
Lëvizja Vetëvendosje ka mbledhur Këshillin e Përgjithshëm, ku ndër temat e diskutimit janë edhe zhvillimet e fundit politike dhe procesi i ardhshëm zgjedhor.
Para mbledhjes, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e pyetur nga gazetarja Qëndresa Bellagoshi nëse mund të ketë ndryshim të kryetarit të Vetëvendosjes, ka deklaruar se nuk sheh asnjë arsye që partia të ndërmarrë një hap të tillë.
Ajo theksoi se kryetari i VV-së gëzon mbështetjen më të madhe qytetare dhe është personi më i votuar në Republikën e Kosovës.
“Është e rëndësishme që të fillojmë një proces të mirë zgjedhor. Kryetari i VV-së ka mbështetjen më të madhe qytetare. Nuk shoh asnjë arsye që VV-ja të bëjë diçka në këtë drejtim, pasi është personi më i votuar në Republikën e Kosovës”, u shpreh Haxhiu për Klan Kosova.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se do t’i njoftojnë për vendimet e marra pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm.