Vulin tentoi të arratisej për në Moskë, mediumi serb zbulon prapaskenat- Si u rikthye aeroplani nga Lituania në Beograd?

Vulin tentoi të arratisej për në Moskë, mediumi serb zbulon prapaskenat- Si u rikthye aeroplani nga Lituania në Beograd?

Written by

in

Vulin tentoi të arratisej për në Moskë, mediumi serb zbulon prapaskenat- Si u rikthye aeroplani nga Lituania në Beograd?

Avioni i kompanisë “Air Serbia”, i cili ishte nisur mbrëmjen e së martës nga Beogradi drejt Moskës, ka ndryshuar drejtimin gjatë fluturimit dhe është kthyer në Beograd.

Sipas mediumit serb Nova.rs, në këtë aeroplan dyshohet se ndodheshin Aleksandar Vulin, drejtues i Lëvizjes së Socialistëve, Dushan Bajatoqiq, drejtor i kompanisë “Srbijagas”, dhe Nenad Popoviq, kryetar i Partisë Popullore Serbe.

Fluturimi me numër JU134 ishte nisur nga aeroporti “Nikolla Tesla” në Beograd në orën 18:48. Sipas mediumit serb, aeroplani kishte arritur deri në jug të Lituanisë, kur është urdhëruar të kthehej në Beograd.

Arsyeja e kthimit, sipas burimeve të këtij mediumi, lidhet me çështje sigurie. Urdhrin për kthimin e aeroplanit dyshohet se e kishte dhënë drejtori i sigurisë korporative të Aeroportit të Beogradit.

Më herët gjatë ditës, kryetari i Partisë Demokratike në Serbi, Sërgjan Milivojeviq, kishte ngritur dyshime për largimin e zyrtarëve serbë drejt Moskës.

Ai kishte shkruar në rrjetin social X: “Kush po ikën sonte për Moskë me fluturimin e orës 18:30?”.

Milivojeviq kishte pretenduar se njëri nga dy personat udhëtonte me biletë vetëm vajtje, duke lënë të kuptohej se ndaj një ish-ministri po përgatitej një hetim penal për keqpërdorime në ministrinë që kishte drejtuar.

Megjithatë, nuk ka konfirmim zyrtar se tre zyrtarët e përmendur ndodheshin në aeroplan apo se po largoheshin nga Serbia për t’iu shmangur ndonjë hetimi.

Ndërkohë, “Air Serbia” ka konfirmuar kthimin e aeroplanit, duke bërë të ditur se kishte marrë informacione nga shërbimet kompetente të aeroportit për nevojën e kontrolleve shtesë të sigurisë lidhur me një pasagjer.

Kompania ka thënë se vendimi për kthimin në Beograd ishte marrë për t’i kryer të gjitha procedurat e nevojshme të sigurisë. /Insajderi.org/

Burimi: Insajderi