
Vrasjet e grave, edukimi i shoqërisë dhe feja janë diskutuar sot në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova.
Avni Çakmaku ka komentuar rastet brenda familjes, përfshirë krimin e rëndë ndaj Arlinda Zekajt, ku tha se pavarësisht dënimeve maksimale që janë dhënë, ngjarjet e tilla vazhdojnë të ndodhin.
Sipas tij, rruga e vetme është edukimi i gjeneratave të ardhshme, transmeton Klankosova.tv
“Është e vërtetuar që veprat që ndodhën si ajo e Arlindës i kanë marrë dënimet maksimale. Përkundër kësaj, vrasjet po vazhdojnë. Që i bie, më e rrugës është që të investohet në edukimin e gjeneratave, që nuk ke nevojë t’i thuash puno kështu, për shkak se edukata e shtyn të veprojë në ato korniza”, ka thënë Cakmaku.
Teksa ka folur për familjen dhe fenë, ai është ndalur edhe te mbulesa, duke kundërshtuar pretendimet se u vendoset grave me presion.
“Tërë kohën po pretendoni se mbulesa gruas po i vendoset me zor. Ne kemi parë rrëfime që i kanë bërë gratë, figura publike, që kanë treguar se kanë pasur problem me familjarët që s’i kanë pranuar. Mbulesa nuk është presion. Një besimtar që e merr seriozisht Islamin, e ka të obligueshme mbulesën”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, hoxhë Ladi ka folur për rëndësinë që Islami i kushton rolit të gruas në familje dhe shoqëri.
“Ajo që njeh Islami për femrën është nënë, edukatore e shoqërisë. Pra, të gjithë ata burra që kanë dalë komandantë më të zotë botërorë, janë bijtë e atyre nënave që janë edukuar prej nënave të tyre. Pejgamberi ynë i dashur thotë se Xheneti është nën këmbët e nënës. Islami i jep shumë rëndësi”, ka deklaruar ai.