Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur si të palejuar ankesën e Blerim Isufajt, ish-kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës, kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për largimin e tij nga pozita udhëheqëse.
Vendimi është marrë më 27 tetor, pasi Gjykata Supreme ka shqyrtuar nëse ankesa i plotësonte kushtet ligjore për t’u trajtuar nga kjo gjykatë.
Supremja ka vlerësuar se vendimi i KPK-së për largimin e Isufajt nga pozita udhëheqëse nuk është vendim disiplinor, pasi ndaj tij nuk është konstatuar përgjegjësi disiplinore. Sipas Gjykatës, vendimi është akt individual me karakter administrativ.
Për këtë arsye, Supremja ka konstatuar se nuk ka bazë ligjore për ta shqyrtuar ankesën në kuadër të kompetencës së saj për çështjet disiplinore.
Gjykata ka bërë të ditur se ligjshmëria e vendimit të KPK-së mund të kontestohet përmes procedurës së konfliktit administrativ, para gjykatës kompetente.
Burimi: Dukagjini
