Author: Momenti

  • E vëzhgoi vrasjen e Arlindës me sëpatë, dosja e Prokurorisë zbardh detaje rreth rolit të ish-vjehrrës dhe ish-kunatit në krim

    E vëzhgoi vrasjen e Arlindës me sëpatë, dosja e Prokurorisë zbardh detaje rreth rolit të ish-vjehrrës dhe ish-kunatit në krim

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të dyshuarve lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës. Paraburgimi është kërkuar për ish-vjehrrën e Zekajt, Nurije Sylaj, ish-kunatin Driton Sylaj, si dhe Metë Pepajn dhe Gëzim Bobin.

    Sipas Prokurorisë, Nurije dhe Driton Sylaj dyshohen se ndihmuan në kryerjen e vrasjes, kurse Metë Pepaj e Gëzim Bobi, dyshohen se ndihmuan Albert Sylajn pas kryerjes së vrasjes. Hetimet janë zgjeruar edhe ndaj ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, Jeton Sylaj, i cili dyshohet për “Shtytje në vrasje të rëndë”.

    “Betimi për Drejtësi” ka siguruar kërkesën e Prokurorisë, në të cilën thuhet se Nurije Sylaj dyshohet se me dashje ka ndihmuar në përgatitjen dhe lehtësimin e kryerjes së veprës penale nga Albert Sylaj. Aty thuhet se nga data 22 tetor 2026, kur viktima Arlinda Zekaj ishte kthyer për të jetuar në shtëpinë familjare, ka fotografuar dhe incizuar vazhdimisht viktimën, duke siguruar dhe ruajtur në telefonin e saj mobil fotografi dhe video që pasqyrojnë praninë dhe lëvizjet e saj.

    Ndërsa, Prokuroria thekson se në telefonin e saj është gjetur edhe një video e datës 23 tetor 2026, në të cilën viktima shihet duke ecur në qytet, video kjo që dyshohet se i ishte dërguar nga Driton Sylaj përmes aplikacionit WhatsApp.

    Këto veprime, sipas Prokurorisë, dyshohet se janë ndërmarrë në kuadër të një koordinimi paraprak me personat e tjerë dhe me qëllim të sigurimit, përcjelljes dhe shkëmbimit të informacioneve lidhur me lëvizjet dhe vendndodhjen e viktimës, duke krijuar kështu kushte dhe duke lehtësuar realizimin e planit të dyshuar për privimin e saj nga jeta.

    Po ashtu, sipas Prokurorisë, në ditën kritike, Nurije Sylaj ka qenë e pranishme në shtëpi, fillimisht në sallon e më pas edhe në dhomën e gjumit, gjatë kohës kur Albert Sylaj e ka sulmuar viktimën Arlinda Zekaj me sëpatë, duke mos ndërmarrë asnjë veprim për ta penguar apo ndërprerë sulmin, ndonëse ka qenë prezente dhe në dijeni për veprimet që po zhvilloheshin, ndërsa pas kryerjes së veprës penale, në deklaratën e dhënë në cilësi të dëshmitares, dyshohet se ka tentuar t’i devijojë hetimet dhe të fshehë rrethanat e vërteta të ngjarjes, duke pretenduar se viktima e kishte shtyrë dhe rrëzuar në tokë dhe se ajo vetë kishte qenë pa ndjenja në kohën e kryerjes së vrasjes.

    Këto pretendime, sipas Prokurorisë, nga provat e deritanishme, nuk përputhen me incizimet e kamerave të sigurisë, sidomos njërës ku shihet zhvillimi i një pjese të ngjarjes dhe prania e saj gjatë veprimeve të Albert Sylajt.

    Me këtë, Nurije Sylaj dyshohet se ka kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprs penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3, 1.4 e 1.8 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal.

    Ndërsa, Driton Sylaj dyshohet se me dashje ka ndihmuar në përgatitjen dhe lehtësimin e kryerjes së veprës penale nga Albert Sylaj. Ai ka përcjellë lëvizjet e viktimës dhe ka siguruar informacione për vendndodhjen e saj, duke e incizuar më 23 tetor 2026 duke ecur në qytet, ndërsa videon e realizuar ia ka dërguar Nurije Sylajt përmes aplikacionit WhatsApp, me ç’rast materiali është gjetur në telefonin e kësaj të fundit.

    Këto veprime, Prokuroria vlerëson se Driton Sylaj i ka ndërmarrë duke qenë në dijeni për planin e personave të tjerë për privimin nga jeta të viktimës dhe me qëllim që, përmes sigurimit dhe transmetimit të informacioneve për lëvizjet e saj, të krijojë kushte dhe të lehtësojë realizimin e veprës penale. Dhe , pas kryerjes së vrasjes, Albert Sylaj e ka njoftuar për vrasjen e viktimës.

    Me këtë, Driton Sylaj dyshohet se ka kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3, 1.4 e 1.8 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal.

    Kurse, Metë Pepaj dyshohet se më 25 tetor 2026, me dashje ka ndihmuar Albert Sylajn në shmangien e arrestimit dhe zbulimit nga organet e drejtësisë.

    Sipas Prokurorisë, pas kryerjes së veprës penale të vrasjes së Arlinda Zekajt, Pepaj e ka marrë Albert Sylajn me automjetin e tij dhe e ka transportuar deri në fshatin Bec, me qëllim që ta largojë nga vendi ku mund të lokalizohej dhe arrestohej nga organet kompetente, duke i mundësuar kështu shmangien e përkohshme nga arrestimi dhe kapja nga policia.

    Me këtë, Metë Pepaj dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale” nga neni 380, par.3 i Kodit Penal.

    Në anën tjetër, Gëzim Bobi po ashtu dyshohet se me dashje ka ndihmuar Albert Sylajn në shmangien e arrestimit dhe zbulimit nga organet e drejtësisë. Kjo pasi, më 25 tetor 2026, pasi Albert Sylaj ishte transportuar nga Metë Pepaj deri në fshatin Bec, e ka marrë dhe e ka strehuar në banesën e tij në Gjakovë, duke i mundësuar fshehjen dhe qëndrimin larg organeve të rendit.

    Ndërsa, sipas Prokurorisë më 26 tetor 2026, rreth orës 11:30, me automjetin e tij e ka transportuar Albert Sylajn në drejtim të fshatit Maznik, me qëllim të vazhdimit të fshehjes së tij dhe shmangies nga arrestimi dhe kapja prej organeve kompetente.

    Me këto veprime, Gëzim Bobi dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380, par.3 i Kodit Penal.

    Prokurori Armend Hamiti ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së paraburgimit. Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se Nurije dhe Driton Sylaj ndihmuan Albert Sylajn në kryerjen e veprës penale, ndërkaq Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi pas kryerjes së veprës penale.

    Prokuroria thekson se dyshimi i bazuar mbështetet në provat materiale dhe personale të administruara gjatë zhvillimit të hetimeve, duke theksuar me rëndësi të veçantë ekzaminimin e incizimeve të kamerave të sigurisë dhe telefonave të sekuestruar, provat tjera materiale dhe deklaratat e të dëmtuarës. Gjithashtu, dyshimi i bazuar mbështetet edhe në përmbajtjen e procesverbaleve të marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe të pandehurit Albert Sylaj.

    Prokuroria vlerëson se nëse të pandehurit lihen në liri, mund të pengojnë rrjedhën e procedurës, veçanërisht përmes ndikimit, frikësimit apo ushtrimit të presionit ndaj dëshmitarëve, sidomos ndaj familjarëve të tyre.

    Prokuroria: Nga ekzaminimi i telefonave rezulton se kishte komunikimet shqetësuese dhe kërcënuese ndaj një dëshmitareje dhe një të miture

    Aty thuhet se nga ekzaminimi i telefonave të sekuestruar rezulton se kishte komunikime shqetësuese dhe kërcënuese ndaj dëshmitares A.S., dhe të miturës NN., e që këto elemente tregojnë mundësinë e ushtrimit të ndikimit mbi sjelljen dhe qëndrimin e tyre.

    Në një nga mesazhet drejtuar vajzës së mitur të Albet Sylajt, thuhet se përdoren shprehjet fyese e nënçmuese, ku citohet “është qika e re, mashtrohet naj sen, ma q**** nanen mos u bofshi ma zi se ajo“, duke iu referuar kontekstit të rrethanave të rastit.

    Andaj, thuhet se dëshmohet ekzistimi i një klime frikësimi dhe presioni ndaj personave që kanë njohuri për ngjarjen penale ose që mund të kontribuojnë në ndriçimin e saj. Po ashtu, sipas Prokurorisë, me lënien e të pandehurve në liri, ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale.

    Prokuroria thekson se duhet marrë parasysh edhe pesha e veprës penale dhe mënyra mizore e kryerjes së saj e motivuar nga hakmarrja e paskurpullt ndaj viktimës Arlinda Zekaj. Më tej, thuhet se duhet marrë parasysh se e gjithë ngjarja ka ndodhur si pasojë e veprimeve të mëhershme të të pandehurve Jeton Sylaj, Nurije Sylaj dhe Driton Sylaj, të cilat janë zhvilluar edhe në prani të fëmijëve të të pandehurit- përkatësisht djalit të viktimës.

    Gjithnjë sipas Prokurorisë, rëndësi të veçantë ka edhe mosndërmarrja e veprimeve për të parandaluar vrasjen, pavarësisht rrethanave dhe mundësisë për të reaguar.

    Prokuroria: Nurije dhe Driton Sylaj shqetësim s’e kishin vrasjen, por mundësinë e zbulimit të bashkëpunimit dhe përfshirjes në rast

    Kurse, thuhet se nga përmbajtja e komunikimeve të siguruara nga ekzaminimi i telefonave të Nurije dhe Driton Sylajt, rezulton se shqetësimi kryesor i tyre nuk lidhet me pasojën e rëndë (vrasjen e Arlinda Zekajt), por me mundësinë e zbulimit të bashkëpunimit dhe përfshirjes së tyre në ngjarjen kriminale.

    Për më tepër, Prokuroria në dosje thekson se nga këto komunikime rezulton se të pandehurit kanë ushtruar presion dhe kanë drejtuar kërcënime lidhur me mundësinë që të jetojnë te familja e A.S., ku thuhet “Diçka nije për to, shoh diçka, dije se tona trutë në tokë kom me ja qitë kësaj e ty, me ditë që s’e shoh diellin kurrë me sy“.

    Kërcënimet e tilla, sipas Prokurorisë, dëshmojnë ekzistimin e një qëndrimi intimidues ndaj personave që mund të kenë njohuri për rrethanat e rastit, njëkohësisht është tregues se nëse të pandehurit lihen në liri, mund të vazhdojnë me sjellje të kundërligjshme.

    Sipas dosjes, nga komunikimet mes Driton dhe Nurije Sylajt, vërehet se kjo e fundit ka rol me ndikim të veçantë në procesin e marrjes së vendimeve brenda familjes. Dhe se në ato komunikime, nuk vërehet shprehje e keqardhjes apo distancim nga vrasja mizore e Arlinda Zekajt.

    “Përkundrazi, përmbajtja e këtyre komunikimeve, veçanërisht shqetësimi i tyre lidhur me mundësinë e zbulimit të bashkëpunimit, duhet të vlerësohet se bashku me provat e tjera të administruara gjatë hetimit, që mund të jenë relevante për të sqaruar rolin, raportet dhe qëndrimet e tyre në raport me planifikimin dhe realizimin e veprës penale nga i pandehuri Albert Sylaj”, thuhet në kërkesë.

    Po ashtu, shqetësuese sipas Prokurorisë janë edhe kërcënimet e drejtuara ndaj dëshmitares A.S., dhe të miturës NN.

    Prandaj, Prokuroria ka vlerësuar se mënyra mizore e kryerjes së veprës penale dhe pesha e veprës penale, rrethanat specifike që i kanë paraprirë dhe e kanë shoqëruar ngjarjen, si dhe sjelljet e të pandehurve pas kryerjes së veprës penale, të manifestuara përmes komunikimeve kërcënuese dhe shqetësimi për zbulimin e bashkëpunimit të tyre, të vlerësuara në tërësinë e tyre, përbëjnë rrethana konkrete dhe objektive që mbështesin ekzistimin e rrezikut për përsëritjen e veprave penale.

    Andaj, Prokuroria potencon se masat e tjera alternative nuk do të ishin të mjaftueshme, kështu që është e nevojshme caktimi i paraburgimit në mënyrë që të zhvillohet me rregull dhe pa pengesë procedura penale. /BetimipërDrejtësi/

  • ATK shton kontrollet ndaj bizneseve që shesin online - evidenton 51 raste me parregullsi tatimore

    ATK shton kontrollet ndaj bizneseve që shesin online – evidenton 51 raste me parregullsi tatimore

    Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), gjatë rreth 60 vizitave dhe inspektimeve në terren ndaj bizneseve që ushtrojnë veprimtari tregtare përmes platformave online dhe shërbimeve postare, ka evidentuar 51 raste me parregullsi të ndryshme tatimore.

    Sipas njoftimit të ATK-së, parregullsitë e identifikuara përfshijnë ushtrimin e veprimtarisë ekonomike nga biznese të paregjistruara, mosdeklarimin e punëtorëve të punësuar dhe shitjen e mallrave pa lëshuar kuponë fiskalë.

    Nga këto aktivitete, 36 raste janë rekomanduar për vlerësim dhe trajtim përmes sistemit ZGJONA, ndërsa janë shqiptuar gjithsej 24 gjoba.

    ATK-ja ka bërë të ditur se kontrollet janë realizuar në bashkëpunim me institucionet e tjera relevante, si pjesë e angazhimit për mbikëqyrjen e bizneseve që shesin përmes internetit dhe formalizimin e këtij sektori.

    Sipas këtij institucioni, shitjet online kanë shënuar zhvillim dhe përhapje të madhe në Kosovë gjatë viteve të fundit, por krahas bizneseve të regjistruara dhe që operojnë në mënyrë të rregullt, vazhdojnë të jenë të pranishme edhe subjekte që nuk i përmbushin të gjitha obligimet ligjore dhe tatimore.

    ATK-ja ka rikujtuar se çdo individ që ushtron veprimtari ekonomike, pavarësisht mënyrës se si e zhvillon atë, është i obliguar ta regjistrojë biznesin, t’i formalizojë punëtorët, t’i deklarojë të ardhurat dhe t’i paguajë obligimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi.

    Institucioni ka theksuar se shitja përmes rrjeteve sociale, platformave online apo shpërndarja e produkteve përmes shërbimeve postare nuk i përjashton bizneset nga këto detyrime.

    Në fund, ATK-ja ka paralajmëruar se do të vazhdojë kontrollet ndaj këtij sektori, në bashkëpunim me institucionet kompetente, me synim identifikimin e aktiviteteve të paregjistruara, luftimin e ekonomisë joformale dhe garantimin e konkurrencës së drejtë ndërmjet bizneseve.

    Sipas ATK-së, formalizimi i veprimtarisë ekonomike dhe përmbushja e obligimeve tatimore mbeten detyrim ligjor për secilin që ushtron aktivitet ekonomik në Kosovë./Telegrafi.

  • I paprekshëm në 14 xhirot e fundit, Samuel Krasniqi lë gjurmë në Zvicër me statistikat e fundit

    I paprekshëm në 14 xhirot e fundit, Samuel Krasniqi lë gjurmë në Zvicër me statistikat e fundit

    Samuel Krasniqi po kalon një sezon mbresëlënës me Grasshopperin në Superligën e Zvicrës, ku është shndërruar në njërin prej futbollistëve më të qëndrueshëm të kampionatit.

    Sulmuesi i krahut nuk ka munguar në asnjë minutë të 14 xhirove të para të sezonit 2026/27, duke u bërë futbollisti i vetëm U21 i Grasshopperit që ka regjistruar një statistikë të tillë.

    21-vjeçari është njëri prej shembujve më të mirë të besimit që klubet zvicerane po tregojnë ndaj futbollistëve të rinj. Grasshopper është klubi i dytë në Superligë për nga minutat e dhëna lojtarëve nën moshën 21-vjeçare, me gjithsej 2 mijë e 599 minuta të regjistruara nga shtatë futbollistë.

    Vetëm rivali lokal, FC Zurich, ka bërë më shumë në këtë drejtim, duke u dhënë nëntë futbollistëve të rinj gjithsej 4.175 minuta. Krahasuar me sezonin e kaluar, Grasshopper ka shënuar rritje të dukshme, pasi në të njëjtën periudhë kishte regjistruar 1 mijë e 566 minuta nga futbollistët U21.

    Në përgjithësi, futbollistët e rinj po marrin dukshëm më shumë hapësirë këtë sezon. Pas 14 xhirove, 52 lojtarë të kësaj grupmoshe kanë regjistruar gjithsej 16 mijë e 90 minuta në kampionat.

    Në të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar, 39 futbollistë kishin grumbulluar 10 mijë e 432 minuta. Kjo paraqet një rritje prej mbi 5 mijë e 600 minutash, apo rreth 54 për qind.

    Pas Grasshopperit dhe FC Zurichut, në këtë renditje vijnë Luzerni me 2 mijë e 401 minuta, Vaduz me 1 mijë e 696 dhe St. Galleni me 1 mijë e 499 minuta.

    Në anën tjetër, dy skuadrat që aktualisht kryesojnë kampionatin, Young Boys dhe Lugano, janë në fund të kësaj renditjeje. Young Boys u ka dhënë vetëm 92 minuta dy futbollistëve U21, ndërsa Lugano ka regjistruar vetëm 10 minuta nga një lojtar i kësaj grupmoshe.

    Kështu, Krasniqi vazhdon të jetë një prej emrave që po spikasin në kampionatin zviceran, ndërsa vazhdimësia e tij në formacionin e Grasshopperit e veçon në mesin e talenteve të rinj të Superligës.

    Përndryshe, Krasniqi shpejt mund të bëhet edhe opsion konkret për Kosovën, duke qenë se deri më tani nuk është kontaktuar nga FFK-ja apo përzgjedhësi Franco Foda. I vetmi shtet që ka shprehur interesim për ta pasur është Shqipëria./Telegrafi/

  • Filipçe: LSDM-ja dorëzoi interpelancë për guvernatorin Trajko Sllaveski

    Filipçe: LSDM-ja dorëzoi interpelancë për guvernatorin Trajko Sllaveski

    Rasti i Alta Bankës dhe përgjegjësia e Guvernatorit të Bankës Popullore Trajko Sllavevski, janë bërë shkak për kërkesën e LSDM-së për interpelancë ndaj tij.

    Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, thotë se guvernatori nuk dha përgjigje konkrete gjatë seancës dëgjimore mbikëqyrëse për mënyrën se si Alta Banka hyri në tregun financiar të vendit.

    Filipçe kërkon përgjegjësi politike krahas hetimit të kallëzimeve penale të paraqitura tashmë.

    “Krahas kallëzimeve penale të paraqitura tashmë për të cilat i bëj thirrje Prokurorisë që t’i shqyrtojë me seriozitet ne besojmë se duhet të ketë edhe përgjegjësi politike për veprimet e Guvernatorit Trajko Sllavevski. Gjatë seancës dëgjimore mbikëqyrëse nuk u dha asnjë përgjigje adekuate apo logjike.

    Për më tepër, ai ende nuk u është përgjigjur pyetjeve që ne po i shtrojmë publikisht: si e lejoi ai hyrjen e “Alta Bankës” në tregun tonë financiar, si e lejoi hyrjen e një banke, për të cilën ne kemi paralajmëruar prej një viti se është një institucion kriminal”, deklaroi Filipçe./Telegrafi/

  • Droni rus depërton sërish në Poloni, qëndron 8 minuta dhe kthehet në Ukrainë

    Droni rus depërton sërish në Poloni, qëndron 8 minuta dhe kthehet në Ukrainë

    Droni rus depërton sërish në Poloni, qëndron 8 minuta dhe kthehet në Ukrainë

    Një dron i dyshuar rus ka shkelur për disa minuta hapësirën ajrore të Polonisë, gjatë sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, duke rritur shqetësimet për përhapjen e konfliktit në territorin e vendeve anëtare të NATO-s.

    Sipas autoriteteve polake, mjeti fluturues hyri në hapësirën ajrore të vendit gjatë natës së të hënës, në kohën kur Rusia po kryente sulme në pjesën perëndimore të Ukrainës. Droni, për të cilin dyshohet se ishte pajisur me mjete vëzhgimi, qëndroi rreth tetë minuta mbi territorin polak, para se të ndryshonte drejtim dhe të kthehej në Ukrainë.

    Autoritetet polake e kanë cilësuar incidentin si një veprim të qëllimshëm të Moskës. Zëvendësministri i Mbrojtjes i Polonisë, Paweł Zalewski, deklaroi për radion RMF24 se ushtria kishte vendosur të mos e rrëzonte dronin, për shkak të rrezikut që mbetjet e tij mund të shkaktonin dëme në zonat e banuara.

    Gjatë incidentit, ushtria polake aktivizoi forcat dhe sistemet e mbrojtjes ajrore, ndërsa droni u monitorua vazhdimisht përmes radarëve ushtarakë. Edhe pse ishte dhënë autorizimi për rrëzimin e tij, ky vendim u ndryshua pasi mjeti fluturues ndërroi drejtim dhe u largua në drejtim të lindjes.

    Ngjarja ndodhi vetëm disa orë pasi NATO kishte zhvilluar konsultime urgjente lidhur me një shkelje të mëparshme të hapësirës ajrore të Polonisë. Në kuadër të masave për forcimin e sigurisë, Aleanca ka autorizuar edhe dislokimin në Poloni të një avioni AWACS, i pajisur me sisteme të avancuara për paralajmërimin e hershëm dhe monitorimin e hapësirës ajrore.

    Shkelja e fundit vjen vetëm pak ditë pasi tri raketa lundruese ruse ranë në territorin polak gjatë një sulmi të gjerë ndaj Ukrainës. Këto zhvillime kanë shtuar shqetësimet në Varshavë dhe në vendet e tjera të krahut lindor të NATO-s për mundësinë e përhapjes së luftës përtej kufijve të Ukrainës.

    Ndërkohë, sulmet ruse gjatë natës kanë shkaktuar viktima edhe në Ukrainë. Të paktën dy persona u vranë dhe 40 të tjerë u plagosën në qytetin e Zaporizhzhias, ndërsa sulme u raportuan edhe në rajonin e Sumyt.

    SHBA vonon dërgimin e 60 raketave Patriot për Ukrainën

    Në një zhvillim tjetër lidhur me mbështetjen ushtarake për Ukrainën, gazeta “Financial Times” raporton se Pentagoni po vonon dorëzimin e rreth 60 raketave interceptuese për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot.

    Sipas raportimit, raketat janë financuar nga aleatët perëndimorë të Ukrainës, por transferimi i tyre është në pritje të miratimit nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili duhet të autorizojë rieksportin e tyre.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar vazhdimisht për nevojën urgjente të vendit për më shumë raketa të mbrojtjes ajrore, në një kohë kur Rusia po intensifikon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe objekteve civile, në prag të dimrit.

    Në një tjetër zhvillim të luftës, Zelensky ka konfirmuar se Ukraina qëndron pas sulmit me dronë detarë ndaj anijes ruse të transportit “Sparta II”, në Gjirin e Finlandës.

    Presidenti ukrainas pretendoi se anija transportonte armë dhe, për këtë arsye, përbënte një objektiv legjitim ushtarak. Megjithatë, agjencia “Bloomberg” bëri të ditur se nuk kishte arritur ta verifikonte në mënyrë të pavarur pretendimin e tij.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • CAS-i përmbys gjithçka, ia rikthen Senegalit titullin e Kupës së Kombeve të Afrikës 2025

    CAS-i përmbys gjithçka, ia rikthen Senegalit titullin e Kupës së Kombeve të Afrikës 2025

    CAS-i përmbys gjithçka, ia rikthen Senegalit titullin e Kupës së Kombeve të Afrikës 2025

    Senegali është shpallur sërish kampion i Kupës së Kombeve të Afrikës (AFCON), pasi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ka rrëzuar vendimin e Konfederatës Afrikane të Futbollit (CAF), duke ia rikthyer titullin e fituar në fushën e lojës.

    Senegali kishte triumfuar ndaj Marokut me rezultat 1-0 në finalen e zhvilluar në janar, por dy muaj më vonë, Komisioni i Apelit i CAF-it e kishte përmbysur rezultatin, duke ia regjistruar Marokut fitoren zyrtare me rezultat 3-0.

    Federata e Futbollit e Senegalit e kishte kundërshtuar këtë vendim dhe të martën, CAS publikoi vendimin e panelit prej tre gjyqtarësh, duke i dhënë të drejtë përfaqësueses senegaleze dhe duke e rikthyer atë në fronin e futbollit afrikan.

    Finalja në Rabat ishte karakterizuar nga tensione të mëdha, pasi lojtarët e Senegalit kishin ndërprerë ndeshjen për rreth 15 minuta, në shenjë proteste ndaj vendimit të gjyqtarit për të akorduar penallti në favor të Marokut në minutat e fundit të kohës së rregullt.

    Në atë moment, sulmuesi i njohur Sadio Mane kishte luajtur rol vendimtar për ta bindur skuadrën që të rikthehej në fushë, pavarësisht tensioneve të krijuara në stadium.

    Pas rifillimit të lojës, Brahim Diaz mori përsipër ekzekutimin e penalltisë, por portieri i Senegalit arriti ta ndalte goditjen e tij. Në vazhdime, Pape Gueye shënoi golin e fitores 1-0, duke i siguruar Senegalit titullin e kampionit.

    Vendimi fillestar i CAF-it ishte mbështetur në rregulloren e posaçme të turneut, e cila parasheh se një skuadër që refuzon të luajë ose largohet nga fusha para përfundimit të ndeshjes, pa lejen e gjyqtarit, konsiderohet humbëse dhe përjashtohet nga gara.

    Megjithatë, pas shqyrtimit të dëshmive gjatë një seance dëgjimore njëditore, CAS ka vendosur ta rrëzojë vendimin e organit afrikan të futbollit, duke ia rikthyer Senegalit titullin.

    Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv mund të kundërshtohet në Gjykatën Supreme të Zvicrës, por vetëm për shkaqe të kufizuara procedurale.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • “Po t’i llogaritej paraburgimi, do të ishte liruar”, avokatët e Thaçit paralajmëronë apel në Hagë

    “Po t’i llogaritej paraburgimi, do të ishte liruar”, avokatët e Thaçit paralajmëronë apel në Hagë

    “Po t’i llogaritej paraburgimi, do të ishte liruar”, avokatët e Thaçit paralajmëronë apel në Hagë

    Avokatët e ish-presidentit të Kosovës kanë kundërshtuar mënyrën se si Gjykata Speciale ka llogaritur kohën e kaluar në paraburgim për dënimin prej 17 muajsh.

    Sipas avokatëve të tij, Thaçi do ta kishte shlyer tashmë dënimin nëse kjo periudhë do të ishte njohur.

    Avokatët e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk pajtohen me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë dhe kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin.

    Në një shkresë të dorëzuar më 23 nëntor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, avokatja Sophie Menegon ka bërë të ditur se ekipi mbrojtës rezervon të drejtën për të kundërshtuar në Dhomën e Apelit vendimin lidhur me vuajtjen e njëkohshme të dënimeve në rastet 06 dhe 12, si dhe mënyrën e llogaritjes së kohës së kaluar në paraburgim.

    Më 17 nëntor 2026, Gjykata Speciale e shpalli Thaçin fajtor për disa vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe e dënoi me 17 muaj burgim.

    Megjithatë, gjykatësi vendosi që koha e kaluar në paraburgim nga ish-presidenti, në bazë të dy fletarrestimeve të veçanta, të mos llogaritej për të dy dënimet, pasi ato lidhen me vepra penale të ndryshme.

    Avokatët argumentojnë se, nëse Thaçit do t’i ishte njohur koha e kaluar në paraburgim që nga njoftimi për fletarrestimin në rastin 12, dënimi prej 17 muajsh do të konsiderohej tashmë i vuajtur dhe ai do të ishte liruar.

    Avokatja ka sqaruar se, për momentin, mbrojtja nuk planifikon të paraqesë parashtrime të veçanta për vazhdimin e paraburgimit, por ka rezervuar të drejtën për të apeluar aktgjykimin dhe vendimet që lidhen me llogaritjen e dënimit

    Burimi: Insajderi

  • ATK-ja shton kontrollet ndaj bizneseve që shesin online, shqipton 24 gjoba

    ATK-ja shton kontrollet ndaj bizneseve që shesin online, shqipton 24 gjoba

    Sipas njoftimit të ATK-së, parregullsitë e evidentuara përfshijnë ushtrimin e veprimtarisë ekonomike nga biznese të paregjistruara, mosdeklarimin e punëtorëve dhe shitjen e mallrave pa lëshuar kuponë fiskalë.

    Nga këto aktivitete, 36 raste janë rekomanduar për vlerësim dhe trajtim përmes sistemit ZGJONA.

    ATK-ja ka bërë të ditur se kontrollet janë realizuar në bashkëpunim me institucionet e tjera relevante, me qëllim të mbikëqyrjes së bizneseve që shesin përmes internetit dhe formalizimit të këtij sektori.

    Sipas Administratës Tatimore, pavarësisht rritjes së numrit të bizneseve të regjistruara, tregu vazhdon të ketë subjekte që ushtrojnë veprimtari ekonomike përmes rrjeteve sociale dhe platformave online pa i përmbushur të gjitha obligimet ligjore dhe tatimore.

    “Rikujtojmë se çdo individ që ushtron veprimtari ekonomike, pavarësisht mënyrës se si e zhvillon atë, është i obliguar ta regjistrojë biznesin, t’i formalizojë punëtorët, t’i deklarojë të ardhurat dhe t’i paguajë obligimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi. Shitja përmes internetit apo shpërndarja e produkteve përmes shërbimeve postare nuk përbën përjashtim nga këto obligime”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

    Administrata Tatimore ka paralajmëruar se kontrollet ndaj këtij sektori do të vazhdojnë, në kuadër të luftimit të ekonomisë joformale dhe garantimit të konkurrencës së drejtë ndërmjet bizneseve.

    “Formalizimi i veprimtarisë ekonomike dhe përmbushja e obligimeve tatimore janë detyrim ligjor për secilin që ushtron aktivitet ekonomik në Kosovë”, thuhet tutje në njoftim.

    Burimi: RTKLive

  • CAS-i ia rikthen Senegalit titullin e Kupës së Kombeve të Afrikës 2025

    CAS-i ia rikthen Senegalit titullin e Kupës së Kombeve të Afrikës 2025

    Trupi gjykues i CAS-it ka marrë vendim unanim në favor të Senegalit, duke anuluar vendimin e Komisionit të Apelit të CAF-it, i cili më herët ia kishte regjistruar Marokut fitoren në tavolinë me rezultat 3:0.

    “Trupi gjykues i CAS-it konstaton se arbitri nuk ka bërë asnjë gabim në zbatimin e ligjit”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i kësaj gjykate, Matthieu Reeb.

    Kontestimi lidhet me finalen e zhvilluar në Rabat në muajin janar, ku Senegali kishte triumfuar ndaj Marokut pas vazhdimeve.

    Në fund të kohës së rregullt, pasi arbitri akordoi penallti në favor të Marokut, futbollistët e Senegalit u larguan nga fusha në shenjë proteste. Disa prej tyre shkuan edhe në dhomat e zhveshjes, ndërsa loja mbeti e ndërprerë për rreth 14 minuta.

    Pas rikthimit në fushë, Maroku nuk arriti ta shndërronte penalltinë në gol, duke bërë që ndeshja të vazhdonte në vazhdime. Aty Senegali realizoi golin vendimtar dhe fitoi trofeun.

    Megjithatë, dy muaj më vonë, Komisioni i Apelit i CAF-it vendosi që Senegali ta humbiste ndeshjen në tavolinë për shkak të braktisjes së përkohshme të fushës, duke ia dhënë titullin Marokut me rezultat 3:0.

    Ky vendim u kundërshtua nga pala senegaleze dhe çështja përfundoi në CAS, e cila tashmë ka vendosur në favor të kampionit të shpallur në fushën e lojës.

    Me këtë vendim, Senegali rikthen zyrtarisht titullin e Kupës së Kombeve të Afrikës 2025, ndërsa Maroku e humb statusin e kampionit.

    Burimi: RTKLive

  • WhatsApp sjell funksionin “View Once” për mesazhet tekstuale edhe në iOS

    WhatsApp sjell funksionin “View Once” për mesazhet tekstuale edhe në iOS

    WhatsApp ka filluar ta ofrojë funksionin “View Once” për mesazhet tekstuale edhe për disa përdorues të versionit beta në iOS. Më herët, kjo veçori ishte vënë në dispozicion të testuesve në Android.

    Sipas WABetaInfo, funksioni është i qasshëm për disa përdorues të versionit beta 26.45.10.73 të WhatsApp-it për iOS, transmeton Telegrafi.

    Për ta përdorur, duhet të shkruani mesazhin në fushën përkatëse, të mbani të shtypur butonin e dërgimit dhe të zgjidhni opsionin “View Once”. Herën e parë që aktivizohet, aplikacioni shfaq një njoftim me informacione rreth mënyrës së funksionimit të tij.

    Marrësi duhet të prekë mesazhin në bisedë për ta lexuar atë, ndërsa teksti hapet në një ndërfaqe të veçantë. Pasi ta mbyllë, nuk mund ta hapë më. Nëse marrësi i ka të aktivizuara konfirmimet e leximit, mesazhi shënohet si i hapur.

    Pas hapjes, mesazhi nuk është më i qasshëm as për dërguesin dhe as për marrësin. Gjithashtu, marrësi nuk mund ta kopjojë, përcjellë apo ruajë atë. WhatsApp bllokon edhe fotografimin e ekranit dhe regjistrimin e tij gjatë shikimit të mesazhit.

    Për momentin, përdoruesit nuk mund të planifikojnë dërgimin e mesazheve tekstuale me opsionin “View Once”. Mbetet të shihet nëse kjo mundësi do të shtohet në përditësimet e ardhshme. /Telegrafi/