
Një tjetër ambient ku magazinoheshin lëndë piroteknike të kontrabanduara është zbuluar nga Policia e Tiranës, në kuadër të operacionit “Fireworks 3”. Për këtë rast është arrestuar në flagrancë një 51-vjeçar, i identifikuar me inicialet D. K.
Gjatë kontrollit në magazinën që administronte në rrugën “Çamëria”, pranë “Tregut Çam”, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan 1853 fishekzjarre. Sipas Policisë, 51-vjeçari nuk dispononte licencën për shitjen e këtyre mallrave dhe as dokumentacionin për blerjen e tyre, transmeton Klankosova.tv.
Nga hetimet paraprake dyshohet se ai u ka shitur lëndë piroteknike personave të maskuar, të cilët dyshohet se kanë kryer veprime të dhunshme gjatë tubimit të datës 24 tetor 2026.
Operacioni “Fireworks” ka si objektiv identifikimin dhe ndalimin e personave që furnizojnë pjesëmarrësit në tubime me sende të kundërligjshme, të cilat mund të përdoren për akte dhune ndaj punonjësve të Policisë dhe objekteve publike e private.
Ky zhvillim vjen një ditë pasi Policia e Tiranës sekuestroi 47 pako me fishekzjarre në një banesë në rrugën “Zela”, të dyshuara se mbaheshin për shitje me qëllime të kundërligjshme.
Materialet procedurale për rastin e 51-vjeçarit i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.