
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka akuzuar deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje se po tentojnë të përfitojnë politikisht nga vrasja e Arlinda Zekajt, duke e ndërlidhur të dyshuarin me udhëheqësit e Aleancës.
Arlinda Zekaj u vra pak ditë pasi kishte raportuar në institucione kërcënimet nga bashkëshorti dhe u kishte dërguar një letër institucioneve të sigurisë, përmes së cilës kishte kërkuar mbrojtje. Për rastin dyshohet kunati i saj.
Duke iu drejtuar deputetit të VV-së, Taulant Kelmendi, Tahiri tha se ai ishte përpjekur ta lidhte të dyshuarin me udhëheqësit e AAK-së, pasi ata ishin parë në një fotografi dhe në një drekë të përbashkët.
Tahiri kritikoi edhe deputeten e VV-së, Arjeta Fejza, e cila, sipas tij, kishte përmendur ish-kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, në kontekstin e pretendimeve për dhunë në familje.
“Përfitimi i ulët politik i cili synohet të fitohet nga një tragjedi e cila ka goditur secilin njeri normal në këtë vend. Është e ulët që në çfarëdo rrethane, pa pasur evidencë, secili prej nesh e prej jush të mundohet të përfitojë politikisht nga një tragjedi, nga një trup që ende s’ka qenë në dhe”, u shpreh Tahiri në foltoren e Kuvendit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali