Raporti i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut do t’u prezantohet sot anëtarëve të Komitetit për Çështje Evropiane dhe Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, të cilët do të mbajnë një seancë të përbashkët.
Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Maqedoninë për vitin 2026 u publikua më 4 nëntor 2026, dhe në Kuvend, debatet mbi raportet vjetore të KE-së tradicionalisht zhvillohen në seanca të përbashkëta të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian dhe Komitetit për Çështje Evropiane.
Raporti vjetor vëren përparimin në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes, përputhshmërinë njëqind për qind me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe përparimin në transformimin digjital dhe shkencën./Telegrafi/
Përfaqësuesja e Malit të Zi në konkursin e bukurisë Miss Universe 2026, 22-vjeçarja Marija Aleksandra Ivezaj, tërhoqi vëmendjen gjatë prezantimit të kostumeve kombëtare në Porto Riko.
Në skenë, ajo bëri me duar shenjën e shqiponjës dykrenare, e cila shoqërohet me identitetin tone kombëtar shqiptar.
Gjesti i saj shkaktoi diskutime në rrjetet sociale dhe gjithçka u raportua nga media të shumta rajonale.
Gjatë prezantimit të kostumeve kombëtare, të mbajtur më 21 nëntor në San Juan, Ivezaj e bëri shqiponjën dykrenare.
Përfaqësuesja malazeze më pas publikoi foto me kostum kombëtar në profilin e saj në Instagram, duke bërë të njëjtin veprim.
Gjesti tërhoqi vëmendjen për shkak të faktit se Ivezaj përfaqëson Malin e Zi në garën ndërkombëtare, ndërsa simboli që ajo tregoi përdoret më shpesh si shprehje e identitetit kombëtar shqiptar.
Disa media rajonale e përshkruan veprimin e saj si një skandal, nuk ka konfirmim se Ivezaj kishte ndërmend të dërgonte një mesazh të tillë politik me veprimin.
Një studim i shkencëtarëve nga Universiteti i Maastrichtit sugjeron se konsumimi i përditshëm i kikirikëve mund të ketë efekte pozitive në shëndetin e trurit, veçanërisht te personat e moshuar.
Në studim morën pjesë 31 të rritur të shëndetshëm, të cilët konsumuan nga 60 gramë kikirikë të pjekur, pa kripë dhe me lëvozhgë çdo ditë, për 16 javë.
Rezultatet treguan se kujtesa verbale afatshkurtër u përmirësua me 5.8%, ndërsa qarkullimi i gjakut në tru u rrit me 3.6%.
Sipas studiuesve, qarkullimi më i mirë i gjakut ndihmon në furnizimin e trurit me oksigjen dhe lëndë ushqyese, duke mbështetur funksionimin e tij. Kjo mund të shpjegojë edhe rezultatet më të mira në testet e kujtesës.
Studiuesit vunë re gjithashtu përmirësime në reagimin e trurit ndaj insulinës. Ky është një element i rëndësishëm, pasi rezistenca ndaj insulinës në tru lidhet me rënien e funksioneve njohëse dhe problemet me kujtesën gjatë plakjes.
Për këtë studim u përdorën kikirikë të pjekur me lëvozhgë, të cilët përmbajnë polifenole, antioksidantë, vitamina dhe minerale.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se shëndeti i trurit nuk varet nga një ushqim i vetëm. Një dietë e ekuilibruar, aktiviteti fizik dhe gjumi cilësor mbeten po aq të rëndësishëm.
Studiuesit nënvizojnë se nevojiten kërkime të tjera për të kuptuar nëse këto përfitime vazhdojnë edhe në periudha më të gjata. /Telegrafi/
Protesta e paralajmëruar për sot në orën 11:30 nga studentët e Universitetit të Prishtinës nuk do të mbahet.
Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi nga Parlamenti Studentor, ku thuhet se anulimi i protestës vjen pas një takimi që do të zhvillohet sot me Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës.
Takimi do të fokusohet në kërkesat e studentëve dhe thirrjen e tyre për reflektim institucional.
Në njoftim, Parlamenti Studentor shpreh pritjen që ky takim të sjellë adresimin e kërkesave dhe ndërmarrjen e hapave konkretë drejt zgjidhjes së tyre.
Po ashtu, studentët kanë bërë të ditur se do t’i informojnë për zhvillimet e mëtejshme.
Policia e Kosovës ka njoftuar se dy persona në Vushtrri janë përleshur mes vete, duke i shkaktuar lëndime trupore njëri-tjetrit.
Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur pasditen e së dielës, ku pas një mosmarrëveshje, dy të dyshuarit kanë sulmuar njëri-tjetrin.
“Pas intervistimit me vendim të prokurorit njëri nga të dyshuarit dërgohet në mbajtje, ndërsa tjetri lirohet në procedurë të rregullt.”, thuhet në raport.
Ndaj tyre janë iniciuar rastet për lëndim të lehtë dhe të rëndë trupor. /Klankosova.tv
Një person është raportuar i zhdukur në Prizren, pasi ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e tij.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 22 nëntor, derisa personi ka dalë nga shtëpia tash e gjashtë ditë, përkatësisht më 17 nëntor të këtij viti.
“Prizren 17.11.2026-09:30. Me 22.11.2026 është raportuar se viktima mashkull kosovar ka dal nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij. Rasti nën hetime.”, thuhet në raportin e Policisë.
Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar.
Një rast i dhunës në familje është raportuar në Podujevë, me ç’rast një person është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.
Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur më 19 nëntor të këtij viti.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare.”, thuhet në raport.
Sipas policisë, si pasojë e dhunës viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe pas intervistimit me vullnetin e saj ka shkuar në shtëpinë e familjarëve të saj.
“Lidhur me rastin i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”, thuhet në raport. /Klankosova.tv
Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Bifurkacioni” ka njoftuar se sot, më 23 nëntor, do të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë të pijshëm në rrugët “Vëllezërit Gërvalla” dhe “Emin Duraku” në Ferizaj.
Sipas njoftimit të kompanisë, ndërprerja po bëhet për shkak të punimeve teknike në terren, në kuadër të projektit për zëvendësimin e ujëmatësve të vjetër me të rinj.
KRU “Bifurkacioni” ka bërë të ditur se rikthimi i furnizimit me ujë për konsumatorët e këtyre zonave pritet të bëhet rreth orës 16:00.
Kompania ka falënderuar konsumatorët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. /Telegrafi/
Kryeministri Albin Kurti premtoi gjatë fushatës zgjedhore mes tjerash se ky do të ishte “mandati i digave”.
Ndërtimi i pesë digave të reja në Kosovë u përfshi edhe në programin qeverisës. Javën e kaluar, gjatë debatit në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2027, opozita vuri në pikëpyetje realizimin e këtij zotimi dhe kritikoi shumën e paraparë për digat.
E pyetur për këtë në “Përballje Podcast” me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli-Dalipi, tha se ndërtimi i katër digave planifikohet të nisë në vitin 2028.
“Kuqica, projektimi final përmbyllet gjatë vitit 2027, kur hapet edhe tenderi për ndërtim. Punimet nisin në vitin 2028. Pollata, dizajni konceptual ka përfunduar. Gjatë vitit 2027 përmbyllet projekti final dhe hapet tenderi. Ndërtimi nis në vitin 2028. Desivojca, studimet përgatitore kanë përfunduar dhe projekti detal është në proces të kompletimit. Përmbyllet në vitin 2027, ndërsa ndërtimi nis në vitin 2028. Firaja, studimet përgatitore kanë përfunduar dhe projekti detal është në proces të kompletimit. Përmbyllet në vitin 2027, ndërsa ndërtimi nis në vitin 2028. Dragaqina, projekti është në fazën përgatitore dhe projektuese, ndërsa ndërtimi planifikohet të nisë në vitin 2029”, ka shtuar ajo.
Sipas saj për digën e pestë, atë të Dragaçinës në Suharekë, synimi është që punimet të nisin më 2029, pasi projekti është në një fazë më të hershme.
Katër digat për të cilat Ministria synon të nisë punimet në vitin 2028 janë Kuçica në Skenderaj, Pollata në Podujevë, Desivojca në Kamenicë dhe Firaja e Poshtme në Shtërpcë.
A përfundon ndonjë digë brenda mandatit?
Gazetari ia rikujtoi ministres zotimin për “mandatin e digave” dhe e pyeti nëse, sipas afateve që po paraqiste, mandati do të kalonte me procedura dhe punime pa përfunduar ndonjë digë. Ai e pyeti gjithashtu nëse të paktën njëra prej tyre mund të përfundojë brenda dy vjetëve të ardhshëm.
“Jo, nuk mundemi me thanë që nuk ka që përfundon. Problemi më i madh me digat është faza studimore”, tha Pacolli-Dalipi.
Ajo shpjegoi se studimet përfshijnë matjen e prurjeve në sezone të ndryshme për të përcaktuar nëse në lokacionin e zgjedhur ka ujë të mjaftueshëm për rezervuarin.
“Në vitin 2028 ka me fillu ndërtimi i katër digave”, tha ajo.
Në çfarë faze janë projektet dhe si do të financohen?
Sipas ministres, projekti i detajuar për Kuçicën ka përfunduar dhe do të rishikohet para tenderimit. Për Pollatën ka përfunduar projekti konceptual, ndërsa projekti i detajuar pritet të dorëzohet në vitin 2027. Studimet për Desivojcën dhe Firajën e Poshtme kanë përfunduar dhe, sipas saj, projektet e detajuara për të dyja digat mund të përmbyllen po atë vit.
Pacolli-Dalipi tha se 1,5 milion eurot e parapara për digat në projektbuxhetin e vitit 2027 lidhen me hapjen e procedurave të tenderimit.
“Ne do t’i ndërtojmë ato me kredi të buta dhe me grante”, tha ajo, duke shtuar se projektet do të mbështeten edhe nga buxheti i Kosovës.
Për Desivojcën, ministrja përmendi financimin nga Banka Botërore, ndërsa për Firajën e Poshtme përmendi mbështetjen nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor. /Telegrafi/.