Author: Momenti

  • Kushner thotë se u përpoq ta pengonte Trumpin të kthehej kundër Zelenskyt, por pa sukses

    Kushner thotë se u përpoq ta pengonte Trumpin të kthehej kundër Zelenskyt, por pa sukses

    Jared Kushner ka deklaruar se u përpoq të shmangte përkeqësimin e marrëdhënieve mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, por ndërhyrja e tij nuk pati rezultatin e dëshiruar.

    Në një intervistë të re për revistën New York Magazine, Kushner tha se ndien njëfarë mirëkuptimi për udhëheqësin ukrainas, por mendon se Kievi bëri një gabim të madh duke i zhvilluar negociatat publikisht, transmeton Telegrafi.

    Sipas rrëfimit të tij, gjatë një takimi me delegacionin ukrainas në Miami, ai u kishte përcjellë përfaqësuesve të Kievit se Trump ishte i gatshëm të pranonte një ofertë të presidentit rus, Vladimir Putin. Propozimi parashikonte furnizimin e SHBA-së me naftë dizel nga Rusia, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve kundër Moskës.

    Zelensky reagoi menjëherë, duke kundërshtuar marrëveshjen dhe duke thënë se Ukraina po shndërrohej në viktimë të saj. Sipas Kushnerit, ky reagim e zemëroi Trumpin.

    Presidenti amerikan, sipas versionit të treguar nga Kushner, u tha përfaqësuesve ukrainas se vendi i tyre duhej të “gjente një president të ri”.

    Kushner e përshkroi këtë si një nga momentet më të tensionuara në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Kievit. /Telegrafi/

  • Kallëzim penal kundër tre personave nga Kriva Pallanka, sulmuan fizikisht një bashkëfshatare

    Kallëzim penal kundër tre personave nga Kriva Pallanka, sulmuan fizikisht një bashkëfshatare

    Departamenti për Punë të Brendshme i Kriva Palankës ngriti padi penale kundër G.G. (58), A.G.M. (23) dhe A.G. (31), të gjithë nga fshati Zhidilovë, për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e një vepre penale “lëndim i rëndë trupor” sipas nenit 131 të Kodit Penal.

    “Më 21.11.2026, rreth orës 09:00, në fshatin Drenjë, Kriva Palanka, të pandehurit sulmuan fizikisht D.D. (67) nga i njëjti fshat, duke i shkaktuar asaj lëndime të rënda trupore”.

    “Përkatësisht, ndërsa D.D. po kulloste bagëtinë e saj të madhe, të pandehurit fillimisht filluan një grindje verbale me të, pas së cilës e sulmuan fizikisht. Lëndimet u konfirmuan në Qendrën Shëndetësore në Kriva Pallankë”, thonë nga MPB.

  • Shkolla “Hysni Zajmi” në Gjakovë sqaron rastin e përleshjes mes nxënësve

    Shkolla “Hysni Zajmi” në Gjakovë sqaron rastin e përleshjes mes nxënësve

    Shkolla “Hysni Zajmi” në Gjakovë ka reaguar lidhur me përleshjen mes dy nxënësve të shkollave të mesme, e cila ndodhi më 20 nëntor në oborrin e këtij institucioni arsimor.

    Në reagimin zyrtar, drejtoria e shkollës ka sqaruar se përleshja ndodhi rreth orës 12:35 dhe se njëri nga nxënësit e përfshirë ishte nga një shkollë tjetër.

    Sipas shkollës, pas njoftimit për rastin, drejtori, zëvendësdrejtori dhe punëtori teknik kanë ndërhyrë menjëherë për t’i ndarë nxënësit.

    “Gjatë ndërhyrjes, nxënësi, pasi është rrethuar nga stafi, ka nxjerrë një thikë dhe është larguar nga oborri i shkollës”, thuhet në reagimin e shkollës.

    Drejtoria ka theksuar se drejtori dhe stafi nuk kanë qenë cak i sulmit, por kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

    “Drejtoria Komunale e Arsimit është njoftuar menjëherë dhe përfaqësuesit e saj kanë dalë në vendin e ngjarjes. Rasti është në kompetencë të Policisë së Kosovës”, thuhet tutje në reagim.

    Ndërkaq, lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe organizata Activism Roots, e cila ka ngritur shqetësimin për, siç thotë, rritjen e rasteve të dhunës mes nxënësve.

    Sipas kësaj organizate, ngjarja në shkollën “Hysni Zajmi” nuk duhet të trajtohet si rast i izoluar, pasi gjatë muajit të fundit janë shënuar edhe raste të tjera të dhunës mes nxënësve.

    “Prej një viti, Activism Roots ka ngritur vazhdimisht shqetësimin për rritjen e rasteve të therjeve dhe rrahjeve mes nxënësve. Këtë rritje e tregojnë edhe të dhënat e Policisë së Kosovës. Çdo rast i ri na kujton se përgjigjet ad hoc nuk mjaftojnë”, thuhet në reagimin e organizatës.

    Activism Roots u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa konkrete për parandalimin e rasteve të tilla.

    Organizata ka kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit që të vendosin protokolle të qarta të sigurisë për hyrjet në objektet dhe oborret e shkollave gjatë orarit mësimor.

    Po ashtu, ka kërkuar që në çdo shkollë të mesme të sigurohet prania e psikologëve dhe punonjësve socialë, si dhe të krijohet një mekanizëm i përbashkët raportimi dhe përcjelljeje të rasteve të dhunës, në bashkëpunim mes Policisë së Kosovës dhe drejtorive komunale të arsimit.

    “Shkolla duhet të jetë vendi më i sigurt për fëmijët, jo vendi ku ata frikësohen”, përfundon reagimi i Activism Roots. /Telegrafi/

  • Anjeza befason me deklaratën: Jo 200 mijë euro, por shpirtin ia jap Sharrit

    Anjeza befason me deklaratën: Jo 200 mijë euro, por shpirtin ia jap Sharrit

    Afrimiteti mes Anjeza Gubetinit dhe Sharr Brainës vazhdon të jetë temë diskutimi brenda shtëpisë së Big Brother VIP Kosova 5.

    Pas momenteve të shumta kur janë parë pranë njëri-tjetrit, Anjeza ka bërë një deklaratë të papritur gjatë një bisede me Nichin, duke e përfshirë sërish Sharrin në diskutim.

    “Jo 200 mijë euro, po shpirtin ia jap Sharrit”, është shprehur ajo, duke habitur me fjalët e saj.

    Foto: Screenshot/Instagram

    Nichi, nga ana tjetër, i tha se paratë do t’ia jepte nënës së tij dhe askujt tjetër, pasi nuk i detyrohet asgjë askujt.

    Madje, u shpreh se nuk i besonte Anjezës për deklaratën që bëri, marrë parasysh që njihet vetëm pak javë me të.

    Këto deklarata të prezantueses po komentohen tejet shumë edhe nga jashtë, pyetur nëse po e bën për lojë.

    E njëjta ka deklaruar se ka një partner jashtë, ndonëse ky raport po ngjall kureshtje të madhe. /Telegrafi/

  • Bie çmimi i naftës në Kosovë- Një litër naftë sot kushton rreth 1.71 euro

    Bie çmimi i naftës në Kosovë- Një litër naftë sot kushton rreth 1.71 euro

    Bie çmimi i naftës në Kosovë- Një litër naftë sot kushton rreth 1.71 euro

    Rënia e çmimit të derivateve të naftës në tregjet ndërkombëtare po reflektohet edhe në Kosovë.

    Sipas çmimeve aktuale në tregun vendor, një litër naftë sot kushton rreth 1.71 euro, ndërsa benzina 1.39 euro, raporton Indeksonline.

    Eksperti i sektorit të naftës, Fadil Berjani, ka konfirmuar për Indeksonline se rënia e çmimeve po vërehet edhe në tregun kosovar.

    “Po ka rënie të çmimit dhe kjo po reflektohet edhe tek ne në Kosovë. Sot çmimi i naftës është 1.71 euro, ndërkaq ai i benzinës 1.39 euro”, ka thënë Berjani 

    Burimi: Insajderi

  • Aktakuzë ndaj një personi për shpëlarje të mbi 542 mijë eurove nga shitja e narkotikëve

    Aktakuzë ndaj një personi për shpëlarje të mbi 542 mijë eurove nga shitja e narkotikëve

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet V.M., i cili dyshohet për shpëlarje të parave në vlerë prej 542 mijë e 478 euro e 86 centë, të cilat, sipas Prokurorisë, kishin prejardhje nga shitja e paautorizuar e narkotikëve.

    Burimi: Dukagjini

  • Franca planifikon krijimin e rezervave strategjike të metaleve të rralla

    Franca planifikon krijimin e rezervave strategjike të metaleve të rralla

    Franca synon të krijojë rezerva strategjike të tokave të rralla dhe metaleve kritike, të ngjashme me rezervat shtetërore të naftës, me qëllim uljen e varësisë së industrisë franceze nga furnizuesit e huaj, veçanërisht nga Kina.

    Projekti u bë i ditur të hënën nga presidenti Emmanuel Macron, gjatë një takimi me dyer të mbyllura me përfaqësues të industrisë në Pallatin Élysée. Menaxhimi i rezervave do t’i besohet institucionit financiar publik Caisse des Dépôts.

    Ky institucion pritet të nisë negociatat me përfaqësuesit e sektorëve që varen nga furnizimi me këto lëndë të para kritike. Macron synon që projekti të jetë funksional që vitin e ardhshëm, transmeton Telegrafi.

    Presidenti francez bëri të ditur se rezervat do të shoqërohen edhe me një mekanizëm të “blerjeve të përbashkëta”, por nuk dha detaje se cilat subjekte do të përfshihen apo çfarë sasie synohet të sigurohet.

    Për krahasim, SHBA-ja njoftoi në fillim të vitit një investim prej 12 miliardë dollarësh për krijimin e një rezerve të tokave të rralla, të barasvlershme me rreth dy muaj konsum kombëtar.

    Afati i saktë i zbatimit të projektit francez ende nuk është përcaktuar. Realizimi i tij mund të varet edhe nga rezultati i zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Ideja e krijimit të një rezerve kombëtare mineralesh është përfshirë në programin e të paktën një kandidati, Jean-Luc Mélenchon, nga partia La France Insoumise.

    Projekti parashikon gjithashtu mekanizma për garantimin e çmimeve, me qëllim që prodhuesit të kenë më shumë siguri për investimet e tyre.

    “Garancitë e çmimeve do t’u japin prodhuesve më shumë parashikueshmëri dhe do të na mundësojnë të mobilizojmë më mirë instrumentet tona të investimit”, bëri të ditur Élysée, duke i bërë thirrje edhe Komisionit Evropian që të ndjekë të njëjtën qasje.

    Macron njoftoi gjithashtu se do të forcohen kushtet për përfitimin e ndihmave publike nga sektorët e mbrojtjes, hapësirës ajrore dhe automobilave.

    Kompanitë e këtyre sektorëve do të duhet të diversifikojnë burimet e furnizimit me minerale strategjike nëse duan të vazhdojnë të përfitojnë mbështetje shtetërore. Për këtë, ato do të detyrohen të paraqesin një “plan për uljen e varësisë”, përmes të cilit duhet të dëshmojnë se po zvogëlojnë mbështetjen te furnizuesit e huaj, veçanërisht te Kina. /Telegrafi/

  • Koreja e Jugut thotë se aeroplanë rusë iu afruan zonës së saj të mbrojtjes ajrore

    Koreja e Jugut thotë se aeroplanë rusë iu afruan zonës së saj të mbrojtjes ajrore

    Autoritetet e Koresë së Jugut njoftuan të martën se disa aeroplanë ushtarakë rusë kishin hyrë në zonën e saj të mbrojtjes ajrore, duke korrigjuar një njoftim të mëparshëm që fliste për një ndërhyrje të mundshme nga një aeroplan i Koresë së Veriut.

    Më vonë, Seuli thirri atasheun ushtarak të ambasadës ruse për të paraqitur një protestë, duke kërkuar masa për të “parandaluar përsëritjen” e ngjarjeve të tilla dhe duke i cilësuar incidentet e përsëritura si “të papranueshme”.

    Një shkelje e hapësirës ajrore të Koresë së Jugut nga një aeroplan ushtarak i Koresë së Veriut do të përbënte një përshkallëzim të konsiderueshëm të tensioneve midis dy Koreve, të cilat teknikisht mbeten ende në gjendje lufte.

    Njoftimi i pasaktë erdhi në një kohë tensionesh të shtuara përgjatë kufirit të fortifikuar rëndë, pas një shpërthimi mine që plagosi tre ushtarë të Koresë së Jugut në Zonën e Çmilitarizuar (DMZ).

    Ndërkohë, Moska është bërë një aleat kyç i Phenianit që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022; të dyja vendet kanë nënshkruar një pakt të mbrojtjes së ndërsjellë, ndërsa Koreja e Veriut ka dërguar trupa për të luftuar përkrah forcave ruse.

    Incidenti i së martës ndodhi një javë pasi Seuli ngriti në ajër aeroplanë luftarakë dhe kreu manovra taktike, si përgjigje ndaj hyrjes së disa aeroplanëve ushtarakë rusë në Zonën e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore të Koresë së Jugut (KADIZ) më 17 nëntor.

    Të martën në orën 08:00, në ishullin Ulleungdo të Koresë së Jugut (në provincën Gyeongsang të Veriut) u dha një alarm urgjence, ku thuhej se “një aeroplan i dyshuar i Koresë së Veriut është larguar nga zona e rrezikut”.

    “Alarmi për sulm ajror në qarkun Ulleung u hoq në orën 07:58. Ju lutemi, vazhdoni aktivitetet tuaja normale”, shtohej në njoftim.

    Rreth 40 minuta më vonë, autoritetet provinciale dhanë një sqarim korrigjues.

    “Ata që shkelën hapësirën ajrore ishin aeroplanë rusë. Ju njoftojmë se bëhet fjalë për aeroplanë rusë”, deklaruan ato, pa shpjeguar shkakun e gabimit.

    Disa media të mëdha të Koresë së Jugut publikuan lajme urgjente bazuar në njoftimin fillestar, për t’i korrigjuar më pas raportimet e tyre.

    Ushtria e Koresë së Jugut sqaroi më vonë se aeroplanët rusë nuk e kishin shkelur hapësirën ajrore të vendit – ndonëse kishin “fluturuar deri në kufirin e hapësirës sonë ajrore” – dhe se në incident nuk ishte përfshirë asnjë aeroplan i Koresë së Veriut.

    Ministria e Mbrojtjes e vendit njoftoi se alarmet e dhëna në mëngjes në Ulleungdo – njëri prej të cilëve u bënte thirrje banorëve të strehoheshin nën tokë – ishin lëshuar si masë paraprake.

    “Disa raportime në media se ‘një objekt fluturues, që besohet të jetë aeroplan i Koresë së Veriut, ka shkelur hapësirën ajrore të Koresë së Jugut’, nuk janë të vërteta”, thuhej në një deklaratë të shkurtër.

    Veprime të papranueshme

    Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Seul, aeroplanët rusë hynë në Zonën e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore të Koresë së Jugut (KADIZ) mbi Detin Lindor – i njohur gjithashtu si Deti i Japonisë – dhe “u larguan ndërsa forcat tona po ndërmerrnin masa ushtarake”, përfshirë dërgimin e aeroplanëve luftarakë.

    Më vonë, ministria bëri të ditur se aeroplanët rusë hynë në KADIZ-in e Koresë së Jugut “pa njoftim paraprak dhe fluturuan shumë pranë hapësirës ajrore afër Ulleungdo-s”.

    Kim Hak-jo, drejtor i përgjithshëm për politikën ndërkombëtare në ministri, i paraqiti një protestë të ashpër kolonelit Nikolai Marchenko, duke i kërkuar Moskës të parandalojë përsëritjen e një ngjarjeje të tillë.

    “Ne e bëmë të qartë se hyrja e përsëritur dhe e paautorizuar e aeroplanëve ushtarakë rusë në Zonën tonë të Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore, si dhe fluturimi i tyre sot në afërsi të hapësirës ajrore të Koresë së Jugut, janë veprime të papranueshme”, thuhej në deklaratë.

    Ajo shtoi se veprime të tilla “mund të nxisin në mënyrë të panevojshme tensionet në Gadishullin Korean dhe në rajon”.

    Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se aeroplanët e saj “kishin kryer një fluturim të planifikuar mbi ujërat neutrale të Detit të Japonisë”.

    Ajo shtoi, pa dhënë detaje të mëtejshme, se në disa faza të fluturimit 10-orësh, “bombarduesit strategjikë u shoqëruan nga aeroplanë luftarakë të shteteve të huaja”.

    Një zonë identifikimi për mbrojtjen ajrore nuk përbën hapësirë ajrore sovrane, por një zonë tampon ku shtetet identifikojnë aeroplanët që afrohen, për qëllime sigurie.

    Në përgjithësi, aeroplanët ushtarakë pritet të njoftojnë vendin përkatës përpara se të hyjnë në zonën e tij të mbrojtjes ajrore, edhe pse një njoftim i tillë nuk është i detyrueshëm me ligj.

    Në qershor, më shumë se 10 aeroplanë ushtarakë kinezë dhe rusë hynë në zonën e mbrojtjes ajrore të Koresë së Jugut, gjë që e shtyu Seulin të dërgonte aeroplanë luftarakë si kundërpërgjigje. /Telegrafi/

  • ​Mbrojtja e Veselit gati për apel: Atij i është mohuar drejtësia

    ​Mbrojtja e Veselit gati për apel: Atij i është mohuar drejtësia

    Mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është në fazën përfundimtare të përgatitjes së njoftimit për apel ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Avni Bytyçi nga mbrojtja e Kadri Veselit, në një përgjigje për KosovaPress, ka konfirmuar se njoftimi për apel do të dorëzohet brenda afatit të përcaktuar, më 27 nëntor.

    “Po, Mbrojtja e z. Kadri Veseli është e gatshme të dorëzojë njoftimin për apel brenda afatit të përcaktuar. Aktualisht, Mbrojtja është në proces të finalizimit të njoftimit për apel, në të cilin do të përcaktohen në mënyrë të qartë dhe të strukturuar bazat juridike dhe faktike mbi të cilat do të mbështetet ankimi”, tha ai.

    Sipas mbrojtjes, provat e administruara gjatë procesit gjyqësor nuk ofrojnë bazë të arsyeshme për konstatimin e fajësisë së Veselit, ndërsa Trupi Gjykues ka bërë gabime në vlerësimin e tyre.

    “Qëndrimi i Mbrojtjes mbetet se z. Veseli-t i është mohuar drejtësia. Provat e administruara në këtë çështje nuk ofrojnë bazë të arsyeshëm për të mbështetur përfundimin për fajësinë e tij. Për më tepër, Trupi Gjykues ka dështuar në vlerësimin e paanshëm dhe të drejtë të provave, si dhe ka gabuar në konstatimet e tij lidhur me ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale nga ana e UÇK-së dhe pretendimin për përfshirjen e z. Veseli në të. Këto dhe gabimet e tjera në aktgjykim do të paraqiten dhe argumentohen në kuadër të procedurës së apelit”, tha Bytyçi.

    Më 27 nëntor përfundon afati për dorëzimin e njoftimeve për apel ndaj aktgjykimit të shkallës së parë në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky afat vlen si për ekipet e mbrojtjes, ashtu edhe për Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Pas dorëzimit të njoftimeve për apel, palët kanë 60 ditë kohë për të dorëzuar dosjet e plota të apelit, në të cilat do të argumentojnë kundërshtimet ndaj aktgjykimit.

    Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dënuan ish-presidentin Hashim Thaçi me 25 vjet burgim, ish-kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli me 18 vjet, ish-zëdhënësin e UÇK-së Jakup Krasniqi me 25 vjet dhe ish-deputetin Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

    Aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përfundimtar. Paneli i Apelit, pas shqyrtimit të argumenteve të palëve, mund ta konfirmojë, ta ndryshojë ose ta rrëzojë atë./KP/

  • “Mund ta arrijë nivelin e Mbappes”, ish-lojtari i Real Madridit befason me deklaratën për Malen

    “Mund ta arrijë nivelin e Mbappes”, ish-lojtari i Real Madridit befason me deklaratën për Malen

    Legjenda e futbollit holandez, Rafael Van Der Vaart, ka ripërsëritur bindjen e tij se Donyell Malen ka potencialin për të arritur nivelin e Kylian Mbappes, ndërsa sulmuesi po kalon një formë fantastike te Roma.

    “Gjithmonë kam thënë se Malen ka potencialin për të arritur nivelin e Kylian Mbappes. Thjesht, jo gjithmonë arrin ta tregojë këtë”, deklaroi Van Der Vaart në emisionin “Rondo”, në televizionin holandez Ziggo Sport, teksa po diskutohej paraqitja e Malenit me katër gola në fitoren 5-1 të Romës ndaj Parmës fundjavën e kaluar në Serie A.

    “Nuk më vjen turp ta them këtë. Ndoshta njerëzit do të qeshin me mua, por unë vërtet besoj se ai mund të arrijë nivelin e Mbappes”, shtoi ish-reprezentuesi holandez, duke e krahasuar sërish potencialin e Malenit me atë të yllit francez të Real Madridit, i cili përfundoi në vendin e dytë në garën për Topin e Artë 2026, pas Harry Kane të Bayern Munichut.

    Megjithatë, Van Der Vaart vlerëson se Malenit i mungon vazhdimësia dhe përkushtimi i nevojshëm për të arritur atë nivel.

    “Ai është pak më i relaksuar nga ana mendore sesa Mbappe”, tha holandezi me shaka, duke shtuar: “Pas atyre katër golave, ai do t’i pushojë dy ndeshjet e ardhshme”.

    Sipas tij, për të arritur statusin e yllit të Real Madridit, Maleni duhet ta largojë plotësisht këtë tendencë për të mos dhënë maksimumin në çdo ndeshje.

    Malen iu bashkua akademisë së Arsenalit nga Ajaxi në moshën 16-vjeçare, ndërsa nga vera e vitit 2021 deri në janar të vitit 2025 ishte pjesë e Borussia Dortmundit. Më pas u transferua te Aston Villa, por nuk ishte i kënaqur me rolin që kishte në skuadër, pasi klubi anglez e aktivizonte kryesisht si zëvendësues. Kështu, ai u largua nga Birminghami pas vetëm një viti.

    27-vjeçari po kalon një sezon të jashtëzakonshëm me Romën, me 16 gola dhe pesë asistime në 15 paraqitje në të gjitha garat. Me 12 gola në kampionat, ai kryeson listën e golashënuesve në Serie A.

    Për më tepër, Maleni ka shënuar 26 gola në Serie A gjatë vitit kalendarik 2026, duke u bërë lojtari i parë i Romës në 66 vjet që realizon më shumë se 25 gola në kampionat brenda një viti. Para tij, këtë shifër e kishte arritur Pedro Manfredini, i cili kishte shënuar 26 gola në vitin 1960.

    Sulmuesi holandez ka kontratë me Romën deri në vitin 2030, pasi klubi italian e bleu përfundimisht verën e kaluar për një shumë totale prej 27 milionë eurosh, pas periudhës së huazimit./Telegrafi/