Author: Momenti

  • Një muaj në qeli për qytetarin nga Fushë Kosova që dyshohet se ngacmoi të miturën

    Një muaj në qeli për qytetarin nga Fushë Kosova që dyshohet se ngacmoi të miturën

    Një muaj në qeli për qytetarin nga Fushë Kosova që dyshohet se ngacmoi të miturën

    Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Fushë Kosovë, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj një të dyshuari për veprën penale të ngacmimit seksual.

    Kjo masë i është caktuar të pandehurit L.Z, pasi gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    “Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rreziku që i pandehuri nëse lihet në liri, të ndikojë në të dëmtuarën e mitur, e cila është dëshmitarja kryesore në këtë çështje penale apo në çfarëdo mënyre edhe tek familja e të dëmtuarës.”, thuhet në njoftim.

    Sipas njoftimit, gjykata po ashtu ka vlerësuar se nëse i pandehuri lihet në liri ekziston mundësia reale që të përsërisë veprime të ngjashme ndaj të dëmtuarës së mitur.

    “Andaj duke pas parasysh rrethanat dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, kjo masë tani për tani mbetet e vetmja masë e cila mund të përmbush qëllimin e masës për sigurimin e të pandehurit në procedurë.”, thuhet në njoftim. /Klankosova.tv

  • Shtëpia e Princit William dhe Kate cak i hajnave

    Shtëpia e Princit William dhe Kate cak i hajnave

    Shtëpia e Princit William dhe Kate cak i hajnave

    Dy persona janë arrestuar në Britani të Madhe, nën dyshimin për vjedhje dhe hyrje të paautorizuar në pronën e Princit William dhe bashkëshortes së tij, Kate Middleton.

    Policia u thirr të hënën në mbrëmje pas raportimeve për aktivitet të dyshimtë në një pronë në kuadër të rezidencës mbretërore Sandringham, në Norfolk të Anglisë.

    Sipas policisë, në operacionin e kërkimit u angazhuan edhe qen policorë, dronë dhe një helikopter, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv

    Dy të dyshuarit u arrestuan dhe aktualisht ndodhen në paraburgim.

    Bëhet fjalë për Anmer Hall, shtëpinë dhjetëdhomëshe që çifti e përdor për pushime dhe që iu dhurua nga Mbretëresha Elizabeth II në vitin 2011, me rastin e martesës së tyre.

    Në momentin e incidentit, shtëpia ishte e pabanuar.

    Princi William, Kate dhe tre fëmijët e tyre nuk ndodheshin aty. /Klankosova.tv

  • Ndalohen punimet në një objekt ndërtimi në Pejë për shkak të parregullsive

    Ndalohen punimet në një objekt ndërtimi në Pejë për shkak të parregullsive

    Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në një objekt ndërtimi në komunën e Pejës, pas evidentimit të parregullsive gjatë inspektimeve në terren.

    Sipas njoftimit të Inspektoratit, vendimi për ndalimin e punimeve është marrë për shkak të mungesës së masave të nevojshme për sigurinë dhe shëndetin në punë.

    Punimet në këtë objekt do të mbeten të ndaluara deri në eliminimin e të gjitha parregullsive dhe krijimin e kushteve të sigurta për punëtorët.

    Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se do të vazhdojë mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit në fuqi, me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të punëtorëve. /Telegrafi/

  • Autoritetet turke zbulojnë të vërtetën befasuese për “luanin e arratisur” para ndeshjes në Ligën e Kampionëve

    Autoritetet turke zbulojnë të vërtetën befasuese për “luanin e arratisur” para ndeshjes në Ligën e Kampionëve

    Autoritetet turke kanë zbuluar të vërtetën për kafshën që dyshohej se ishte luan, pasi u pa në periferi të Stambollit, pak ditë para ndeshjes së Galatasarayt me Aston Villan në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, pas analizimit të pamjeve të reja, është konfirmuar se kafsha nuk ishte as luan dhe as pjesëtar i familjes së maceve të mëdha.

    Sipas gazetës spanjolle Marca, historia e pazakontë që shoqëroi përgatitjet për ndeshjen Galatasaray – Aston Villa ka marrë një kthesë të re.

    Zyra e Guvernatorit të Stambollit ka shqyrtuar pamje të reja nga kënde të ndryshme dhe ka bërë të ditur se kafsha që shkaktoi gjithë këtë alarm nuk ishte luan.

    Alarmi ishte ngritur të dielën, më 22 nëntor, pas raportimeve për një kafshë që ngjante me luan në një zonë të pyllëzuar të distriktit Sarıyer. Pamjet e para nga kamerat e sigurisë nxitën një operacion të gjerë kërkimi, ndërsa në qarkullim dolën edhe raportime se në atë zonë ishte parë një luaneshë.

    Fakti që ngjarja ndodhi pak para vizitës së Aston Villas në Stamboll për t’u përballur me Galatasarayn, bëri që historia të merrte edhe një dimension futbollistik.

    Megjithatë, përditësimi i fundit nga autoritetet ndryshoi tërësisht situatën. Gjatë kërkimeve nuk u gjet asnjë dëshmi konkrete për praninë e një luani, ndërsa analizimi i pamjeve të reja u mundësoi zyrtarëve të përjashtonin mundësinë që kafsha të ishte pjesë e familjes së maceve të mëdha.

    Në operacion morën pjesë forcat e xhandarmërisë, ekipet e emergjencës, specialistët e mbrojtjes së natyrës dhe veterinerët.

    Për kërkimin u përdorën dronë të pajisur me kamera termike, si dhe karrema dhe kamera që aktivizoheshin nga lëvizjet. Autoritetet madje kufizuan përkohësisht qasjen në disa zona të pyllëzuara.

    Ndeshja Galatasaray – Aston Villa zhvillohet në kuadër të xhiros së pestë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve. Dy skuadrat vijnë me objektiva të ndryshëm: anglezët janë futur në mesin e skuadrave pretendente, ndërsa turqit synojnë të përmirësojnë pozitën në tabelë dhe t’u rikthehen fitoreve./Telegrafi/

  • A e dini pse aeroplanët spërkaten me një lëng të veçantë gjatë dimrit? Ja çfarë ndodh para ngritjes në fluturim

    A e dini pse aeroplanët spërkaten me një lëng të veçantë gjatë dimrit? Ja çfarë ndodh para ngritjes në fluturim

    Gjatë ditëve të ftohta të dimrit, në aeroportet e ndryshme të botës mund të vërehet një proces interesant: aeroplanët spërkaten me një lëng të veçantë përpara se të nisen drejt destinacionit të tyre.

    Kjo procedurë, e njohur si de-icing dhe anti-icing, është një prej masave të rëndësishme të sigurisë në aviacion dhe ka për qëllim largimin e akullit, borës dhe ngricës nga sipërfaqet e aeroplanit, si dhe parandalimin e krijimit të tyre për një periudhë të kufizuar.

    Sipas Administratës Federale të Aviacionit në SHBA (FAA), lëngjet e përdorura për këtë proces zakonisht përmbajnë glikol, ujë dhe përbërës të tjerë që ndihmojnë në shkrirjen e akullit dhe mbrojtjen e sipërfaqeve të aeroplanit nga ngrirja e përsëritur.

    Por pse është kaq e rëndësishme kjo procedurë?

    Edhe një shtresë e hollë akulli në krahët e aeroplanit mund të ndikojë në mënyrën se si ajri qarkullon rreth tyre dhe të pengojë krijimin e forcës ngritëse që nevojitet për fluturim.

    Për këtë arsye, përpara nisjes, ekipet e specializuara kontrollojnë sipërfaqet e aeroplanit dhe, kur kushtet e kërkojnë, përdorin lëngje të posaçme për largimin dhe parandalimin e ngricës.

    Ekzistojnë disa lloje të këtyre lëngjeve. Disa aplikohen të ngrohura për të shkrirë akullin dhe borën, ndërsa të tjera kanë përbërje më të trashë dhe krijojnë një shtresë mbrojtëse që pengon formimin e ngricës për një kohë të caktuar.

    Kjo mbrojtje nuk zgjat pafundësisht, ndaj aeroplanët duhet të nisen brenda intervalit të përcaktuar të mbrojtjes, në varësi të kushteve atmosferike dhe llojit të lëngut të përdorur.

    Pra, kur shihni një aeroplan duke u spërkatur me një lëng të veçantë gjatë dimrit, bëhet fjalë për një procedurë të rëndësishme që ndihmon në sigurimin e kushteve të nevojshme për një fluturim të sigurt.

  • Pacolli u drejton përgjegjësinë komunave për deponitë ilegale, thotë se janë mbledhur mbi 8 mijë tonë mbeturina

    Pacolli u drejton përgjegjësinë komunave për deponitë ilegale, thotë se janë mbledhur mbi 8 mijë tonë mbeturina

    Komisioni për Mjedis, Planifikim Hapësinor, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport, i kryesuar nga deputeti Arsim Ademi, shqyrton raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2025, ku po raporton ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli-Dalipi.

    Gjatë raportimit, Pacolli-Dalipi ka thënë se përgjegjësia për menaxhimin e mbeturinave komunale dhe mbikëqyrjen e deponive ilegale u takon komunave, por pavarësisht nga kjo, ministria ka ndarë një milion euro nga buxheti i vitit 2026 për eliminimin e tyre.

    Ajo ka bërë të ditur se deri më tani, në bashkëpunim me kompanitë rajonale, janë mbledhur mbi 8 mijë tonë mbeturina nga deponitë ilegale në territorin e Kosovës.

    “Përgjegjësia e drejtpërdrejtë për menaxhimin e mbeturinave komunale, përfshirë grumbullimin, transportimin, trajtimin, eliminimin dhe mbikëqyrjen e deponive ilegale, u takon komunave. Ministria nuk ka kompetenca në menaxhimin dhe eliminimin e deponive ilegale, por pavarësisht kësaj, duke parë gjendjen e rëndë në terren, nga buxheti i vitit 2026 kemi ndarë një milion euro për eliminimin e tyre. Deri tani kemi arritur të mbledhim mbi 8 mijë tonë mbeturina, në bashkëpunim me kompanitë rajonale”, ka thënë ajo.

    Ministrja ka folur edhe për planet infrastrukturore në menaxhimin e mbeturinave, duke përmendur ndërtimin e një qendre moderne për trajtimin dhe riciklimin e mbeturinave në rajonin e Prishtinës, si dhe procedurat për mbylljen e deponisë së Mirashit.

    Ndërkaq, sa i përket Ligjit të ri për mbeturinat, Pacolli-Dalipi ka thënë se ai ndodhet në fazën finale dhe se janë duke u marrë komentet e fundit.

    “Ligji i ri për mbeturinat është në fazën finale dhe jemi duke i marrë komentet e fundit. Në këtë ligj do të ketë trajtim ndryshe të mbeturinave dhe qasje të re ndaj komunave. Po ashtu, do të integrohet skema e kthimit të depozitës dhe përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesit, në mënyrë që barrën e mbeturinave që krijohen t’ua bartim prodhuesve, atyre që i krijojnë mbeturinat”, ka deklaruar ajo.

    Duke folur për progresin e evidentuar në raportin për gjendjen e mjedisit, ministrja ka përmendur rritjen e trajtimit të ujërave të zeza nga një në 11 për qind, si dhe përmirësimet e para në lumenjtë e pellgut të Drinit të Bardhë.

    Ajo ka vlerësuar edhe ndikimin e politikës për pagesën e qeseve plastike, duke thënë se kjo ka ndikuar në uljen e konsumit të tyre në Kosovë.

    “Progresi më i dukshëm mjedisor në Kosovë është shënuar me rritjen e trajtimit të ujërave të zeza, ku raporti evidenton se nga 1 për qind ka arritur në 11 për qind, ndërsa përmirësimet e para konkrete janë parë te lumenjtë e pellgut të Drinit të Bardhë. Po ashtu, është shënuar ulje e konsumit të qeseve plastike, që tregon se politika e vendosjes së pagesës për qeset plastike ka dhënë rezultat. Për kokë banori, ne përdorim 55 qese në vit, ndërsa mesatarja në BE është 66.6”, ka thënë Pacolli-Dalipi.

    Sipas saj, gjatë vitit 2025 është ruajtur cilësia e lartë e ujit të pijshëm, e cila arrin në 98.75 për qind, ndërsa në sektorin e ajrit nuk është regjistruar asnjë tejkalim i vlerave kufitare mesatare vjetore në krahasim me standardet e Bashkimit Evropian.

    Pacolli-Dalipi ka përmendur edhe përparimin në politikat klimatike, duke theksuar se objektivi i përcaktuar është ulja e gazrave serrë për 16.3 për qind deri në vitin 2030.

    Ajo ka folur edhe për sipërfaqet e mbrojtura natyrore, duke thënë se Kosova ka arritur në 11.56 për qind të territorit të mbrojtur, ndërsa objektivi i Bashkimit Evropian është 30 për qind.

    “Sa i përket mbrojtjes së natyrës, është marrë vendim për mbrojtjen e malit të Moknës dhe liqenit të Ujmanit. Sipërfaqja e mbrojtur ka arritur në 11.56 për qind dhe kjo është evidentuar edhe në Raportin e Progresit, ku Kosova renditet e para në Ballkan sa i përket sipërfaqes së mbrojtur. Kriteri i BE-së është 30 për qind. Është një rrugë e gjatë për të arritur deri aty, mirëpo me punë të përditshme dhe aktivitete besoj se mund t’ia dalim”, ka deklaruar ajo. /kp/

  • Inspektorati ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Pejë për shkak të mungesës së masave të sigurisë

    Inspektorati ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Pejë për shkak të mungesës së masave të sigurisë

    Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në një objekt ndërtimi në komunën e Pejës, pas evidentimit të parregullsive dhe mungesës së masave të nevojshme për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.

    Burimi: Dukagjini

  • Miratohet raporti me amandamente për Projektligjin për rekrutimin dhe integritetin e gjyqtarëve e prokurorëve

    Miratohet raporti me amandamente për Projektligjin për rekrutimin dhe integritetin e gjyqtarëve e prokurorëve

    Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit ka miratuar raportin me amendamente për Projektligjin nr. 11/L-007 për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

    Burimi: Dukagjini

  • Mbyllet për qarkullim rruga rajonale Arllat–Malishevë

    Mbyllet për qarkullim rruga rajonale Arllat–Malishevë

    Mbyllet për qarkullim rruga rajonale Arllat–Malishevë

    Rruga rajonale R110, në segmentin nga hyrja e Carrallukës deri në Tërpezë, do të mbyllet për qarkullim të mërkurën, më 25 nëntor.

    Sipas njoftimit të publikuar nga kompania mbyllja e këtij segmenti do të bëhet për shkak të punimeve të asfaltimit.

    Qarkullimi do të jetë i ndaluar nga ora 06:00 deri në mesnatë (24:00).

    Banorët e kësaj zone dhe drejtuesit e automjeteve janë lutur që gjatë kësaj periudhe të përdorin rrugët alternative.

    Burimi: Insajderi

  • Premisat e gabuara të Perëndimit për të ndalur Rusinë

    Premisat e gabuara të Perëndimit për të ndalur Rusinë

    Premisat e gabuara të Perëndimit për të ndalur Rusinë

    Shkruan: Enver Hasani

    Çdo pazar tjetër që i njeh Rusisë zgjerimin territorial, pavarësisht nga garancitë që ofrohen, qoftë edhe anëtarësimi i Ukrainës në NATO në këmbim të dhënies së një pjese të territorit ukrainas, do të jetë vetëm i përkohshëm dhe uverturë e mundshme e një zgjerimi të mëtejshëm territorial rus në drejtim të Polonisë dhe vendeve baltike, duke rrezikuar ndarjen territoriale të NATO-s nëpërmjet korridorit të Suwałkit, ndërmjet Polonisë dhe Lituanisë.

    Premisa e gabuar e Perëndimit I

    Ekspansioni aktual rus, nëse duhet kërkuar një pikë referimi kohore dhe hapësinore, paralajmërohet publikisht me një fjalim të Putinit në Mynih, më 10 shkurt 2007, në Konferencën e 43-të të Sigurisë së Mynihut. Siç e përshkruan Angela Merkel në librin e saj Freedom: Memoirs 1954–2021 (2024), përmbajtja dhe toni i atij fjalimi përbënin një kthesë të papritur në raportet e Rusisë me Perëndimin. Ne që e mbajmë mend atë periudhë, e dimë se Putini deri atë ditë kishte qenë i përkëdheluri i Perëndimit: familja Bush e kishte ftuar si mysafir personal, kurse strukturat ekonomike dhe të sigurisë që diktoheshin nga Perëndimi e kishin integruar Rusinë deri në atë masë sa ajo trajtohej pothuajse si pjesë e grupit të tyre – “one of us”. Pse?

    Ka qenë një bindje e përhapur ndër perëndimorët se zhvillimi dhe progresi ekonomik i Rusisë, por edhe i Kinës dhe i vendeve të ish-universit komunist, do të çonin automatikisht në paqtimin e shoqërive dikur të dhunshme dhe të traumatizuara nga dhuna komuniste totalitare. Më kujtohet një vizitë në SHBA, në Washington, D.C., me një grup liderësh të rinj nga Kosova, në kuadër të International Visitor Program, kur një analist ose ligjërues na fliste për Kinën si një shoqëri të ndikuar thellësisht nga konfucianizmi, krejtësisht paqësore, që kurrë nuk kishte shprehur ambicie hegjemoniste dhe as kishte pushtuar popujt përreth (sic !). Ky konstatim ishte i pasaktë jo vetëm sepse Kina moderne, përkundër trashëgimisë së saj konfucianiste, ishte prekur thellësisht nga nacionalizmi, ashtu sikurse të gjitha kombet moderne, kush më herët e kush më vonë, por edhe sepse historia e saj nuk dëshmonte për ndonjë karakter qenësisht paqësor dhe johegjemonist. Në të kaluarën, Kina kishte ndërmarrë vazhdimisht fushata ekspansioniste dhe kishte nënshtruar popujt përreth, sa herë që rrethanat historike dhe raportet e forcave ia kishin mundësuar një gjë të tillë. Mjafton të kujtojmë ekspansionin territorial të dinastisë Qing në Azinë Qendrore gjatë shekullit XVIII, vendosjen e kontrollit ushtarak kinez mbi Tibetin më 1950–1951, luftën me Indinë më 1962 dhe ndërhyrjen ushtarake në Vietnam më 1979.

    Në raport me Rusinë, një diskurs i njëjtë ishte mbizotërues deri në Konferencën e Mynihut. Putini merrej me të mirë, si një ish-agjent i disiplinuar i KGB-së dhe si një njeri që ia dinte rendin pushtetit dhe sigurisë ndërkombëtare, që e kuptonte se Perëndimi kishte epërsi të padiskutueshme në botën postkomuniste, dhe kështu me radhë. Në kohën që Putini po përkëdhelej, Perëndimi e kishte zhytur veten në luftëra të kota për shtetformim e shtetndërtim në Azi, duke shpenzuar pasuri të pafundme. Qëllimisht po përdor termat shtetformim dhe shtetndërtim, për të treguar gabimin më fatal të Perëndimit në raport me këtë projekt në Afganistan dhe Irak, në vend që të kufizohej në luftën ushtarake kundër terrorizmit global, veçanërisht në Afganistan, ku solidariteti ndërkombëtar ishte i gjerë dhe barra e luftës mund të ndahej ndërmjet një numri të madh shtetesh.

    Në këtë kohë të angazhimit të Perëndimit në projekte të shtetformimit e të shtetndërtimit, Putini kishte arritur të akumulonte burime kolosale financiare për Rusinë, nëpërmjet eksportit të naftës dhe gazit natyror, ndërkohë që rrjetet oligarkike ruse shtrinin veprimtarinë e tyre financiare në ekonominë globale, përfshirë edhe kanalet e paligjshme të qarkullimit të kapitalit. Rusia kishte arritur të krijonte një shkallë të konsiderueshme varësie energjetike në zemër të Perëndimit, në Evropë, duke ngushtuar hapësirën e veprimit gjeopolitik të aleatëve të tjerë të Perëndimit. Projektet energjetike ruso-gjermane, veçanërisht Nord Stream, përbënin një nga manifestimet më të dukshme të kësaj varësie. Pikënisja politike dhe strategjike e këtij triumfi putinian duhet kërkuar në riorientimin e prioriteteve të Perëndimit pas tragjedisë së 11 shtatorit 2001. Në këtë kuptim, mund të thuhet se premisa e gabuar e Perëndimit mori formën e saj strategjike pas tragjedisë së 11 shtatorit. Politika perëndimore, e nisur fillimisht në drejtimin e duhur, me rrëzimin e regjimit taliban në fund të vitit 2001, devijoi më pas drejt projektit të shtetndërtimit dhe shtetformimit. Kjo premisë e kishte origjinën në faktorin e sigurisë, përkatësisht në luftën për sigurinë globale, ndërsa si bazë mbështetëse politike kishte bindjen se zhvillimi ekonomik dhe tregtia me Rusinë e Kinën, si dhe me vendet e ish-universit komunist dhe të universit komunist të mbetur, do të çonin në transformimin politik dhe paqtimin e këtyre shoqërive, ashtu siç na thoshte ai ligjëruesi amerikan.

    Kjo qasje shpërfillte në tërësi nacionalizmi kinez, përbërësit dhe synimet e tij. Aktualisht, ky nacionalizëm, i promovuar fuqishëm nga Partia Komuniste e Kinës, ka një përbërës konfucianist, por ky përbërës nuk është domosdoshmërisht elementi i tij përcaktues. Është një formë tipike e nacionalizmit të modelit kinez, në të cilin ideologjia komuniste u është përshtatur veçorive historike, kulturore dhe interesave kombëtare të Kinës. Kemi të bëjmë, me fjalë të tjera, me atë që mund ta quajmë “komunizëm sipas kombit konkret”. Në terminologjinë zyrtare kineze, kjo ndërthurje ideologjike dhe kombëtare gjen shprehje në formulën e “socializmit me karakteristika kineze”. Në këtë konfigurim, konfucianizmi shërben edhe si burim plotësues i legjitimitetit kulturor dhe politik të regjimit, pa e zëvendësuar nacionalizmin si një ndër shtyllat kryesore të legjitimimit të tij.

    Premisa e gabuar e perëndimit II

    Ajo që sot duket se është harruar, e që u quajt Pranvera Arabe, ka qenë momenti i dytë kur Perëndimi pati mundësinë të korrigjonte premisat e gabuara të politikës së tij para Konferencës së Mynihut. Kur në dhjetor të vitit 2010 nisën në Tunizi valët e protestave popullore për demokratizimin e botës arabe, Perëndimi u zu i papërgatitur. Përgjigjja e tij qe fillimisht mjaft e mefshtë dhe e paorientuar, duke u përqendruar kryesisht në mbështetjen politike dhe inkurajimin e aspiratave demokratike të rinisë arabe, mobilizimi i së cilës u lehtësua në masë të madhe nga rrjetet sociale. Synimi ishte përmbysja e regjimeve autoritare, shumë prej të cilave ishin mbështetur për dekada nga vetë Perëndimi, fillimisht si kundërpeshë ndaj ndikimit sovjetik dhe, më vonë, për arsye të sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

    Çmontimi i këtyre regjimeve dhe i atyre që kishte lënë prapa Bashkimi Sovjetik besohej se mund të realizohej nëpërmjet lëvizjeve masive të rinisë arabe në Lindjen e Mesme dhe në vendet e Magrebit. Mirëpo, pritshmëria se përmbysja e regjimeve autoritare do të prodhonte vetvetiu demokraci kushtetuese rezultoi të ishte një gabim i madh, pjesërisht për të njëjtat arsye strukturore dhe institucionale që kishin kushtëzuar dështimin e projekteve të shtetndërtimit dhe shtetformimit në Afganistan dhe Irak. Siç argumentojnë Jason Brownlee, Tarek Masoud dhe Andrew Reynolds në librin e tyre The Arab Spring: Pathways of Repression and Reform (2015), rrëzimi i regjimeve autoritare nuk solli domosdoshmërisht demokratizimin, sepse strukturat historike të pushtetit dhe institucionet e trashëguara vazhdonin të përcaktonin fatin politik të këtyre shoqërive.

    Ka mijëra libra e debate akademike lidhur me çështjen nëse dhe deri në çfarë mase bota myslimane mund t’i përvetësojë vlerat liberale të demokracive kushtetuese perëndimore. Samuel P. Huntington, në librin e tij The Clash of Civilizations and the Remaking of World Order (1996), e kishte problematizuar pikërisht universalitetin e vlerave politike perëndimore. Në anën tjetër, Alfred Stepan dhe Juan J. Linz, në studimin e tyre Democratization Theory and the “Arab Spring” (2013), kishin argumentuar se tradita islame nuk përbënte në vetvete një pengesë të pakapërcyeshme për demokratizimin. Kush beson se përvetësimi i këtyre vlerave mund të ndodhë automatikisht, pa marrë parasysh traditat historike, kulturore, fetare dhe institucionale të shoqërive përkatëse, e ka gabim. Përvojat e modernizimit politik dhe kushtetues në vende si Tunizia, Turqia dhe Irani, ndonëse thellësisht të ndryshme për nga natyra dhe rezultatet e tyre, dëshmojnë kompleksitetin e këtij procesi.

    Nuk bëhet fjalë vetëm për botën islame, por edhe për shoqëritë e tjera që historikisht nuk kanë gravituar brenda universit greko-romak dhe judeo-kristian, mbi të cilin është ndërtuar një pjesë e konsiderueshme e traditës politike dhe kushtetuese të Perëndimit. Edhe brenda vetë botës së krishterë ekzistojnë tradita të ndryshme të organizimit politik dhe shtetëror, siç dëshmon përvoja historike e Rusisë dhe e disa vendeve ortodokse që kanë gravituar nën orbitën e saj. Natyrisht, këto dallime historike e qytetërimore nuk përjashtojnë mundësinë e demokratizimit, por as nuk e bëjnë atë një proces të vetvetishëm. Kjo do të thotë se Perëndimi duhet ta marrë këtë botë ashtu siç është dhe jo siç dëshiron të jetë ajo, duke marrë parasysh vlerat politike, shtetërore dhe kushtetuese që një shoqëri e organizuar në shtet përqafon. Njohja e këtij realiteti nuk nënkupton miratimin moral të regjimeve të saj politike, por përbën një parakusht për formulimin e një politike të jashtme realiste dhe efektive.

    Pranvera Arabe degjeneroi shpejt dhe nxori në sipërfaqe nacionalizmin arab dhe konfliktet e pazgjidhura që kishin shoqëruar lindjen e tij gjatë shekullit XX. Në rend të parë ishte konsolidimi i brendshëm përmes eliminimit të kundërshtarëve politikë dhe fetarë, veçanërisht përmes përshkallëzimit të konfliktit ndërmjet shiitëve dhe sunitëve. Paralelisht me këtë u intensifikua dhuna kundër elementit të krishterë në rajon dhe grupeve të tjera etnike e fetare që nuk identifikoheshin me shumicën arabe sunite. Në aspektin politik, degjenerimi ishte më i theksuar në Egjipt, ku nacionalizmit tradicional arab iu mbivendos solidariteti islamik i Vëllazërisë Myslimane, e cila e shihte veten si një lloj “Internacionaleje të Parë” panislamike. Në një kontekst rajonal ku Rusia kishte interesa të rëndësishme strategjike, veçanërisht në Siri dhe Libi, Perëndimi tregoi një tolerancë të konsiderueshme ndaj grushtit të shtetit të 3 korrikut 2013, që rrëzoi presidentin Mohamed Morsi të Vëllazërisë Myslimane dhe i hapi rrugën ardhjes në pushtet të një gjenerali tjetër egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi. Paradoksalisht, ishte pikërisht nën sundimin e këtij të fundit që marrëdhëniet ruso-egjiptiane u fuqizuan ndjeshëm.

    Kjo kthesë perverse e politikës perëndimore la një shije të keqe, në veçanti në raport me amerikanët, që nga aleatët e tyre mund të perceptoheshin si të pabesë: mund të bashkëpunosh me ta me dekada të tëra, por në fund të lënë në kafaz për të ndjekur gjykimin kundër teje, në mënyrën më të padinjitetshme që mund t’i ndodhë dikujt. E kam fjalën për Hosni Mubarakun, njërin prej udhëheqësve më proamerikanë dhe properëndimorë në rajon, dhe fatin e tij tragjik.

    Rasti i Sirisë dhe qëndrimi ndaj kryengritësve ishin edhe më dramatikë në sytë e aleatëve të Perëndimit, përfshirë forcat ushtarake properëndimore që luftonin regjimin e Asadit dhe përhapjen e organizatës terroriste globale të njohur si ISIS (Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë, i njohur edhe si Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit – ISIL). Regjimi në Damask po mbijetonte falë mbështetjes ruse dhe iraniane. Në vend që ajo mbështetje të dobësohej dhe të luftohej, administrata e Obamës i hapi dyert bashkëpunimit diplomatik me Rusinë dhe, më vonë, koordinimit të kufizuar ushtarak në kontekstin e luftës kundër ISIS-it.

    Momenti i artë, kur Perëndimi duhej t’i tregonte Rusisë vendin, ishte sulmi masiv me armë kimike kundër civilëve në Ghouta, në periferi të Damaskut, më 21 gusht 2013. Kjo nuk ndodhi. Në vend të ndërhyrjes ushtarake, administrata amerikane zgjodhi një marrëveshje diplomatike me Rusinë për çarmatimin kimik të Sirisë. Rusia u fuqizua, kurse amerikanët dhe Perëndimi u tërhoqën në periferi të zhvillimeve politike, duke u përqendruar në menaxhimin e marrëdhënieve me Turqinë dhe të konfliktit të saj me kurdët e rajonit, në një kohë kur ISIS-i, me shpejtësi marramendëse, po zgjeronte kontrollin territorial në Siri dhe Irak. ISIS-i, si rrezik i përbashkët, bëri që Hezbollahu, Irani dhe regjimi në Damask të luftonin kundër të njëjtit armik si rusët dhe amerikanët, ndonëse në fronte të ndryshme, duke krijuar përshtypjen e një aleance ndërmjet tyre. Në fakt, bëhej fjalë për një rrezik të përbashkët, i cili ekzistonte edhe për aleatin amerikan në NATO, Turqinë, por prioritetet strategjike të kësaj të fundit binin ndesh me interesat amerikane. Turqia kishte hallin me kurdët e rajonit dhe qëndrimi fillimisht tolerues i saj ndaj veprimtarisë së strukturave xhihadiste pranë kufirit sirian ngjalli dyshime për përparësinë që Ankaraja i jepte pengimit të fuqizimit të kurdëve në rajon, veçanërisht pas përfundimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.

    Në këtë vorbull, Perëndimi humbi nga sytë interesin e vet afatgjatë të sigurisë: të gjithë përfituan nga pak, përveç vetë Perëndimit.

    Premisa e gabuar e Perëndimit III

    Shqetësimet e sigurisë, pra, peshojnë shumë në çdo kalkulim gjeopolitik dhe janë pjesë përbërëse e çdo strategjie shtetërore. Çdoherë dhe kudo. Kjo për faktin se marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë marrëdhënie vertikale, ku ekziston një autoritet suprem që garanton rendin dhe zbatimin e ligjit, por marrëdhënie horizontale, ku secili shtet duhet të kujdeset për sigurinë e vet. Kjo quhet vetëndihmë (self-help), siç e shpjegon Kenneth N. Waltz në veprën e tij Theory of International Politics (1979), dhe buron nga fakti se lufta për ekzistencë është një luftë permanente që zhvillohet në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sot kjo luftë është më pak e dukshme se dikur, kur brenda një kohe fare të shkurtër zhdukeshin shtete e perandori të tëra, emrat e të cilave sot mezi njihen. Kush di sot për Perandorinë e Khwarezmit apo për shkatërrimin e Bagdadit më 1258, që shënoi fundin e Kalifatit Abasid në Bagdad, të dyja si pasojë e pushtimeve mongole? Kuptohet, përveç historianëve të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe atyre që i kanë këto periudha fushë të ngushtë specializimi.

    I ngrita këto konsiderata themelore teorike në marrëdhëniet ndërkombëtare, që janë të një rëndësie vendimtare, për shkak se, siç u pa, ato kanë diktuar sjelljen e Turqisë, Sirisë, Egjiptit dhe aktorëve të tjerë në kohën e Pranverës Arabe dhe pas saj, deri në rrënimin e kalifatit territorial të ISIS-it. Kanë qenë pikërisht konsiderata të tilla që kanë diktuar dhe formësuar fjalimin e Putinit në Mynih. Ai aty e bëri të qartë, pa ekuivoke, kundërshtimin e Rusisë ndaj zgjerimit të NATO-s dhe hegjemonisë perëndimore. Këtë paralajmërim ai e materializoi fillimisht me luftën në Gjeorgji, më 2008, dhe më pas me aneksimin e Krimesë, më 2014, kur, sipas mendimit tim, amerikanët dhe aleatët e tyre ia kishin lënë fushën e lirë të veprimit në Siri dhe gjetiu në Lindjen e Mesme. Vështirë se do të kishte ndodhur aneksimi i Krimesë, sikur Perëndimi të kishte goditur fuqishëm në Siri regjimin kriminal të Bashar al-Asadit.

    Një faktor tjetër permisiv i aneksimit të Krimesë ka qenë edhe fakti se Ukraina kishte hequr dorë nga armët bërthamore në bazë të Memorandumit të Budapestit të 5 dhjetorit 1994, duke marrë zotime për sigurinë e saj nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe vetë Rusia. Dorëzimi i këtyre armëve përfundoi më 1996. Këto zotime mbetën floskula politike, fillimisht në Krime e më pas në juglindje të vendit.

    Zgjatja e luftës së konsumimit (war of attrition) në Ukrainë ka krijuar një tjetër realitet në komunitetin euroatlantik të sigurisë: në një pjesë të diskursit strategjik perëndimor vërehet gjithnjë e më shumë mirëkuptim për konsideratat ruse të sigurisë, duke nënkuptuar, në rend të parë, moszgjerimin e NATO-s në drejtim të asaj që në diskursin gjeopolitik rus quhet “near abroad” (fqinjësia e afërt). Alamet strategësh amerikanë dhe evropianë thonë se duhen marrë në konsideratë frika e Rusisë dhe shqetësimet e saj për sigurinë. Një argument të tillë e kishte artikuluar që më 2014 John J. Mearsheimer në artikullin e tij Why the Ukraine Crisis Is the West’s Fault, botuar në revistën Foreign Affairs. Për më tepër, disa syresh tani na thonë se është fat që Putini është në krye të shtetit rus, sepse është racional dhe nuk përdor armët bërthamore. Thuajse përdorimi i armëve të tilla varet vetëm nga një hap irracional njerëzor! Përdorimi i armëve bërthamore, sikurse edhe i çdo armatimi tjetër, në marrëdhëniet ndërkombëtare mund të përbëjë një akt të kalkulimit racional strategjik. Në logjikën e racionalitetit shtetëror, një vendim i tillë presupozon një përllogaritje të thellë nga ana e shtetit dhe e atyre që vendosin në emër të tij, duke peshuar kostot dhe përfitimet (cost-benefit), si dhe interesin strategjik të vendit në afat të mesëm e të gjatë. Pikërisht këtë përllogaritje ka pasur parasysh Putini kur, herë pas here, ai ose vartësit e tij kanë kërcënuar Perëndimin me përdorimin e armatimit bërthamor strategjik. Për të treguar se, në rast të humbjes, ai nuk zgjedh mjete për të mbrojtur interesin shtetëror të Rusisë. Kjo logjikë e Putinit është racionale dhe kërcënimi i tij i besueshëm, për aq kohë sa nuk ndeshet me një kundërkërcënim po aq serioz, të prekshëm dhe të besueshëm nga pala tjetër, qoftë Ukraina, qoftë Perëndimi në tërësi.

    Ndërtimi dhe miratimi i diskursit putinian, sipas të cilit adresimi i shqetësimeve ruse të sigurisë do t’i japë fund luftës dhe do të sigurojë një paqe të qëndrueshme, përbën premisën aktuale të gabuar të Perëndimit në raport me Rusinë. Konsideratat ruse të sigurisë, sikurse çdo konsideratë tjetër e sigurisë, nuk mund të përcaktohen me një parametër absolut. Kështu ka qenë çdoherë në të kaluarën dhe kështu është kudo ku shtrohet çështja e sigurisë. Dhënia e territorit të Ukrainës, qoftë edhe deri në dyert e Kievit, nuk përbën një parametër të qëndrueshëm të sigurisë, sikurse nuk përbënin një të tillë as zotimet e Memorandumit të Budapestit të vitit 1994, mbi bazën e të cilave Ukraina hoqi dorë nga armatimi bërthamor. Pse të mos jetë atëherë parametër i sigurisë garancia që u jepet rusëve se Ukraina nuk do të jetë anëtare e NATO-s në 50 vjetët e ardhshëm, ose asnjëherë në të ardhmen, duke mbetur një shtet neutral në raportet ndërmjet Evropës dhe Rusisë? Edhe ky është një parametër fluid. Ajo që mund të matet konkretisht është kapaciteti i Perëndimit për të prodhuar siguri për vetveten, përmes aleancave në NATO dhe përtej saj, për të zmbrapsur Rusinë dhe projektin e saj të zgjerimit territorial në Ukrainë dhe kudo në periferinë e Rusisë, në drejtim të Evropës dhe aleatëve të saj, jashtë kufijve ndërkombëtarisht të njohur të Federatës Ruse pas shpërbërjes së ish-BRSS-së. Çdo pazar tjetër që i njeh Rusisë zgjerimin territorial, pavarësisht nga garancitë që ofrohen, qoftë edhe anëtarësimi i Ukrainës në NATO në këmbim të dhënies së një pjese të territorit ukrainas, do të jetë vetëm i përkohshëm dhe uverturë e mundshme e një zgjerimi të mëtejshëm territorial rus në drejtim të Polonisë dhe vendeve baltike, duke rrezikuar ndarjen territoriale të NATO-s nëpërmjet korridorit të Suwałkit, ndërmjet Polonisë dhe Lituanisë. Kush nuk e kupton këtë sot, e ka shumë gabim. Shqetësimeve ruse të sigurisë duhet t’u kundërvihen konsideratat e sigurisë së vetë Perëndimit, të mbështetura në projektimin e një fuqie ushtarake të besueshme, shumëfish më të madhe se ajo ruse.

    Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe profesor i së drejtës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare

    Burimi: Insajderi