
Ish-udhëheqësi i Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, u paraqitën të enjten në gjykatë dhe u deklaruan të pafajshëm ndaj akuzave të reja për komplot me qëllim kryerjen e torturës.
Qeveria amerikane fillimisht e akuzoi Maduron për narkoterrorizëm, trafikim droge dhe vepra penale që lidhen me armët, ndërsa javën e kaluar shtoi akuza të reja kundër tij dhe gruas së tij, transmeton Klankosova.tv.
Maduro dhe Flores u kapën në janar gjatë një operacioni ushtarak amerikan; më pas ata u dërguan në Nju Jork, ku vazhdojnë të mbahen në burg.
Çifti është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave dhe të dy kanë kërkuar pushimin e çështjes, me argumentin se gëzojnë imunitet sovran.
Sipas BBC, gjyqi ndaj tyre është caktuar për në qershor të vitit 2027.
Në një aktakuzë të re të paraqitur javën e kaluar, prokurorët pretendojnë se Maduro dhe Flores “krijuan dhe mbajtën një sistem të dhunshëm shtypjeje”, përmes të cilit “mijëra venezuelas” u vranë, u ngacmuan dhe u torturuan.
Nicolas Maduro i mohoi akuzat e reja të ngritura kundër tij nga qeveria amerikane, duke deklaruar të enjten në gjykatë se i kundërshtonte “akuzat e rreme dhe dëshmitë e rreme që qëndrojnë pas tyre”.
“E hedh poshtë plotësisht këtë dokument”, tha Maduro në spanjisht, përmes një përkthyesi.
Gjykatësi Alvin Hellerstein e ndërpreu Maduron dhe deklaroi se gjykata do të regjistronte një deklarim pafajësie në emër të tij.
“Jam plotësisht e pafajshme. Nuk jam fajtore”, tha Flores përmes një përkthyesi. /Klankosova.tv