Author: Momenti

  • Sadiku: VV-ja harron se është në pushtet dhe fajëson ZRrE-në për problemet në energji

    Sadiku: VV-ja harron se është në pushtet dhe fajëson ZRrE-në për problemet në energji

    Sadiku: VV-ja harron se është në pushtet dhe fajëson ZRrE-në për problemet në energji

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka reaguar pas mbledhjes së Komisionit për Ekonomi, ku ka raportuar bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE).

    Sadiku ka kritikuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se ata tentuan që problemet që, sipas tij, burojnë nga keqqeverisja, t’ia faturojnë një rregullatori të pavarur.

    “Deputetët e Vetëvendosjes morën rolin e opozitës, siç bëjnë zakonisht, duke harruar se partia e tyre është tash e gati shtatë vjet në pushtet.

    Të gjitha problemet që burojnë nga keqqeverisja e tyre, tentuan t’ia faturojnë një rregullatori që, në parim, duhet të jetë i pavarur, i paanshëm dhe i paprekur nga politika.

    Për besë, kjo s’ka as kuptim, as logjikë”, ka shkruar Sadiku.

    Ai ka vazhduar kritikat ndaj deputetëve të pushtetit, duke thënë se nuk ka kuptim që një parti në pushtet të sillet si opozitë ndaj problemeve që vetë duhet t’i adresojë.

    “Me qenë në pushtet e me u sjellë si opozitë ndaj dështimeve të tua, kjo më as populizëm nuk është. Është tragjikomedi me shtet”, ka përfunduar Sadiku.

  • Rriten vjedhjet në Zvicër, këto janë kantonet më të prekura

    Rriten vjedhjet në Zvicër, këto janë kantonet më të prekura

    Numri i vjedhjeve me thyerje në Zvicër është rritur ndjeshëm gjatë pesë viteve të fundit, ndërsa muajt nëntor dhe dhjetor konsiderohen periudha me rrezikun më të lartë.

    Kështu tregojnë statistikat e grupit të sigurimeve Helvetia-Baloise, sipas të cilave numri i rasteve është rritur nga 27 në 42 për çdo 10 mijë polica sigurimi, duke shënuar një rritje prej rreth 60 për qind, shkruan SRF.

    Krahas numrit të vjedhjeve, është rritur edhe vlera e sendeve të vjedhura.

    Derisa në vitin 2021 vlera mesatare e sendeve të vjedhura ishte 6,500 franga zvicerane, në vitin 2025 ajo ka tejkaluar 7,100 franga. Në këto shifra nuk përfshihen dëmet e shkaktuara në ndërtesa.

    Nëntori dhe dhjetori, muajt me më së shumti vjedhje

    Sipas statistikave, rreth një e katërta e të gjitha vjedhjeve me thyerje regjistrohen gjatë muajve nëntor dhe dhjetor, ndërsa numri më i ulët i rasteve shënohet në qershor.

    Shtëpitë individuale janë më të rrezikuara sesa banesat në ndërtesat kolektive.

    “Shtëpitë individuale shpesh u ofrojnë autorëve më shumë mundësi për t’u tërhequr dhe kanë më pak mbikëqyrje nga fqinjët”, ka deklaruar Philipp Götschmann, përgjegjës për dëmet në pronë në kompaninë Helvetia.

    Kantonet më të prekura nga vjedhjet

    Sipas të dhënave të kompanisë së sigurimeve, kantonet me numrin më të lartë të vjedhjeve për çdo 10 mijë polica sigurimi janë: Gjeneva me 87 raste, Vaudi me 60 raste dhe Basel Stadt me 53 raste, transmeton Telegrafi.

    Ndërkohë, kantoni Obwalden ka regjistruar shkallën më të ulët, me vetëm gjashtë raste.

    Sa i përket vlerës së sendeve të vjedhura, kantoni Zug kryeson me një mesatare prej mbi 12 mijë frangash për rast.

    Personat e moshës 56 deri në 65 vjeç rezultojnë të jenë më të rrezikuarit.

    Si të mbroheni nga vjedhjet?

    Paratë e gatshme, sendet me vlerë dhe pajisjet elektronike mbeten ndër objektivat kryesore të hajdutëve.

    Ekspertët rekomandojnë që qytetarët të mbajnë të kyçura dyert dhe dritaret, të shmangin dhënien e shenjave se nuk ndodhen në shtëpi dhe të përdorin ndriçimin për të krijuar përshtypjen e pranisë së dikujt.

    Gjithashtu, qytetarëve u rekomandohet të mos mbajnë shuma të mëdha parash të gatshme në shtëpi apo në vendet e punës./Telegrafi/

  • Liverpooli synon ta blejë Ronald Araújon për gjysmën e çmimit, Barcelona kërkon 55 milionë euro

    Liverpooli synon ta blejë Ronald Araújon për gjysmën e çmimit, Barcelona kërkon 55 milionë euro

    Liverpooli synon ta blejë Ronald Araújon për gjysmën e çmimit, Barcelona kërkon 55 milionë euro

    Liverpooli është i kënaqur me paraqitjet e Ronald Araújos dhe dëshiron ta mbajë mbrojtësin uruguaian edhe pas përfundimit të huazimit. Megjithatë, klubi anglez nuk është i gatshëm të paguajë 55 milionë euro, aq sa është vlera e opsionit të blerjes të përfshirë në marrëveshjen me Barcelonën.

    Sipas raportimeve të “Sport”, drejtuesit e Liverpoolit synojnë të negociojnë një çmim dukshëm më të ulët, madje afër gjysmës së shumës së përcaktuar fillimisht. Klubi nga “Anfield” planifikon që bisedimet me Barcelonën t’i zhvillojë në fund të sezonit, duke shpresuar të përfitojë nga situata kontraktuale e futbollistit dhe paga e tij e lartë.

    Liverpooli beson se mund të krijojë kushte më të favorshme për transferimin përfundimtar të 27-vjeçarit, i cili është përshtatur mirë në Premierligë dhe ka fituar besimin e stafit teknik.

    Nga ana tjetër, Barcelona duhet të vendosë nëse do të pranojë një ofertë më të ulët apo do ta rikthejë Araújon në skuadër.

    Futbollisti thuhet se ndihet mirë në Angli dhe dëshiron ta vazhdojë aventurën në Liverpool, një rrethanë që mund t’i ndihmojë anglezët në negociata.

    Burimi: Insajderi

  • “Jemi majmunët më arrogantë nga të gjithë”: Një takim që zgjeron horizontet e mendjes

    “Jemi majmunët më arrogantë nga të gjithë”: Një takim që zgjeron horizontet e mendjes

    Intervistë me legjendën e rokut, Peter Gabriel
    Intervistoi: Alexis Petridis / The Guardian (titulli: ‘We’re the most arrogant of all apes!’ A delightfully mind-expanding encounter with Peter Gabriel)
    Përkthimi: Telegrafi.com

    Peter Gabrieli kërkon ta marr laptopin tim: dëshiron të ma tregojë një video të vetes duke luajtur një duet në tastierë me një bonobo të quajtur Kanzi. Për të qenë të drejtë, pamjet në fjalë janë, siç sugjeron Gabrieli, “të jashtëzakonshme”. Duke punuar me primatologen Sue Savage-Rumbaugh, e cila zhvilloi një mënyrë komunikimi me bonobot – që përfshinte gjuhën e shenjave dhe një tastierë për sintezën e të folurit – Gabrieli luan akorde të zgjatura në një sintetizator, ndërsa Kanzi zgjedh nota plotësuese në piano. “Shiko, asaj i pëlqen ajo notë, që është nëntëshe, dhe pastaj e gjen oktavën”, thotë ai me entuziazëm ndërsa luhet videoja. “Ka një muzikalitet të vërtetë aty”.

    E gjithë kjo është thellësisht e pazakontë, por duket si ilustrimi i përkryer se sa lehtë një bisedë me Gabrielin mund të dalë krejtësisht – edhe pse në mënyrë interesante – jashtë piste. Kam vetëm 10 minuta në shoqërinë e tij, aq sa për ta bërë vetëm një pyetje për albumin e tij të ri epik oi: 13 pjesët e tij zgjasin pothuajse 90 minuta, rezultat ky – sugjeron ai – i një interesi të kahershëm për muzikën afrikane “që më bëri të kuptoj se një këngë mund të zgjasë aq sa mund të zgjasë një këngë”, dhe i “të qenit mjaftueshëm i vjetër për të menduar ‘djalli le ta hajë’, vërtet”. Për këdo që mendon se një orë e gjysmë art-rok i aranzhuar në mënyrë mrekullueshme, me produksion të bukur dhe herë pas here thellësisht i çuditshëm – tingulli i të cilit ndryshon formë nga A Hard Lesson, me nuanca folku, te ngjyrimet e ndritshme pop të Till Your Mind Is Shining – është një ofertë tepër e varfër, ai vjen në dy versione: një miks “i errët” nga producenti amerikan Tchad Blake dhe një version “i ndritshëm”, punë e Mark “Spike” Stentit që është i famshëm për punën me secilin, nga U2 dhe Madonna te Frank Ocean dhe Harry Styles.

    Kisha përmendur dy versionet, një pyetje krejt rutinë, por ajo shndërrohet shpejt në një diskutim për zëvendësimin e mundshëm të stereove të makinave me sisteme zhytëse zanore, e më pas kalon papritur në një shpjegim të punës së Michael Levinit, një profesor amerikan i bioinxhinierisë që është i specializuar në morfogjenezë. “Ai ka gjetur disa udhëzime bioelektrike që mund të bëjnë, për shembull, që një sy të rritet në këmbën e një bretkose”, thotë Gabrieli, dhe me sa duket ka “krijuar forma jete që nuk kanë ekzistuar kurrë më parë, gjë që e sfidon vërtet evolucionin”. Gabrieli është i interesuar t’i “sonifikojë” disa nga të dhënat e tij dhe t’i përdorë në një miks të mëvonshëm të albumit.

    Prej andej, kalojmë te inxhinieri i softuerit Blaise Agüera y Arcas, eksperimentet e të cilit me një gjuhë ezoterike programimi të viteve ’90, të quajtur Brainfuck, e kanë çuar tek “ideja radikale se disa konstante në matematikë mund të kenë në të vërtetë ndonjë formë jete”. Kjo na çon, përmes “rivlerësimit të asaj se çfarë është vetëdija dhe çfarë është inteligjenca”, te bindja e pionierit të internetit Vint Cerf se përpjekja për të komunikuar me specie të tjera inteligjente mund të na përgatisë për mundësinë e takimit me jashtëtokësorë, dhe kështu te Savage-Rumbaugh dhe bonoboja Kanzi.

    “Ajo i lejonte bonobot të shikonin video dhe të zgjidhnin videot që shikonin”, thotë Gabrieli duke qeshur, “dhe e parapëlqyera e tyre, ndoshta siç mund të pritej, ishte Planet of the Apes, pastaj Harry and the Hendersons, që është një film për një saskuaq që erdhi të jetonte me një familje. E gjithë kjo më mahniti. Mendoj se ne jemi majmunët më arrogantë nga të gjithë dhe ka kaq shumë inteligjencë që kemi zgjedhur ta shpërfillim dhe, në vend të kësaj, ta shohim botën si diçka që është tërësisht në dispozicion për shfrytëzimin tonë, dhe mendoj se kjo na ka kushtuar, siç po mësojmë tani”.

    Morfogjeneza, komunikimi ndërmjet specieve, rivlerësimi i vetëdijes: është e vetëkuptueshme se zakonisht nuk përfundon duke diskutuar këto gjëra kur e pyet një legjendë madhështor të rokut për albumin e tij më të fundit. Por, siç del, pikërisht kjo ndodh në mënyrë të pashmangshme kur e pyet Gabrielin. Takohemi në një lokal jo larg shtëpisë së tij në Noting Hill. Ai thotë se është këtu “për ta shitur albumin e ri”, por pothuajse çdo pyetje për të duket se e çon diku krejt tjetër: shkenca, aktivizmi, natyra e vetëdijes, mënyra se si gjuha është “mjet mjaft i papërpunuar” për komunikim, kurset kontroverse të vetëpërmirësimit të Werner Erhardit në vitet 1970.

    Nuk mund t’ia marrësh si ves larminë e interesave, edhe nëse pikërisht kjo larmi interesash është arsyeja pse i duhet kaq shumë kohë për të bërë albume. oi është, në thelb, pjesa e dytë e një projekti që nisi me i/o të vitit 2023, që ishte albumi i tij i parë me material të ri në 21 vjet. Ashtu si paraardhësi i tij, ai përmban këngë me të cilat Gabrieli është marrë për dekada: ai nisi punën për A Hard Lesson në vitin 1989, kur ishte ende një yll i madh i popit të rrymës kryesore falë [albumit] So të vitit 1986 – një album që shiti më shumë se pesë milionë kopje vetëm në ShBA.

    Po, pranon ai, është pak e çuditshme ta gjesh veten, në moshën 76-vjeçare, ende duke punuar në këngë që ke nisur t’i shkruash kur ishe në të 30-at: “E njoh atë djalë, por është e pashmangshme të marrësh vendime të ndryshme pasi ke jetuar pak më gjatë”. Por, kështu është. Mikja e tij Laurie Anderson dikur sugjeroi se problemi i Gabrielit ishte se ai interesohej më shumë për procesin e krijimit të diçkaje sesa për përfundimin e tij. Ai mendon se problemi i vërtetë është se shpërqendrohet lehtë.

    “Nëse ke njëfarë suksesi, përfundon duke takuar lloj-lloj njerëzish e duke bërë biseda magjepsëse të cilat të çojnë në devijime dhe mendon: ‘Epo, jeta është për t’u jetuar’”, thotë ai. “Nëse hipën në atë shirit transportues album-turne-album, nuk ka kohë të marrësh frymë apo të kesh çfarëdo lloj jete, dhe kjo gjithmonë më është dukur disi e trishtueshme. Mendoj se devijimet e ushqejnë muzikën. E di, nëse do mut të një cilësie më të mirë, duhet të hash një dietë më të larmishme”.

    Këtu nis natyra digresive e intervistës sonë. Duket se Gabrieli ka zhvilluar një teori vërtet intriguese, pothuajse për gjithçka, nga parqet tematike te funeralet: ai mendon se njerëzit duhet të “mbjellin një pemë mbi trupin e tyre të vdekur, ose mbi trupin e vdekur të njerëzve të tyre të dashur, kështu që do të krijoheshin pyje ku nuk do të kishte asnjë shenjë, por nëse shkon dhe ulesh nën pemën e babait tënd, telefoni yt do ta kishte pozicionin GPS dhe do të filloje të shihje videot e tij, të dëgjoje zërin e tij, të gjitha të dhënat digjitale do të lidheshin me atë pikë GPS-i”.

    Për më tepër, ai ka një mënyrë jashtëzakonisht tërheqëse për të folur për të gjitha këto gjëra, duke shfaqur aq shumë entuziazëm dhe kureshtje saqë të merr me vete: nëse rastësisht do të doje të propozoje idenë e rritjes së syve në këmbët e bretkosave, vështirë se do të gjeje shitës më të mirë se Gabrielin. Ndoshta e ndihmon fakti që Gabrieli ka një histori jashtëzakonisht mbresëlënëse të të menduarit përpara kohës së vet.

    Në kulmin e famës së tij si frontmeni i grupit Genesis, ai ishte mjaft zgjuar për ta kuptuar se zhanri i rokut progresiv, që kishin ndihmuar ta shpiknin, po bëhej tepër pompoz dhe i shkëputur nga realiteti – “duke kërcyer vërdallë në botën e zanave”, siç e formuloi dikur – dhe se grupi që kishte formuar mund të ishte më i suksesshëm pa të. Mendimi i fundit nuk ishte shumë i pëlqyer nga pjesa tjetër e anëtarëve, por megjithatë u dëshmua krejt i saktë.

    Disa vjet më vonë, ai ishte artisti i parë britanik që kuptoi se e ardhmja e popit qëndronte te semplimi: për njëfarë kohe në fillim të viteve ’80, nëse doje të përdorje një sempler në këngën tënde të re, duhej ta merrje hua atë të Gabrielit, sepse ai ishte personi i parë në vend që zotëronte një të tillë; më pas ai krijoi një kompani për ta importuar dhe shpërndarë teknologjinë e re. Njëzet vjet më vonë, e kuptoi shumë shpejt idenë se muzika do të ishte kryesisht në internet, duke bashkëthemeluar një platformë transmetimi që mund të ishte bërë standardi i industrisë – po të mos ishte lansuar pikërisht në të njëjtën kohë me një konkurrent të quajtur Spotify.

    Nëse kishte të drejtë për gjithçka, nga semplat te onlajni e deri te karriera e mëvonshme e grupit Genesis, ndoshta ka të drejtë edhe për IA-në [inteligjenca artificiale]. Në një botë muzikore të mbushur me njerëz që dënojnë ndikimin e saj të dëmshëm, Gabrieli është një nga të paktët mbështetës të saj të profilit të lartë: kohët e fundit ai sugjeroi se, në fund, “gjithçka do të bëhet më mirë” nga IA-ja sesa nga njerëzit.

    Ai e thotë sërish sot, ndonëse me rezerva. “Zbatimi i IA-së dhe robotëve në luftë është vërtet i frikshëm. Ekziston ndjesia se po krijojmë një specie që është shumë, shumë më inteligjente se ne. Nëse shikojmë përreth, nuk ka shumë shembuj të mirë të specieve inteligjente që kujdesen për specie më pak inteligjente, përveçse si kafshë shtëpiake. Mund ta shihni shqetësimin në fytyrën e [shkencëtarit të kompjuterëve dhe ‘nunit të IA-së’] Geoffrey Hintonit”, vazhdon ai. “Mendoj se duhet ta ngadalësojmë pak, na duhet një marrëveshje ndërkombëtare për të cilën ka precedentë si në sigurinë ajrore ose në traktatin Start për armët bërthamore. Na duhen barriera mbrojtëse, si farë e urtësisë në çdo algoritëm, para se të lejohet të lëshohet, e cila mund të mundësonte mbikëqyrjen dhe një masë kontrolli dhe një buton ‘fikjeje’. Por, për momentin, më intereson si një tërësi krejt e re mjetesh që mund t’i nxisë njerëzit ta konsiderojnë veten kineastë, piktorë, muzikantë, ta eksplorojnë veten në atë mënyrë”.

    Me ose pa IA, Gabrieli thotë se mendon se kjo është e vërtetë: “Të jesh këto gjëra është thjesht çështje të ecësh përreth e të thuash: ‘Kjo është ajo që jam’, pastaj t’i përkushtohesh të mësuarit për të. Mund të mësosh më shpejt përmes IA-së – edhe pse nuk i ke mësuar të gjitha aftësitë për të arritur deri aty, mund të kesh shpejt qasje në një pjesë të kënaqësisë së krijimit të gjërave që tingëllojnë vërtet bukur ose ta bësh IA-në të eliminojë disa nga momentet e tua më të këqija. Pra, në planin afatgjatë, si mjet krijues: absolutisht i jashtëzakonshëm. Është sikur të kesh pikturuar bardhezi dhe dikush papritur hedhë paletë ngjyrash duke thënë: ‘Çfarë mund të bësh me këtë’”?

    Ndryshe nga shumica, Gabrieli duket se beson vërtet se IA-ja është e aftë të krijojë art të madh. “Varet thjesht prej algoritmeve më të mira. Pra, si do të merremi me këtë si specie? Mendoj se, në planin afatgjatë, nëse nuk mund ta mposhtësh, duhet t’i bashkohesh. Mendoj se do të bëhemi kiborgë, sepse do t’i kemi këto ndërfaqe tru-kompjuter, ku fut diçka në tru që më pas të lejon të komunikosh me kompjuterin … Nuk mendoj se ka ndonjë arsye pse të mos e përdorim trurin tonë për t’u bërë më shumë IA”.

    Ai dëshiron të theksojë se “secila prej këtyre gjërave mund të përdoret pozitivisht ose negativisht”. Kohët e fundit pati një bisedë me teknologen amerikane Mary Lou Jepsen, e cila ishte e shqetësuar për pasojat për të drejtat e njeriut të të gjithë idesë së ndërfaqes tru-kompjuter dhe për mundësinë e saj që të përdoret si formë torture. Megjithatë, Gabrieli duket i magjepsur nga ideja: ai ka një koncept për diçka aq të paqartë saqë unë nuk e kuptoj, të quajtur “shfaqja e trurit”, e cila do të “të lejojë të shohësh se si ndikon truri te ne dhe si mund të manipulohet” dhe që do të përfshinte disa nga këngët e oi-së si pjesë të kolonës së saj zanore. “Mund të jetë diçka virtuale ose diçka skenike, ose të dyja, por si funksionon e gjithë kjo dhe cili është rrëfimi, nuk kam asnjë ide”, thotë ai duke ngritur supet. “Jam në atë fazë ku mund të ndiesh njëfarë mase në mjegull dhe po përpiqesh ta përfytyrosh duke u bërë diçka, që mendoj se është mënyra se si shumica e njerëzve i qasen krijimtarisë”.

    Ndërkohë, ka plot ide të tjera që i sillen nëpër mend. E intrigon koncepti i një performance virtuale, diku ndërmjet Abba Voyage dhe shfaqjeve “të mrekullueshme dhe frymëzuese” të U2-së në Las Vegas. Ka plan për të bërë një film të bazuar në – albumi konceptual i vitit 1974 që i parapriu largimit të tij nga Genesis: mund mendosh se ishte pak a shumë i pamundur për t’u filmuar, duke qenë se përmban një skenë në të cilën personazhi kryesor bën seks me tri krijesa të ngjashme me gjarpërinj dhe një tjetër në të cilën penisi i tij, i amputuar pak më parë, rrëmbehet nga një korb që po kalon, por Gabrieli duket optimist: ai ka punuar për skenarin me shkrimtarin argjentinas Nicolás Giacobone, i njohur për filmin Digger.

    Dhe, ai dëshiron të “gërmojë më thellë” në një tjetër ide të Levinit, “se mund të jesh në gjendje të komunikosh me qelizat dhe t’i bësh të sillen në një mënyrë të caktuar dhe se tingulli mund të jetë një mjet për këtë. Më magjepsin hulumtimet e vetëdijes”, thotë ai, pastaj vazhdon të më tregojë për eksperimente mbi aftësinë e bimëve për të ndier. “Ishte një tip interesant në MIT që mori një bimë dhe e futi në një lloj kutie me një kompjuter me rrota, pastaj e lëvizte burimin e dritës së bimës nëpër dhomë dhe bima thoshte ‘OK’ dhe e lëvizte kutinë për ta ndjekur dritën nëpër dhomë. Po pyesja veten nëse mund ta bëje këtë me një lis. Si një Park Jure, por me bimë në vend të dinozaurëve. Dua të them, të gjitha këto ide janë kaq argëtuese për t’u eksploruar”. /Telegrafi/

  • "Guarding Stars" është filmi më i shikuar në Netflix, një histori e ngrohtë festash që fitoi audiencën

    “Guarding Stars” është filmi më i shikuar në Netflix, një histori e ngrohtë festash që fitoi audiencën

    Komedia romantike e Krishtlindjeve “Guarding Stars” me protagonistë Leighton Meester dhe Jared Padalecki është filmi më i shikuar në Netflix në botë, dhe mban vendin e parë edhe në SHBA.

    Sipas të dhënave nga FlixPatrol, e cila gjurmon përmbajtjen më të shikuar në shërbimet e transmetimit, filmi kryesoi listat globale të filmave më 23 nëntor. Ai u shfaq në Netflix më 18 nëntor.

    Meester luan rolin e Hannah Brooks, një truproje e caktuar për të ruajtur yllin e filmave aksion të Hollivudit, Jack Stapleton, i luajtur nga Padalecki.

    Filmi është bazuar në romanin “The Bodyguard” të shkrimtares Katherine Center të vitit 2022, dhe regjisore është Elizabeth Allen Rosenbaum.

    Andie MacDowell luan rolin e nënës së Jack-ut, ndërsa këngëtarja Ava Max luan rolin e ish-të dashurës së tij.

    Megjithatë, kritikat janë disi më të dobëta. Portal Absolute Geeks shkruan se filmi është i parashikueshëm, por simpatik dhe karakterizohet nga kimia midis aktorëve kryesorë. AV Club i dha një C dhe MovieZine e Suedisë i dha dy nga pesë yje.

  • Mickoski–Varnes: Diskutohet forcimi i bashkëpunimit mes RMV-së dhe SHBA-së

    Mickoski–Varnes: Diskutohet forcimi i bashkëpunimit mes RMV-së dhe SHBA-së

    Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski u takua sot me Nicole Varnes, ambasadore në detyrë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni.

    Fokusi i bisedës ishte në marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit.

    Mickoski informoi për takimin përmes një postimi në rrjetet sociale, duke treguar se ai dhe përfaqësuesi amerikan diskutuan për marrëdhëniet në mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, partneritetin strategjik dhe bashkëpunimin dypalësh.

    Ai deklaroi se u shqyrtuan edhe mundësitë për forcimin e mëtejshëm të partneritetit midis dy vendeve./Telegrafi/

  • Si po arrin Deçani t'i mbajë të pastra 38 fshatra dhe si i doli në ndihmë Prishtinës me kamionë

    Si po arrin Deçani t’i mbajë të pastra 38 fshatra dhe si i doli në ndihmë Prishtinës me kamionë

    Derisa Komuna e Prishtinës po vazhdon të përballet me probleme në menaxhimin e mbeturinave, ku kontejnerët në disa pjesë të kryeqytetit mbesin të stërmbushur për ditë të tëra, Telegrafi ka vizituar Komunën e Deçanit për të parë se si organizohet ky shërbim në një komunë me 38 fshatra.

    Me 65 punëtorë, ndërmarrja publike lokale “Higjiena” arrin të mbulojë territorin e kësaj komune dhe të përmbushë kërkesat e qytetarëve për grumbullimin dhe largimin e mbeturinave.

    Për më tepër, në vitet e fundit, Komuna e Deçanit ka ndihmuar edhe Komunën e Prishtinës, përkatësisht kompaninë rajonale të mbeturinave “Pastrimi”, duke i vënë në dispozicion kamionë për grumbullimin e mbeturinave, veçanërisht gjatë muajve të verës, kur në Kosovë rritet numri i banorëve për shkak të ardhjes së diasporës.

    Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë për Telegrafin se angazhimi për një qytet të pastër ka qenë ndër arsyet kryesore që e kanë shtyrë komunën të investojë në krijimin dhe pajisjen e ndërmarrjes me mjete të nevojshme për punë.

    “Besoj që përkushtimi dhe dashnia për me e pas një qytet ekologjik, një qytet të pasur, na ka shty që me hy në këtë rrjedhë prej ndërtimit të kompanisë, pastaj edhe të pajisjes me mjete, një kohë me punë vullnetare të shumë djemve edhe vajza këtij qyteti që me lidh edhe kontrata edhe me shpjegu idenë pse nuk duhet me pasë mbeturina në vendbanimet tona dhe pse brenda një komune duhet me qenë territori i pastër”, tha Ramosaj.

    Ai ka theksuar se investimet në pajisje janë bërë pas një analize të nevojave, duke përfshirë numrin e punëtorëve, kapacitetet e kamionëve dhe mjetet e nevojshme për funksionimin e ndërmarrjes.

    “Masi që kemi bo ne një analizë tepër të saktë, sa punëtorë na duhen, cilat janë mjetet themelore që na vyen, sa kamionë na vyen për me pasë, cili është kapaciteti i këtyre kamionëve edhe nuk kemi kursy, domethanë për aq sa ka qenë e nevojshme, si pas kësaj analize ne kemi dhënë paret si komunë, kemi dhënë buxhetin e caktum për me i ble këta kamionë. Jam shumë i lumtur që edhe këtë vit ne kemi nda një buxhet të konsiderueshëm që me pasë pajisje të reja, për shkak se janë amortizu këta kamionë dhe po hasen vështirësi gjatë operimit me ta, në rast se ne dojmë me pasë një Kosovë pa mbeturina, nëse ne dojmë me pas një qytet, një lagje, një vendbanim tonin pa mbeturina, atëherë duhet me nda buxhet për këtë pjesë, sepse nuk funksionon ndryshe”, potencoi ai.

    I pyetur për bashkëpunimin me Komunën e Prishtinës dhe ndihmën që Deçani i ka ofruar kompanisë “Pastrimi” gjatë viteve të fundit, Ramosaj ka thënë se kërkesat për huazimin e kamionëve janë bërë kryesisht gjatë sezonit të verës, kur rritet ndjeshëm sasia e mbeturinave.

    “Kemi pasur një kërkesë prej komunës së Prishtinës më shumë se katër-pesë vite, ku në pikë sezonin e mbeturinave kur Kosova mbi popullohet për shkak se koncentrimi ndoshta i krejt aktiviteteve është në muajin korrik edhe gusht kur na vijnë vëllezërit dhe motrat nga jashtë, kur krijohen ato dasmat, ato që janë tradicionale te ne edhe ka sasi dhe volum më të madh të mbeturinave edhe sa herë që kanë ardhë me i kërku dy kamionë, tre kamionë, ne e kemi pasë gatishmërinë që me ja jep në shfrytëzim edhe me na i kthy masi të kalon kjo sezon, ku volumi i mbeturinave është më i madh dhe këso bashkëpunimesh duhet të ketë akoma kur një kompani qëndron pak më mirë me automjete ose me staf, mundet me e suportu ose me mbështet një kompani tjetër, nuk ka asgjë të keqe”, bëri të ditur kryetari i Deçanit.

    Sipas tij, bashkëpunimi ndërmjet ndërmarrjeve publike është i rëndësishëm edhe për shkëmbimin e përvojave.

    “Është shumë pozitive kjo pjesë, për shkak se edhe shkëmbejmë përvojat edhe është temë e bashkëpunimit që duhet me ndodhë”, shtoi më tej Ramosaj.

    Higjiena: Mbulohen të gjitha 38 fshatrat e Deçanit

    Ushtruesja e detyrës së kryeshefes ekzekutive të ndërmarrjes publike lokale “Higjiena”, Albanë Lokaj Avdiu, ka thënë se gjendja me mbeturinat në Komunën e Deçanit është e mirë dhe se ndërmarrja arrin t’i përmbushë planet operative.

    “Për momentin gjendja në Komunën e Deçanit me mbeturina është relativisht shumë e mirë”, tha ajo.

    Ajo ka pranuar se ndërmarrja përballet me sfida të përditshme gjatë grumbullimit të mbeturinave, por ka theksuar se shërbimet kryhen sipas planeve të parapara.

    “I kemi sfidat tona të përditshme gjatë grumbullimit të mbeturinave, mirëpo po arrijmë që brenda dite të kryhet plani operativ, sipas planeve mujore dhe vjetore të planifikuara më herët”, deklaroi Lokaj Avdiu.

    Lokaj Avdiu ka sqaruar se shërbimi kryesor i ndërmarrjes është grumbullimi dhe bartja e mbeturinave në të gjithë territorin e komunës.

    “Ndërmarrja ‘Higjiena’, shërbim primar e ka grumbullimin dhe bartjen e mbeturinave brenda territorit të komunës. Funksionojmë në 100 për qind në territorin e komunës në 38 fshatra”, zbuloi ajo.

    Një prej faktorëve që ndihmon funksionimin e ndërmarrjes, sipas saj, është edhe niveli i inkasimit të pagesave nga qytetarët.

    “Ne qëndrojmë mirë me inkasim, pasi janë afër 87 për qind e qytetarëve që paguajnë në kohë, edhe të cilët i falënderojmë për kontributin që kemi, që Deçani ka një ambient jashtëzakonisht të pastër”, tha drejtuesja e NPL ‘Higjiena’.

    Ajo ka bërë të ditur se grumbullimi i mbeturinave organizohet gjatë të shtatë ditëve të javës, sipas planit operativ.

    “Ne operojmë në 7 ditë të javës sipas planit operativ derë më derë për mbledhjen dhe grumbullimin e mbeturinave”, shtoi mes tjerash ajo.

    Qytetarët vlerësojnë shërbimin e ndërmarrjes

    Edhe qytetarët e Deçanit shprehen të kënaqur me shërbimet e ndërmarrjes “Higjiena”, duke veçuar pastrimin e hapësirave publike dhe mirëmbajtjen e qytetit.

    Qytetari Mon Selmonaj ka thënë se punëtorët e ndërmarrjes janë të angazhuar edhe në pastrimin e sheshit dhe hapësirave të tjera publike.

    “Me ardhë në mesditë këtu i sheh edhe punëtorët e ‘Higjienës’, duke pastru sheshin e duke pastru këto lapidaret, përmendoret e të gjitha këto. Përgjithësi qytetarët e Deçanit janë shumë të kënaqur me mbledhjen e mbeturinave dhe pastrimin e fshatrave dhe të qytetit”, tha ai.

    Selmonaj ka vlerësuar edhe mënyrën se si ndërmarrja i ka organizuar marrëdhëniet me qytetarët, duke thënë se kjo ka ndikuar në rritjen e përgjegjësisë së tyre për pagesën e shërbimeve.

    “Politikat që i udhëheq kompania ndaj qytetarëve, domethënë e kanë obligu e ka, qytetarët e ndijnë një obligim ndaj kompanisë për përmbushjen e obligimeve të tyre si qytetarë sepse kur vjen me rregull dhe i kryejnë ato edhe qytetarët, ndonëse janë vetëdijesu, janë ndërgjegjësu edhe i kryejnë obligimet e tyre që kanë ndaj kompanisë”, deklaroi qytetari.

    Ndryshe nga situata e përshkruar në Deçan, kryeqyteti aktualisht po përballet me probleme në menaxhimin e mbeturinave. Qytetarët kanë raportuar se ato nuk janë grumbulluar për javë të tëra në disa zona, ndërsa Komuna e Prishtinës ka fajësuar Ministrinë e Financave, përkatësisht ministrin Hekuran Murati, për mosnënshkrimin e marrëveshjes me bankën gjermane KfW.

    Në anën tjetër, Murati ka deklaruar se KfW-ja ka kërkuar stabilitet në kompaninë rajonale të mbeturinave “Pastrimi”, si kusht për nënshkrimin e marrëveshjes, e cila do të mundësonte bartjen e 24 milionë eurove në llogari të kompanisë.

    Sipas KfW-së, në fazën e dytë do të shtoheshin edhe 50 milionë euro të tjera në formë granti nga Bashkimi Evropian. /Telegrafi/

  • Pesë ligjet për drejtësinë, Tahiri ngre shqetësime për gjithëpërfshirjen

    Pesë ligjet për drejtësinë, Tahiri ngre shqetësime për gjithëpërfshirjen

    Shefi i grupit parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kundërshtuar në Komisionin për Legjislacion mënyrën se si po trajtohet pakoja e pesë ligjeve për reformën në sistemin e drejtësisë.

    Përmes një reagimi në Facebook, Tahiri ka vlerësuar se është shqetësuese që kjo reformë po shtyhet përpara pa përfshirjen reale të komenteve dhe rekomandimeve të shoqërisë civile dhe pa reflektimin e amendamenteve përmbajtësore të opozitës.

    Ai ka theksuar se një proces i tillë nuk mund të konsiderohet reformë gjithëpërfshirëse, nëse përjashtohen akterët që duhet të jenë pjesë e tij.

    Tahiri ka paralajmëruar se një qasje e njëanshme rrezikon ta shndërrojë reformën në një produkt të shumicës parlamentare, pa legjitimitetin dhe konsensusin e nevojshëm.

    “Reforma në drejtësi nuk bëhet duke përjashtuar, duke injoruar dhe duke imponuar. Bëhet përmes dialogut, llogaridhënies dhe gjithëpërfshirjes”, ka shkruar Tahiri.

    Në përfundim, deputeti i Aleancës ka qenë i prerë në qëndrimin e tij: “Reformë pa gjithëpërfshirje nuk ka!” /Telegrafi/

  • UEFA shpall kalendarin e ndeshjeve kualifikuese të EURO 2028, shorti vendos se kur do të fillojnë “Dardanët”

    UEFA shpall kalendarin e ndeshjeve kualifikuese të EURO 2028, shorti vendos se kur do të fillojnë “Dardanët”

    Kualifikueset për Kampionatin Evropian 2028 fillojnë më 26 mars 2027 dhe Kombëtarja e Kosovës do të luajë ndeshjet e para, varësisht nga shorti kur të dihet se në cilin grup do të bie.

    UEFA ka shpallur kalendarin për ciklin kualifikues, i cili zgjat deri në nëntor 2027. Grupet do të dihen më 6 dhjetor 2026, kur shorti është planifikuar të zhvillohet në Qendrën Ndërkombëtare të Konventave në Belfast, duke filluar nga ora 18:00. Kosova do të jetë në vazon e tretë.

    Do të ketë 12 grupe, gjashtë me katër ekipe dhe gjashtë me pesë ekipe. Turneu do të luhet me një sistem pikësh të dyfishtë, në shtëpi dhe jashtë, gjatë dhjetë raundeve në katër data përfaqësuese.

    Më e ngarkuara është pjesa e vjeshtës, kur do të luhen katër raunde nga 23 shtatori deri më 5 tetor.

    20 ekipe do të kualifikohen direkt për EURO 2028, përkatësisht 12 fitueset e grupeve dhe tetë ekipet e dyta më të mira. Ekipet e tjera të dyta dhe ekipet e renditura më mirë nga Liga e Kombeve që nuk u kualifikuan do të luajnë një ndeshje eliminatore nga 23 deri më 28 mars 2028.

    Kampionati Evropian i vitit 2028 do të mbahet në Angli, Skoci, Uells dhe Irlandë.

    Kalendari i kualifikimeve

    Raundi 1: 26 mars 2027

    Raundi 2: 29 mars 2027

    Raundi 3: 11 dhe 12 qershor 2027

    Raundi 4: 14 dhe 15 qershor 2027

    Raundi 5: 23 deri më 25 shtator 2027

    Raundi 6: 26 deri më 28 shtator 2027

    Raundi 7: 30 shtator deri më 2 tetor 2027

    Raundi 8: 3 deri në 5 tetor 2027

    Raundi 9: 11 deri më 13 nëntor 2027

    Raundi 10: 14 deri më 16 nëntor 2027

    /Telegrafi/

  • “I është mohuar drejtësia”, mbrojtja e Kadri Veselit gati për apelin në Hagë

    “I është mohuar drejtësia”, mbrojtja e Kadri Veselit gati për apelin në Hagë

    “I është mohuar drejtësia”, mbrojtja e Kadri Veselit gati për apelin në Hagë

    Mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është drejt përfundimit të përgatitjeve për njoftimin e apelit ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Avni Bytyçi nga ekipi mbrojtës i Veselit ka konfirmuar për KosovaPress se njoftimi për apel do të dorëzohet brenda afatit të përcaktuar, më 27 nëntor.

    Ai ka bërë të ditur se aktualisht mbrojtja është duke finalizuar dokumentin, në të cilin do të paraqiten bazat juridike dhe faktike të kundërshtimit të aktgjykimit.

    “Po, Mbrojtja e z. Kadri Veseli është e gatshme të dorëzojë njoftimin për apel brenda afatit të përcaktuar. Aktualisht, Mbrojtja është në proces të finalizimit të njoftimit për apel, në të cilin do të përcaktohen në mënyrë të qartë dhe të strukturuar bazat juridike dhe faktike mbi të cilat do të mbështetet ankimi”, ka deklaruar Bytyçi.

    Nga ekipi mbrojtës kanë kundërshtuar përfundimet e Trupit Gjykues, duke vlerësuar se provat e administruara gjatë procesit nuk dëshmojnë fajësinë e Veselit.

    Sipas tyre, gjatë vlerësimit të provave janë bërë gabime, përfshirë edhe konstatimet lidhur me pretendimin për ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale dhe përfshirjen e Veselit në të.

    “Qëndrimi i Mbrojtjes mbetet se z. Veseli-t i është mohuar drejtësia. Provat e administruara në këtë çështje nuk ofrojnë bazë të arsyeshëm për të mbështetur përfundimin për fajësinë e tij”, ka thënë Bytyçi.

    Ai ka shtuar se këto pretendime, së bashku me kundërshtimet e tjera ndaj aktgjykimit, do të argumentohen në procedurën e apelit.

    Ndërkohë, 27 nëntori është afati i fundit për dorëzimin e njoftimeve për apel ndaj aktgjykimit të shkallës së parë në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky afat vlen si për ekipet mbrojtëse, ashtu edhe për Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Pas dorëzimit të njoftimeve, palët kanë në dispozicion 60 ditë për përgatitjen dhe dorëzimin e dosjeve të plota të apelit, ku do të paraqiten argumentet kundër aktgjykimit.

    Kujtojmë se më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, Jakup Krasniqi me 25 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

    Aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përfundimtar. Pas shqyrtimit të ankesave, Paneli i Apelit mund ta konfirmojë, ndryshojë ose rrëzojë atë.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali