Category: Lajme

  • Çfarë është AFËR-i? Shërbimi që kontrollon shtëpitë dhe u qëndron pranë prindërve të mërgimtarëve në Kosovë

    Çfarë është AFËR-i? Shërbimi që kontrollon shtëpitë dhe u qëndron pranë prindërve të mërgimtarëve në Kosovë

    Një shërbim i ri synon t’ua lehtësojë mërgimtarëve shqetësimin për shtëpitë që mbeten bosh dhe prindërit që jetojnë në Kosovë. Themeluesi i AFËR-it, Blerton Sadiki, tregon për Telegrafi Diasporë se si funksionon ky shërbim, sa kushton dhe si synohet të ndërtohet besimi me familjet që jetojnë jashtë vendit.

    Shumë familje shqiptare që jetojnë në Zvicër, Gjermani dhe Austri përballen me të njëjtin shqetësim: shtëpitë në Kosovë që mbeten të pabanuara për muaj të tërë dhe prindërit që jetojnë larg fëmijëve të tyre. Pavarësisht largësisë, mërgimtarët duan të dinë nëse gjithçka është në rregull në shtëpi dhe nëse prindërit kanë nevojë për ndihmë. Shpesh, kjo përgjegjësi u mbetet fqinjëve dhe të afërmve, të cilët ndihmojnë me dëshirë, por nuk mund të jenë gjithmonë të pranishëm, shkruan Telegrafi.

    Pikërisht nga kjo nevojë ka lindur AFËR-i, një shërbim që po nis në Prishtinë nga themeluesi i AFËR-it, Blerton Sadiki. Ideja, siç tregon ai, lidhet edhe me përvojën personale të familjes së tij, e cila jeton mes Zvicrës dhe Kosovës. AFËR-i ofron kontroll mujor të shtëpive dhe banesave, si dhe vizita javore te prindërit, duke u dërguar familjeve jashtë vendit fotografi, video dhe informacione pas çdo vizite.

    Sadiki ka treguar gjithashtu se sa kushtojnë shërbimet e AFËR-it dhe cilat shërbime përfshihen në secilën prej tyre. Shërbimi fillimisht do të jetë i disponueshëm në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq, ku synohet të përfshihen dhjetë familjet e para themeluese, për të cilat vizita e parë do të jetë falas. Në intervistën për Telegrafi Diasporë, Blerton Sadiki shpjegon se si funksionon ky shërbim, si përzgjidhen personat që kryejnë vizitat, si mbrohet privatësia e familjeve dhe cilat janë planet për zgjerim në qytete të tjera të Kosovës.

    Telegrafi: Si lindi ideja për themelimin e AFËR-it dhe cili ishte problemi konkret që ju shtyu të krijoni një shërbim të tillë për familjet e mërgatës? A keni identifikuar një nevojë të veçantë te familjet shqiptare që jetojnë jashtë Kosovës?

    Ideja nuk lindi në zyrë. Lindi nga një ndjenjë që e njeh çdo familje e mërgatës: je larg dhe nuk e di si janë gjërat në shtëpi.

    Edhe familja jonë jeton mes Zvicrës dhe Kosovës. Një pjesë e ka përditshmërinë atje, ndërsa shtëpia dhe prindërit janë këtu. Pra, këtë brengë nuk e kemi lexuar diku: e jetojmë vetë.

    Çdo mërgimtar e njeh telefonatën e mbrëmjes, kur nëna thotë «mirë jemi, mos u mërzit», e ti e ndien se nuk po t’i thotë të gjitha. Shumëkush e ka gjetur shtëpinë në verë me lagështi në mur, sepse gjithë dimrin askush nuk e ka hapur asnjë dritare.

    Mërgimtarët tanë kanë punuar me dekada për një shtëpi në vendlindje. Ajo shtëpi nuk është vetëm mur e çati, është mundi i një jete. E prindërit janë arsyeja pse kthehemi. Për të dyja, deri tash kishte vetëm një zgjidhje: t’ia kërkosh dikujt si nder. Fqinji e kushëriri ndihmojnë me zemër, por e kanë jetën e vet, e nuk mund t’i pyesësh çdo javë.

    AFËR-i është përgjigjja jonë: dikush që shkon rregullisht, në ditën e caktuar, dhe që të shkruan të njëjtën ditë çka ka parë.

    Telegrafi: AFËR ofron dy shërbime kryesore: kontrollin e shtëpive dhe vizitat te prindërit. Si funksionojnë konkretisht këto dy shërbime dhe çfarë përfshin secili prej tyre? Si realizohet komunikimi me familjarët që jetojnë jashtë Kosovës?

    Janë dy shërbime të thjeshta, të ndërtuara rreth një pyetjeje: çka do të doje të shihje, po të ishe vetë aty?

    Kontrolli i shtëpisë: një herë në muaj dikush nga ne shkon te shtëpia ose banesa. E shikon nga jashtë dhe, nëse familja na e ka besuar çelësin, edhe nga brenda, dhomë për dhomë. E ajros dhe e fotografon.

    Vizita te prindërit: një herë në javë, në ditën e dakorduar, i njëjti person troket te dera e prindërve. Pinë një kafe bashkë, bisedojnë, e pastaj bëhet ajo që duhet: blerjet, barnatorja, një punë e vogël në shtëpi.

    Pastaj vjen pjesa më e rëndësishme: mesazhi për familjen. Në WhatsApp, ose në kanalin që e zgjedh vetë, familja merr disa rreshta të shkruar nga njeriu që ishte aty, bashkë me fotot dhe me listën e punëve të kryera.

    Jo raport zyrtar, por ashtu siç do të të tregonte një i afërm: «Sot isha te shtëpia. Gjithçka në rregull, vetëm te ballkoni kishte pak ujë, shiko foton.» Nëse ka diçka për të vendosur, shënohet veçmas, që të mos humbë mes fotove.

    Telegrafi: Për shumë familje të mërgatës, lënia e shtëpisë apo banesës bosh për muaj të tërë është një shqetësim, veçanërisht gjatë dimrit. Çfarë kontrollohet gjatë vizitës mujore në pronë dhe si siguroheni që familja të marrë një pasqyrë sa më të qartë për gjendjen e saj?

    Kush ka shtëpi në Kosovë e di: dimri nuk fal. Një gyp që plas në janar mund të rrjedhë me muaj, nëse askush nuk hyn brenda. Prandaj vizita mujore është e thjeshtë, por e rregullt.

    Shkojmë përreth shtëpisë dhe i shikojmë dyert, dritaret dhe çatinë nga poshtë. Me çelës hyjmë në çdo dhomë, e ajrosim shtëpinë, i shikojmë tavanet dhe qoshet për lagështi dhe e kontrollojmë me sy ujin e rrymën. E zbrazim kutinë postare. Në dimër shikojmë veçmas për dëme nga ngrica.

    Pastaj familja nuk merr vetëm një fjali «gjithçka në rregull». Merr 20 foto, një video të shkurtër dhe disa rreshta, të njëjtën ditë. Dua që njeriu në Cyrih ose në Shtutgart ta shohë shtëpinë e vet me sytë e vet. Nëse diçka nuk është në rregull, e sheh në foto, e merr propozimin tonë dhe vendos vetë. Pa miratimin e familjes nuk preket asgjë dhe nuk shpenzohet asnjë cent.

    Dhe jam i sinqertë: ne shikojmë me sy, nuk bëjmë inspektim teknik dhe nuk mund të premtojmë se nuk do të ndodhë kurrë një dëm. Por dëmi që vërehet pas katër javësh nuk është i njëjtë me atë që vërehet pas gjashtë muajsh.

    Telegrafi: Një pjesë tjetër e shërbimit lidhet me vizitat te prindërit që jetojnë vetëm në Kosovë. Si zhvillohet një vizitë e tillë javore dhe çfarë lloj ndihme ofroni, përtej shoqërimit dhe pirjes së kafesë me ta?

    Prindërit tanë nuk ankohen. Kjo është e bukura dhe e vështira e tyre. Në telefon thonë «mirë jemi», edhe kur llamba në korridor nuk ndizet prej dy javësh e barnat po mbarojnë.

    Prandaj vizita jonë nuk është kontroll. Është vizitë, si e një të afërmi. Një herë në javë, në të njëjtën ditë, vjen i njëjti njeri. Ulet, e pi një kafe, pyet si kanë fjetur, dëgjon. Besoj se për shumë prindër kjo bisedë vlen më shumë se çdo shërbim.

    Pastaj bëhet ajo që është marrë vesh me familjen: blerjet e javës, me faturë; barnatorja, ku e marrim atë që është porositur; një llambë, një pako e rëndë, mbeturinat. Nëse duhet shoqërim te mjeku, merremi vesh paraprakisht.

    Në fund, djali ose vajza jashtë vendit merr një mesazh të shkurtër: çka u bë dhe si janë prindërit. Foto dërgojmë vetëm nëse prindërit vetë pajtohen, sepse dinjiteti i tyre është mbi çdo raport.

    Ka edhe kufij, dhe i them hapur: nuk jemi infermierë, nuk japim barna dhe nuk vendosim për doza, dhe nuk jemi shërbim emergjence. Ne jemi ai njeriu i besuar që troket në derë çdo javë.

    Telegrafi: Besimi është një element shumë i rëndësishëm kur bëhet fjalë për hyrjen në pronën e dikujt apo kujdesin ndaj prindërve të tij. Si përzgjidhen personat që i realizojnë këto vizita dhe çfarë masash keni paraparë për të garantuar sigurinë, përgjegjësinë dhe besueshmërinë e shërbimit?


    Kjo është pyetja më e rëndësishme, dhe e kuptoj secilin që dyshon. T’ia japësh dikujt çelësin e shtëpisë ose ta lësh të hyjë te nëna jote nuk është vendim që merret nga një reklamë. Prandaj nuk kërkojmë besim në fjalë.

    Së pari, njerëzit. Jemi në fillim dhe jemi pak veta, me qëllim: nuk dërgojmë askënd që familja nuk e njeh. Kush i merr vizitat, përgatitet me kujdes. Para vizitës së parë, familja dhe prindërit e shohin dhe e dëgjojnë atë që do të vijë, me video ose te vizita e parë e përbashkët. Fillojmë vetëm kur u pëlqen të gjithëve. Te prindërit vjen gjithmonë i njëjti person, e nëse ai ndonjëherë ndërrohet, familja e njeh të riun para se ai të shkelë në prag.

    Së dyti, çelësi. Nuk e kërkojmë. Mund të fillohet pa çelës, vetëm nga jashtë, dhe familja vendos vetë nëse dhe kur e dorëzon. Dorëzimi dhe kthimi shkruhen dhe fotografohen. Çelësi nuk kopjohet dhe nuk i jepet askujt tjetër.

    Së treti, gjithçka është e shkruar dhe e dukshme. Fotot shkojnë vetëm te personat që i cakton familja. Nuk ka asnjë shpenzim pa miratim dhe pa faturë. Marrëveshja jepet me shkrim para fillimit dhe anulohet në fund të çdo muaji, pa asnjë tarifë.

    Besimin nuk e kërkojmë paraprakisht. Duam ta fitojmë vizitë pas vizite, foto pas fotoje.

    Telegrafi: Sa kushtojnë shërbimet e AFËR-it dhe çfarë përfshihet konkretisht në tarifat mujore? A ka shërbime shtesë që familjet mund t’i kërkojnë dhe si funksionon angazhimi në rastet kur nevojitet ndihmë përtej vizitave të planifikuara?

    Çmimet i kemi mbajtur të thjeshta, sepse askush nuk do befasi kur është larg.

    Kontrolli i shtëpisë kushton 39 euro në muaj. Për këtë, një herë në muaj dikush shkon te shtëpia: kontrolli jashtë dhe brenda, ajrosja, kutia postare, 20 foto, një video e shkurtër dhe raporti të njëjtën ditë. Me fjalë të tjera: për çmimin e një darke jashtë, familja e di çdo muaj si e ka shtëpinë.

    Vizita te prindërit kushton 119 euro në muaj: një vizitë çdo javë, gjithmonë nga i njëjti person, me shoqëri, blerje ose barnatore sipas marrëveshjes, ndihmë të vogël në shtëpi dhe një mesazh për familjen pas çdo vizite.

    Nuk ka kontratë që të lidh me vite. Të dy abonimet anulohen në fund të muajit, pa tarifë. Pagesa bëhet me faturë dhe transfer bankar, për herë të parë pas vizitës së parë.

    Veçmas paguhen vetëm shpenzimet reale, dhe vetëm me miratim: blerjet dhe barnat e prindërve, sipas faturës, ose mjeshtri te shtëpia, pas një oferte që e ka parë familja. Nëse duhet diçka jashtë vizitave të rregullta, për shembull shoqërimi te mjeku, merremi vesh më parë për kohën dhe koston. Shërbim emergjence nuk jemi, dhe këtë e themi qartë.

    Telegrafi: Fillimisht keni paralajmëruar nisjen me dhjetë familje themeluese në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq. Pse keni zgjedhur pikërisht këto tri komuna dhe cilat janë kushtet për familjet që dëshirojnë të bëhen pjesë e kësaj faze të parë?

    Sepse aty jemi vetë në shtëpi. Prishtinën e njohim mirë, e Fushë Kosova dhe Obiliqi janë një hap larg. Kur dikujt i thua «të enjten jemi te prindërit e tu», duhet të jesh aty të enjten, me borë e pa borë. Këtë fjalë mund ta mbajmë vetëm aty ku jemi vërtet afër. Emri ynë na e kujton këtë çdo ditë.

    Për të njëjtën arsye fillojmë me vetëm dhjetë familje. Mund të kishim thënë «gjithë Kosova, menjëherë». Por më mirë dhjetë familje që flenë të qeta, sesa njëqind premtime të pambajtura.

    Kushtet janë të thjeshta: shtëpia, banesa ose prindërit duhet të jenë në njërën nga këto tri komuna. Për dhjetë familjet e para, vizita e parë është falas: te shtëpia një kontroll nga jashtë me foto të freskëta, te prindërit një vizitë njohjeje. Vetëm pastaj familja vendos nëse do të vazhdojë. Çmimi u mbetet i njëjtë për dymbëdhjetë muaj. Për kërkesën nuk duhet as pagesë, as të dhëna të kartelës.

    Familjet themeluese do ta formësojnë AFËR-in bashkë me ne.

    Telegrafi: Sa i përket familjeve që jetojnë në Zvicër, Gjermani, Austri dhe vende të tjera të Evropës, si mund të regjistrohen dhe të komunikojnë me AFËR-in? A mund të organizohet i gjithë procesi nga distanca, pa pasur nevojë që familjarët të jenë fizikisht në Kosovë?

    Po, gjithçka bëhet nga distanca. AFËR-i është menduar pikërisht për njeriun që nuk mund të marrë pushim e të fluturojë për në Prishtinë sa herë që e ha meraku.

    Fillon me një mesazh: në faqen tonë, afer-kosova.netlify.app/sq/, me tre hapa të shkurtër, ose direkt në WhatsApp, +41 79 664 87 97. Pastaj flasim, me telefon ose me video. Familja na tregon për shtëpinë ose për prindërit, e ne themi ndershmërisht nëse e mbulojmë vendin. Para vizitës së parë, familja dhe prindërit e njohin me video atë që do të vijë.

    Edhe çelësi zgjidhet pa udhëtim. Zakonisht dikush këtu e ka një çelës: fqinji, kushëriri, tezja. E marrim aty dhe dorëzimin e konfirmojmë me foto dhe nënshkrim. Kush nuk do ta japë çelësin menjëherë, fillon me kontrollin nga jashtë.

    Prej aty, gjithçka vjen në telefon: fotot, videot, mesazhet pas çdo vizite. Pagesa bëhet me transfer bankar sipas faturës. Familja mund të jetë në Cyrih, në Shtutgart ose në Vjenë, e prapë ta dijë çdo muaj si e ka shtëpinë dhe çdo javë si i ka prindërit.

    Telegrafi: Cilat janë planet tuaja për zhvillimin e mëtejshëm të AFËR-it? A synoni që shërbimi të zgjerohet edhe në qytete të tjera të Kosovës, duke pasur parasysh se familjet e mërgatës kanë prona dhe prindër edhe jashtë Prishtinës dhe komunave përreth?

    Ëndrra është e madhe, hapat janë të vegjël. E di që mërgata nuk ka shtëpi e prindër vetëm në Prishtinë. I ka në Pejë, në Gjakovë, në Prizren, në Ferizaj, në Gjilan, në Mitrovicë e në çdo fshat të Kosovës. Do të doja që një ditë asnjë familje të mos e ketë më brengën «kush po e sheh shtëpinë, kush po i sheh prindërit».

    Por nuk dua ta ndërtoj AFËR-in me premtime. Rrjet në gjithë Kosovën ende nuk kemi dhe nuk e pretendojmë. Rruga jonë është kjo: familjet nga qytetet tjera mund të na shkruajnë qysh sot. I shënojmë, dhe një qytet e hapim sapo të mblidhen mjaft familje atje dhe të kemi një njeri për të cilin garantojmë me emrin tonë.

    Data nuk premtoj. Së pari dua që dhjetë familjet e para të thonë: «Ia vlejti.» Gjithçka tjetër vjen pas kësaj.

    Telegrafi: Në prag të dimrit, kur shumë familje të mërgatës shqetësohen për shtëpitë që mbeten bosh dhe për prindërit që jetojnë vetëm, çfarë do t’u këshillonit atyre? Cili është mesazhi juaj për familjet që dëshirojnë të kenë më shumë siguri dhe afërsi me familjarët e tyre, pavarësisht distancës?

    Së pari, për shtëpinë. Gati të gjitha dëmet e dimrit mund të shmangen me një orë përgatitje para nisjes. Mbylleni ventilin kryesor të ujit dhe zbrazini gypat: uji i ngrirë i plas. Ngrohjen lëreni në mbrojtje nga ngrica, mos e fikni krejt. Hiqini pajisjet nga priza. Fotografojeni çdo dhomë dhe njehsorët. Luteni dikë ta zbrazë kutinë postare, sepse kutia e mbushur i tregon secilit se aty s’ka njeri. Dhe mos u nisni pa e ditur kush e ka çelësin dhe numrin tuaj.

    Gjatë dimrit, dikush duhet ta shohë shtëpinë së paku një herë në muaj: ta ajrosë, t’i shikojë tavanet e qoshet, e pas borës së madhe edhe çatinë. Listën e plotë, me dymbëdhjetë pika, e kemi falas në faqen tonë, edhe për ata që nuk do të bëhen kurrë klientë tanë.

    Së dyti, për prindërit. Mos u mjaftoni me «mirë jemi». Prindërit tanë na kursejnë nga brengat edhe atëherë kur u duhet ndihmë. Gjeni dikë që i sheh me sy rregullisht, qoftë fqinj, i afërm apo ne, dhe që jua thotë të vërtetën.

    E mesazhi im: largësia është çmimi që mërgata e ka paguar për një jetë më të mirë. Por largësia nuk duhet të bëhet as harresë, as ankth. Shtëpia që e keni ndërtuar me mund dhe prindërit që ju kanë rritur e meritojnë dikë afër.

    Ju jeni larg. Ne jemi afër./Telegrafi/

  • ​Mustafa kërkon hetim nga Prokuroria, paralajmëron inicimin e shkarkimit të kryetares së Autoritetit të Konkurrencës

    ​Mustafa kërkon hetim nga Prokuroria, paralajmëron inicimin e shkarkimit të kryetares së Autoritetit të Konkurrencës

    Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Arben Mustafa, ka kërkuar nga organet e Prokurorisë që të hetojnë pretendimet për parregullsi dhe paligjshmëri në Autoritetin e Konkurrencës, ndërsa ka paralajmëruar edhe inicimin e procedurave për shkarkimin e kryetares së këtij institucioni, Binaku-Isufi.

    Në një konferencë për media, deputeti nga PDK, Mustafa ka akuzuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për bllokimin e raportimit të anëtarëve të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, duke thënë se kjo po pamundëson trajtimin e pretendimeve për shkelje në këtë institucion.

    Madje ai ka deklaruar se ekzistojnë parregullsi serioze, paligjshmëri dhe anarki në funksionimin e Autoritetit të Konkurrencës.

    Sipas Mustafës, tre anëtarët e Komisionit, të zgjedhur nga Kuvendi, që nga maji i vitit 2025 nuk kanë mbajtur asnjë mbledhje, pasi kryetarja Binaku-Isufi nuk i ka ftuar për të zhvilluar takime.

    “Kemi tre anëtarë të zgjedhur të këtij komisioni, por që nga maji i vitit 2025 nuk kanë mbajtur as edhe një mbledhje, për shkak se kryetarja e këtij komisioni, zonja Binaku-Isufi, nuk i thërret anëtarët e tjerë në mbledhje të komisionit. Dhe përderisa komisioni i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës është jofunksional, gjatë kësaj periudhe kryetarja e këtij komisioni ka përvetësuar kompetencat e komisionit që është organ kolegjal. Vendimet që do të duhej t’i merrte ky komision po i merr individualisht kryetarja e këtij komisioni, duke lejuar tetë përqendrime të tregut të nënshkruara vetëm nga ajo gjatë kohës kur e ka bllokuar funksionimin e komisionit”, tha Mustafa.

    Sipas tij, vendimet që do të duhej të merreshin nga organi kolegjial janë marrë individualisht nga kryetarja, duke përmendur tetë përqendrime të tregut të nënshkruara vetëm nga ajo.

    Mustafa ka pretenduar gjithashtu se janë edhe 60 kërkesa për përqendrim të tregut që po aprovohen në heshtje, si pasojë e mosfunksionimit të këtij organi vendimmarrës.

    Ai foli edhe për vazhdimin e punës së drejtorit të Autoritetit të Konkurrencës, për të cilin ka thënë se ka dy aktakuza, duke pretenduar se nuk është zbatuar vendimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

    Mustafa: 60 kërkesa për përqendrim të tregut po miratohen në heshtje, një drejtor me 2 aktakuza vazhdon punënVideo:

    “Për më tepër, janë 60 kërkesa të përqendrimit të tregut që po aprovohen në heshtje nga ky komision për shkak të mosfunksionimit të këtij trupi kryesor vendimmarrës të Autoritetit të Konkurrencës. Po ashtu, në këtë komision kemi një drejtor të Autoritetit të Konkurrencës me dy aktakuza, që vazhdon punën normalisht, përkundër vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, për trajtimin e kësaj kërkese në Autoritetin e Konkurrencës. Pra, duke mos ftuar mbledhje të komisionit, po i mundësohet një drejtori me dy aktakuza të vazhdojë punën normalisht pa u pezulluar”, tha Mustafa.

    Ai u ka bërë thirrje organeve të Prokurorisë që të hetojnë raportimet e sinjalizuesve lidhur me pretendimet për parregullsi në këtë institucion.

    Në fund, Mustafa ka bërë të ditur se do të iniciojë procedurat për shkarkimin e kryetares së Komisionit të Konkurrencës, Binaku-Isufi, duke e akuzuar atë për uzurpim të kompetencave dhe pamundësim të funksionimit të organit kolegjial.

    “Kryetarja e këtij komisioni është ftuar për tri herë të raportojë, por refuzon raportimin në komisionin e këtij Kuvendi, i cili edhe e ka zgjedhur. Sot, duke pritur për të raportuar, dy anëtarët e tjerë të këtij komisioni ishin prezent, mirëpo raportimi i tyre u pamundësua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilëve po u pengon raportimi për parregullsinë dhe paligjshmërinë që po mbizotërojnë në Autoritetin e Konkurrencës. Nga këtu, i bëj thirrje edhe organeve të Prokurorisë që të hetojnë me seriozitetin më të madh raportimet e sinjalizuesve të ndryshëm që kanë ardhur edhe në Kuvendin e Kosovës, për paligjshmëritë që po mbizotërojnë në Autoritetin e Konkurrencës. Dhe, me këtë rast, ju njoftoj se sot iniciojnë procedurat për shkarkimin e kryetares së Komisionit të Konkurrencës, zonjës Binaku-Isufi, e cila ka uzurpuar këtë komision, duke pamundësuar funksionimin e tij”, nënvizoi Mustafa.

    Ndërkaq në Komisionin për Ekonomi ka raportuar ministrja, Artane Rizvanolli./kp/

  • Scorsese, Coppola ... dhe May? Pse Holivudi u përpoq ta shtypte regjisoren e tij të parë të madhe

    Scorsese, Coppola … dhe May? Pse Holivudi u përpoq ta shtypte regjisoren e tij të parë të madhe

    Pas disa produksioneve problematike, Elaine May u përjashtua padrejtësisht nga regjia. Filmografia e saj më në fund po merr vëmendjen që meriton.

    Nga: Tim Robey, kritik filmi / The Telegraph
    Përkthimi: Telegrafi.com

    Teksa të gjithë regjisorët e rinj më premtues në Holivud – si Francis Ford Coppola, Martin Scorsese, William Friedkin dhe Peter Bogdanovich – ishin të zënë duke mbledhur lavdinë e vitit 1973, ishte vetëm një grua së cilës studiot ishin të gatshme t’ia jepnin një mundësi. Besimi i tyre tek Elaine May do të tharbej në mënyrë të pakthyeshme jo shumë kohë më pas, pavarësisht nga talenti – i ndërthurur për të shkruar, për të bërë regji dhe për të interpretuar – për të cilin të gjithë mund ta shihnin se ishte jashtëzakonisht i veçantë.

    Woody Alleni e quajti atë “gjeni” dhe frymëzim. Ne do të shkojmë edhe më tej: nuk do të gjeni shumë sinefilë që nuk do të hiqnin dorë nga të paktën një duzinë prej 50 filmave të Allenit, po të nënkuptonte kjo se Elaine May ka mundur të bënte më shumë se vetëm katër.

    Filmi i saj i tretë, neonoar [neo-noir] me gangsterë, Miki dhe Niki [Mikey and Nicky, 1976], sapo është riedituar për 50-vjetorin e tij në një version të miratuar nga May (e cila tani është 94 vjeçe). Produksioni ishte aq i trazuar saqë filmi fare lehtë mund të ishte varrosur qysh atëherë, kur u bë i pari nga dy filmat që e çuan Mayn në burgun e regjisorëve. I dyti – fatziu Ishtar i vitit 1987 – bëri që Holivudi, në fakt, ta hidhte tutje çelësin [e burgut].

    Lexo po ashtu:
    – Pionieret e kinematografisë dhe filmat më të mirë të bërë nga gratë
    – Regjisorja e guximshme që thyente tabutë
    – Gjermanja 26-vjeçare që realizoi filmin parë të animuar me metrazh të gjatë në botë

    Miki dhe Niki është historia e një krimineli të vogël nevrik që fshihet (luajtur nga John Cassavetes), i cili nuk e kupton se miku i tij më i mirë (Peter Falk) po ia përcjell fshehurazi vendndodhjen e tyre një vrasësi me pagesë i cili sillet vërdallë me veturë (Ned Beatty). Xhirimet e filmit nisën në Filadelfi në vitin 1973 dhe ai pati një përfundim të hidhur në kinema. Ishte parashikuar të kushtonte 1.8 milionë dollarë dhe të dilte në verën e vitit 1975; në vend të kësaj, buxheti u rrit në 4.3 milionë dollarë (rreth 24 milionë sot), ndërsa May dhe Paramount ngritën padi kundër njëri-tjetrit para se dikush të merrte përsipër ta nxirrte filmin.

    May kishte të drejtën e montazhit përfundimtar, por ky privilegj iu hoq pasi ajo i la xhirimet të zgjateshin me muaj, përtej afatit, madje duke i fshehur bobinat në garazhin e një miku për të penguar ndërhyrjen e studios. Kur Paramount-i më në fund e mori materialin filmik, studioja e shkurtoi në mënyrë drastike në një version të çrregullt, plot me gabime, dhe më pas e varrosi në dhjetor të vitit 1976. Kritikët mbetën të hutuar; pothuajse askush nuk arriti ta shihte. Filmit iu deshën dekada për të dalë nga kjo shpërfillje, për t’u restauruar dhe për t’u njohur tani si një vështrim i pamëshirshëm mbi miqësinë mashkullore (dhe mizogjininë).

    May kishte qenë në luftë me drejtuesit edhe më parë. Ajo veçse e kishte paditur Paramount-in, pa sukses, për të penguar publikimin e filmit të saj të shkëlqyer debutues, Një gjethe e re [A New Leaf, 1971], pas një montazhi po aq drastik. Kjo komedi e çuditshme romantike, por e errët – në të cilën vetë May luan nusen e turpshme dhe të dashuruar të një vrasësi të mundshëm që thur plane (Walter Matthau) – ia doli mjaft mirë edhe në versionin e Paramount-it: u nominua për dy çmime të Globit të Artë, përfshirë Aktoren më të Mirë për Mayn. Meqë dukej sikur po bënte çmos për të sabotuar një sukses të mundshëm, pikërisht aty duhet të kenë nisur pëshpëritjet për perfeksionizmin e pabindur të skenaristes-regjisores-aktores.

    Për lehtësimin e të gjithëve, filmi i saj pasues, Zemërthyesi [The Heartbreak Kid, 1972], kaloi pa probleme, me ndërhyrje minimale nga 20th Century Fox. Në këtë histori dashurie të përmbysur mizorisht, shitësi i pashpirt i luajtur nga Charles Grodin, nis ta braktisë nusen e tij që i rri ngjitur (Jeannie Berlin, vajza e Mayt) gjatë muajit të tyre të mjaltit. Në film luan gjithashtu Cybill Shepherd si studentja e bukur që ai do të donte t’i vardisej në vend të saj, dhe Eddie Albert si babai i Shepherdit i cili e kundërshton fuqishëm këtë lidhje; filmi i Mayit ua siguroi si Albertit, ashtu edhe Berlinit, nominimet për Oskar. Vetëm pas kësaj përvoje pozitive, Paramount-i u bind t’i jepte asaj një shans të dytë.

    Si rregull, grave thjesht nuk u lejohej të bënin regji të filmave në Holivud para viteve ’80 të shekullit XX – me një numër shumë të vogël përjashtimesh. Para se May t’i merrte këto mundësi, vetëm dy gra ishin lejuar të anëtarësoheshin në Shoqatën e Regjisorëve të Amerikës [Directors Guild of America – DGA] – Dorothy Arzner dhe Ida Lupino. Në vitin 1971, vitin e Një gjetheje të re dhe të padisë së saj të parë kundër Paramount-it, May u bë e treta.

    Fakti që dikush e lejoi Mayn të qëndronte pas kamerës i detyrohej punës së saj në komedinë e improvizuar 15 vjet më parë, në partneritet me Mike Nicholsin. Ata ishin të parapëlqyerit e Broduejit me dyshen e tyre, Nikols dhe Mej, para se të ndanin rrugët në vitin 1961 – gjë që Nicholsi, në atë kohë, e përjetoi si katastrofë. Ai u bë një regjisor jashtëzakonisht punëtor, më i vlerësuari në skenën e Nju-Jorkut, dhe më pas bëri nga kalimet më të bujshme në kinema të regjistruara ndonjëherë, duke fituar Oskarin për Regjinë më të Mirë dy vjet radhazi – më 1967 dhe 1968 (për Who’s Afraid of Virginia Woolf? dhe The Graduate).

    Rruga e Mayt, si gjithmonë, ishte sfidë. Për të, as edhe një nominim për regji: asnjë grua nuk mori një të tillë deri te pionierja italiane Lina Wertmüller më 1978, dhe vetëm tetë gra të tjera e kanë marrë ndonjëherë këtë nominim (Jane Campion dhe Chloé Zhao nga dy herë, Sofia Coppola, Kathryn Bigelow, Greta Gerwig, Emerald Fennell, Justine Triet dhe Coralie Fargeat), krahasuar me 251 burra.

    Ndryshe nga Nicholsi, May do të vazhdonte të aktronte herë pas here në filma dhe të shkruante pjesë teatrale. Prej kohësh është pranuar se ajo ishte forca e vërtetë krijuese e dyshes, ndërsa Nicholsi u jepte formë ideve të saj. Nga katër filmat e saj, vetëm njëri u shkrua nga dikush tjetër (Neil Simon, i cili shkroi Zemërthyesin), dhe fuqia e ndjeshmërisë së saj artistike në atë film ndihet ende. Ajo nuk iu nënshtrua kurrë vizionit të dikujt tjetër dhe as nuk u kënaq duke e bërë atë që i thuhej.

    Në një botë tjetër, Ishtari mund ta kishte rehabilituar, në vend që t’ia fundoste përgjithmonë karrierën si regjisore. Kjo komedi aventureske dhe e mundimshme nuk do të ishte realizuar kurrë sikur të dy yjet e filmit, Warren Beatty dhe Dustin Hoffman, të mos mendonin se ia kishin një borxh. May jo vetëm që kishte bashkëshkruar suksesin e madh të Beattyt, Parajsa mund të pret [Heaven Can Wait, 1978] – për të cilin ata u nominuan për Oskar – por, kishte ndihmuar jashtëzakonisht shumë gjatë produksionit problematik të projektit të tij të zemrës, Kuqët [Reds, 1981], duke përpunuar rolet për të cilat Jack Nicholson dhe Diane Keaton do të lavdëroheshin. Më pas, sipas vetë Hoffmanit, rishikimet që May i bëri filmit Tutsi [Tootsie, 1982] bënë që i gjithë filmi të funksiononte, duke pasuruar rolet e grave dhe duke krijuar nga e para personazhin shumë të dashur të Bill Murrayt.

    Beatty, në veçanti, mendonte se mund ta mbronte Mayn, duke u përfshirë si producent dhe aktor kryesor dhe duke e mbrojtur nga çfarëdo ndërhyrjeje e rëndë që studioja, Columbia Pictures, mund të impononte. Koncepti dhe skenari ishin të sajat: filmi do të ishte një variant i një komedie Hope/Crosby, për një dyshe këngëtarësh lokalesh me talent minimal të cilët sigurojnë një angazhim në Marok dhe përfundojnë në mes të zjarrit të një kryengritjeje politike kaotike.

    Fakti që filmi do të bëhej sinonim i fryrjes së buxhetit dhe i një dështimi epokal në arkë, kjo duket se prej kohësh i është faturuar Mayt. Disa nga provat e mbështesin këtë; disa jo.

    Fiaskoja e Mikit dhe Nikit ia kishte bërë reputacionin jo vetëm si dikush që kundërshtonte kontrollin e studios, por edhe si dikush që xhironte shumë dubla të cilat nuk përdoreshin: mendohet se gjatë 110 netëve të xhirimeve ajo ekspozoi rreth 1.4 milionë këmbë film [426 mijë metra] (tri herë më shumë se sasia e përdorur për Gone with the Wind). Në Ishtar u ekspozua më pak se gjysma e kësaj sasie, por 650 mijë këmbë film [198 mijë metra] janë prapëseprapë shumë. Sipas raportimeve të shtypit, një pjesë e madhe e tyre u harxhua në dhjetëra dubla me një deve kokëfortë, me të cilën personazhi i Beattyt duhej të përleshet nëpër shkretëtirë. (Edhe kërkimi për ta gjetur devenë e duhur, të cilën May dëshironte që në kamera të dukej e verbër, zgjati gjashtë javë.)

    Shtypi sajoi histori të pambështetura për përplasje egosh dhe bëri gjithçka të mundur për ta ekzagjeruar kaosin dhe koston. Krahasoni mënyrën si u trajtua May në krahasim, fjala vjen, me Stanley Kubrickun, dublet po aq të pafundme të të cilit (në The Shining ose Eyes Wide Shut – të dy filmat kaluan një milion këmbë film) bënë që ai të shpallej gjeni i artit të vet, obsesivisht kërkues, dhe jo njeri shpërdorues.

    Jo kështu May: thikat ishin nxjerrë kundër saj shumë kohë përpara se Ishtari të mbërrinte me vështirësi në kinema. Dhe, ndonëse pa dyshim është marrëzi, nuk është aspak një nga filmat më të këqij të bërë ndonjëherë (siç deklaruan disa kritikë për ta ushqyer zhurmën). Edhe pse buxheti përfundimtar prej 51 milionë dollarësh ishte i majmë, dy yjet meshkuj morën nga 5.5 milionë dollarë secili, ndërsa pjesa e Mayt ishte vetëm 1.5 milionë dollarë.

    Mizogjinia erdhi si sulm nga dy krahë – si nga shtypi, ashtu edhe nga pushtetarët e Holivudit. Pasi David Puttnam u soll për të drejtuar Columbia-n në qershor 1986, Beatty dhe May mendonin se Puttnami po e shfrytëzonte gjithë shtypin toksik për të ndihmuar në sabotimin e daljes së filmit të tyre, për t’ia hedhur fajin regjimit të vjetër dhe për të forcuar pozitën e vet (për më tepër, Chariots of Fire i Puttnamit kishte mundur Reds-in e Beattyt në Oskarët e vitit 1982 dhe që atëherë mes tyre kishte pasur armiqësi). Beatty dhe May filluan të dyshonin për rrjedhje dashakeqe informacioni, si thashethemi se May kishte kërkuar nga ekipi i saj të rrafshonte një dunë të tërë rëre në Sahara, sepse donte një horizont të rrafshët. Nuk ka asnjë provë se kjo ka ndodhur ndonjëherë. Por, kjo ushqeu mitet se May ishte ekscentrike, e vështirë, jashtë realitetit dhe shpërdoruese si e kohës, ashtu edhe e parave.

    Sipas këtij leximi të historisë së filmit, Ishtari dhe May ishin thjesht qengja kurbani – të flakur nën autobus gjatë një riorganizimi drejtuesish, në një përplasje egosh që zhvillohej kryesisht mes burrave. Ironikisht, burrat që silleshin në mënyrë toksike dhe gratë që u hidheshin ujqërve ishin pikërisht tema e kalbur që përshkonte të gjithë filmat e Mayt. Ndoshta fakti që ajo i kishte paraqitur këto të vërteta kaq haptazi, nga një këndvështrim femëror që ua ulte djemve përmasat, ishte edhe një arsye tjetër pse donin ta ndalonin.

    Nuk kishte asnjë mënyrë që një May t’i mbijetonte një Ishtari – por, një Beatty ia doli, dhe kjo thotë shumë. Ai pati mjaft ndikim saqë brenda pak vitesh të merrte dritën e gjelbër për Dick Tracy dhe Bugsy. Zgjedhja e vetme e Mayt ishte të tërhiqej përsëri në korsinë e saj si skenariste me porosi (bëri një punë të shkëlqyer në The Birdcage dhe në dramën politike të nominuar për Oskar, Primary Colors). Ëndrrat e saj u zvogëluan dhe talenti i saj u vu në zinxhir. Deri tani. Mund të kenë kaluar 50 vjet, por filmografia e vogël dhe e fuqishme e Mayt më në fund po merr vëmendjen që meriton. /Telegrafi/

  • Real Madrid, Atletico dhe Chelsea synojnë transferimin e yllit të Arsenalit në janar

    Real Madrid, Atletico dhe Chelsea synojnë transferimin e yllit të Arsenalit në janar

    Real Madridi, Atletico Madridi dhe Chelsea po e monitorojnë Martin Zubimendin përpara një transferimi të mundshëm në janar, me Arsenalin që thuhet se është i hapur për të shqyrtuar ofertat për mesfushorin.

    Lojtari spanjoll fillimisht u bë një figurë kyçe nën drejtimin e Mikel Artetas pas transferimit të tij prej 70 milionë eurosh nga Real Sociedad në verën e vitit 2025.

    Megjithatë, rritja e konkurrencës e ka kufizuar ndikimin e tij, me Bruno Guimaraes dhe Declan Rice që së fundmi kanë formuar partneritetin e preferuar të Arsenalit në mesfushë.

    Thuhet se “Topçinjtë” do të donin të rikuperonin të paktën 70 milionë euro që investuan në Zubimendin.

    Një largim i tij mund të ndihmonte gjithashtu në financimin e ndjekjes së një sulmuesi anësor të shpejtë për të forcuar opsionet sulmuese të Artetas.

    Zubimendi mbetet një opsion i vlefshëm për skuadrën, që do të thotë se çdo marrëveshje e mundshme do të varet nga marrja e një oferte të pranueshme nga Arsenali. /Telegrafi/

  • Polestar prezanton konceptin mbresëlënës Formula 2030, por vetura nuk pritet të hyjë në prodhim

    Polestar prezanton konceptin mbresëlënës Formula 2030, por vetura nuk pritet të hyjë në prodhim

    Polestar ka prezantuar konceptin e ri Formula 2030, një veturë elektrike sportive me dizajn futurist që ofron një pasqyrë të drejtimit që mund të marrë pamja e modeleve të ardhshme të markës suedeze. Megjithatë, kjo veturë me pesë dyer nuk pritet të arrijë në prodhim, ndonëse disa nga elementet e saj do të përdoren në modelet e ardhshme të kompanisë.

    Prezantimi vjen në një periudhë sfiduese për Polestar në tregun amerikan. Marka në pronësi të grupit Geely pritet të përballet me kufizime në SHBA për shkak të rregullave të reja për automjetet e lidhura me internetin, të cilat hyjnë në fuqi nga viti model 2027, transmeton Telegrafi.

    Lidhjet teknologjike të kompanisë me Kinën bëjnë që ajo të preket nga këto masa. Megjithatë, Polestar mbetet optimiste për të ardhmen, pasi tregu amerikan përbën vetëm një pjesë të shitjeve të saj globale.

    Sa i përket konceptit Formula 2030, ai bie në sy për pamjen agresive, karrocerinë e gjerë, profilin shumë të ulët dhe rrotat masive 22-inç me fiksim qendror. Nga ana e dizajnit, vetura të kujton një version futurist të Volvo C30, por me një konfigurim pa shtylla tradicionale dhe me dy dyer shtesë në pjesën e pasme, të cilat hapen në drejtim të kundërt për ta lehtësuar hyrjen dhe daljen.

    Pjesa e përparme i jep pamjen e një veture sportive, megjithëse koncepti është projektuar si një automjet praktik me katër ulëse dhe dy hapësira për bagazhe. Në pjesën e pasme, Polestar e përshkruan dizajnin si të ngjashëm me një UFO, ndërsa vëmendjen më të madhe e tërheqin dritat e reja, të cilat largohen nga shiriti i pandërprerë ndriçues që është bërë i zakonshëm në shumë modele moderne.

    Formula 2030 është 4.680 milimetra e gjatë, 2.021 milimetra e gjerë dhe vetëm 1.350 milimetra e lartë. Kjo e bën më të madhe se Polestar 2, por edhe më të ulët se Polestar 4 i ri. Baza e rrotave prej 2.780 milimetrash ofron hapësirë të konsiderueshme për një automjet të kësaj madhësie, falë platformës së dedikuar për veturat elektrike.

    Ndër elementet e tjera interesante janë fshirësja e vetme e xhamit të përparmë, e vendosur vertikalisht si në veturat e garave, çatia pothuajse tërësisht prej xhami që përfundon me një spoiler të madh, si dhe sensori LiDAR, i cili del në pah vetëm kur aktivizohet sistemi i drejtimit autonom.

    Edhe pjesa e pasme është projektuar me një xham të gjerë, në harmoni me atë të përparmë, duke krijuar një kabinë të ndriçuar mirë, pavarësisht profilit të ulët të veturës.

    Brendësia e Formula 2030 sjell disa zgjidhje të veçanta. Koncepti ka katër ulëse individuale me mbështetëse dhe jastëkë të fryrë, të cilët përshtaten sipas trupit të secilit pasagjer.

    Kabina është e orientuar kryesisht drejt shoferit. Ajo përfshin një ekran të lakuar 20-inçësh, të vendosur drejtpërdrejt në kolonën e timonit, si dhe një ekran qendror me prekje prej 12.2 inçësh, të integruar në tunelin qendror.

    Megjithatë, Polestar nuk është mbështetur tërësisht te ekranet me prekje. Nën ekranin qendror janë vendosur tetë kontrolle fizike të personalizueshme, të cilat mund të konfigurohen me lloje të ndryshme ndërprerësish dhe rrotulluesish. Kjo përbën një qasje ndryshe nga tendenca e industrisë së automobilave për të zëvendësuar pothuajse të gjithë butonat tradicionalë me ekrane.

    Një tjetër veçori është përshtatja e kabinës sipas mënyrës së zgjedhur të vozitjes. Në modalitetin autonom, ekrani qendror ngrihet nga paneli, ndërsa timoni dhe ulësja largohen nga njëri-tjetri. Në modalitetin Performance, ekrani ulet në konzolën qendrore, kurse timoni dhe ekrani përpara shoferit afrohen drejt tij.

    Polestar nuk ka publikuar ende të dhëna teknike për sistemin e lëvizjes së Formula 2030. Dihet vetëm se bëhet fjalë për një koncept elektrik, por kompania nuk ka zbuluar fuqinë e motorëve, kapacitetin e baterisë apo shifrat e performancës.

    Kjo është veçanërisht interesante duke pasur parasysh pamjen sportive dhe amortizatorët Öhlins, të frymëzuar nga garat automobilistike, që sugjerojnë potencial të lartë për performancë.

    Koncepti ka edhe një hapësirë të posaçme në bagazhin e përparmë për helmetat e garave dhe një fikës zjarri. Kjo pjesë është e përforcuar me një shufër strukturore ngjyrë ari, e cila ndihmon në rritjen e ngurtësisë së shasisë.

    Megjithëse Formula 2030 nuk pritet të prodhohet në këtë formë, Polestar ka konfirmuar se disa prej elementeve të dizajnit të saj do të kalojnë te modelet e ardhshme të markës.

    Këto përfshijnë gjeneratën e re të Polestar 2, e cila pritet të prezantohet në vitin 2027, si dhe SUV-in elektrik kompakt Polestar 7, që planifikohet të vijë në vitin 2028.

    Kështu, edhe pse kjo veturë sportive me pesë dyer ka pak gjasa të dalë në treg, idetë më të mira të saj nuk do të mbeten vetëm në studion e dizajnit. /Telegrafi/

  • “Nuk jam gati”, futbollisti i Barcelonës e lë Kombëtaren me lot në sy

    “Nuk jam gati”, futbollisti i Barcelonës e lë Kombëtaren me lot në sy

    “Nuk jam gati”, futbollisti i Barcelonës e lë Kombëtaren me lot në sy

    Andreas Christensen po kalon një periudhë të vështirë për shkak të problemeve të vazhdueshme fizike.

    Mbrojtësi i Barcelonës ka refuzuar ftesën e Danimarkës për këtë periudhë ndërkombëtare, pasi nuk dëshiron të rrezikojë një tjetër dëmtim pas rikthimit të fundit në fushë.

    Trajneri Brian Riemer ka treguar se futbollisti e ka marrë këtë vendim me shumë vështirësi, pasi është shumë i lidhur me përfaqësuesen daneze, përcjell “Gazeta Express”.

    Sipas tij, Christensen ishte në prag të lotëve gjatë bisedës telefonike, duke shprehur zhgënjimin për pamundësinë që të ndihmojë kombëtaren.

    “Edhe nëse mund të qëndrojë në bankinë dhe të luajë pesë minuta, ai ende ka rrugë të gjatë deri te gatishmëria për të përballuar 90 minuta në nivelin më të lartë”, u shpreh Riemer.

    Statistikat tregojnë përmasat e problemeve të tij: sezonin e kaluar humbi 36 ndeshje, ndërsa në edicionin 2024/25 mungoi në 50 takime për shkak të problemeve me tendinën e Akilit dhe dëmtimeve muskulore.

    Danimarka shpreson ta ketë sërish në dispozicion në muajin mars.

    Burimi: Insajderi

  • I’m not ready, Barcelona football player leaves the National with tears

    Andreas Christensen is going through a difficult time because of constant physical problems.

    Barcelona’s defender has refused Denmark’s invitation for this international period, as he does not want to risk another injury following his recent return to the field.

    Coach Brian Riemer has shown that the footballer has made this decision with great difficulty, as he is very close to the Danish representative, records Gazzeta Express.

    According to him, Christensen was on the verge of tears during the telephone conversation, expressing disappointment over the inability to help the national.

    Even if he can stay at the bank and play five minutes, he still has a long way to the readiness to face 90 minutes at the highest level, Riemer said.

    Statistics show the size of his problems: last season lost 36 matches, while in the 2024/25 edition, 50 meetings were missed due to problems with Achilles’ tendon and muscle injuries.

    Denmark hopes to make it available again in March.

    Source Layer: Insander

  • Dellova largohet nga grumbullimi i Kosovës, kjo është arsyeja

    Dellova largohet nga grumbullimi i Kosovës, kjo është arsyeja

    Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se Dellova është liruar nga grumbullimi pas ekzaminimeve mjekësore, të cilat kanë konfirmuar se ai nuk është në gjendje të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda.

    Sipas njoftimit, futbollisti kishte shprehur dëshirën për të qëndruar me ekipin dhe për ta ndihmuar Kosovën në këto dy përballje, por gjendja e tij fizike nuk ia mundëson një gjë të tillë.

    FFK-ja i ka uruar Dellovës rikuperim sa më të shpejtë dhe rikthim sa më parë në fushën e gjelbër.

    Kujtojmë se Kosova do të përballet me Izraelin më 14 nëntor në Prishtinë, ndërsa më 17 nëntor do të luajë në udhëtim kundër Irlandës.

    Burimi: RTKLive

  • Haxhiu takon drejtorin e lartë të IRI-së, temë edhe bashkëpunimi parlamentar

    Haxhiu takon drejtorin e lartë të IRI-së, temë edhe bashkëpunimi parlamentar

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim Stephen B. Nix, drejtor i lartë për Evropë dhe Euroazi në Institutin Republikan Ndërkombëtar (IRI).

    Haxhiu ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar për zhvillimet në Kosovë, punën e Kuvendit dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit parlamentar.

    Temë e diskutimit kanë qenë edhe prioritetet legjislative, mbikëqyrja parlamentare dhe rëndësia e dialogut e bashkëpunimit ndërmjet grupeve parlamentare.

    Po ashtu, sipas Haxhiut, janë shkëmbyer pikëpamje për zhvillimet politike në Ballkanin Perëndimor, sfidat rajonale dhe rëndësinë e stabilitetit e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit.

    Në fund, Haxhiu ka falënderuar Nix për takimin dhe ka vlerësuar kontributin e IRI-së ndër vite në zhvillimin e demokracisë në Kosovë, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit, veçanërisht në forcimin e kapaciteteve parlamentare.

    Burimi: RTKLive

  • Haxhiu meets IRI top director, topic and parliamentary co-operation

    Kosovo Parliament Speaker Albulen Haxhiu has hosted the Stephen B meeting. Nix, senior director for Europe and Eurasian at the International Republican Institute ( IRI).

    Haxhiu has announced that during the meeting, they have discussed developments in Kosovo, the work of the Parliament, and possibilities for strengthening parliamentary co-operation.

    The topic of discussion has also been legislative priorities, parliamentary supervision and the importance of dialogue and co-operation among parliamentary groups.

    Also, according to Haxhiu, views for political developments in the Western Balkans have been exchanged, regional challenges and the importance of stability and co-operation among the countries of the region.

    In the end, Haxhiu has thanked Nix for the meeting and has praised the IRI’s contribution over the years to developing democracy in Kosovo, expressing readiness for continued co-operation, especially in strengthening parliamentary capacities.

    Source Layer: RTKLive