Lako: `Akordet e Kosovës`, platformë që bashkon artistët shqiptarë

Lako: `Akordet e Kosovës`, platformë që bashkon artistët shqiptarë

Written by

in

Në intervistat e dhëna gjatë festivalit, Lako ka vlerësuar nivelin dhe larminë e këngëve konkurruese, duke e cilësuar festivalin si një platformë me shumë origjinalitet.

“Këtë vit, këngët konkurruese janë me karakter, moderne, të të gjitha llojeve dhe stileve”, ka thënë Lako.

Ai ka bërë edhe një paralele mes festivalit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, duke theksuar se, pavarësisht përvojës disa dekadëshe të Festivalit të Këngës në RTSH, edhe Shqipëria ka çfarë të mësojë nga përvoja dhe qasja e “Akordeve të Kosovës”.

Në edicionin e sivjetmë, në skenën e festivalit janë prezantuar artistë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, duke e zgjeruar hapësirën e bashkëpunimit dhe të prezantimit të krijimtarisë muzikore shqiptare.

Sipas Lakos, festivale të tilla kanë rëndësi të veçantë jo vetëm për artistët, por edhe për publikun, pasi krijojnë mundësi për komunikim më të drejtpërdrejtë dhe për zhvillimin e skenës muzikore.

“Përmes festivaleve, artisti është më afër publikut dhe publiku përfiton më shumë. Festivale si ky duhet të jenë pak më të shpeshta. Ndoshta duhet të jetë edhe një festival i përbashkët që mbahet një herë në vit, me materiale që dalin nga këto festivale që mbahen në vendet e tjera ku jetojnë shqiptarët”, ka deklaruar ai.

Lako ka theksuar se aktivitete të tilla duhet të shërbejnë si ura lidhëse mes artistëve shqiptarë, pavarësisht vendit ku jetojnë dhe krijojnë.

“Besoj se çdo aktivitet i tillë si ky që e organizon Radiotelevizioni i Kosovës është një detyrim për me kriju një lidhje mes artistëve, si dhe mes artistëve dhe publikut. Jo vetëm Prishtinë për Prishtinë e Tiranë për Tiranë, por duke lidhur gjithë pjesët e shqiptarëve kudo që jetojnë: në Maqedoni të Veriut, Shqipëri, Kosovë, diasporë”, ka thënë kryetari i jurisë së festivalit, Bojken Lako.

Festivali “Akordet e Kosovës” u mbajt për tri net, më 30 dhe 31 tetor dhe më 1 nëntor 2026, në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë. Dy netët e para iu kushtuan kategorisë së të rriturve, ndërsa nata e tretë solli për herë të parë në këtë organizim garën e fëmijëve, duke e zgjeruar hapësirën e festivalit edhe për talentet e reja.

Juria profesionale e kategorisë së të rriturve përbëhej nga Bojken Lako (kryetar), Besim Gashi – Babuka, Rebeka Qena, Adelina Paloja dhe Astrit Pallaska.

Çmimin e parë të festivalit e fitoi Troja Bicurri me këngën “Mali dhe Hana”. Çmimi i dytë iu nda Fatbardha Nikçit për këngën “Hajde mor i bukur”, e cila mori edhe Çmimin e Orkestrës. Çmimin e tretë e fitoi grupi “Hawolf” me këngën “Ti si unë”, ndërsa çmimi për tekstin më të mirë iu nda Olimpia Smajlajt për këngën “Amanet”.

Në natën e fëmijëve, fituese e edicionit të parë të “Akordeve për Fëmijë” u shpall Dalina Haxhiu me këngën “Ëndrra ime s’fle”.

Burimi: RTKLive