Author: Momenti

  • Milani, Interi apo Juventusi – cili është klubi më i pasur në Itali? Shifrat zbulojnë gjithçka

    Milani, Interi apo Juventusi – cili është klubi më i pasur në Itali? Shifrat zbulojnë gjithçka

    Interi, Juventusi dhe Milani janë tri klubet më të mëdha të futbollit italian edhe për nga fuqia financiare dhe qarkullimi vjetor. Dy klubet nga Milanoja janë në pronësi të fondeve amerikane të investimeve: Interi kontrollohet nga Oaktree, ndërsa Milani nga RedBird Capital. Juventusi, ndërkohë, vazhdon të jetë nën pronësinë e Exor, kompanisë mbajtëse të familjes Agnelli-Elkann.

    Shifrat financiare të këtyre tri klubeve kanë rëndësi jo vetëm për futbollin italian, por edhe për aktivitetin ekonomik që ato gjenerojnë në vend. Një analizë e pasqyrave financiare, e publikuar nga Gazzetta dello Sport, tregon se klubet ndjekin strategji të ndryshme, ndonëse kanë edhe disa ngjashmëri në mënyrën se si menaxhojnë të ardhurat dhe shpenzimet.

    Të ardhurat dhe fitimi

    Sipas të dhënave për vitin financiar që përfundoi më 30 qershor 2026, Interi regjistroi qarkullimin më të lartë, me 518 milionë euro. Pas tij u rendit Juventusi me 474.7 milionë euro, ndërsa Milani pati të ardhura prej 464.6 milionë eurosh.

    Sa i përket rezultatit financiar, Juventusi regjistroi humbje prej 66 milionë eurosh, ndërsa Milani përfundoi me minus 24 milionë euro, pas tri vitesh me fitime të vogla. Interi, në anën tjetër, shënoi fitim prej 23 milionë eurosh, ndonëse më të ulët se një vit më parë.

    Interi dhe Oaktree kryesojnë në të ardhura

    Që nga sezoni 2021/22, presidenti Beppe Marotta dhe drejtuesit italianë të Interit kanë ndjekur një strategji të bazuar në rritjen e të ardhurave përmes rezultateve në fushë.

    Pjesëmarrjet e rregullta në Ligën e Kampionëve, përfshirë dy arritjet deri në finale, si dhe të ardhurat nga Kupa e Botës për Klube një vit më parë, kanë ndikuar ndjeshëm në financat e klubit. Këto suksese kanë sjellë më shumë të ardhura nga shpërblimet e UEFA-s, sponsorët, marketingu, shitja e produkteve zyrtare, stadiumi dhe biletat.

    Të ardhurat nga këto kategori e çuan qarkullimin e Interit në 485 milionë euro për vitin 2025/26. Ndërkohë, shitja e futbollistëve pati ndikim shumë të vogël në pasqyrat financiare të klubit.

    Milani, në mungesë të futbollit evropian, u detyrua të mbështetej dukshëm më shumë te shitja e lojtarëve për të kompensuar të ardhurat e humbura. Megjithatë, qarkullimi i tij ra nga 411 milionë euro në sezonin 2024/25 në 357 milionë euro në 2025/26.

    Edhe Juventusi u detyrua të diversifikonte burimet e të ardhurave, pavarësisht përfitimeve nga pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve. Të ardhurat e tij ranë nga 420 në 417 milionë euro.

    Shpenzimet për skuadrën

    Juventusi kishte shpenzimet më të larta për skuadrën, duke përfshirë pagat e futbollistëve dhe amortizimin e kontratave, të paktën deri në fund të sezonit të kaluar, kur Dusan Vlahovic ishte ende pjesë e ekipit.

    Klubi torinez arriti ta ulë faturën e pagave nga 220 në 210 milionë euro, por vazhdon të ketë shpenzimet më të larta në total. Amortizimi i kontratave të lojtarëve, ndërkohë, u rrit nga 117 në 121 milionë euro.

    Interi është shumë pranë Juventusit sa u përket pagave, duke shpenzuar rreth 204 milionë euro në vit për futbollistët. Megjithatë, klubi zikaltër ka një kosto dukshëm më të ulët të amortizimit, prej 59 milionë eurosh, shifër që është gjithashtu pak më e ulët se një vit më parë.

    Milani renditet në mes të dy rivalëve për nga amortizimi, me 95 milionë euro. Strategjia e tij ka qenë mbajtja e pagave në nivel më të ulët, me një faturë prej vetëm 146 milionë eurosh, më pak se në sezonin 2024/25.

    Kapitali dhe borxhi financiar: Milani në pozitën më të mirë

    Gerry Cardinale ka ndryshuar ndjeshëm strategjinë e Milanit sa u përket shpenzimeve për skuadrën gjatë këtij sezoni. Megjithatë, deri atëherë, politika e klubit kishte ndihmuar që Milani të ishte në pozitë më të mirë se Interi dhe Juventusi sa i përket kapitalit dhe borxhit financiar.

    Ndryshe nga dy rivalët, Milani nuk ka borxhe bankare apo obligacione të papaguara. Kapitali i tij arrin në 176 milionë euro, ndërsa borxhi financiar neto është 145 milionë euro.

    Interi ka gjithashtu kapital pozitiv, prej 10 milionë eurosh, ndërsa Juventusi prej 12 milionë eurosh. Megjithatë, arsyet janë të ndryshme. Për klubin torinez ishte vendimtar një tjetër injektim kapitali nga Exor, i financuar nga John Elkann. Interi, në anën tjetër, ka përfituar nga fitimet e regjistruara gjatë dy sezoneve të fundit.

    Juventusi kryeson për pronat

    Sipas shifrave të publikuara nga Gazzetta dello Sport, Juventusi është dukshëm përpara rivalëve sa i përket pronësisë së pasurive të paluajtshme.

    Klubi torinez prej vitesh zotëron asetet kryesore që mbështesin strategjinë e tij të zhvillimit: stadiumin, selinë qendrore, qendrën stërvitore, fushat e akademisë në Vinovo, JMedical, JHotel dhe “Creator Lab”.

    Vlera e këtyre pronave vlerësohet në rreth 180 milionë euro, por në rast shitjeje në treg mund të arrijë deri në tri herë më shumë.

    Për krahasim, pasuritë e Milanit në këtë kategori vlerësohen në vetëm 37 milionë euro, duke përfshirë qendrën stërvitore dhe tokën në San Donato. Ndërsa asetet e Interit në këtë drejtim kapin vlerën e 26 milionë eurove.

    Blerja e përbashkët e zonës së San Siros nga dy klubet milaneze dhe projekti për stadiumin e ri pritet t’i rrisin këto shifra, por jo para vitit 2031.

  • SHBA-ja mund t’i ofrojë Ukrainës deri në 60 aeroplanë luftarakë F-15 të nxjerrë nga shërbimi

    SHBA-ja mund t’i ofrojë Ukrainës deri në 60 aeroplanë luftarakë F-15 të nxjerrë nga shërbimi

    Një ish-gjeneral-lejtnant i Forcave Ajrore të SHBA-së, David Deptula, ka propozuar që Uashingtoni t’i ofrojë Ukrainës deri në 60 avionë luftarakë F-15C/D Eagle, të cilët janë nxjerrë nga shërbimi dhe aktualisht ruhen në shkretëtirën e Arizonës.

    Në një opinion të publikuar të hënën, më 23 nëntor, në revistën Forbes, Deptula i bëri thirrje Pentagonit të inspektojë avionët dhe të përcaktojë se sa prej tyre mund të rikthehen në gjendje operacionale, të pajisen dhe t’i transferohen Ukrainës.

    Ai sugjeroi se nga rreth 240 avionët F-15C/D të vendosur në magazinim, 50 deri në 60 mund të jenë të përshtatshëm për t’u vënë në dispozicion të Kievit, transmeton Telegrafi.

    Avionët me dy motorë po zëvendësohen gradualisht nga modelet F-35 dhe F-15EX. Shumë prej tyre ruhen në qendrën Aerospace Maintenance and Regeneration Group, në bazën ajrore Davis-Monthan, në Arizona, e njohur si vendgrumbullimi i avionëve të nxjerrë nga shërbimi.

    Deptula tha se kishte bashkëpunuar me drejtues të Forcave Ajrore të Ukrainës për operacionet ajrore dhe se e kishte parë nga afër presionin me të cilin përballet flota ajrore e Kievit. Ai mbështeti edhe deklaratat e fundit të presidentit Volodymyr Zelensky, sipas të cilit Ukraina ka nevojë për dyfishin e numrit aktual të avionëve, ndërsa përpiqet të mbajë në fluturim flotën e vjetruar të F-16-ve.

    “Ukrainës i duhen më shumë avionë luftarakë, por edhe kapacitetet e mirëmbajtjes për t’i mbajtur ata në fluturim”, shkroi Deptula.

    Sipas tij, F-15C janë veçanërisht të përshtatshëm për mbrojtjen ajrore, pasi radari i tyre ofron rreze dukshëm më të madhe zbulimi, gjurmim më të mirë dhe besueshmëri më të lartë krahasuar me radarët e avionëve që përdor aktualisht Ukraina.

    Ai vuri në pah edhe armatimin e avionëve Eagle. Ata mund të mbajnë tetë raketa ajër-ajër dhe kanë një top 20-milimetërsh me 940 fishekë, krahasuar me 511 fishekë që mban topi i F-16-ve.

    Këto kapacitete, sipas tij, do të ishin të dobishme për rrëzimin e dronëve dhe raketave kruz, pa pasur nevojë që Ukraina të shpenzojë raketa të kushtueshme të sistemeve të mbrojtjes ajrore.

    Deptula sugjeroi që operacionet mbrojtëse ajrore të kryheshin kryesisht nga F-15-të, duke ulur ngarkesën mbi flotën e F-16-ve dhe duke i liruar këta të fundit për sulme dhe detyra të tjera shumëfunksionale.

    Një nga argumentet kryesore të tij është koha. Sipas opinionit të publikuar në Forbes, vonesat në porositë e avionëve të rinj F-16, Gripen dhe Rafale bëjnë që dërgesat e mëdha për Ukrainën të mos realizohen para vitit 2028. Ndërkohë, avionët F-15 të nxjerrë nga shërbimi mund të përbëjnë një alternativë më të shpejtë dhe me kapacitete më të avancuara.

    Ai theksoi se avionët që partnerët evropianë kanë premtuar t’i ofrojnë Ukrainës, përfshirë F-16, Mirage, Gripen dhe Rafale, nuk do të mbërrijnë në numrat e nevojshëm para vitit 2028.

    Sipas Deptulës, dërgesa e fundit e avionëve F-15 në vendgrumbullimin në Arizona u bë në tetor të vitit 2025, çka mund ta bëjë relativisht të shkurtër procesin e përgatitjes së tyre për t’u rikthyer në fluturim.

    Megjithatë, ai pranoi se Ukraina do të kishte nevojë për trajnimin e pilotëve dhe inxhinierëve, furnizimin me armë, si dhe mbështetje për mirëmbajtjen brenda dhe jashtë vendit.

    Në përfundim, ish-gjenerali i bëri thirrje administratës së Donald Trumpit që t’i kërkojë Forcave Ajrore amerikane të inspektojnë avionët F-15C/D dhe të përcaktojnë nëse, si dhe sa shpejt, mund të rikthehen në përdorim.

    “Nëse avionët mund ta forcojnë ndjeshëm mbrojtjen ajrore të Ukrainës, brenda një afati dhe buxheti që Uashingtoni mund ta përballojë, SHBA-ja duhet t’i transferojë”, shkroi Deptula. /Telegrafi/

  • Bella Hadid rrëfen se u paragjykua për trupin në moshën 17-vjeçare: Më thanë se isha shumë e shëndoshë për të veshur Saint Laurent

    Bella Hadid rrëfen se u paragjykua për trupin në moshën 17-vjeçare: Më thanë se isha shumë e shëndoshë për të veshur Saint Laurent

    Modelja e njohur, Bella Hadid, ka treguar se në moshën vetëm 17-vjeçare ishte përballur me komente paragjykuese për trupin e saj, pasi një stiliste i kishte thënë se ishte “shumë e shëndoshë për të veshur Saint Laurent” dhe se duhej të humbiste disa kilogramë.

    Modelja, tashmë 30-vjeçare, e cila sot është një nga fytyrat e markës së njohur Saint Laurent, ka kujtuar këtë përvojë gjatë një interviste për revistën Harper’s Bazaar, duke folur për fillimet e saj në industrinë e modës.

    Ajo tregoi se komenti ishte bërë gjatë një takimi të parë me një stiliste, pak kohë pasi kishte përfunduar shkollën e mesme.

    Bella

    “Kur isha 17 vjeçe dhe shkova në takimin tim të parë me një stiliste, të cilën nuk do ta përmend me emër, në thelb më tha se isha shumë e shëndoshë për të veshur Saint Laurent dhe se duhej të humbisja disa kilogramë”, kujtoi Bella.

    Ajo shtoi se, 12 vjet më vonë, jo vetëm që është bërë fytyra e Saint Laurent, por edhe e Pradas, duke e cilësuar këtë arritje si diçka të jashtëzakonshme.

    Hadid theksoi se industria e modës ka ndryshuar shumë ndër vite dhe se njerëzit që kanë kontribuar për ta bërë atë një ambient më të shëndetshëm për modelet janë tejet të rëndësishëm.

    Megjithatë, pranoi se në atë periudhë kishte kaluar tashmë vështirësi të shumta me raportin ndaj trupit të saj.

    Bella

    Sipas saj, në kohën kur mori atë koment, kishte filluar ta shihte ushqimin ndryshe dhe të krijonte një marrëdhënie më të shëndetshme me trupin.

    “E dua trupin tim dhe është në rregull nëse ti mendon se nuk dukem ashtu siç duhet sipas pritshmërive të tua”, u shpreh modelja.

    Bella, e cila hapi sfilatën e Victoria’s Secret për vitin 2026 muajin e kaluar, foli edhe për presionin që përjetojnë personazhet publike kur fotografohen vazhdimisht.

    Ajo kërkoi më shumë mirëkuptim ndaj ndryshimeve fizike, duke theksuar se trupi i një gruaje mund të ndryshojë nga dita në ditë për shkak të hormoneve dhe problemeve me sistemin imunitar.

    Bella

    Modelja ka folur edhe më parë për vështirësitë e saj gjatë adoleshencës, përfshirë ankthin kronik, çrregullimet e të ushqyerit dhe problemet me imazhin trupor.

    Në një intervistë për revistën i-D në vitin 2022, tregoi se kishte qarë pothuajse çdo ditë dhe se për një kohë të gjatë nuk e kishte kuptuar se çfarë po përjetonte.

    Terapia e ndihmoi të kuptonte më mirë gjendjen dhe të përballej me vështirësitë që e kishin shoqëruar gjatë viteve të adoleshencës. /Telegrafi/

  • Irani vendos shtatë kushte për negociatat me SHBA-në

    Irani vendos shtatë kushte për negociatat me SHBA-në

    Irani nuk do të hyjë në negociata me Shtetet e Bashkuara derisa Uashingtoni të përmbushë shtatë kushtet e vendosura nga Teherani.

    Kështu ka deklaruar kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, duke përsëritur qëndrimin e vendit të tij në raport me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit.

    Ghalibaf, i cili është një nga figurat kryesore të Iranit në procesin e negociatave, nuk i ka bërë publike të gjitha kërkesat, por ka paralajmëruar se Teherani nuk do të pranojë të negociojë pa u plotësuar kushtet paraprake.

    Ndër kërkesat e Iranit përfshihen heqja e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane, lehtësimi i sanksioneve ndaj eksportit të naftës, lirimi i aseteve financiare të ngrira dhe pagesa e dëmshpërblimeve për dëmet e shkaktuara nga lufta, raportojnë mediat.

    Një tjetër kërkesë e Teheranit lidhet me ndërprerjen e armiqësive në të gjitha frontet rajonale. Irani kërkon gjithashtu që çështjet e sigurisë dhe të programit të tij bërthamor të trajtohen në kuadër të një marrëveshjeje më të gjerë.

    Ghalibaf ka paralajmëruar se Irani mund ta zgjerojë shtrirjen gjeografike të konfliktit nëse kundërshtari ndërmerr veprime që Teherani i konsideron gabime.

    Përplasjet mes dy vendeve kanë vazhduar edhe për shkak të mosmarrëveshjeve rreth Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme detare për transportin global të naftës. Uashingtoni kërkon rikthimin e lundrimit të lirë, ndërsa Teherani e lidh hapjen e plotë të ngushticës me përmbushjen e kërkesave të tij.

    Dallimet mes palëve mbeten të mëdha edhe sa i përket programit bërthamor iranian. Administrata amerikane kërkon që kjo çështje të jetë pjesë e negociatave që në fazën fillestare, ndërsa Irani këmbëngul që fillimisht të zgjidhen çështjet e bllokadës dhe sanksioneve.

    Deri më tani, përpjekjet për të arritur një marrëveshje nuk kanë prodhuar rezultat konkret, ndërsa ndërmjetësit rajonalë, përfshirë Katarin, kanë vazhduar përpjekjet për të rikthyer palët në tryezën e negociatave. /Telegrafi/

  • CAS-i përmbys gjithçka, Senegali rikthehet në fronin e futbollit afrikan

    CAS-i përmbys gjithçka, Senegali rikthehet në fronin e futbollit afrikan

    CAS-i përmbys gjithçka, Senegali rikthehet në fronin e futbollit afrikan

    Senegali është shpallur sërish kampion i Kupës së Kombeve të Afrikës (AFCON), pasi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ka rrëzuar vendimin e Konfederatës Afrikane të Futbollit (CAF), duke ia rikthyer titullin e fituar në fushën e lojës.

    Senegali kishte triumfuar ndaj Marokut me rezultat 1-0 në finalen e zhvilluar në janar, por dy muaj më vonë, Komisioni i Apelit i CAF-it e kishte përmbysur rezultatin, duke ia regjistruar Marokut fitoren zyrtare me rezultat 3-0.

    Federata e Futbollit e Senegalit e kishte kundërshtuar këtë vendim dhe të martën, CAS publikoi vendimin e panelit prej tre gjyqtarësh, duke i dhënë të drejtë përfaqësueses senegaleze dhe duke e rikthyer atë në fronin e futbollit afrikan.

    Finalja në Rabat ishte karakterizuar nga tensione të mëdha, pasi lojtarët e Senegalit kishin ndërprerë ndeshjen për rreth 15 minuta, në shenjë proteste ndaj vendimit të gjyqtarit për të akorduar penallti në favor të Marokut në minutat e fundit të kohës së rregullt.

    Në atë moment, sulmuesi i njohur Sadio Mane kishte luajtur rol vendimtar për ta bindur skuadrën që të rikthehej në fushë, pavarësisht tensioneve të krijuara në stadium.

    Pas rifillimit të lojës, Brahim Diaz mori përsipër ekzekutimin e penalltisë, por portieri i Senegalit arriti ta ndalte goditjen e tij. Në vazhdime, Pape Gueye shënoi golin e fitores 1-0, duke i siguruar Senegalit titullin e kampionit.

    Vendimi fillestar i CAF-it ishte mbështetur në rregulloren e posaçme të turneut, e cila parasheh se një skuadër që refuzon të luajë ose largohet nga fusha para përfundimit të ndeshjes, pa lejen e gjyqtarit, konsiderohet humbëse dhe përjashtohet nga gara.

    Megjithatë, pas shqyrtimit të dëshmive gjatë një seance dëgjimore njëditore, CAS ka vendosur ta rrëzojë vendimin e organit afrikan të futbollit, duke ia rikthyer Senegalit titullin.

    Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv mund të kundërshtohet në Gjykatën Supreme të Zvicrës, por vetëm për shkaqe të kufizuara procedurale.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • Pas vendimit të Apelit, familja e Liridona Ademajt kërkon kujdestarinë e fëmijëve të saj

    Pas vendimit të Apelit, familja e Liridona Ademajt kërkon kujdestarinë e fëmijëve të saj

    Pas vendimit të Apelit, familja e Liridona Ademajt kërkon kujdestarinë e fëmijëve të saj

    Familja e Liridona Ademajt po kërkon që dy fëmijët e saj t’i besohen në kujdestari, pasi Gjykata e Apelit vërtetoi dënimin me burgim të përjetshëm ndaj babait të tyre, Naim Murselit, për vrasjen e saj.

    Kërkesa për kujdestari ishte paraqitur më herët, ndërsa shqyrtimi i saj ishte kushtëzuar me përfundimin e procedurës gjyqësore në Kosovë. Vendimi i Apelit i hap rrugë shqyrtimit të kësaj kërkese.

    Gjykata e Apelit la në fuqi edhe dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Granit Plavës dhe dënimin me 30 vjet burgim ndaj Kushtrim Kokallës.

    Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023 në Bërnicë të Prishtinës, teksa ndodhej në veturë me Naim Murselin dhe dy fëmijët e tyre.

    Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, Murseli e kishte organizuar vrasjen për hakmarrje pas përkeqësimit të marrëdhënieve martesore. Gjykata kishte konstatuar gjithashtu se ai synonte të përfitonte nga polica e sigurimit të jetës së Ademajt, në vlerë prej tre milionë kronash suedeze.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • Publikohet ditari i Papa Françeskut/ Zbulohen përjetimet e Bergolio: Kam parë djaj dhe portën e ferri

    Publikohet ditari i Papa Françeskut/ Zbulohen përjetimet e Bergolio: Kam parë djaj dhe portën e ferri

    Publikohet ditari i Papa Françeskut/ Zbulohen përjetimet e Bergolio: Kam parë djaj dhe portën e ferri

    Zbulime të pazakonta nga jeta shpirtërore e Papa Françeskut janë bërë publike përmes ditarit të tij personal, pjesë të të cilit janë përfshirë në një libër të ri me titull “The Private Diary of Pope Francis”.

    Në shënimet e tij, Jorge Mario Bergoglio rrëfen se gjatë jetës është përballur tri herë me atë që e përshkruante si shfaqje fizike të djallit. Në një tjetër episod, ai pretendon se ka parë edhe hyrjen e ferrit.

    Sipas ditarit, një nga përjetimet e para kishte ndodhur rreth 15 vite më parë, kur ai shërbente ende në Buenos Aires. Françesku përshkruante një figurë që kishte parë përmes dritares së makinës, duke veçuar sytë e saj, të cilët i ishin dukur njëkohësisht kërcënues dhe joshës.

    Një tjetër episod kishte ndodhur në një kishë karmelitane, gjatë një meshe. Në shënimet e tij, ai kujtonte vështrimin e një figure që e kishte përshkruar si djallin. Përballja e tretë, sipas ditarit, kishte ndodhur në Romë, në vitin 2018, disa ditë pas kthimit nga vizita në Kili.

    Gjatë një takimi me zyrtarë të Vatikanit, Françesku shkruante se kishte ndier dhe parë një prani që e identifikonte si djallin. Sipas rrëfimit të tij, kjo prani kishte folur me një zë triumfues, duke thënë: “Tani kam marrë gjithçka që doja”.

    Një tjetër shënim, i datës 7 qershor 2018, përshkruan një përvojë që Papa Françesku e konsideronte edhe më të frikshme. Ai shkruante se një natë më parë kishte parë hyrjen e ferrit.

    “Vështrova pak dhe u tmerrova”, shënonte ai, duke treguar se kishte marrë rruzaren për t’u lutur dhe për të gjetur qetësi shpirtërore.

    Ky rrëfim është ndër pjesët më të pazakonta të ditarit, pasi hedh dritë mbi përjetime personale që deri më tani nuk ishin bërë publike.

    Sipas kardinalit Víctor Manuel Fernández, këto përjetime lidhen edhe me periudhën e vështirë shpirtërore që Françesku kaloi gjatë viteve 2021 dhe 2022.

    Kjo periudhë karakterizohej nga presioni i madh i drejtimit të Kishës Katolike, vështirësitë në marrjen e vendimeve dhe përballja me problemet e brendshme të institucionit.

    Megjithatë, ditari nuk përqendrohet vetëm te përballjet e tij me atë që e konsideronte të keqen. Ai përmban gjithashtu reflektime të thella mbi karakterin, gabimet dhe dobësitë njerëzore.

    Në shënimet personale, Françesku fliste hapur për ndjenjat e krenarisë, zilisë dhe përçmimit që kishte përjetuar gjatë jetës. Ai kujtonte gjithashtu rastet kur nuk kishte arritur të tregonte dhembshurinë e duhur ndaj njerëzve në nevojë.

    Në një prej reflektimeve të tij, ai pranonte se kishte kuptuar dëmin që kishte shkaktuar gjatë jetës dhe nevojën e madhe që kishte për mëshirën e Zotit./abcnews.al

    Burimi: Insajderi

  • Prokuroria dhe Policia Rajonale në Pejë diskutojnë për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës

    Prokuroria dhe Policia Rajonale në Pejë diskutojnë për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës

    Sipas njoftimit të prokurorisë, në këtë takim, temë kryesore e diskutimit ishte trajtimi dhe zbardhja e rasteve të vrasjeve të pazgjidhura të pasluftës, të cilat kanë ndodhur në territorin në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Pejë.

    “Me këtë rast, u.d. Kryeprokurorja Disha-Haxhosaj kërkoi nga prokurorët e kësaj prokurorie dhe zinxhiri komandues i Policisë Rajonale që të intensifikojnë bashkëpunimin dhe koordinimin institucional, me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e këtyre rasteve, identifikimin e kryerësve të veprave penale dhe vënien e tyre para drejtësisë”, thuhet në njoftim.

    Ajo theksoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët të prokurorëve të shtetit dhe hetuesve policorë, si dhe nevojën që çdo informacion dhe provë relevante të trajtohet me seriozitetin dhe profesionalizmin e duhur.

    Prokuroria Themelore në Pejë ka inkurajuar të gjithë qytetarët, familjarët e viktimave dhe personat e tjerë që posedojnë informacione të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të këtyre rasteve, që të bashkëpunojnë me Prokurorin e Shtetit dhe Policinë e Kosovës.

    Tutje në njoftim thuhet se Prokuroria Themelore në Pejë mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve ligjore për zbardhjen e këtyre rasteve dhe vendosjen e drejtësisë.

    Burimi: RTKLive

  • Hoxhaj takon deputeten britanike Kearns: Kosova është me fat që ka miq të tillë!

    Hoxhaj takon deputeten britanike Kearns: Kosova është me fat që ka miq të tillë!

    Hoxhaj takon deputeten britanike Kearns: Kosova është me fat që ka miq të tillë!

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, është takuar me deputeten e Parlamentit britanik, Alicia Kearns, në kuadër të Forumit të Politikës së Jashtme në Berlin.

    Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj e ka cilësuar deputeten britanike si mike të veçantë të Kosovës dhe zë të fuqishëm në mbështetje të vendit.

    Ai ka vlerësuar kontributin e deputetes britanike në mbështetjen e Kosovës, si në Parlamentin britanik, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

    “Kosova është me fat që ka miq të tillë!”, ka shkruar Hoxhaj.

  • Tifozët e Lazios rikthehen në “Olimpico” në dhjetor, pas muajsh bojkoti

    Tifozët e Lazios rikthehen në “Olimpico” në dhjetor, pas muajsh bojkoti

    Tifozët e Lazios rikthehen në “Olimpico” në dhjetor, pas muajsh bojkoti

    Tifozët e organizuar të Lazios kanë marrë një vendim të rëndësishëm: do të rikthehen në shkallët e stadiumit “Olimpico” gjatë muajit dhjetor, pas një periudhe të gjatë bojkoti në shenjë proteste ndaj presidentit Claudio Lotito.

    Sipas raportimeve të mediave italiane, përfshirë “La Gazzetta dello Sport”, tifozët kanë vendosur të jenë të pranishëm në ndeshjen kundër Atalantës, më 6 dhjetor, si dhe në derbin kundër Romës, më 13 dhjetor.
    Përmes një komunikate, grupet e organizuara kanë bërë të ditur se ky vendim është marrë për t’i qëndruar pranë skuadrës dhe trajnerit, por edhe për t’u dhuruar tifozëve dhe fëmijëve një muaj të veçantë pranë Lazios.

    Megjithatë, rikthimi në stadium nuk nënkupton përfundimin e protestës ndaj Lotitos dhe drejtuesve të klubit. Tifozët kanë paralajmëruar se bojkoti do të vazhdojë sipas të njëjtave modalitete nga janari i vitit 2027.

    Pra, bëhet fjalë për një pauzë të përkohshme të bojkotit, me qëllim që skuadra të ketë mbështetjen e tifozëve në ndeshjet e rëndësishme të dhjetorit.