Inxhinieri i ndërtimit, Faruk Kryeziu, ka shprehur shqetësimin për numrin e vdekjeve të punëtorëve në vendet e punës, duke theksuar se ndër faktorët që ndikojnë në këto raste janë neglizhenca në respektimin e masave të sigurisë dhe mungesa e trajnimeve adekuate.
Kryeziu, në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se jo në të gjitha rastet përgjegjësia bie mbi ndërtuesit apo punëdhënësit, pasi, sipas tij, edhe punëtorët shpeshherë neglizhojnë rrezikun dhe nuk i respektojnë masat mbrojtëse gjatë punës.
“Është shqetësues fakti që kemi shumë vdekje të punëtorëve në vendet e punës. Mendoj që një prej faktorëve që po ndikon në raste të tilla është edhe neglizhenca e punëtorëve për respektimin e masave mbrojtëse në punë, moszbatimi i masave për pajisje mbrojtëse sipas ligjit”, është shprehur ai.
Duke folur për përvojën e tij në tregun e punës, Kryeziu ka thënë se në shumë raste punëtorët nuk tregojnë kujdesin e duhur ndaj rreziqeve në vendin e punës.
Ai ka theksuar gjithashtu se problem mbetet edhe mungesa e trajnimeve të duhura, të cilat, sipas tij, nuk kryhen gjithmonë me kohë.
Megjithatë, Kryeziu ka pranuar se ka edhe kompani që nuk i plotësojnë kushtet e nevojshme për punëtorët, duke nënvizuar se siguria në vendin e punës kërkon përgjegjësi si nga punëtorët, ashtu edhe nga punëdhënësit.
“Një prej faktorëve kryesorë është neglizhenca e punëtorëve, por ka edhe kompani që nuk i plotësojnë kushtet e punëtorëve”, ka deklaruar Kryeziu.
Burimi: Dukagjini
