Bassuener kërkon hetim evropian për Banjskën: Të hetohet përfshirja e strukturave shtetërore serbe

Bassuener kërkon hetim evropian për Banjskën: Të hetohet përfshirja e strukturave shtetërore serbe

Written by

in

Analisti gjerman i politikave për Ballkanin Perëndimor, Kurt W. Bassuener, ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë mbetet një çështje që kërkon vëmendje, duke kërkuar angazhim më të madh të Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë për forcimin e pranisë së KFOR-it.

Në një intervistë për Telegrafin, bashkëthemeluesi i Këshillit për Politika të Demokratizimit (DPC) ka thënë se përveç përforcimit të pranisë ushtarake ndërkombëtare, nevojitet edhe një qasje më pak e orientuar automatikisht në favor të Beogradit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Duke folur për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, Bassuener ka vlerësuar se qeveria e re e Kosovës duhet të kërkojë ndihmën evropiane për hetimin e përfshirjes së strukturave shtetërore të sigurisë së Serbisë në këtë ngjarje.

Sipas tij, zbardhja e plotë e sulmit është e domosdoshme për të vendosur përgjegjësi dhe për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla.

“Nuk do të ketë përgjegjësi të mirëfilltë pa u zbardhur plotësisht ngjarje të tilla”, ka deklaruar Bassuener.

Ai ka tërhequr paralele edhe me ngjarjet e Kumanovës të vitit 2015, duke thënë se mungesa e vullnetit për hetime më të thella dhe dekurajimi nga qeveritë perëndimore nuk i ndihmuan përpjekjet për pastrimin e politikës dhe luftimin e ndikimit të oligarkëve.

I pyetur për mundësinë e rikthimit të tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, analisti ka thënë se, pavarësisht paqartësive dhe mesazheve të përziera nga Lista Studentore lidhur me Kosovën, është e vështirë të imagjinohet një aventurizëm i ngjashëm me atë të Banjskës, me miratimin zyrtar të qeverisë.

Megjithatë, ai ka theksuar se largimi i Aleksandar Vuçiqit nga pushteti nuk do të nënkuptojë domosdoshmërisht ndryshim të menjëhershëm të qasjes së Serbisë ndaj Kosovës.

Bassuener ka thënë se çështja e Kosovës mund të jetë një nga sfidat më të vështira për një Serbi pas Vuçiqit, për shkak të diskursit publik nacionalist që është ndërtuar ndër vite.

Ai ka rikujtuar se edhe Kushtetuta e Serbisë e vitit 2006, e njohur si Kushtetuta e Koshtunicës, ishte hartuar në atë mënyrë që paraprakisht të delegjitimonte pavarësinë e Kosovës.

Sipas tij, Perëndimi ka dështuar të reagojë në mënyrë të qartë ndaj kësaj qasjeje, duke humbur mundësinë për ta lidhur atë me pengesat që Serbia mund të përballet në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.