Author: Momenti

  • Monoksidi i karbonit nuk ka as ngjyrë, as erë - simptomat e helmimit ngatërrohen lehtë me gripin

    Monoksidi i karbonit nuk ka as ngjyrë, as erë – simptomat e helmimit ngatërrohen lehtë me gripin

    Monoksidi i karbonit është një gaz shumë i rrezikshëm, i cili nuk mund të shihet dhe as të nuhatet, ndërsa shenjat e para të helmimit shpesh ngatërrohen me gripin ose lodhjen.

    Rreziku nga ky gaz rritet veçanërisht gjatë sezonit të ngrohjes, në shtëpitë ku përdoren soba me dru, qymyr, bojlerë me gaz apo ngrohëse të tjera.

    Rastet e fundit të raportuara në Evropë kanë rikthyer vëmendjen te rreziku që paraqet ky gaz.

    Foto ilustruese

    Në Bavari, një ngrohëse e re shkaktoi helmimin e 56 personave gjatë një meshe të së dielës, ndërsa në Itali një burrë nga Bosnja dhe Hercegovina humbi jetën si pasojë e helmimit me monoksid karboni, kurse bashkëshortja e tij përfundoi në spital.

    Ky gaz krijohet kur lëndët djegëse, si druri, qymyri, gazi apo nafta, nuk digjen plotësisht.

    Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), çdo vit në SHBA më shumë se 400 persona humbin jetën nga helmimi i paqëllimshëm me këtë gaz, ndërsa mbi 100 mijë të tjerë kërkojnë ndihmë në urgjencë.

    Simptomat që ngatërrohen lehtë me gripin

    Shenjat më të zakonshme të helmimit përfshijnë dhimbjen e kokës, marramendjen, dobësinë, të përzierat, të vjellat, dhimbjen në gjoks dhe konfuzionin.

    Mund të shfaqen gjithashtu lodhje, dhimbje muskujsh, vështirësi në frymëmarrje, skuqje e fytyrës dhe probleme me shikimin.

    Një shenjë veçanërisht e rëndësishme është përkeqësimi i simptomave gjatë qëndrimit në një dhomë ose ndërtesë dhe përmirësimi i tyre pasi dilni jashtë.

    Nëse dhimbja e kokës shfaqet sa herë që jeni në shtëpi dhe largohet kur dilni për shëtitje ose shkoni në punë, shkaku mund të jetë ndonjë pajisje ngrohëse.

    Në përqendrime të larta, monoksidi i karbonit mund të shkaktojë humbje të vetëdijes dhe vdekje.

    Personat që flenë ose janë nën ndikimin e alkoolit janë veçanërisht të rrezikuar, pasi mund të mos i vërejnë fare simptomat.

    Kush është më i rrezikuar?

    Edhe pse helmimi mund t’i prekë të gjithë, foshnjat, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike të zemrës, anemi apo probleme me frymëmarrjen konsiderohen ndër grupet më të rrezikuara.

    Çfarë duhet të bëni nëse dyshoni për helmim?

    Nëse dyshoni se në ambientin ku ndodheni ka monoksid karboni, duhet të dilni menjëherë në ajër të pastër dhe të kërkoni ndihmë mjekësore.

    Nëse është e mundur pa rrezikuar veten, fikni pajisjen që dyshoni se po e lëshon gazin.

    Mos u ktheni në ambientin e dyshimtë derisa specialistët të konfirmojnë se është i sigurt.

    Në rast se dikush ka vështirësi në frymëmarrje, konfuzion të papritur, humbje të vetëdijes apo dhimbje në gjoks, duhet të thirret menjëherë urgjenca.

    Si të mbroheni nga monoksidi i karbonit?

    Për të parandaluar helmimin, rekomandohet instalimi i detektorëve të monoksidit të karbonit pranë dhomave të gjumit dhe në hapësirat ku përdoren soba apo bojlerë.

    Po ashtu, duhet të kontrollohen rregullisht bateritë dhe pajisjet të zëvendësohen sipas udhëzimeve të prodhuesit.

    Soba, bojlerët dhe pajisjet me gaz duhet të servisohen të paktën një herë në vit, ndërsa oxhaqet duhet të pastrohen dhe kontrollohen rregullisht.

    Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu që skarat me qymyr dhe pajisjet e kampingut të mos përdoren asnjëherë brenda ambienteve të mbyllura.

    Po ashtu, shtëpia nuk duhet të ngrohet me furrë gazi dhe automobili nuk duhet të lihet i ndezur në garazh.

    Gjeneratorët duhet të përdoren vetëm jashtë shtëpisë, në distancë prej të paktën gjashtë metrash nga dyert dhe dritaret, pasi edhe kur ato janë të hapura, gazi mund të depërtojë brenda dhe të shkaktojë helmim. /Telegrafi/

  • Nga “Kafet me Kryetarin” te tenderët, ish-zyrtarë e aktivistë të LDK-së në mesin e të angazhuarve si konsulentë përmes tenderit 118 mijë euro në Istog

    Nga “Kafet me Kryetarin” te tenderët, ish-zyrtarë e aktivistë të LDK-së në mesin e të angazhuarve si konsulentë përmes tenderit 118 mijë euro në Istog

    Nga “Kafet me Kryetarin” te tenderët, ish-zyrtarë e aktivistë të LDK-së në mesin e të angazhuarve si konsulentë përmes tenderit 118 mijë euro në Istog

    Persona që kanë garuar për ulëse në Kuvendin Komunal nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që kanë udhëhequr struktura të kësaj partie apo që kanë publikuar postime mbështetëse për kryetarin e Istogut, Ilir Ferati, janë në mesin e emrave të përzgjedhur nga Komuna për të ofruar shërbime në disa pozita komunale.

    Gazeta Insajderi

    Komuna e Isogut ka dhënë një tender me vlerë të parashikuar prej 118 mijë eurosh, të ndarë në shtatë lote, përmes të cilit Komuna e Istogut ka kërkuar angazhimin e profesionistëve për shërbime të ndryshme, nga radiologjia dhe psikologjia, deri te ujitja dhe kullimi, logopedia dhe arsimi profesional.

    Rezultatet e kësaj procedure janë publikuar më 18 nëntor 2026.

    Në mesin e personave të përzgjedhur janë Veton Kurti, i cili në zgjedhjet lokale të vitit 2025 ishte prezantuar nga vetë kryetari Ferati si kandidat i LDK-së për Asamblenë Komunale; Fjolla Bytyçi, ish-kryetare e Forumit të LDK-së në nëndegën e Istogut; Qazim Haxhiu, i cili në rrjetet sociale ka shprehur publikisht mbështetje për Feratin dhe familja e të cilit ka përfaqësim në Kuvendin Komunal; si dhe Egzona Balaj, e cila ka publikuar fotografi e mesazhe në mbështetje të kryetarit, shkruan Insajderi.

    Për këta persona, Komuna ka paraparë pagesa që, vetëm në katër pozitat për të cilat janë identifikuar emrat dhe vlerat, arrijnë në 57 mijë e 791 euro e 76 centë.

    Gazeta Insajderi ka shqyrtuar dokumentacionin e tenderit dhe të dhënat publike për personat e përzgjedhur. Ato tregojnë se disa prej tyre kanë pasur angazhime në strukturat ose aktivitetet politike të LDK-së, partisë së cilës i përket edhe kryetari i komunës, Ilir Ferati.

    Kandidati i LDK-së për asamblist, përzgjidhet për shërbimin e radiologjisë

    Njëri prej personave të përzgjedhur është Veton Kurti, i cili do të angazhohet në shërbimin e radiologjisë. Vlera e kontratës për këtë shërbim është 13 mijë e 920 euro.

    Kurti nuk është emër i panjohur në aktivitetet politike të LDK-së në Istog.

    Në zgjedhjet lokale të vitit 2025, kryetari i Komunës, Ilir Ferati, kishte publikuar një postim përmes të cilit kërkonte mbështetje për Kurtin, i cili garonte për Asamblenë Komunale me numrin 20 në listën e kësaj partie.

    Në atë postim, Ferati e kishte prezantuar Kurtin si mjek të specializuar në radiologji, duke përmendur edhe angazhimin e tij të mëhershëm si asamblist në Kuvendin Komunal.

    “Me qëllime të qarta, Veton Kurti rikthehet sërish për të kërkuar besimin tuaj në Asamblenë Komunale, këtë herë me numrin 20 në listën e LDK-së”, kishte shkruar Ferati.

    Kryetari i Istogut kishte përmendur edhe angazhimin e Kurtit në Forumin Rinor të LDK-së dhe në shoqërinë civile, ndërsa e kishte cilësuar atë si person të përkushtuar ndaj qytetarëve.

    Në të njëjtin postim, ai kishte kërkuar votën për Kurtin, duke e përmendur edhe profesionin e tij si mjek i specializuar në radiologji.

    Tashmë, Kurti është përzgjedhur për të ofruar shërbime pikërisht në këtë fushë, përmes kontratës me Komunën e Istogut.

    Sipas përshkrimit të detyrave në dokumentacionin e tenderit, angazhimi i tij përfshin leximin dhe përgatitjen e raporteve për rentgen dhe mamografi, menaxhimin e ordinancës, administrimin e dosjeve mjekësore dhe organizimin e punës në shërbimin e radiologjisë.

    Në detyrat e përcaktuara përfshihen edhe ofrimi i shërbimeve mjekësore specialistike në radiologji, mbikëqyrja e punës së personelit, si dhe planifikimi i furnizimit dhe përdorimit të pajisjeve, barnave dhe materialit shpenzues.

    Dokumenti parasheh që angazhimi të jetë me orar jo të plotë, katër orë në ditë, për dy ditë në javë, përkatësisht 64 orë në muaj.

    Zyrtari për ujitje dhe kullim që shprehte mbështetje për Feratin

    Një tjetër person i përzgjedhur në këtë procedurë është Qazim Haxhiu, i cili është angazhuar si zyrtar për ujitje dhe kullim. Vlera e kontratës për këtë pozitë është 15 mijë euro.

    Në profilin e tij në “Facebook”, Haxhiu ka të shënuar se punon si zyrtar në Drejtorinë e Bujqësisë në Komunën e Istogut.

    Përveç kësaj, në rrjetet sociale ai ka publikuar një mesazh në të cilin shpreh mbështetje për kryetarin Ilir Ferati, duke e përgëzuar për punën gjatë mandatit të tij të parë dhe duke i uruar vazhdimin e udhëheqjes së komunës edhe për katër vjet të tjera.

    “Të lumtë për punën e palodhshme për këto katër vite kryetar. Je një shembull i mirë për të gjithë”, kishte shkruar Haxhiu.

    Lidhja me strukturat politike të LDK-së shfaqet edhe përmes babait të tij, Bedri Haxhiut. Ky i fundit kishte kandiduar për Asamblenë Komunale në zgjedhjet e vitit 2025 nga radhët e LDK-së, me numrin 113.

    Aktualisht, në faqen zyrtare të Komunës së Istogut, Bedri Haxhiu figuron si këshilltar komunal nga radhët e LDK-së.

    Kështu, Qazim Haxhiu është përzgjedhur për një pozitë në një procedurë komunale ku vlera e angazhimit arrin gati 15 mijë euro, ndërsa babai i tij është pjesë e Kuvendit Komunal si përfaqësues i partisë së kryetarit të komunës.

    Ish-kryetarja e Forumit të LDK-së angazhohet si psikologe në QKMF

    Në mesin e personave të përzgjedhur është edhe Fjolla Bytyçi, e cila do të angazhohet si psikologe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istog.

    Vlera e kontratës për këtë pozitë është 13 mijë e 992 euro.

    Bytyçi ka pasur angazhim të drejtpërdrejtë në strukturat e LDK-së. Në vitin 2022, ajo ishte zgjedhur kryetare e Forumit të LDK-së në nëndegën e Istogut.

    Zgjedhja e saj në këtë pozitë partiake ishte bërë publike edhe përmes njoftimeve në rrjetet sociale.

    Katër vjet më vonë, emri i saj shfaqet në rezultatet e tenderit të Komunës së Istogut, ku është përzgjedhur për të ofruar shërbime psikologjike në QKMF.

    Bytyçi në një përgjigje për Insajderin tha se nuk ka pozitë aktualisht në parti.

    “Që në studimet bachelor jam angazhuar në praktika profesionale. Si çdo person tjetër edhe unë kam bindjet e mija në politikë por që asnjëherë nuk kanë ndikuar në punën dhe profesionin tim“, tha ajo.

    Ky angazhim është pjesë e tenderit të ndarë në shtatë lote, përmes të cilit Komuna ka paraparë të sigurojë shërbime të ndryshme konsulente për institucionet e saj.

    Përkrahte publikisht kryetarin, përzgjidhet për arsimin profesional

    Në listën e personave të përzgjedhur është edhe Egzona Balaj, e cila është angazhuar për pozitën e zyrtares për arsim profesional.

    Vlera e kontratës për këtë angazhim është 14 mijë e 880 euro.

    Edhe Balaj ka pasur postuat në mbështetje të kryetarit të Istogut, Ilir Ferati. Në një postim në rrjetet sociale, ajo kishte publikuar një fotografi me të, të shoqëruar me mbishkrimin:

    “Kafet e së shtunës, i kemi me Kryetarin!”.

    Tashmë, emri i saj figuron në mesin e personave të përzgjedhur për të ofruar shërbime në Komunën që udhëhiqet nga Ferati.

    Për këtë pozitë, Komuna ka paraparë pagesë prej 14 mijë e 880 eurosh.

    Gazeta Insajderi ka provuar të marrë përgjigje edhe nga personat e përzgjedhur përmes këtij tenderi, lidhur me angazhimin e tyre dhe lidhjet e përmendura në këtë artikull, por deri në publikimin e tij, ata nuk kanë kthyer përgjigje.

    Burimi: Insajderi

  • Banka Kombëtare e Zvicrës pritet të rrisë normën e interesit në mars të vitit 2027

    Banka Kombëtare e Zvicrës pritet të rrisë normën e interesit në mars të vitit 2027

    Banka Kombëtare e Zvicrës (SNB) pritet t’i japë fund politikës së normës zero të interesit gjatë vitit 2027, ndërsa shumica e ekonomistëve parashikojnë që rritja e parë të ndodhë në mars.

    Sipas një ankete të realizuar nga agjencia AWP, vetëm disa institucione financiare, përfshirë BAK Economics dhe Raiffeisen, parashikojnë një ndryshim të politikës monetare më të hershëm.

    Ekonomisti i Raiffeisen, Fredy Hasenmaile, vlerëson se mundësia e rritjes së normës së interesit në dhjetor të këtij viti është më e madhe sesa parashikojnë aktualisht tregjet financiare, shkruan Watson.

    Ai e arsyeton këtë me ecurinë e mirë të ekonomisë dhe parashikimet për inflacion më të lartë.

    Shumica e ekonomistëve presin ndryshime në mars

    Shumica e ekspertëve parashikojnë një rritje fillestare të normës së interesit prej 0.25 pikësh përqindjeje në mars dhe një rritje tjetër në qershor të vitit 2027.

    Në këtë mënyrë, norma bazë e interesit në Zvicër do të arrinte në 0.5 për qind deri në mesin e vitit të ardhshëm.

    Banka Kantonale e Cyrihut (ZKB) parashikon që kjo normë të arrijë në 0.75 për qind deri në fund të vitit 2027, transmeton Telegrafi.

    Vendimi i bankës qendrore do të varet kryesisht nga zhvillimet e inflacionit, i cili në tetor arriti në 1.5 për qind. Sipas ekonomistëve, kjo rritje lidhet kryesisht me shtrenjtimin e naftës.

    Franga zvicerane luan rol të rëndësishëm

    Një faktor tjetër vendimtar për politikën monetare mbetet kursi i këmbimit të frangës zvicerane.

    Shqetësimet rreth financave publike të Francës dhe mundësisë së një krize të re në eurozonë kanë rritur kërkesën për frangën zvicerane si monedhë e sigurt.

    Si rezultat, vlera e euros ka rënë nga 0.95 në 0.92 franga zvicerane.

    Një frangë e fortë zvicerane i bën importet më të lira dhe ndihmon në uljen e inflacionit, duke zvogëluar nevojën për rritjen e normave të interesit.

    Për këtë arsye, Banka Kombëtare e Zvicrës pritet të ndjekë me kujdes zhvillimet ekonomike dhe kursin e këmbimit përpara se të vendosë për normalizimin gradual të politikës monetare./Telegrafi/

  • Sulmet izraelite vrasin shefin e sigurisë së Hamasit dhe gjashtë persona të tjerë në Gaza

    Sulmet izraelite vrasin shefin e sigurisë së Hamasit dhe gjashtë persona të tjerë në Gaza

    Shtatë persona, përfshirë drejtorin e sigurisë së brendshme të Hamasit, janë vrarë të martën nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, pavarësisht armëpushimit që është në fuqi që nga tetori i vitit 2025.

    Ministria e Brendshme e Gazës, e cila funksionon nën autoritetin e Hamasit, bëri të ditur se një sulm ajror në qytetin e Gazës vrau gjeneral brigade Naeem Abu Nahal, drejtorin e Shërbimit të Sigurisë së Brendshme.

    Ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur një “terrorist të rangut të lartë” të Hamasit, transmeton Telegrafi.

    Mahmoud Bassal, zëdhënës i Agjencisë së Mbrojtjes Civile në Gaza, tha se disa persona të tjerë mbetën në gjendje kritike pas të njëjtit sulm, i cili ndodhi në lagjen Rimal të qytetit të Gazës.

    Sipas tij, tre persona, përfshirë një 17-vjeçar, ishin vrarë më herët gjatë së martës në një sulm tjetër ajror pranë qytetit të Gazës.

    Tre persona të tjerë u vranë nga një sulm i tretë, që goditi një stacion policor në zonën Al-Mawasi, në jug të Rripit të Gazës.

    Forca policore e Gazës, e cila gjithashtu funksionon nën autoritetin e Hamasit, konfirmoi se në mesin e viktimave ishin dy policë, të moshës 23 dhe 33 vjeç. Ajo e dënoi sulmin, duke e cilësuar si “pjesë të një fushate të vazhdueshme kundër strukturave policore”.

    Ndërkaq, ushtria izraelite tha se kishte goditur “terroristë në zonën” ku ndodhet stacioni policor, por nuk konfirmoi sulmin që besohet se vrau 17-vjeçarin.

    Izraeli dhe Hamasi vazhdojnë të akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit, i cili hyri në fuqi pas dy vjetësh luftë, të shkaktuar nga sulmi i udhëhequr nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

    Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, mbi 1,650 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i armëpushimit. Shifrat e kësaj ministrie, e cila funksionon nën autoritetin e Hamasit, konsiderohen të besueshme nga Kombet e Bashkuara.

    Gjatë së njëjtës periudhë, ushtria izraelite thotë se janë vrarë shtatë ushtarë dhe një punonjës civil i kontraktuar.

    Pjesa më e madhe e 2.1 milionë banorëve të Gazës vazhdon të jetë e zhvendosur, duke jetuar në tenda ose strehimore të improvizuara. Ushtria izraelite thotë se kontrollon më shumë se 60 për qind të territorit.

    Sulmet ndodhën në kohën kur në Izrael po vazhdojnë negociatat për formimin e një qeverie të re, pas zgjedhjeve parlamentare të tetorit, të cilat nuk prodhuan një fitues të qartë.

    Politikani i qendrës, Gadi Eisenkot, po përpiqet të krijojë një koalicion që do t’i jepte fund qëndrimit të gjatë në pushtet të Benjamin Netanyahut, i cili aktualisht ushtron detyrën e kryeministrit në detyrë.

    Megjithatë, Netanyahu vazhdon të jetë në krye të operacioneve ushtarake gjatë negociatave, pasi sigurinë e Izraelit e ka vendosur në qendër të politikës së tij që nga sulmi i 7 tetorit. /Telegrafi/

  • Valon Syla i përgjigjet Abdixhikut pas kritikave: Po i përdorni viktimat për zgjedhje, LDK-në po e dëmton egoizmi yt

    Valon Syla i përgjigjet Abdixhikut pas kritikave: Po i përdorni viktimat për zgjedhje, LDK-në po e dëmton egoizmi yt

    Valon Syla i përgjigjet Abdixhikut pas kritikave: Po i përdorni viktimat për zgjedhje, LDK-në po e dëmton egoizmi yt

    Gazetari Valon Syla ka vazhduar polemikën me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas kritikave të këtij të fundit lidhur me deklaratat e gazetarit në emisionin “Pressing” në T7.

    Përmes një postimi në Facebook, Syla ka reaguar ndaj akuzave të Abdixhikut, duke mohuar se ka ndonjë agjendë kundër LDK-së.

    Ai ka thënë se respekton viktimat e vrara pas luftës dhe familjet e tyre, por ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, Abdixhiku dhe presidentja Vjosa Osmani po i trajtojnë këto çështje në kohë zgjedhjesh.

    “Respekt për viktimat, dhe familjet e tyre po me keto Lumir nuk mund ti fitoni zgjedhjet as ti as Vjosa më sepse e keni stërtepruar. Sepse ata i përdorni vetëm për zgjedhje. Dhe nuk e zgjidhët asnjë rast sa ishit mbi 25 vite në pushtet”, ka shkruar Syla.

    Gazetari ka përmendur edhe pjesëmarrjen e Abdixhikut në takimet përkujtimore, duke e kritikuar për atë që e ka cilësuar si mospërputhje mes qëndrimeve publike dhe veprimeve të tij pas këtyre takimeve.

    “E dyta, akuzë nga ai është se paskam agjendë ndaj LDK-së. Edhe kjo s’është e vërtetë. Sepse LDK-ja më së shumti po cenohet nga vetë egoizmi i Abdixhikut, të cilin e kritikoj”, ka shkruar ai.

    Syla ka akuzuar Abdixhikun se është fokusuar në ruajtjen e pozitës së kryetarit të LDK-së, ndërsa ka kritikuar edhe qasjen e tij ndaj pushtetit dhe raportet me kryeministrin Albin Kurti.

    “Ai ka agjendë vetëm për atë që ulet në fotelen e kryetarit të LDK-së, i cili gjatë mandatit na rrejti të gjithëve se është opozitë e vërtetë, e që në fund, përfundoi në sqetull të Albin Kurtit”, ka shkruar Syla.

    Tutje, ai ka përmendur edhe përpjekjet e Abdixhikut për të siguruar mbështetje për kandidaturat për president, duke pretenduar se në fund ai dhe kandidatët e tij u refuzuan nga Kurti.

    “Prandaj, këto fore me të cilat Abdixhiku pandalshëm për humbjet e tij mundohet t’ua lërë gazetarëve, komentatorëve politikë dhe analistëve, është e ulët, e poshtër dhe dëshpëruese, po aq sa është e ulët dhe dëshpëruese të bësh politikë me viktima vetëm kur ju nevojiten për zgjedhje”, ka shkruar ai.

    Në reagimin e tij, Syla i është referuar edhe mbylljes së podcastit të Abdixhikut, duke e përdorur këtë si pjesë të kritikave ndaj tij.

    “Mos harro, jemi në vitin 2027. E ti edhe podkastin e mbylle sepse as ai s’të ndezi. E tash iu ke kthyer viktimave dhe defave”, ka shkruar gazetari.

    Syla ka vazhduar me kritika personale ndaj kreut të LDK-së, duke i thënë se duhet të reflektojë për veprimet e tij.

    “Ti ske mbet as për të pame, as për dajre. E as me kritiku më dikend. Ndoshta është mirë me reflektu te shtëpija ku e kalon shumicën e kohës”, shkroi ai.

    Burimi: Insajderi

  • Komisioni miraton raportin për Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë, nuk kalon amendamenti i Grudës

    Komisioni miraton raportin për Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë, nuk kalon amendamenti i Grudës

    Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit ka miratuar raportin me amendamente për Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë, ndërsa nuk ka marrë mbështetjen e nevojshme amendamenti i deputetit të PDK-së, Përparim Gruda, lidhur me përbërjen e Këshillit Drejtues të këtij institucioni.

    Burimi: Dukagjini

  • Musmurati: Ministri Murati të veprojë urgjentisht për të parandaluar falimentimin e ndërmarrjes “Pastrimi”

    Musmurati: Ministri Murati të veprojë urgjentisht për të parandaluar falimentimin e ndërmarrjes “Pastrimi”

    Musmurati: Ministri Murati të veprojë urgjentisht për të parandaluar falimentimin e ndërmarrjes “Pastrimi”

    Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, në një konferencë për media para Qeverisë së Kosovës, ka kërkuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, mbështetje financiare për ndërmarrjen “Pastrimi” dhe nënshkrimin e marrëveshjes për projektin prej 74 milionë eurosh.

    “Me një nga kamionët e stërvjetruar të ndërmarrjes dhe punëtorët e saj në prapavijë, Musmurati ka prezantuar sfidat me të cilat përballet kompania në ofrimin e shërbimit të pastrimit në kryeqytet. Musmurati i ka kërkuar ministrit Hekuran Murati që të nënshkruajë marrëveshjen për projektin prej 74 milionë eurosh, për të ndihmuar zhvillimin e ndërmarrjes “Pastrimi”, e jo për të kontribuar në falimentimin e saj” – thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

    Sipas tyre, projekti i zhvilluar në bashkëpunim me bankën gjermane KfW, parasheh blerjen e 100 kamionëve të rinj, 10 mijë kontejnerëve, ndërtimin e një qendre të riciklimit dhe modernizimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave.

    “Musmurati ka rikujtuar se Qeveria e Kosovës, më 18 dhjetor 2024, ka dhënë miratimin në parim për këtë projekt, ndërsa marrëveshja ende nuk është nënshkruar. Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se javën e kaluar u është drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke ua dorëzuar dokumentacionin zyrtar të projektit dhe duke kërkuar llogaridhënie nga ministri i Financave” – theksohet në njoftim.

    Nënkryetarja ka kërkuar ndërmarrjen e masave urgjente për stabilizimin financiar të ndërmarrjes “Pastrimi”, parandalimin e falimentimit, mbrojtjen e vendeve të punës dhe garantimin e vazhdimësisë së shërbimit për qytetarët.

    Në përfundim të konferencës, Musmurati ka përsëritur kërkesën drejtuar ministrit Murati për mbështetjen e ndërmarrjes dhe nënshkrimin e marrëveshjes që do të mundësonte modernizimin e shërbimit të pastrimit në kryeqytet.

  • Detaje ekskluzive nga prangosja e ish-vjehrrës dhe ish-kunatit të Arlinda Zekajt (VIDEO)

    Detaje ekskluzive nga prangosja e ish-vjehrrës dhe ish-kunatit të Arlinda Zekajt (VIDEO)

    Detaje ekskluzive nga prangosja e ish-vjehrrës dhe ish-kunatit të Arlinda Zekajt (VIDEO)

    Gazetarja Qëndresa Tërshani ka dhënë detaje të reja lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, duke bërë të ditur se, përveç dy personave të arrestuar më herët, tashmë janë arrestuar edhe katër persona të tjerë.

    E ftuar në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Tërshani ka treguar se në mesin e të arrestuarve të rinj janë ish-vjehrra dhe një ish-kunat i viktimës, si dhe dy persona të tjerë, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar Albertin pas kryerjes së veprës penale.

    Nëna e ish-burrit të Arlindës, Nurije Sylaj, vëllai tjetër, Driton Sylaj, si dhe Gëzim Bobi e Metë Pepaj, janë katër të arrestuarit e sotëm.

    Dy anëtarët e familjes Sylaj dyshohen për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë”.

    Ndërsa dy të tjerët për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

    Tërshani ka bërë të ditur se Gëzim Bobi përmendet edhe në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj Albertit.

    Ai dyshohet se e ka ndihmuar këtë të fundit pas kryerjes së veprës penale, ndërsa është marrë në pyetje në Stacionin Policor në Gjakovë më 27 tetor 2026, në natën kur Alberti ishte arrestuar.

    Sipas dyshimeve të para, Albert Sylaj ishte fshehur në Gjakovë dhe po përpiqej të siguronte një veturë dhe mjete të tjera për t’u larguar, ndërsa dyshohet se Bobi e kishte ndihmuar në këtë drejtim.

    Sa i përket të dyshuarit tjetër, Metë Pepaj, gazetarja tha se gjatë ditës pritet të bëhen të ditura më shumë detaje për lidhjen e tij me rastin.

  • Inspektorati ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Pejë

    Inspektorati ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Pejë

    Inspektorati ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Pejë

    Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në një objekt ndërtimi në komunën e Pejës, pas evidentimit të parregullsive dhe mungesës së masave të nevojshme për sigurinë dhe shëndetin në punë.

    Sipas njoftimit të Inspektoratit, vendimi është marrë gjatë inspektimeve në terren, ku janë konstatuar mangësi në zbatimin e masave për mbrojtjen e punëtorëve.

    Punimet në këtë objekt do të mbeten të ndaluara deri në eliminimin e të gjitha parregullsive dhe krijimin e kushteve të sigurta për punëtorët.

    “Inspektorati Qendror i Punës, gjatë realizimit të inspektimeve në terren, ka ndaluar punimet në një objekt ndërtimi në komunën e Pejës, transmeton Klankosova.tv.

    Vendimi për ndalimin e punimeve është marrë pas evidentimit të parregullsive dhe mungesës së masave të nevojshme për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

    Punimet do të mbeten të ndaluara deri në eliminimin e të gjitha parregullsive dhe krijimin e kushteve të sigurta për punëtorët.”, thuhet në njoftimin e IQP-së.

  • Cilat janë dyshimet që çuan në kapjen e ish-kunatit dhe ish-vjehrrës së Arlindës - zbulon Krasniqi (VIDEO)

    Cilat janë dyshimet që çuan në kapjen e ish-kunatit dhe ish-vjehrrës së Arlindës – zbulon Krasniqi (VIDEO)

    Cilat janë dyshimet që çuan në kapjen e ish-kunatit dhe ish-vjehrrës së Arlindës - zbulon Krasniqi (VIDEO)

    Gazetari Vullnet Krasniqi, i ftuar në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, ka folur për dyshimet që çuan në arrestimin e ish-vjehrrës dhe ish-kunatit të Arlinda Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati tjetër i saj, Albert Sylaj.

    Krasniqi ka deklaruar se dyshon që arrestimet janë bërë pas analizimit të telefonave të të dyshuarve dhe pamjeve nga kamerat e sigurisë.

    Ai ka përmendur tri elemente për të cilat dyshohet se vjehrra mund të ketë qenë e përfshirë në rast: hyrjen në shtëpinë e Arlindës, ushtrimin e presionit psikologjik dhe ndikimin te fëmija, të cilit, sipas tij, i ishte thënë se nëna e tij merrej me magji.

    “Vjehrra ka tri elemente të përfshirjes: i pari, invadimi i shtëpisë; i dyti, ushtrimi i dhunës psikologjike para se të vinte fëmija […] Elementi i tretë është se, pas ardhjes në shtëpi, në kuzhinë, presionin ia ka bërë vjehrra”, ka deklaruar Krasniqi.

    Ai ka folur edhe për dyshimet lidhur me telefonin e D.S., kunatit tjetër të arrestuar, i cili, sipas Krasniqit, dyshohet se e kishte njoftuar bashkëshorten e tij për lirimin e Arlindës.

    “Këto informacione janë gjetur në telefonin e Dritonit, i cili e ka lajmëruar bashkëshorten e tij se Arlinda po lirohet”, ka thënë ai.

    Gazetari ka ngritur gjithashtu dyshime për një planifikim të mundshëm familjar kundër Arlindës, duke përmendur edhe procesin gjyqësor ndaj bashkëshortit të saj për dhunë në familje.

    Ndërkohë, sipas Prokurorisë, N.S. dhe D.S. dyshohen për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale – Vrasja e rëndë”.

    Krasniqi ka theksuar se mbetet të shihet nëse të gjithë personat e dyshuar do të përfshihen në një aktakuzë.

    Për më shumë detaje, ndiqeni videon: