kos, për të cilën Jansha ka pretenduar se kishte bashkëpunuar me UDBA-n, policinë sekrete të ish-Jugosllavisë.
Muajin e kaluar, Jansha publikoi në rrjetin social X kopertinën e një libri që trajton këto pretendime dhe deklaroi se Sllovenia nuk duhet ta lejojë përparimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian pa dorëzimin e plotë të arkivave.
Megjithatë, Kos i ka mohuar pretendimet për bashkëpunim me shërbimin sekret jugosllav.
Marrëveshja për Çështjet e Trashëgimisë është nënshkruar për të rregulluar ndarjen e pasurisë, detyrimeve dhe çështjeve të tjera të mbetura pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Ajo përfshin edhe çështje financiare dhe pronësore që vazhdojnë të jenë të pazgjidhura.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane e Sllovenisë nuk e mohoi se kërkesa për përfshirjen e kësaj çështjeje në deklaratën e samitit lidhet edhe me rastin e Martа Kos. Ajo theksoi se zbatimi i marrëveshjes është i rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal, pajtimin dhe respektimin e sundimit të ligjit.
Sipas ministrisë, edhe 25 vjet pas nënshkrimit, marrëveshja mbetet kryesisht e pazbatuar.
Ndërkohë, Serbia nuk mori pjesë në samitin BE–Ballkani Perëndimor, në një kohë kur vendi po kalon procesin e konsolidimit të institucioneve të reja dhe negociatat për formimin e qeverisë vazhdojnë. /Telegrafi/