
Një vetaksident trafiku ka ndodhur sot rreth mesditës në autostradën Mazgit–Trudë, ku është përfshirë një veturë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, është deklaruar për media, duke bërë të ditur se si pasojë e vetaksidentit janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa një person ka kërkuar ndihmë mjekësore.
“Sot në mesditë Policia e Kosovës ka pranuar informatën lidhur me një aksident trafiku në autostradë. Njësia për kontroll në autostradë i është përgjigjur menjëherë informatës dhe ka konstatuar se në autostradë, relacioni Mazgit-Trudë, ishte shkaktuar një vetaksident trafiku, ku një automjet ishte i përfshirë”, ka thënë Hoxha.
Ai ka bërë të ditur se policia është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për të hetuar rrethanat e këtij vetaksidenti.
Hoxha ka dhënë edhe statistikat e aksidenteve fatale për periudhën janar-gusht të këtij viti. Sipas tij, në aksidente trafiku kanë humbur jetën 79 persona, prej të cilëve 44 shoferë.
“Nga 74 aksidente fatale gjatë kësaj periudhe, 22 kanë qenë vetaksidente”, ka deklaruar ai.
Policia u ka bërë thirrje shoferëve që të kenë kujdes të shtuar në trafik dhe të respektojnë kufizimet e shpejtësisë, për të parandaluar aksidentet me pasoja fatale. /Insajderi.org/
Burimi: Insajderi