Akademia Evropiane e Filmit ka publikuar nominimet për edicionin e 39-të të Çmimeve Evropiane të Filmit, ku në krye të listës janë tri produksione që kanë tërhequr vëmendjen e industrisë së kinematografisë evropiane.
Filmi “Fatherland”, me regji të Paweł Pawlikowskit, kryeson garën me gjithsej 11 nominime. Pas tij renditet filmi spanjoll “La Bola Negra”, me regji të Javier Calvo dhe Javier Ambrossi, i cili ka siguruar 10 nominime. Ndërkohë, “Fjord”, me regji të Cristian Mungiu, ka marrë pesë nominime.
Të dy filmat kryesorë, “Fatherland” dhe “La Bola Negra”, janë nominuar në kategoritë kryesore, përfshirë filmin më të mirë evropian, regjinë, skenarin dhe kinematografinë.
Vëmendje të veçantë ka marrë edhe aktorja gjermane Sandra Hüller, e cila është nominuar dy herë në kategorinë e aktores më të mirë evropiane, për interpretimet e saj në filmat “Fatherland” dhe “Rose”.
Në garën për aktorin më të mirë evropian janë nominuar emra të njohur të kinematografisë ndërkombëtare, përfshirë Javier Bardem për “The Beloved”, Andrew Scott për “Elsinore” dhe Sebastian Stan për “Fjord”.
Edhe rajoni i Ballkanit është i përfaqësuar në këtë edicion. Dokumentari “To Hold a Mountain”, një bashkëprodhim i Malit të Zi, Serbisë, Francës, Sllovenisë dhe Kroacisë, është nominuar në kategorinë e dokumentarit më të mirë evropian. Ndërkohë, filmi “17”, bashkëprodhim i Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Sllovenisë, është në garë për çmimin European Discovery – Prix FIPRESCI.
Në mesin e nominimeve për dokumentarin më të mirë është edhe “NAZA”, një produksion britanik që ka tërhequr vëmendjen për trajtimin e luftës në Gaza dhe përdorimin e teknologjisë në operacionet ushtarake.
Fituesit e edicionit të 39-të të Çmimeve Evropiane të Filmit do të shpallen më 16 janar 2027, në një ceremoni që do të organizohet në Qendrën Kulturore të Fondacionit Stavros Niarchos në Athinë të Greqisë.
Ky edicion pritet të jetë një nga ngjarjet e rëndësishme të kinematografisë evropiane, duke vënë përballë produksione të ndryshme nga kontinenti dhe duke vlerësuar arritjet më të spikatura në film, regji, aktrim dhe fusha të tjera të industrisë së filmit.
Burimi: Dukagjini
