
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” është në rrezik, për shkak të vonesave dhe mospërmbushjes së detyrimeve nga institucionet përgjegjëse.
Në një konferencë për media, Rama bëri të ditur se Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ISMG), përmes një letre zyrtare të dërguar më 15 tetor, ka shprehur shqetësimin për vonesat që mund të rrezikojnë mbajtjen e këtij organizimi në Prishtinë.
Sipas Ramës, kjo nuk është hera e parë që autoritetet marrin paralajmërime të tilla, ndërsa ai pretendon se shqetësimet e ngritura muaj më parë nuk kanë marrë përgjigjen e duhur nga Qeveria.
“Sot jemi këtu për të informuar opinionin publik për një situatë jashtëzakonisht serioze që ka të bëjë me organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se, sipas letrës së ISMG-së, shkresa e 21 shtatorit ka mbetur pa përgjigje, ndërsa garancia bankare ose e sigurimit, e kërkuar që nga janari, ende nuk është dorëzuar.
Po ashtu, Rama tha se detyrimet financiare që duhej të përmbusheshin në muajin qershor nuk janë paguar.
Kryetari i Prishtinës paralajmëroi se këto vonesa dhe detyrime të papërmbushura po e vënë në pikëpyetje realizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 në kryeqytet.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Lojërat Mesdhetare 2030 nën rrezik, Rama drejton kritikat ndaj Qeverisë appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali