Author: Momenti

  • Paraqitje bindëse e Zhegrovës me shifra, kosovari i jep Spallettit arsye për më shumë besim

    Paraqitje bindëse e Zhegrovës me shifra, kosovari i jep Spallettit arsye për më shumë besim

    Edon Zhegrova ka zhvilluar një paraqitje të shkëlqyer në fitoren 4-0 të Juventusit ndaj Venezias, duke qenë një nga lojtarët më të dalluar në këtë përballje.

    Ylli i Kosovës e nisi për herë të parë këtë sezon një ndeshje si titullar te Juventusi dhe për herë të parë qëndroi në fushë gjatë të gjitha 90 minutave.

    Ai e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë mundësinë e dhënë, duke kontribuar drejtpërdrejt në fitoren bindëse të skuadrës së tij.

    Zhegrova shkëlqen me asistim në startin e parë si titullar – Juventusi shkatërron Venezian telegrafi.com

    Momenti më i rëndësishëm i Zhegrovës erdhi në minutën e 65-të, kur dhuroi një asistim të bukur për Juan Cabal, i cili shënoi me kokë për 3-0.

    Përveç asistimit, Zhegrova regjistroi tri gjuajtje, dy prej tyre brenda kuadratit, 48 pasime të sakta nga 56 gjithsej dhe tri driblime të suksesshme nga katër tentativa.

    Paraqitja e tij u vlerësua me notën 7.8 nga platforma Sofascore, një tjetër dëshmi e ndikimit që pati në lojën e Juventusit.

    Pas kësaj paraqitjeje, Zhegrova duket se i ka dhënë trajnerit Luciano Spalletti arsye të forta për të llogaritur më shumë në të edhe në ndeshjet e ardhshme. Pas pritjes së gjatë për një mundësi si titullar, futbollisti kosovar e shfrytëzoi në mënyrë bindëse rastin e parë për të luajtur nga minuta e parë deri në fund. /Telegrafi/

  • Theresa May e “tronditur” nga ideja e Andy Burnham për ribashkimin me BE-në

    Theresa May e “tronditur” nga ideja e Andy Burnham për ribashkimin me BE-në

    Theresa May i ka bërë thirrje Andy Burnham-it që “të ecë përpara”, në vend që ta zhysë Mbretërinë e Bashkuar në kaos përmes një përpjekjeje për t’u rikthyer në BE.

    Ish-kryeministrja – mandati i së cilës u shkatërrua pikërisht nga përplasjet rreth Brexit-it – theksoi se vendi kishte votuar për Brexit-in.

    Baronesha May paralajmëroi se t’u thuash njerëzve se “e kanë pasur gabim” do të shkaktonte zemërim të madh, shkruajnë mediat britanike, përcjell Telegrafi.

    Ajo u shpreh e “tronditur” nga ideja që e gjithë koha e Qeverisë t’i kushtohej sërish negociatave me bllokun evropian.

    Ndërkohë, Sir Tony Blair nga Partia Laburiste e ka zbutur entuziazmin e tij për BE-në, duke argumentuar se Mbretëria e Bashkuar duhet të rikthehet vetëm nëse tregon më shumë gatishmëri për të përqafuar “inovacionin teknologjik”.

    Këto ndërhyrje erdhën pasi kryeministri i tanishëm britanik foli me bujë për një “nisje të re” (reset) me BE-në, gjatë një samiti në Bruksel të premten.

    Kryeministri britanik u bëri thirrje gjithashtu liderëve evropianë që të diskutonin së bashku me të se si mund të jetë marrëdhënia e ardhshme.

    Madje, Burnham ka lënë të kuptohet se një angazhim për t’u rikthyer në BE mund të përfshihet në programin zgjedhor të ardhshëm të Partisë Laburiste.

    E në një intervistë për BBC-në, Lady May tha se përvoja e saj në Qeveri nxori në pah rreziqet e rikthimit në betejat e Brexit-it.

    “… Nuk bëhet fjalë vetëm për kohën e kryeministrit, të ministrave të kabinetit apo të zyrtarëve, nëpër ato lëvizje të vazhdueshme për negociatat. Sepse duhet të negociosh fort për t’u siguruar që po arrin atë që dëshiron”.

    “Dhe kjo është një nga arsyet pse mbetem disi e tronditur nga ajo për të cilën flet Andy Burnham – negociata të mëtejshme për t’u futur në BE. Përveç kësaj, ne si vend votuam për Brexit-in”.

    “Kur isha kryeministre, isha shumë e qartë: ne duhet ta përmbushim atë votë. Ndaj, mesazhi im për të është ky: njerëzit votuan për Brexit-in. Brexit-i është një çështje e mbyllur. Thjesht pranojeni Brexit-in dhe ecni përpara”.

    Lady May – e cila mbështeti qëndrimin në BE gjatë referendumit të vitit 2016, por më pas u përpoq pa sukses të arrinte një marrëveshje për zbatimin e rezultatit – tha se organizimi i një votimi tjetër mbarëkombëtar mund t’i zemërojë votuesit.

    David Cameron, i cili udhëhoqi fushatën për qëndrimin në BE gjatë referendumit, i ka kërkuar gjithashtu zotit Burnham të mos e rihapë çështjen e Brexit-it. /Telegrafi/

  • Studentët e Mjekësisë i japin fund bojkotit, nesër rikthehen në ligjërata dhe praktika klinike

    Studentët e Mjekësisë i japin fund bojkotit, nesër rikthehen në ligjërata dhe praktika klinike

    Studentët e Mjekësisë i japin fund bojkotit, nesër rikthehen në ligjërata dhe praktika klinike

    Këshilli Studentor i Fakultetit të Mjekësisë ka njoftuar se studentët do t’i rikthehen procesit mësimor nga dita e nesërme, pas sqarimeve të pranuara nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës lidhur me kërkesat e tyre.

    Përmes një deklarate publike, Këshilli ka bërë të ditur se rikthimi në ligjërata dhe praktika klinike do të bëhet pa përdorimin e sistemit elektronik të evidentimit përmes skanimit të QR Code, por përmes metodave alternative, përkatësisht listave fizike të vijueshmërisë.

    Sipas KSFM-së, Rektorati ka lejuar përdorimin e këtyre metodave deri në krijimin dhe implementimin e një sistemi të përshtatshëm për specifikat dhe nevojat e Fakultetit të Mjekësisë.

    Në deklaratë thuhet se sqarimet e Rektoratit kanë të bëjnë edhe me komunikimet e mëhershme të institucionit, për të cilat rektori ka deklaruar se nuk kanë pasur për qëllim të përbëjnë kërcënim apo cenim të të drejtave të studentëve.

    Ndërkohë, Këshilli Studentor ka bërë të ditur se do të kërkojë njoftim zyrtar për lejimin e vlerësimeve të lëndëve të semestrit paraprak për drejtimet Infermieri dhe Fizioterapi, si dhe publikimin e datave të provimeve.

    KSFM ka ritheksuar se asnjë studenti nuk duhet t’i mohohet e drejta për t’iu nënshtruar provimeve për shkak të vijueshmërisë dhe tri mungesave.

    Këshilli u ka bërë thirrje profesorëve dhe asistentëve që të respektojnë mënyrat alternative të evidentimit, ndërsa ka paralajmëruar se do të vazhdojë bashkëpunimin me Rektoratin për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë.

    Po ashtu, në deklaratë është sqaruar se asnjë pagë nuk është ndaluar dhe nuk do të ndalohet në lidhje me çështjen e evidentimit të vijueshmërisë së studentëve.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • Zhegrova shkëlqen, Juventusi shkund Venezian

    Zhegrova shkëlqen, Juventusi shkund Venezian

    Reprezentuesi i Kosovës u përfshi për herë të parë këtë sezon në formacionin titullar të “Zonjës së Vjetër” dhe e shfrytëzoi maksimalisht besimin e trajnerit Luciano Spalletti, duke qëndruar në fushë gjatë gjithë ndeshjes.

    Pas një pjese të parë pa gola, Juventusi zhbllokoi rezultatin në minutën e 53-të me Nick Ëoltemade, ndërsa Teun Koopmeiners dyfishoi epërsinë gjashtë minuta më vonë.

    Në minutën e 65-të, Zhegrova asistoi bukur për Juan Cabal, i cili me kokë shënoi golin e tretë. Rezultatin përfundimtar 4-0 e vulosi Randal Kolo Muani nga penalltia në minutën e 71-të.

    Ndërkohë, Albion Rrahmani u aktivizua në minutën e 87-të.

    Me këtë triumf, Juventusi ngjitet në pozitën e gjashtë në Serie A, me 21 pikë të grumbulluara.

    Burimi: RTKLive

  • Kapen në Shkodër dhe Vorë 2 persona në kërkim ndërkombëtar për vjedhje me dhunë, torturë dhe skllavëri

    Kapen në Shkodër dhe Vorë 2 persona në kërkim ndërkombëtar për vjedhje me dhunë, torturë dhe skllavëri

    Dy persona janë vënë në pranga nga Policia e Shkodrës këtë të diel, pasi akuzohen për disa vepra të ndryshme penale.

    Sipas njoftimit të policisë, me qëllim ekstradimin në Itali, në pranga ka rënë shtetasi Aldo Doçaj, alias Vuksan Daçaj, 45 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Romës e ka dënuar me 7 vjet e 11 muaj burgim për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim, “Vjedhja me thyerje”, mbetur në tentativë, “Kundërshtimi i punonjësve që kryejnë detyrë publike” dhe “Dhuna ose kanosja ndaj punonjësit publik”.

    Nga dënimi, i kanë mbetur për të kryer 5 vjet, 4 muaj e 2 ditë burgim.

    Në kuadër të operacionit të koduar “Fast”, gjatë fazës së dytë, u kap në Vorë dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali shtetasi Bukurosh Kuçi, 49 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Barit e ka dënuar me 4 vjet burgim për veprat penale “Torturë” dhe “Skllavëri”. Nga dënimi, i kanë mbetur për të kryer 3 vjet, 11 muaj e 3 ditë burgim.

    Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre dy shtetasve në Itali. /euronews/

  • MPB: Gjashtë persona janë ndaluar pas kontrolleve rrugore të policisë në Shkup

    MPB: Gjashtë persona janë ndaluar pas kontrolleve rrugore të policisë në Shkup

    Gjashtë persona u privuan nga liria, ndërsa janë regjistruar 14 kundërvajtje rrugore gjatë aksionit kontrollues të mbrëmshëm deri në orët e para të mëngjesit në Shkup, kumtuan sot nga Ministria e Punëve të Brendshme.

    Në periudhën nga ora 20:00 deri në orën 06:00, nëpunës policorë të SPB Shkup kanë realizuar aksion kontrollues, në bazë të planit të përgatitur paraprakisht për ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve të shtuara me qëllim të ruajtjes së gjendjes së favorshme të sigurisë në zonën qendrore të qytetit.

    “Gjatë kontrollit janë kryer verifikime të identitetit të 34 personave, janë kontrolluar 25 persona dhe katër automjete. Gjatë kontrollit janë konstatuar 14 kundërvajtje sipas Ligjit për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor, është kryer kontroll në tetë objekte hotelierike dhe klube të lojërave të fatit me automate, janë ndaluar dy shtetas të huaj, ndërsa një person është ndaluar në bazë të nenit 15 të Ligjit për Letërnjoftim. Gjithashtu, dy persona janë privuar nga liria për kryerjen e veprës penale sipas nenit 215 të Kodit Penal, ndërsa një person është privuar nga liria sipas nenit 297-a të Kodit Penal. Gjatë aksionit, nëpunësit policorë kanë ndërmarrë aktivitete parandaluese përmes pranisë së drejtpërdrejtë, patrullimeve të vazhdueshme dhe ndalimeve të herëpashershme në parkun në Kapishtec, që ndodhet në rrugën „Fronti Popullor“ nr. 66, më pas në bul. „Aradhet Partizane“, pa numër, si dhe pranë këndit të lojërave të quajtur „Qyteti e Drurit“, që ndodhet në rrugën „Slavka Nediq“, për shkak të grumbullimit të përditshëm të personave të mitur në disa prej këtyre lokacioneve”, sqaruan nga MPB-ja.

    Kontrolle janë kryer edhe në disa objekte hotelierike, me ç’rast nuk janë konstatuar parregullsi, përkatësisht nuk janë hasur persona të mitur duke konsumuar alkool.

    “Aksionet kontrolluese do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim”, shtuan nga MPB-ja.

  • A ekziston vërtet Këmbëmadhi? Trump publikon dosjet qeveritare për krijesën misterioze

    A ekziston vërtet Këmbëmadhi? Trump publikon dosjet qeveritare për krijesën misterioze

    A ekziston vërtet Këmbëmadhi? Trump publikon dosjet qeveritare për krijesën misterioze

    Administrata Trump po publikon dosjet qeveritare mbi debatin e kahershëm për ekzistencën e Bigfoot-it, ose ndryshe Këmbëmadhi misterioz, dhe mund të habiteni nga gjetjet e një biologu.

    Ja si është puna. Shërbimi Pyjor i Shteteve të Bashkuara ka publikuar 3 dosje nën titullin “Bigfoot/Sasquatch Records”, që detajojnë përpjekjet e qeverisë amerikane për të përcaktuar nëse Bigfoot është një Sasquatch i vërtetë që endet nëpër pyjet e Paqësorit Veriperëndimor dhe të Amerikës së Veriut apo është thjesht ndonjë shakaxhi i veshur me kostum.

    Në vitin 1982, Rodney L. Johnson, një biolog, u rekrutua nga Departamenti Amerikan i Bujqësisë për të shqyrtuar 3 vende që përmbanin gjurmë të mëdha këmbësh që supozohej se i përkisnin Bigfoot në një zonë pyjore të shtetit të Uashingtonit. Më pas, Johnson shkroi një memo prej 6 faqesh për USDA-në, në të cilën raportoi gjetjet e tij.

    Johnson shkroi se zbuloi gjurmë këmbësh kryesisht në shtigje me baltë në Pyllin Kombëtar Umatilla dhe fotografoi gjurmët nga “Vendi A”, “Vendi B” dhe “Vendi C”.

    Në fund të fundit, Johnson arriti në përfundimin se gjurmët që ai shqyrtoi në Vendndodhjen A dhe Vendndodhjen B ishin bërë nga “diçka tjetër përveç një qenieje 130 kg plus dy këmbëshe”. Johnson shkroi gjithashtu se “nëse gjurmët ishin të falsifikuara, dikush i është kushtuar shumë mund dhe detaje”.

    Ai shtoi se shenjat e “shtypjes” në këmbë do të duhej të ishin shumë të vështira për t’u dubluar,” dhe “ato duken shumë natyrale”. Për më tepër, Johnson shkroi, “Do të dyshoja pothuajse se një model i bërë nga një këmbë e vërtetë do të duhej të ishte përdorur për të bërë këmbët ‘e rreme’. Megjithatë, nëse do të ishte ky rasti, rrudhat e tjera në këmbë duhet të ishin dukur.”

    Së fundmi, Johnson shkroi se Vendndodhja C përmbante 12 gjurmë në një zonë të thatë dhe të hapur dhe gjurmët ishin të ngjashme me ato të gjetura në Vendndodhjen A dhe Vendndodhjen B.

    Me pak fjalë, Johnson nuk e zgjidhi çështjen për ne, është ende një mister nëse figura e madhe mitike me qime është e vërtetë apo jo, por ai dha disa mendime ekspertësh që na sjellin më afër përgjigjes.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • Sa larg mund të shkojë dora e shtetit në Hagë?

    Sa larg mund të shkojë dora e shtetit në Hagë?

    Sa larg mund të shkojë dora e shtetit në Hagë?

    Kosova po harton një strategji shtetërore për të mbështetur apelimin e dënimeve të katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Ekspertët ndërkombëtarë thonë se mbështetja juridike mund të ndihmojë, por ndikimi i shtetit në rezultatin e apelit është i kufizuar. Përpjekjet për ta ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara ngrenë po ashtu shqetësime tek ekspertët, të cilët paralajmërojnë për pasoja juridike dhe diplomatike për Kosovën, pa përfitime të qarta për të dënuarit.

    Katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përgatiten për një tjetër betejë juridike në Hagë – këtë herë për të kundërshtuar aktgjykimin që i dënoi me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte.

    Në këtë përpjekje, ata pritet të kenë edhe mbështetjen e institucioneve më të larta të Kosovës, të cilat kanë nisur hartimin e një strategjie për t’i ndihmuar gjatë procesit të apelit.

    Synimi i deklaruar është ndryshimi i aktgjykimit.

    Por, sa mund të ndikojë një shtet në rezultatin e një procesi gjyqësor? Ku përfundon mbështetja e ligjshme dhe ku fillon ndërhyrja politike?

    Ekspertët e së drejtës penale ndërkombëtare, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, thonë se mbështetja financiare dhe ekspertiza juridike mund të jenë të dobishme, por ndikimi i shtetit në rezultatin përfundimtar mbetet i kufizuar.

    Ata identifikojnë disa çështje që mund të kundërshtohen në apel, por shprehin rezerva ndaj përpjekjeve për të ndryshuar ligjin mbi të cilin funksionon Gjykata Speciale.

    Një strategji shtetërore, por pak hollësi

    Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara të Kosovës shpallën fajtorë për krime lufte katër ish-udhëheqës të UÇK-së: ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-deputetin Rexhep Selimi.

    Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet. Të katërt u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

    Ekipet mbrojtëse e kundërshtuan aktgjykimin dhe paralajmëruan apelimin e tij. Afati për paraqitjen e njoftimeve të apelit është 27 nëntori.

    Ndërkohë, Qeveria e Kosovës formoi një grup punues, të udhëhequr nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca, për të bashkërenduar mbështetjen juridike, institucionale dhe diplomatike gjatë kësaj faze të procesit.

    Nisma mori mbështetjen edhe të presidentes Justina Shiroka Pula, e cila u takua me grupin punues, u informua për ecurinë e strategjisë dhe përkrahu bashkërendimin e veprimeve institucionale.

    Megjithatë, përmbajtja konkrete e strategjisë mbetet kryesisht e panjohur.

    Konjufca bëri të ditur se puna e grupit do të zhvillohet në konfidencialitet, për shkak të ndjeshmërisë së çështjeve që trajtohen.

    “Qëllimi është që ta fitojmë rastin në procesin e apelit”, deklaroi ai, duke theksuar se diskutimet dhe synimet e grupit janë të ndjeshme si në aspektin vendor, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

    Radio Evropa e Lirë i kërkoi Konjufcës sqarime për mënyrën e funksionimit të grupit dhe mbështetjen që synon të ofrojë, por nuk mori përgjigje.

    Pa përgjigje mbetën edhe pyetjet drejtuar avokatit të Thaçit, Lluka Mishetiq, lidhur me përgatitjet për apel, argumentet që mund të përdoren dhe rolin e mundshëm të Qeverisë së Kosovës.

    Në mungesë të këtyre hollësive, mbetet e paqartë se si do të përkthehet angazhimi i institucioneve në ndihmë konkrete për ekipet mbrojtëse.

    Ndihmë financiare po, trysni politike jo

    Përfshirja e shteteve në mbështetjen e shtetasve apo ish-zyrtarëve të tyre gjatë proceseve penale ndërkombëtare nuk është e pazakontë. Por, ekspertët bëjnë dallim mes ndihmës juridike dhe përpjekjeve për të ndikuar politikisht në një gjykim.

    William Schabas, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin Middlesex të Londrës, thotë se institucionet e Kosovës mund të kontribuojnë financiarisht për të siguruar mbrojtje cilësore juridike.

    “Nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të kontribuojë financiarisht për t’i ndihmuar të pandehurit të angazhojnë ekipet e tyre juridike, kjo nuk do të ishte e pazakontë. Por, nëse synon forma të tjera përfshirjeje, si fushata apo lobim, nuk mendoj se kjo do të ishte e pranueshme”, thotë Schabas për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

    Një mbështetje e tillë mund t’u mundësojë ekipeve mbrojtëse të angazhojnë ekspertë, të analizojnë prova dhe të përgatisin argumente për apel. Por, kjo nuk i jep shtetit të drejtën të përcaktojë strategjinë e mbrojtjes apo të ushtrojë ndikim mbi gjyqtarët.

    Carsten Stahn, profesor i së Drejtës Penale Ndërkombëtare në Universitetin Leiden të Holandës, thotë se përvoja nga gjykimet e mëparshme ndërkombëtare tregon se ndikimi i shteteve në rezultatet gjyqësore ka qenë i kufizuar.

    “Sepse, ose keni argumente të forta juridike që mbrojtja mund t’i paraqesë para gjykatës, ose nuk i keni. Dhe nëse nuk i keni, fakti që një shtet ju mbështet, nuk do të thotë se gjykata do ta ndryshojë domosdoshmërisht arsyetimin apo qëndrimin e saj juridik”, thotë ai për Exposenë.

    Sipas Stahnit, është veçanërisht e rëndësishme që avokatët të ruajnë pavarësinë në përfaqësimin e klientëve të tyre.

    “Shteti nuk mund të ushtrojë trysni politike mbi mbrojtjen, duke i diktuar asaj se si t’i ndërtojë argumentet juridike. Sepse, detyrimi i avokatëve është ndaj klientëve të tyre dhe kjo nuk mund të ndikohet nga shteti”, thekson ai.

    Çfarë tregojnë rastet nga Kroacia?

    Kufijtë e ndikimit shtetëror janë vënë në provë edhe në procese të tjera për krime lufte në ish-Jugosllavi.

    Një prej tyre është rasti i Jadranko Përlliqit dhe pesë ish-zyrtarëve të tjerë politikë e ushtarakë të kroatëve të Bosnjës, të gjykuar nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

    Në aktgjykim përfshiheshin edhe konstatime për rolin e zyrtarëve të lartë të Kroacisë – mes tyre, presidenti i atëhershëm, Franjo Tugjman – në një ndërmarrje të përbashkët kriminale.

    Ndonëse këta zyrtarë nuk ishin të pandehur, konstatimet kishin rëndësi politike dhe historike për Kroacinë.

    Për këtë arsye, Zagrebi kërkoi të ndërhynte në procedurën e apelit, për t’i kundërshtuar gjetjet që lidheshin me shtetin kroat.

    Por, Tribunali ia refuzoi kërkesën, duke theksuar se procesi kishte për objekt përgjegjësinë penale të individëve, jo të shtetit.

    Situata e Kosovës është ndryshe, pasi institucionet e saj nuk kanë paralajmëruar ndonjë kërkesë për t’u bërë palë në procedurën e apelit, por një strategji për mbështetjen e të dënuarve.

    Megjithatë, për Stahnin, ky rast ilustron kufijtë e ndikimit që mund të ketë një shtet në një proces gjyqësor.

    Përvoja kroate ofron edhe një shembull tjetër, me rezultat krejtësisht të ndryshëm.

    Gjenerali Ante Gotovina ishte dënuar fillimisht me 24 vjet burgim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të lidhura me operacionin ushtarak “Stuhia” të vitit 1995.

    Por, në vitin 2012, Dhoma e Apelit e Tribunalit e përmbysi dënimin dhe e shpalli të pafajshëm.

    Në mbrojtjen e tij ishin angazhuar edhe ekspertë juridikë dhe ushtarakë.

    Mathias Holvoet, ligjërues i së Drejtës Penale Ndërkombëtare në Universitetin e Amsterdamit, e sjell këtë rast si shembull të rëndësisë që mund të ketë ekspertiza e specializuar gjatë apelimit të një aktgjykimi kompleks.

    “Nëse do t’i këshilloja institucionet e Kosovës, do t’u thosha të angazhojnë ekspertët më të mirë në fusha të ndryshme juridike. Për shembull, për ndërmarrjen e përbashkët kriminale, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, por edhe ekspertë të provave, që mund të vlerësojnë nëse ato i përmbushin standardet e nevojshme për një dënim”, thotë Holvoet për Exposenë.

    Rezultati i rastit Gotovina, megjithatë, nuk garanton një përfundim të ngjashëm në procesin kundër katër ish-krerëve të UÇK-së.

    Çdo apel shqyrtohet mbi bazën e aktgjykimit përkatës dhe gabimeve të pretenduara në zbatimin e ligjit apo në vlerësimin e fakteve.

    Ku mund të sfidohet aktgjykimi?

    Përtej angazhimit të institucioneve, çështja vendimtare për fatin e katër të dënuarve është se cilat pjesë të aktgjykimit mund të kundërshtohen me sukses.

    Ekspertët e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë identifikojnë dy fusha ku mund të përqendrohet beteja juridike: përgjegjësinë përmes ndërmarrjes së përbashkët kriminale dhe bazën ligjore për përcaktimin e dënimeve.

    Ndërmarrja e përbashkët kriminale është një koncept i së drejtës penale ndërkombëtare, sipas të cilit një person mund të mbajë përgjegjësi penale edhe për krime që nuk i ka kryer drejtpërdrejt, nëse vërtetohet pjesëmarrja e tij në një qëllim të përbashkët kriminal dhe plotësohen kushtet e tjera juridike.

    Pikërisht mbi këtë koncept u mbështet gjykata në përcaktimin e përgjegjësisë penale të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.

    Sipas Holvoetit, një prej çështjeve që mbrojtja mund të sfidojë është nëse provat e paraqitura gjatë gjykimit e mbështesin mjaftueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal dhe lidhjen e të dënuarve me të.

    “Është e qartë se janë kryer krime, por çështja kryesore është lidhja e tyre me ndërmarrjen e përbashkët kriminale”, thotë ai.

    “Pikërisht mbi këtë bazë do të përpiqesha ta kundërshtoja aktgjykimin, pra nëse ka ekzistuar një qëllim i përbashkët. Sepse, për një ndërmarrje të përbashkët kriminale, duhet të ekzistojë një qëllim i tillë”.

    Në praktikë, mbrojtja do të duhej të identifikonte gabime konkrete në arsyetimin juridik apo në vlerësimin e provave, të cilat mund të kenë ndikuar në përfundimin e trupit gjykues.

    Edhe Stahn sheh hapësirë për argumente rreth interpretimit të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, por veçon edhe një çështje tjetër: mënyrën se si janë përcaktuar dënimet.

    “Çështja e dytë është mënyra se si gjyqtarët i kanë përcaktuar dënimet dhe cili ligj duhet të shërbejë si bazë për to. A kanë të pandehurit të drejtë të dënohen sipas ligjit që ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprave, apo përparësi ka korniza ligjore e Dhomave të Specializuara?”, pyet ai.

    Kjo çështje lidhet me një parim themelor të së drejtës penale: ligjshmërinë e dënimit dhe zbatimin e dispozitave penale në kohë.

    Argumentet mbi ligjin e zbatueshëm dhe masën e dënimit mund të jenë të rëndësishme për mbrojtjen edhe nëse Dhoma e Apelit nuk e ndryshon përfundimin për fajësinë.

    Megjithatë, mbetet të shihet se cilat argumente konkrete do t’i paraqesin ekipet mbrojtëse dhe si do t’i vlerësojnë ato gjyqtarët.

    Nga ndryshimet ligjore te një nismë e re

    Ndërsa mbrojtja përgatitet ta sfidojë aktgjykimin në Hagë, në Prishtinë po zhvillohet edhe një përpjekje tjetër, që synon ndryshimin e kornizës ligjore mbi të cilën funksionon Gjykata Speciale.

    Por, kjo nismë, e përcjellë me mospajtime politike dhe kundërshtime ndërkombëtare, ka marrë një drejtim të ri.

    Më 19 nëntor, kryeministri Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, u pajtuan që ndryshimet të procedohen përmes një projektligji të ri, në vend që të votohet sërish teksti i miratuar nga Kuvendi më 6 tetor.

    Marrëveshja erdhi pas disa javësh paqartësish rreth ligjit, të cilin presidentja Justina Shiroka Pula e kishte kthyer për rishqyrtim më 22 tetor, me kërkesë të vetë PDK-së, që e kishte iniciuar atë.

    Ndryshimet e miratuara në tetor parashihnin, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të Gjykatës, ngushtimin e periudhës kohore dhe territorit për të cilin ajo mund të gjykojë, si dhe uljen e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet.

    Ato përfshinin edhe mundësinë e vuajtjes së dënimeve në Kosovë.

    Kurti paralajmëroi se drafti i parë i projektligjit të ri pritet të përgatitet nga një ekip ekspertësh gjatë javës së ardhshme, ndërsa Çitaku tha se synimi është që ai të jetë juridikisht më i qëndrueshëm dhe më i zbatueshëm.

    Por, përtej dakordimit mes tyre, mbetet e paqartë nëse ndryshimet ligjore mund të ndikojnë në procesin gjyqësor në Hagë.

    Ekspertët e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë shprehin rezerva për përpjekjet që synojnë kufizimin e kompetencave të Gjykatës.

    Stahn paralajmëron se ndryshimet e njëanshme të juridiksionit të saj mund të dëmtojnë perceptimin për sundimin e ligjit në Kosovë.

    Schabas, në anën tjetër, vlerëson se nisma mund të ketë pasoja juridike dhe diplomatike, pa sjellë domosdoshmërisht ndonjë përfitim për katër të dënuarit.

    Sipas tij, përpjekjet për ndryshimin e ligjit duket se u shërbejnë më shumë qëllimeve të politikës së brendshme sesa një rezultati konkret juridik.

    Ai kujton se të dënuarit mbeten nën autoritetin e Gjykatës në Hagë, pavarësisht vendimeve që mund të merren në Prishtinë.

    “Të burgosurit janë nën kontrollin e Gjykatës dhe Kosova nuk ka mundësi ta ndryshojë këtë”, thotë Schabas.

    Kush do ta kishte fjalën e fundit?

    Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë në Hagë, me gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.

    Ato janë themeluar në bazë të ndryshimeve kushtetuese dhe një ligji të veçantë, në kuadër të zotimeve ndërkombëtare që ka marrë Kosova.

    Kjo strukturë e pazakontë ngre dilema për mënyrën se si do të trajtoheshin ndryshimet ligjore nëse ato do të kontestoheshin.

    A do ta kishte fjalën e fundit Gjykata Kushtetuese në Prishtinë apo Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë?

    Dhe, nëse një ligj i ri do të hynte në fuqi, a do të mund të zbatohej edhe ndaj aktgjykimeve të shpallura para miratimit të tij?

    Ekspertët e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë nuk japin përgjigje të prera për këto çështje.

    As Dhomat e Specializuara nuk iu përgjigjën kërkesës së Radios Evropa e Lirë për sqarime.

    Përderisa përmbajtja e projektligjit të ri ende nuk dihet, mbetet e paqa.

    Burimi: Insajderi

  • Ballkani përmbys Gjilanin, rikthehet te fitorja

    Ballkani përmbys Gjilanin, rikthehet te fitorja

    Mysafirët kaluan të parët në epërsi, kur Armend Thaqi realizoi nga pika e bardhë e penalltisë për 0-1.

    Megjithatë, skuadra vendase reagoi dhe arriti të barazonte shifrat në 1-1 përmes Berishës, i cili shënoi një gol të bukur akrobatik.

    Në minutat e fundit, Ballkani tregoi forcën e tij, me Nikqin dhe Doson që realizuan nga një gol, duke përmbysur rezultatin dhe vulosur fitoren 3-1.

    Gjilanit ia vështirësoi edhe më shumë detyrën përjashtimi i Potokut me karton të kuq, dhjetë minuta para përfundimit të ndeshjes.

    Me këtë fitore, Ballkani dhe Gjilani kanë nga 22 pikë dhe renditen në pozitat e katërt dhe të pestë në tabelën e Superligës së Kosovës.

    Burimi: RTKLive

  • Bajrami kërkon përgjigje nga ZRRE-ja nëse do ta rilicencojë EFT-në e Vuk Hamoviqit

    Bajrami kërkon përgjigje nga ZRRE-ja nëse do ta rilicencojë EFT-në e Vuk Hamoviqit

    Bajrami kërkon përgjigje nga ZRRE-ja nëse do ta rilicencojë EFT-në e Vuk Hamoviqit

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, i ka kërkuar Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) të sqarojë publikisht nëse vazhdimi i licencës së kompanisë EFT, në pronësi të Vuk Hamoviqit, është ende në rend dite.

    “Prandaj, ZRRE duhet të na përgjigjet publikisht: A e ka ende në rend dite rilicencimin e EFT-së apo e ka hequr nga rendi i ditës?”, ka shkruar Bajrami.

    Bajrami ka rikujtuar se më herët ishte përfshirë çështja e vazhdimit të licencës së EFT-së.

    “Më 23 tetor 2026, në rendin të ditës të mbledhjes së Bordit të ZRRE-së ishte edhe vazhdimi i licencës së EFT-së, por vendimmarrja u shty”, ka shkuar ajo.

    Ajo ka theksuar se më 16 nëntor, Qeveria e Kosovës mori vendim për ndalimin e tregtisë së energjisë elektrike me kompanitë serbe, duke ngritur pikëpyetje për statusin aktual të procedurës së rilicencimit.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali