Tragjedi në Pakistan, 34 të vdekur nga shembja e çatisë së shkollës

Tragjedi në Pakistan, 34 të vdekur nga shembja e çatisë së shkollës

Written by

in

Tridhjetë e tre fëmijë dhe një mësues humbën jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur, kur çatia e një shkolle në Pakistanin verior u shemb të enjten në mëngjes, bënë të ditur autoritetet.

Reshjet e dendura të shiut gjatë natës bënë që çatia e një ndërtese dykatëshe në shkollën publike “Al Khair”, në qytetin Peshawar, të bëhej e paqëndrueshme dhe më pas të shembej. Fëmijët që humbën jetën ishin të moshës nga gjashtë deri në 14 vjeç, sipas spitalit në Peshawar, ku u dërguan viktimat. Rreth 50 fëmijë të tjerë u plagosën nga shembja, sipas shifrave të spitalit dhe disa prej tyre ndodhen në gjendje kritike.

Banorët vendas ishin ndër të parët që mbërritën në vendngjarje, ndërsa ekipet e shpëtimit mbërritën brenda pak minutash, thanë dëshmitarët okularë. Operacionet e shpëtimit vazhduan deri pasditen e së enjtes, por më pas përfunduan pasi të gjithë personat e bllokuar nën rrënoja u nxorën jashtë, sipas shërbimeve të emergjencës.

Shembjet e ndërtesave janë një problem i zakonshëm në Pakistan. Standardet e ndërtimit në vend shpesh nuk zbatohen siç duhet dhe shumë struktura ndërtohen me materiale që nuk i përmbushin standardet.

Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, e quajti incidentin një “tragjedi zemërthyere” dhe bëri thirrje për një hetim gjithëpërfshirës mbi shkakun e shembjes vdekjeprurëse. Pronari i shkollës është arrestuar dhe ka nisur një hetim lidhur me incidentin, ka thënë për CNN- një zyrtar policor në Peshavar.

Shembja ndodh vetëm pak javë pasi një zjarr përfshiu një spital në kryeqytetin Islamabad, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 14 të porsalindurve, si dhe duke nxitur zemërim të gjerë e arrestime të shumta.

Burimi: RTKLive