Kjo sfidë do të zhvillohet në Dublin, me fillim nga ora 20:45, dhe i takon xhiros së fundit të Grupit B3.
Dardanët janë shumë pranë realizimit të objektivit, por për ta mbyllur këtë fazë në pozitën e dytë duhet ta kalojë me sukses edhe pengesën e fundit.
Skuadra e Franco Fodës ndodhet në vendin e dytë me gjashtë pikë, ndërsa Irlanda është një pozitë më poshtë me pesë. Ky dallim bën që Dardanët ta kenë fatin në duart e tyre, pasi edhe një barazim do të mjaftonte për të përfunduar para irlandezëve dhe për të siguruar pjesëmarrjen në pley-off-in për promovim në Ligën A.
Presioni, megjithatë, është në anën e vendasve. Irlanda nuk ka alternativë tjetër përveç fitores, nëse dëshiron ta rrëmbejë pozitën e dytë dhe të vazhdojë garën për ngjitje në nivelin më të lartë të Ligës së Kombeve.
Historia e përballjeve të fundit u jep besim futbollistëve tonë .Në ndeshjen e zhvilluar në Prishtinë, Kosova kishte marrë fitore 1-0, falë golit të Vedat Muriqit në minutën e 83-të.
Kësaj radhe, përzgjedhësi Franco Foda do të duhet të gjejë zgjidhje edhe për dy mungesa. Edon Zhegrova nuk do të luajë për shkak të lëndimit, ndërsa Veldin Hoxha është i pezulluar pas përjashtimit me karton të kuq në takimin paraprak.
Kosova në këtë përballje hyn pas barazimit pa gola me Izraelin, ku nuk arriti t’i konkretizojë rastet e krijuara. Irlanda, ndërkohë, pësoi disfatë 1-0 nga Austria, duke e humbur mundësinë për të luftuar për kreun e grupit.
Pavarësisht sfidës së vështirë që e pret në Dublin, Kosova ka një avantazh të rëndësishëm në këtë duel: nuk është e detyruar të fitojë. Menaxhimi i lojës dhe ruajtja e qetësisë do të jenë vendimtare për Dardanët, të cilët synojnë ta sigurojnë një vend në pley-off dhe ta vazhdojnë ëndrrën për Ligën A.
Burimi: RTKLive
