Bruno Fernandes ka insistuar se është “shumë krenar për të gjithë” në dhomën e zhveshjes së Manchester Unitedit, pavarësisht humbjes së rëndë 4-0 ndaj Liverpoolit.
Unitedi u dominua në ndeshjen e parë të Mauricio Pochettinos në krye të skuadrës, të zhvilluar në Anfield, ku mysafirët u detyruan të luanin për 82 minuta me një lojtar më pak, pas kartonit të kuq të hershëm të Leny Yoros.
Kjo humbje bëri që “Djajtë e Kuq” ta përfundojnë ditën në pozitën e 19-të në Ligën Premier. Për herë të parë që nga nëntori i vitit 1986, Manchester Unitedi gjendet në dy pozitat e fundit të tabelës, pasi janë zhvilluar të paktën 10 ndeshje kampionale. Në atë kohë, skuadra ishte në vendin e 21-të.
Gjithashtu, tetë pikët e grumbulluara janë numri më i ulët i pikëve të Unitedit pas 11 xhirove në një sezon të Ligës Premier, në epokën kur fitorja vlerësohet me tri pikë, që nga sezoni 1972/73, kur kishte shtatë pikë.
Megjithatë, Fernandes zgjodhi të përqendrohej te aspektet pozitive të paraqitjes së skuadrës së tij.
“Është shumë e dhimbshme, na lëndon shumë. Të vish te rivalët dhe të humbësh është gjithmonë keq. Është një moment i vështirë për ne, por jemi të vetmit që mund të dalim nga kjo situatë.
“Të gjithë u përpoqën shumë. Rezultati nuk e tregon këtë dhe do të fshehë shumë gjëra të mira që bëri skuadra.
“Ne krijuam ende shumë raste për të provuar të bënim diçka në këtë ndeshje, edhe pse kishim një lojtar më pak. Fatkeqësisht, nuk arritëm t’i shmangnim edhe dy golat e tjerë në pjesën e dytë.
“U treguam shumë të guximshëm. Në disa momente e humbëm topin, por po përpiqeshim të luanim dhe të bënim diçka në ndeshje. Nuk kishim frikë.
“Në disa raste ndoshta luajtëm edhe pak më shumë seç duhej dhe përfunduam duke pësuar gola. Por, më mirë të ndodhë kjo dhe të shoh besimin e skuadrës sime, duke u munduar t’i zbatojmë idetë tona, sesa thjesht të mbrohemi dhe të kemi frikë nga gjithçka që mund të bëjmë.
“Ne duam rezultate, por sot kjo nuk ishte e mundur. Ka shumë gjëra që mund t’i analizojmë dhe unë pashë shumë karakter nga skuadra. Rezultati nuk e tregon këtë, por jam shumë krenar për të gjithë në dhomën e zhveshjes”, deklaroi portugezi.
Kartoni i kuq i Yoros ishte më i hershmi i marrë nga një futbollist i Manchester Unitedit në një ndeshje të Ligës Premier. Mbrojtësi u ndëshkua për ndërhyrje si lojtar i fundit ndaj Alexander Isakut.
Megjithatë, Fernandes kritikoi vendimin e gjyqtarit, duke insistuar se Isak nuk e kishte kontrollin e topit dhe se për këtë arsye bashkëlojtari i tij nuk duhej të përjashtohej.
“Pas 15 minutash, gjithçka ndryshoi në ndeshje dhe kjo na e bëri shumë të vështirë.
“Është një vendim që duhet të analizohet. Kemi pasur shumë takime me gjyqtarët që të ndodhin përsëri gjëra të tilla. Në rastin e fundit kundër Chelseat, mund të jepej karton i kuq për Lisandro Martinezin dhe ndoshta ishte edhe kartoni i dytë i verdhë.
“Sot nuk mund të jepet karton i kuq. Është shumë e qartë se na kanë shpjeguar që nëse lojtari nuk e ka kontrollin e topit, atëherë nuk është asnjëherë karton i kuq.
“Isak e godet topin përpara dhe ai përfundon në duart e Senne Lammensit. Isak nuk e kontrollon topin dhe nuk ka asnjë mundësi ta arrijë atë. Ai e vendos këmbën përpara vetëm për të përfituar diçka nga Leny.
“E kuptoj që u rrëzua, por kjo nuk është asnjëherë karton i kuq. Ka shumë gjyqtarë në fushë dhe shumë të tjerë në VAR, të cilët marrin aq shumë kohë për ta shqyrtuar një rast, e megjithatë bëjnë një gabim të tillë që mund ta ndryshojë tërë ndeshjen.
“Nuk është për shkak të tyre që pësuam golin nga goditja e lirë, por vendimi e ndryshon tërësisht ndeshjen”, përfundoi Fernandes./Telegrafi/