
Toska Gega, menaxhere e rastit të Arlinda Zekajt në Qendrën për Punë Sociale, nuk ka dhënë përgjigje për çështjet që lidhen me trajtimin e rastit të së ndjerës.
Gazetarja e Klan Kosovës, Blerta Ahmeti, në kuadër të emisionit hulumtues “MAT”, ka tentuar të marrë përgjigje nga Gega, të cilën e ka takuar në korridoret e QPS-së. Megjithatë, zyrtarja nuk është ndalur për t’iu përgjigjur pyetjeve, duke u larguar me arsyetimin se kishte një rast urgjent.
Gjatë përpjekjes për të marrë një përgjigje, gazetarja Ahmeti e ka pyetur zyrtaren lidhur me intervistimin e djalit të Arlindës dhe pretendimet për vonesat në përgatitjen e anamnezës.
“Ajo iu ka akuzuar se nuk e keni intervistu djalin e saj nga persona të autorizuar, pastaj ju ka akuzuar që e keni vonuar anamnezën”, i është drejtuar gazetarja zyrtares së QPS-së, por nuk ka marrë përgjigje.
Rrethanat e trajtimit institucional të rastit të Arlinda Zekajt janë bërë pjesë e hulumtimit të emisionit “MAT”.