Author: Momenti

  • Maroku kundërshton vendimin e CAS-it që e shpalli Senegalin kampion

    Maroku kundërshton vendimin e CAS-it që e shpalli Senegalin kampion

    CAS-i e ka rrëzuar vendimin e mëparshëm të Komisionit të Apelit të Konfederatës Afrikane të Futbollit (CAF), i cili në muajin mars ia kishte regjistruar Senegalit humbjen me rezultat zyrtar 3:0.

    Finalja ishte zhvilluar më 18 janar të vitit 2026 në Rabat të Marokut. Senegali kishte fituar në fushë me rezultat 1:0, pas vazhdimeve, falë golit të Pape Gueye.

    Ndeshja ishte ndërprerë përkohësisht në minutat e fundit të kohës së rregullt, pasi futbollistët e Senegalit kishin lëshuar fushën në shenjë proteste ndaj vendimit të gjyqtarit për t’i akorduar penallti Marokut. Përfaqësuesja marokene nuk kishte arritur ta shndërronte penalltinë në gol, ndërsa Senegali kishte fituar më pas në vazhdime.

    Në vendimin e së martës, CAS-i ka vlerësuar se vendimi i gjyqtarit për penalltinë dhe pasojat e tij ishin çështje që i takonin fushës së lojës. Trupi gjykues, i përbërë nga tre anëtarë, e ka marrë vendimin unanimisht, pas një seance dëgjimore të mbajtur më 8 tetor në Lozanë të Zvicrës.

    Federata e Futbollit të Marokut e ka cilësuar vendimin si të habitshëm dhe ka shprehur kundërshtimin e saj. Ajo ka pretenduar se CAS-i nuk i ka marrë parasysh siç duhet argumentet e saj, përfshirë edhe çështjen e përgjegjësisë disiplinore të futbollistëve që largohen nga fusha pa lejen e gjyqtarit.

    Maroku ka ngritur gjithashtu shqetësime për një shkëmbim që, sipas federatës, kishte ndodhur dyzet e tetë orë para shpalljes së vendimit ndërmjet gjyqtarit gjerman të CAS-it, Ulrich Haas, dhe presidentit të Federatës së Futbollit të Senegalit.

    Federata marokene ka bërë të ditur se do t’i shfrytëzojë të gjitha rrugët ligjore në dispozicion për ta kundërshtuar vendimin.

     

    Burimi: RTKLive

  • Arrestohen edhe vjehrra e kunati i Arlinda Zekajt, dështon seanca fillesare ndaj ish-burrit të saj

    Arrestohen edhe vjehrra e kunati i Arlinda Zekajt, dështon seanca fillesare ndaj ish-burrit të saj

    Pothuajse e tërë familja Sylaj ndodhet në pranga për shkak të vrasjes së Arlinda Zekajt. Në ditën kur Jeton Sylaj do të dilte para Gjykatës në Pejë në seancën fillestare, u arrestuan edhe katër persona të tjerë, dy prej të cilëve familjarë të ngushtë të tij. Seanca u ndërpre për shkak të një kërkese të avokatit te familjes.

    Burimi: Dukagjini

  • Sabah Kerjota, historia e një ëndrre të realizuar: Nga Serie D në Ligën e Konferencës, deri te Kombëtarja e Shqipërisë

    Sabah Kerjota, historia e një ëndrre të realizuar: Nga Serie D në Ligën e Konferencës, deri te Kombëtarja e Shqipërisë

    Nga futbolli amator në Itali, te skena evropiane me Hearts në Skoci. Historia e shqiptarit Sabah Kerjotës është një dëshmi se këmbëngulja dhe besimi në vetvete mund ta ndryshojnë jetën e një futbollisti brenda një momenti.

    Sulmuesi shqiptar, i lindur në Shkodër dhe i transferuar në Itali në moshën 16-vjeçare, ka kaluar një rrugë të gjatë për të arritur në nivelin ku ndodhet sot.

    Nga Serie D, ku zhvilloi pjesën më të madhe të karrierës së tij, ai tashmë luan në Scottish Premiership, është pjesë e Hearts dhe ka shijuar edhe paraqitjet në Ligën e Konferencës. Së fundmi, Kerjota mori edhe ftesën e parë nga Kombëtarja e Shqipërisë.

    Në një intervistë për GianlucaDiMarzio.com, 25-vjeçari ka rrëfyer rrugëtimin e tij, përshtatjen në futbollin skocez, emocionet që po përjeton në Edinburg dhe ëndrrën për të luajtur një ditë në Serie A.

    Nga Serie D te ëndrra skoceze

    Kerjota iu bashkua Hearts në verën e vitit 2025. Pas një periudhe përshtatjeje, ai arriti të bëhej një futbollist i rëndësishëm për skuadrën skoceze. Deri në momentin e intervistës, shqiptari kishte regjistruar 42 paraqitje në të gjitha garat, me tri gola dhe shtatë asistime.

    Ai nuk e fsheh kënaqësinë që po përjeton në Edinburg, ku ka mundësinë të luajë në stadiume të njohura dhe përballë skuadrave të mëdha të futbollit skocez.

    “Për Edinburgun mund të them vetëm gjëra të mira. Më e bukura është të luash kundër skuadrave të rëndësishme si Celtic dhe Rangers. Për një futbollist, të zbresësh në fushë në Celtic Park apo Ibrox është një ëndërr. E njëjta gjë vlen edhe kur luajmë në shtëpi, në Tynecastle”, ka treguar Kerjota.

    Ai kujton edhe sezonin e kaluar, kur Hearts ishte shumë pranë fitimit të titullit kampion, një sukses që do të kishte qenë historik për klubin pas rreth 60 vjetësh.

    “Pavarësisht se si përfundoi, ishte një sezon shumë i bukur”, u shpreh sulmuesi shqiptar.

    Nga futbolli amator në Itali, pa u dorëzuar

    Rrugëtimi i Kerjotës është edhe më i veçantë për shkak të vështirësive që ka kaluar në Itali. Pas transferimit në këtë shtet, ai e nisi karrierën në ligat amatore, fillimisht në Eccellenza e më pas në Promozione.

    Një provë e suksesshme te Parma dukej se mund t’ia ndryshonte karrierën, por pandemia COVID-19 ia ndërpreu atë mundësi. Më pas luajti për Anconitana, Montefano, Vigor Senigallia dhe Sambenedettese, duke ndërtuar gradualisht emrin e tij në futbollin italian.

    Me mbi 100 paraqitje në Serie D dhe një kampionat të fituar, Kerjota nuk arriti të luante në nivelet profesioniste të futbollit italian. Megjithatë, ai nuk e sheh këtë si arsye për t’u dorëzuar.

    “Kam atë pengun që nuk arrita të luaja në nivelet profesioniste në Itali. Kam punuar shumë për të arritur atje. Sigurisht që dëshira për t’u kthyer një ditë në Itali ekziston. Është vendi që e dua, ku i kam të gjithë miqtë e mi. Të luaja në Serie A do të ishte një ëndërr, por sot jam shumë i lumtur te Hearts”, ka deklaruar ai.

    Kerjota ka falënderuar edhe klubet që i besuan gjatë karrierës, si dhe agjentin e tij Silvio Pagliari dhe drejtorin sportiv Stefano De Angelis, të cilët, sipas tij, besuan vazhdimisht në potencialin e tij.

    Një prej klubeve që ai veçon është Vigor Senigallia, për të cilën thotë se e ka ndihmuar të bëhet futbollisti që është sot.

    Përshtatja me futbollin skocez dhe sfidat e mëdha

    Kalimi nga Serie D në Scottish Premiership nuk ishte i lehtë. Kerjota tregon se futbolli në Skoci ka një intensitet dhe fizik shumë më të madh, ndaj iu desh të punonte fort për t’u përshtatur.

    “Futbolli në Skoci është shumë fizik. Unë vija nga Serie D, nga Sambenedettese. Pavarësisht se luaja në atë klub dhe në atë kategori, ku dukej sikur ishim Real Madridi në Ligën e Kampionëve për nga forca që kishim, m’u desh të përshtatesha me këtë aventurë të re. Nuk mjafton vetëm teknika, duhen edhe fiziku dhe vrapimi. M’u desh të stërvitesha shumë”, rrëfen ai.

    Tashmë, për Kerjotën përballjet me skuadrat më të mëdha skoceze janë pjesë e përditshmërisë. Ai ka mësuar ta shijojë atmosferën e stadiumeve dhe mbështetjen e tifozëve të Hearts.

    Ftesa e parë nga Shqipëria: Emocion i papërshkrueshëm

    Një tjetër moment i rëndësishëm në karrierën e sulmuesit ishte ftesa e parë nga Kombëtarja e Shqipërisë, e drejtuar nga trajneri Rolando Maran.

    Kerjota ende nuk ka debutuar me fanellën kuqezi, por e konsideron thirrjen një emocion të veçantë dhe një mundësi që dëshiron ta shfrytëzojë.

    “Është një emocion i papërshkrueshëm, vërtet. Nuk di si ta shpjegoj. Ende nuk kam debutuar, por do të bëj më të mirën për t’i shfrytëzuar mundësitë e ardhshme. Jam stërvitur me futbollistë që vetëm disa muaj më parë i shihja në televizor”, ka thënë ai.

    Mesazhi për futbollistët që luajnë në ligat e ulëta

    Në fund të intervistës, Kerjota ka dhënë edhe një mesazh për futbollistët e rinj, sidomos për ata që luajnë në ligat e ulëta dhe ëndërrojnë të arrijnë në nivelet më të larta.

    Ai e di më mirë se kushdo se rruga mund të jetë e gjatë dhe se jo gjithmonë mundësitë vijnë në momentin e duhur.

    “Në futboll duhen cilësi dhe fat, por duhet të kesh parasysh edhe lëndimet. Megjithatë, gjithmonë u them miqve me të cilët luaja në Promozione që të mos dorëzohen kurrë”, përfundoi Kerjota.

    Nga Shkodra në Itali, nga ligat amatore te futbolli evropian dhe Kombëtarja e Shqipërisë, historia e Sabah Kerjotës është një shembull se si një karrierë mund të marrë drejtim tjetër kur nuk heq dorë nga ëndrra. /Telegrafi/

  • SHBA-ja do të jetë nikoqire e Kupës së Amerikës për herë të dytë radhazi

    SHBA-ja do të jetë nikoqire e Kupës së Amerikës për herë të dytë radhazi

    Në këtë garë do të marrin pjesë gjashtëmbëdhjetë përfaqësuese: dhjetë nga Amerika e Jugut dhe gjashtë nga Amerika e Veriut, Amerika Qendrore dhe Karaibet.

    Kupa e Amerikës do të zhvillohet nga 9 qershori deri më nëntë korrik të vitit 2028. Gjashtë përfaqësueset e CONCACAF-it do ta sigurojnë pjesëmarrjen përmes Kupës së Artë të vitit 2027.

    SHBA-ja e kishte organizuar edhe edicionin e vitit 2024, në të cilin Argjentina e kishte mposhtur Kolumbinë në finale. Ky shtet e kishte pritur garën edhe në vitin 2016, kur përfaqësuesja amerikane kishte përfunduar në vendin e katërt.

    Presidenti i CONCACAF-it, Victor Montagliani, ka thënë se bashkëpunimi i ri do t’u japë gjashtë përfaqësueseve të kësaj konfederate mundësinë të përballen me disa prej ekipeve më të mira në botë.

    Ndërkaq, presidenti i CONMEBOL-it, Alejandro Domínguez, e ka cilësuar Kupën e Amerikës si pjesë të identitetit dhe historisë së futbollit të Amerikës së Jugut.

    Konfederatat kanë bërë të ditur se qytetet nikoqire dhe stadiumet ku do të zhvillohen ndeshjet do të bëhen të ditura në një fazë të mëvonshme.

    Burimi: RTKLive

  • Në pritjen e ambasadorit Malaj, Haradinaj flet për rëndësinë e 28 Nëntorit

    Në pritjen e ambasadorit Malaj, Haradinaj flet për rëndësinë e 28 Nëntorit

    Në pritjen e ambasadorit Malaj, Haradinaj flet për rëndësinë e 28 Nëntorit

    Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në pritjen solemne të organizuar nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, në prag të shënimit të 114 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se në këtë pritje u përkujtua akti sublim i shpalljes së Pavarësisë që i dha jetë shtetit shqiptar të lirë e sovran.

    Haradinaj, e përmend rëndësinë e datës 28 Nëntor, duke e lidhur me ngjarje historike të shqiptarëve, si Pavarësinë e Shqipërisë, daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 1997, si dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari.

    “28 Nëntori si kryefestë e shqiptarëve që nga viti 1443, për të vazhduar më 28 nëntor 1912 me aktin shpalljes së pavarësisë e deri tek 28 nëntori i 1997 me daljen e parë publike të UÇK-së, dhe njëkohësisht ditëlindja e Komandantit legjendar Adem Jashari, është emocioni më sublim i çdo shqiptari”, ka shkruar Haradinaj, transmeton Klankosova.tv.

    Në fund të postimit, ai ka theksuar se shqiptarët kanë qenë dhe do të jenë bashkë gjithmonë në përpjekjet për të drejtat e tyre.

  • “Nuk ndihem fajtore, dihet kush e ka kryer”, ish-vjehrra e Arlinda Zekajt del me pranga nga gjykata

    “Nuk ndihem fajtore, dihet kush e ka kryer”, ish-vjehrra e Arlinda Zekajt del me pranga nga gjykata

    Nurije Sylaj, ish-vjehrra e Arlinda Zekajt, ka dalë nga objekti i gjykatës me pranga në duar, duke tentuar ta mbulonte fytyrën nga kamerat.

    Ajo është pyetur nga gazetarët nëse ndihet fajtore për vrasjen e Arlindës, të cilën e kreu djali i saj, Albert Sylaj.

    “Nuk ndihem fajtore, dihet kush e ka kry”, është përgjigjur Nurije Sylaj.

    Ish-vjehrra e Arlindës dyshohet nga Prokuroria se ka ndihmuar në përgatitjen dhe lehtësimin e vrasjes, duke fotografuar dhe incizuar vazhdimisht viktimën, si dhe duke përcjellë lëvizjet e saj.

    Po ashtu, sipas dyshimeve të Prokurorisë, ajo ishte e pranishme në shtëpi gjatë kohës kur Arlinda po sulmohej me sëpatë, por nuk kishte ndërhyrë për ta ndaluar sulmin.

    Ndaj saj, prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit.

  • Pamje ekskluzive: Si ndodhi vrasja në Suharekë para syve të bashkëshortes dhe fëmijës së viktimës?

    Pamje ekskluzive: Si ndodhi vrasja në Suharekë para syve të bashkëshortes dhe fëmijës së viktimës?

    Pamje ekskluzive: Si ndodhi vrasja në Suharekë para syve të bashkëshortes dhe fëmijës së viktimës?

    Ora shënon 12 e 1 minutë, kur viktima S.D kishte arritur në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë.

    Nga pamjet e kamerave, shihet se i njëjti pret që të lirohet një vend parking, në mënyrë që të zërë vendin e tij.

    Derisa zë vend, mbrapa tij ndalon vetura e llojit Audi të cilën po e drejtonte Rrahman Hoti.

    Hoti pret derisa nga vetura të dalë S.D.

    Me të dalë nga vetura viktima shihet se i afrohet veturës së Hotit dhe diskutojnë.

    Më pas viktima niset në drejtim të derës së ngasësit të veturës bashkë me familjarët e tij, ndërsa Hoti lëvizë me veturë dhe ndalon disa metra më poshtë.

    I njëjti shihet teksa del nga vetura dhe me armë në dorë niset në drejtim të tani viktimës S.D.

    Fillimisht atë tenton ta ndaloj bashkëshortja e viktimës, por Hoti arrinë që të shtijë disa herë në drejtim të S.D, krejt kjo në prani të bashkëshortes dhe fëmijës së mitur.

    Më pas, i dyshuari kalon në anën tjetër nga ku përsëri dyshohet se shtiu në drejtim të viktimës.

    Pasi e qëllon disa herë viktimën, Hoti vendos armën në bel dhe largohet nga vendi i ngjarjes.

    Gjithë kjo ndodh brenda më pak se dy minutave.

    “Me datën 18 rreth orës 12 e 10 neve e kemi pranu një telefonatë nga një qytetar se kanë ndodhur të shtëna me armë zjarri dhe dyshohet se është vra dikush. Fatmirësisht ka qëllu një patrollë policore shumë afër dhe në ora 12:13 veç ka qenë patrolla në vendin e ngjarjes.

    Brenda asaj periudhe 2 3 minutshe i dyshuari është largu, kurse viktima në atë rast ka qenë brenda në veturë dhe në atë kohë është thirr urgjenca dhe njësit shtesë të policisë të cilët kanë ardhur me i jep ndihmë të plagosurit në atë rast”, ka thënë komandanti i Stacionit Policor në Suharekë.

    Burime të emisionit hulumtues “Dosja” brenda Hetimeve Rajonale në Prizren, kanë treguar i dyshuari dhe viktima nuk ishin njohur mes vete, dhe se gjithë diskutimi kishte ndodhur për parking.

    Megjithatë i dyshuari Rrahman Hoti kishte pretenduar se e kishte parë viktimën duke kërkuar diçka nën ulëse, dhe kishte aluduar se po kërkonte armë.

    Kështu, pretendon se vetëm më pastaj e kishte nxjerr armën dhe kishte shtënë në drejtim të tij.

    Mirëpo, Hotit nuk i mjaftoi vetëm kjo, por doli dhe nga pjesa e pasagjerit nga ku dyshohet se shtiu përsëri.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • Artistë nga Kosova dhe Shqipëria bashkohen në Javën Kulturore në Tropojë

    Artistë nga Kosova dhe Shqipëria bashkohen në Javën Kulturore në Tropojë

    Qyteti i Bajram Currit ka shënuar Javën Kulturore Kombëtare me aktivitete muzikore dhe artistike në kuadër të “Next Generation 2.0”, ku morën pjesë artistë dhe krijues nga Shqipëria dhe Kosova.

    Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur se gjatë fundjavës, në skenë janë ngjitur Rovena Dilo, Alis Kallaci, Shpat Deda dhe artistja e re Troja Bicurri.

    “Nga hapat e K’cimit të Tropojës te këngët live, këtë fundjavë Bajram Curri lëvizi në ritmin e Next Generation 2.0”, ka shkruar Gonxhja.

    Sipas tij, artistët e Cirkut Kombëtar i kanë shtuar programit një tjetër ritëm, ndërsa të rinjtë në publik kanë kënduar dhe vallëzuar së bashku me artistët.

    Në kuadër të Art Market, të organizuar në Muzeun e Tropojës, artistë dhe krijues nga Shqipëria dhe Kosova kanë prezantuar piktura, punime druri, veshje dhe qeramikë.

    Vizitorët kanë pasur mundësi të takojnë edhe artistë të tatuazhit dhe të provojnë realitetin virtual (VR).

    “Kështu e festoi Tropoja Javën Kulturore Kombëtare, me këngë që kaluan nga skena te publiku, me valle që i bënë të gjithë bashkë dhe me krijues nga të dy anët e kufirit”, ka theksuar Gonxhja.

     

    Burimi: RTKLive

  • Fabrizio Romano konfirmon lajmin e madh: Man United synon tri përforcime në janar

    Fabrizio Romano konfirmon lajmin e madh: Man United synon tri përforcime në janar

    Manchester United pritet të bëjë dy ose tri përforcime në afatin kalimtar të janarit, me një sulmues dhe përforcime në repartin defensiv që janë ndër prioritetet kryesore të klubit, sipas Fabrizio Romanos.

    “Djajtë e Kuq” pritet të nisin diskutimet për strategjinë e transferimeve pas ndeshjes në Ligën e Kampionëve ndaj Sportingut, ku në këto bisedime do të përfshihet edhe trajneri Mauricio Pochettino.

    Drejtuesit e klubit synojnë të përcaktojnë se çfarë mund të bëjnë në afatin kalimtar të janarit, duke marrë parasysh buxhetin e tyre dhe mundësitë financiare.

    United tashmë e di shumën që mund ta shpenzojë dhe nuk pritet të bëjë investime të tepruara, ndërsa planet mund të ndikohen edhe nga largimet e mundshme dhe ofertat që do të vijnë për futbollistët e skuadrës.

    Një sulmues i ri është ndër prioritetet e Pochettinos, ndërsa situata e Joshua Zirkzee pritet të jetë një prej çështjeve që do të shqyrtohet pas ndryshimit në stolin e trajnerit.

    Përveç repartit ofensiv, Manchester United po planifikon edhe përforcimin e mbrojtjes. Një qendërmbrojtës dhe një mbrojtës i majtë janë në mesin e objektivave, megjithëse klubi mund të vendosë të transferojë vetëm njërin prej tyre, varësisht nga mundësitë që do të paraqiten dhe çmimet e kërkuara.

    “Manchester United pritet të lëvizë në treg. Unë do të prisja dy ose tri transferime, varësisht sërish nga buxheti dhe financat”, ka deklaruar Fabrizio Romano.

    Numri përfundimtar i përforcimeve mund të varet edhe nga futbollistët që do të largohen nga Old Trafford, si dhe nga ofertat që do të mbërrijnë për lojtarët të cilët nuk konsiderohen të paprekshëm në skuadër./Telegrafi/

  • Nuk konsumoni karbohidrate, por sheqeri në gjak vazhdon të rritet: Pse ndodh kjo?

    Nuk konsumoni karbohidrate, por sheqeri në gjak vazhdon të rritet: Pse ndodh kjo?

    Edhe kur hiqni bukën, makaronat, patatet dhe ëmbëlsirat nga ushqimi, organizmi vazhdon të prodhojë glukozë. Ky mekanizëm ka rëndësi të veçantë për personat me diabet

    Imagjinoni sikur gjatë gjithë ditës të konsumoni vetëm ushqime me shumë pak karbohidrate: vezë për mëngjes, mish dhe sallatë për drekë, ndërsa peshk për darkë. Ndoshta prisni që niveli i sheqerit në gjak të ulet ndjeshëm, por kjo nuk ndodh domosdoshmërisht.

    Arsyeja është e thjeshtë: organizmi nuk varet vetëm nga glukoza që marrim përmes ushqimit. Ai është në gjendje ta prodhojë edhe vetë.

    Si prodhon organizmi glukozë kur nuk e marrim përmes ushqimit?

    Kur konsumojmë ushqime të pasura me karbohidrate, sistemi tretës zbërthen karbohidratet e tretshme në sheqerna të thjeshta, përfshirë glukozën. Ajo kalon në qarkullimin e gjakut dhe përdoret si burim energjie.

    Ndërmjet vakteve, organizmi përdor glikogjenin, formën rezervë të glukozës, që gjendet kryesisht në mëlçi dhe muskuj. Glikogjeni i mëlçisë ndihmon në ruajtjen e nivelit të glukozës në gjak, ndërsa ai i muskujve përdoret kryesisht për nevojat energjetike të tyre.

    Me pakësimin e këtyre rezervave, rëndësi gjithnjë më të madhe merr glukoneogjeneza, procesi i prodhimit të glukozës së re.

    Sipas literaturës mjekësore të publikuar në Bibliotekën Kombëtare të Mjekësisë të SHBA-së (NLM), mëlçia dhe, pjesërisht, veshkat prodhojnë glukozë nga disa aminoacide, gliceroli që çlirohet gjatë zbërthimit të yndyrave dhe laktati që krijohet gjatë proceseve metabolike, përcjell Telegrafi.

    Pse na nevojitet glukoza edhe kur organizmi përdor yndyrat?

    Truri konsumon sasi të konsiderueshme energjie dhe, në kushte normale, glukoza është burimi i tij kryesor.

    Kur marrja e karbohidrateve kufizohet ndjeshëm, organizmi fillon të përdorë më shumë yndyra. Mëlçia prodhon trupa ketonikë, të cilët mund të shërbejnë si burim alternativ energjie, përfshirë furnizimin e trurit. Kjo gjendje metabolike quhet ketozë.

    Megjithatë, glukoza mbetet e domosdoshme. Eritrocitet, për shembull, nuk mund t’i përdorin trupat ketonikë si burim energjie. Prandaj, organizmi vazhdon të prodhojë glukozë edhe gjatë agjërimit të zgjatur ose ushqyerjes me shumë pak karbohidrate.

    A mund të rritet sheqeri në gjak pa konsumuar karbohidrate?

    Po, veçanërisht te personat me diabet. Niveli i glukozës ndikohet edhe nga hormonet, aktiviteti fizik, stresi, sëmundjet, sasia e insulinës dhe mënyra se si mëlçia prodhon ose çliron glukozën.

    Gjatë natës, mëlçia vazhdon të furnizojë organizmin me glukozë. Në orët e hershme të mëngjesit, ndryshimet hormonale mund të nxisin rritjen e saj në gjak.

    Sipas Shoqatës Amerikane të Diabetit (ADA), kjo dukuri njihet si fenomeni i agimit. Ajo shpjegon pse disa pacientë kanë vlera të larta të glukozës në mëngjes, edhe pse nuk kanë ngrënë gjatë natës.

    Gjithashtu, vaktet e pasura me proteina mund të shkaktojnë rritje të vonuar të glukozës te disa persona me diabet. Kjo nuk nënkupton se proteinat janë të njëjta me sheqerin, por se rregullimi i glukozës është një proces kompleks.

    YuriArcursPeopleimages

    Pse personat me diabet të tipit 1 kanë nevojë për insulinë edhe kur nuk konsumojnë karbohidrate?

    Një keqkuptim i zakonshëm është se insulina nevojitet vetëm pas konsumimit të karbohidrateve. Në të vërtetë, ajo rregullon edhe prodhimin e glukozës nga mëlçia dhe kufizon zbërthimin e tepërt të yndyrave.

    Te personat me diabet të tipit 1, pankreasi prodhon shumë pak insulinë ose aspak. Për këtë arsye, organizmi ka nevojë për insulinë edhe ndërmjet vakteve dhe gjatë natës.

    Kur insulina mungon, niveli i glukozës mund të rritet ndjeshëm, ndërsa zbërthimi i përshpejtuar i yndyrave shkakton grumbullimin e trupave ketonikë. Kjo mund të çojë në ketoacidozë diabetike, një komplikim serioz që rrezikon jetën.

    Shërbimi Kombëtar Shëndetësor britanik (NHS) thekson se insulina nuk duhet ndërprerë edhe kur pacienti nuk ushqehet. Dozat përshtaten sipas udhëzimeve individuale të mjekut.

    Ketoza ushqimore nuk duhet ngatërruar me ketoacidozën diabetike. Në rastin e parë, aciditeti i gjakut mbetet normal, ndërsa në të dytin çrregullohet në mënyrë të rrezikshme.

    Të vjellat, dhimbjet e barkut, frymëmarrja e thellë dhe konfuzioni mund të paralajmërojnë ketoacidozën dhe kërkojnë ndihmë urgjente mjekësore.

    A duhet të eliminohen plotësisht karbohidratet për kontrollin e sheqerit?

    Jo. Karbohidratet nuk janë në vetvete të dëmshme dhe eliminimi i tyre nuk është kusht i domosdoshëm për kontrollin e diabetit.

    Pijet e ëmbëlsuara, ëmbëlsirat dhe produktet nga mielli i bardhë shpesh shkaktojnë rritje më të shpejtë të glukozës. Ndërkaq, bishtajoret, drithërat integrale, perimet dhe frutat e plota ofrojnë fibra, vitamina dhe minerale. Fibrat ndihmojnë në ngadalësimin e përthithjes së karbohidrateve.

    Sipas Shoqatës Amerikane të Diabetit, kufizimi i karbohidrateve mund të përmirësojë kontrollin e glukozës te disa pacientë me diabet të tipit 2. Megjithatë, mënyra e ushqyerjes duhet individualizuar.

    Personat që përdorin insulinë ose barna që mund të shkaktojnë hipoglikemi duhet t’i planifikojnë ndryshimet ushqimore me mjekun.

    Glukoza është burim jetik energjie. Problemi lind kur përqendrimi i saj në gjak mbetet i lartë ose pëson luhatje të rrezikshme.

    Eliminimi i karbohidrateve nuk garanton normalizimin e glukozës dhe nuk nënkupton se terapia e diabetit bëhet e panevojshme. /Telegrafi/