Category: Lajme

  • Publikohen detajet e "Marrëveshjes së Mekës" - Turqia, Arabia dhe Pakistani

    Publikohen detajet e “Marrëveshjes së Mekës” – Turqia, Arabia dhe Pakistani

    Qeveria turke ia ka dorëzuar të martën parlamentit të vendit tekstin e Paktit të Mbrojtjes së Mekës, marrëveshje që Turqia e nënshkroi në gusht me Arabinë Saudite dhe Pakistanin.

    Të tria vendet nënshkruan më 7 gusht në Mekë një marrëveshje të përbashkët mbrojtjeje, përmes së cilës zotohen ta mbrojnë njëra-tjetrën, në mënyrë të ngjashme me nenin 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, që rregullon mbrojtjen kolektive të anëtarëve të NATO-s.

    Teksti i marrëveshjes, të cilin e ka siguruar portali Middle East Eye, zbulon hollësitë e këtij zotimi.

    Marrëveshja nuk e përcakton asnjë shtet apo rajon si kërcënim të drejtpërdrejtë. Në nenin e parë thuhet se, nëse kërcënohet integriteti territorial, sovraniteti apo kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të cilitdo prej vendeve nënshkruese, palët do të përdorin “të gjitha mjetet e nevojshme” për ta eliminuar kërcënimin.

    Sipas nenit të dytë, një sulm i armatosur nga jashtë ndaj cilitdo prej vendeve nënshkruese do të konsiderohet sulm ndaj të gjitha palëve.

    Nëse njëri prej shteteve përballet me sulm të armatosur ose agresion ushtarak nga një shtet tjetër apo nga një grup shtetesh, dy të tjerat obligohen t’i ofrojnë menjëherë ndihmë, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë e mbështetjes së ndërsjellë që kanë në dispozicion.

    Shtrirja dhe lloji i ndihmës do të përcaktohen pas një vlerësimi objektiv të nevojave të vendit të sulmuar dhe në përputhje me burimet e disponueshme, përfshirë mjetet dhe kapacitetet ushtarake. Kjo bëhet me qëllim të garantimit të së drejtës për vetëmbrojtje, të parashikuar në nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara.

    Shkëmbimi i inteligjencës, armëve dhe karburantit

    Marrëveshja parasheh bashkëpunim në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, prodhim të përbashkët, kërkime shkencore, shkëmbim të personelit, si dhe organizimin e trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta ushtarake.

    Vendet do të shkëmbejnë informacione të inteligjencës përmes kanaleve të sigurta, të dakorduara paraprakisht.

    Në kohë paqeje, lufte dhe situatash të tjera të jashtëzakonshme, ato do t’i ofrojnë njëra-tjetrës mbështetje logjistike, përfshirë armë, municion, karburant dhe pjesë rezervë.

    Informacionet konfidenciale të siguruara në kuadër të marrëveshjes nuk do të mund të ndahen me shtete, kompani apo persona jashtë këtij bashkimi.

    Palët janë zotuar gjithashtu të luftojnë së bashku terrorizmin, përfshirë bashkëpunimin në nivel operacional, si dhe të zhvillojnë konsultime të rregullta për çështjet e sigurisë ndërkombëtare.

    Sekretariati do të vendoset në Arabinë Saudite

    Marrëveshja parasheh krijimin e një Komiteti Strategjik Politik dhe të Mbrojtjes, në përbërje të të cilit do të jenë ministrat e jashtëm, ministrat e mbrojtjes dhe shefat e shtabeve të përgjithshme të tri vendeve.

    Komiteti do të mblidhet dy herë në vit, me takime që do të organizohen me rotacion në secilin prej vendeve anëtare.

    Udhëheqësit e shteteve mund të takohen një herë në vit, nëse e vlerësojnë të nevojshme.

    Komiteti do të përcaktojë, me konsensusin e tri vendeve themeluese, edhe rregullat për anëtarësimin e shteteve të tjera në marrëveshje.

    Sekretariati i komitetit do të vendoset në Arabinë Saudite dhe do të udhëhiqet nga një sekretar i përgjithshëm, me mandat trevjeçar. Emërimi do të bëhet me rotacion ndërmjet vendeve themeluese.

    Sekretari i parë i përgjithshëm do të jetë shtetas i Pakistanit.

    Marrëveshja përbëhet nga 16 nene dhe nuk ka afat të përcaktuar për përfundimin e saj. Ajo do të hyjë në fuqi pasi vendi i fundit nënshkrues të depozitojë dokumentin e ratifikimit.

    Megjithatë, një shtet mund të tërhiqet nga marrëveshja vetëm pasi të kenë kaluar dhjetë vjet nga hyrja e saj në fuqi. Për këtë duhet t’i njoftojë me shkrim vendet e tjera, të paktën tre muaj përpara.

    Dokumenti është nënshkruar në gjuhën turke, arabe dhe angleze. Në rast të dallimeve në interpretim ndërmjet versioneve, përparësi do të ketë teksti në gjuhën angleze. /Telegrafi/

  • Kambovski: Propozimi për provimin e jurisprudencës në dy gjuhë është racional

    Kambovski: Propozimi për provimin e jurisprudencës në dy gjuhë është racional

    Propozimi i Ministrisë së Drejtësisë për të dhënë provimin e jurisprudencës në të dy gjuhët, maqedonisht dhe shqip, është racional, tha akademiku Vllado Kambovski, pasi studentët shqiptarë e refuzuan pardje dhe këmbëngulin që i gjithë provimi të jetë në gjuhën shqipe, përndryshe do të protestojnë përsëri.

    Kryeministri Hristijan Mickoski është i vendosur që pjesa me gojë e provimit të mbetet në gjuhën maqedonase, pra që “lingua franca” në sistemin gjyqësor të jetë maqedonishtja. Nga ana tjetër, Kambovski për “Sloboden Peçat” thotë se më e rëndësishme është të ketë terminologji ligjore të harmonizuar, si dhe kurrikula të harmonizuara në fakultetet e drejtësisë, ndërsa ka propozuar një iniciativë për terminologji dhe literaturë të detyrueshme të harmonizuar.

    “Në kushtet aktuale, ky propozim duket racional nëse marrim parasysh se këto janë fushat më të ndjeshme në fushën e drejtësisë, ku është jashtëzakonisht e rëndësishme të kemi terminologji ligjore të harmonizuar, përdorimin e asaj terminologjie në gjuhë të ndryshme, etj. Se terminologjia ligjore në vendin tonë nuk është mjaftueshëm e përpunuar dhe e zhvilluar në lidhje me të gjitha gjuhët e kërkuara për dhënien e provimit dhe, nga ana tjetër, harmonizimi i kurrikulave në përgjithësi është i nevojshëm në të gjitha fakultetet juridike, jo vetëm për këto dy lëndë, por edhe për lëndët e tjera, prandaj i propozova Ministrit të Drejtësisë dhe kolegëve të tjerë që të nisin iniciativën e mëposhtme në të gjitha fakultetet juridike, pavarësisht gjuhës që studiohet, të kenë një fond të vetëm të njësive të detyrueshme programore, lëndëve, që përputhen me përmbajtjen e atyre programeve, të kenë literaturë të detyrueshme që është e harmonizuar për të gjitha ato lëndë, pavarësisht nëse është në maqedonisht, anglisht, shqip apo në ndonjë gjuhë tjetër”, tha Kambovski.

    Akademiku beson se kjo do të kapërcejë problemet, dhe jo vetëm çështjen se në cilën gjuhë duhet dhënë provimi. Sipas tij, gjëja më e rëndësishme është se çfarë njohurish të përdorshme do të kenë ata studentë nesër kur të hyjnë në sistemin gjyqësor dhe të angazhohen në një nga profesionet ligjore, në një mënyrë që do të mundësojë arritjen e qëllimeve të ligjit, që është drejtësia./Telegrafi/

  • 'Gjithçka është shkatërruar', thotë pronarja e një farmacie - pas protestave në Paris

    ‘Gjithçka është shkatërruar’, thotë pronarja e një farmacie – pas protestave në Paris

    Të shtunën, Franca u trondit nga disa prej trazirave më të rënda të viteve të fundit, vetëm gjashtë muaj para se vendi të zgjedhë pasuesin e presidentit Emmanuel Macron.

    Pamje të përleshjeve dhe ndërtesave publike të vëna në zjarr apo të vandalizuara qarkulluan në mbarë botën, duke bërë që disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe Gjermaninë, të lëshonin njoftime për qytetarët e tyre që ndodhen në Francë.

    Ndërkohë, mes banorëve vendas ka mbizotëruar zemërimi, pasi u bë e ditur se të paktën 3,000 dyqane në mbarë vendin janë vandalizuar ose plaçkitur.

    “Përmasat e dëmeve janë të jashtëzakonshme. Gjithçka është shkatërruar, gjithçka. Nuk më ka mbetur asnjë mall, e dogjën të gjithën”, ka thënë për Euronews, Odelia, pronare e një farmacie në Paris.

    – YouTube www.youtube.com

    “Nuk e kuptoj dot se si dikush mund t’i vërë zjarrin një ndërtese, kur sipër saj ka banesa”.

    “U sollën si kafshë. Shkulën ngrohësen e ujit. Shkatërruan ndriçuesit. A kështu protestohet kundër kostos së lartë të jetesës?”.

    Ndërkaq, të martën, Franca do të vendosë masa të reja kufizuese të lëvizjes (orë policore) në zonat ku është e nevojshme, deklaroi Sébastien Lecornu, duke shtuar se masat e marra një ditë më parë në disa qytete “ndihmuan që nata të kalonte e qetë”.

    Nën presion, qeveria ka planifikuar një tjetër seri takimesh urgjente për të martën, përfshirë bisedime me përfaqësues të platformave kryesore të rrjeteve sociale. /Telegrafi/

  • "Tani jam një njeri tjetër", ylli i Tottenhamit flet pas rikthimit në fushë pas 526 ditësh

    “Tani jam një njeri tjetër”, ylli i Tottenhamit flet pas rikthimit në fushë pas 526 ditësh

    Dejan Kulusevski ka thënë se ndihet si një “njeri tjetër” pasi u rikthye në ekipin e Tottenhamit pas një pushimi të gjatë për shkak të lëndimeve. Reprezentuesi suedez luajti minutat e tij të para për 526 ditë në fitoren ndaj Coventry Cityn të hënën mbrëma.

    Suedezi, i cili e përshkruan veten si një “njeri më të zgjuar” dhe “të ndryshëm”, hyri në fushë në minutën e 86-të. Ishte paraqitja e tij e parë që nga 11 maji 2025, kur pësoi një dëmtim të rëndë në gju. Rikthimi i tij erdhi në ndeshjen në të cilën Tottenham regjistroi fitoren e parë të sezonit të ri të Ligën Premier, duke mposhtur Coventry City 3-1.

    Kulusevski theksoi se koha e tij larg fushës i ka ndryshuar perspektivën për futbollin, por edhe për identitetin e tij si sportist profesionist.

    “Jam shumë mirënjohës që më është dashur të kaloj nëpër këtë. Tani jam gati për futbollin. E shoh veten ndryshe. Mendoj se jam një person tjetër. Jam ende i njëjti fëmijë që dëshiron të luajë futboll, por jam pak më i zgjuar, kështu që jam i lumtur”, ka thënë fillimisht Kulusevski për Sky Sports.

    Rritja personale gjatë rikuperimit

    Ish-lojtari i Juventusit reflektoi mbi tendosjen mendore dhe fizike të rikuperimit të tij dhe theksoi rritjen personale që ka përjetuar gjatë asaj kohe. Ai tha se është krenar për qëndrueshmërinë që ka treguar gjatë mungesës së tij të gjatë nga fusha. Kthimi i tij është një nxitje e madhe për klubin londinez, të cilit i ka munguar depërtimi dhe kreativiteti i tij në krah.

    Suedezi foli me qetësi për 17 muajt e fundit të rikuperimit. “Do t’u tregoj të gjithëve për këtë udhëtim. Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme, edhe pse ndonjëherë ka qenë e vështirë; e vështira është në të vërtetë e bukur”, tha ai.

    Lëndim kompleks dhe rikuperim i gjatë

    Kulusevski pësoi një dëmtim kompleks në gju kundër Crystal Palace, me dëmtime të rënda të kërcit. Edhe pse iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale shpejt, rikuperimi i tij ishte i ndërlikuar, duke kërkuar ndërhyrje kirurgjikale shtesë korrigjuese dimrin pasardhës. Ish-lojtari i Juventusit humbi të gjithë sezonin 2025/26 për shkak të këtyre problemeve.

    Rimëkëmbja zgjati një vit e gjysmë dhe përbëhej nga stërvitje e pavarur në palestër dhe rehabilitim intensiv. Performanca kundër Coventry shënoi fundin e një mungese pothuajse 18-mujore nga fusha, e cila ishte një nga periudhat më të vështira të karrierës së tij. /Telegrafi/

  • Banorët e Albertës kanë zgjedhur qartë të mbeten pjesë e Kanadasë, thotë kryeministri Carney

    Banorët e Albertës kanë zgjedhur qartë të mbeten pjesë e Kanadasë, thotë kryeministri Carney

    Kryeministri kanadez, Mark Carney, ka deklaruar se banorët e provincës së Albertës kanë bërë një “zgjedhje të qartë” kundër pavarësisë, pasi rezultatet e para tregojnë se rreth tri të katërtat e votuesve kanë mbështetur qëndrimin e provincës në përbërje të Kanadasë.

    Sipas BBC-së, votuesit në Alberta po vendosnin nëse provinca duhej të mbetej pjesë e Kanadasë apo të vazhdonte drejt një referendumi për pavarësi.

    “Alberta zgjodhi Kanadanë”, ka deklaruar Carney, duke reaguar ndaj rezultateve paraprake të votimit.

    Megjithatë, pavarësisht epërsisë së kampit që mbështet qëndrimin në Kanada, separatistët kanë pretenduar se kanë arritur një fitore të tyren. Udhëheqësi i lëvizjes separatiste, Jeffrey Rath, i ka thënë BBC-së se lëvizja e tij nuk do të ndalet.

    Ndërkohë, kryeministrja e Albertës, Danielle Smith, ka deklaruar se qytetarët kanë “votuar për një Alberta më të fortë”. Ajo pritet t’u drejtohet qytetarëve për të komentuar rezultatet e votimit dhe hapat e ardhshëm për provincën.

    Përveç çështjes së pavarësisë, votuesit janë pyetur edhe për një sërë çështjesh të tjera, përfshirë imigracionin dhe identifikimin e votuesve.

    Reagime ndaj rezultateve priten edhe nga liderë të tjerë politikë kanadezë. Kreu i Partisë së Re Demokratike, Avi Lewis, pritet të mbajë një konferencë për media, ndërsa edhe lideri konservator Pierre Poilievre, deputet nga Alberta, pritet të komentojë rezultatet.

    Sipas BBC-së, votimi nuk nënkupton domosdoshmërisht se debati për sovranitetin e Albertës ka përfunduar, pasi çështja e marrëdhënieve të provincës me qeverinë federale mbetet pjesë e diskutimeve politike.

    Burimi: Dukagjini

  • Kapet duke peshkuar me rrjeta në Drinin e Bardhë, i konfiskohen varka dhe peshqit

    Kapet duke peshkuar me rrjeta në Drinin e Bardhë, i konfiskohen varka dhe peshqit

    Një person dyshohet se ka ushtruar peshkim ilegal me rrjeta krahu në lumin Drini i Bardhë, në Krushë të Madhe.

    Sipas njoftimit të Federatës së Peshkatarëve Sportivë dhe Rekreativë të Kosovës (FPSRK), rasti është raportuar më 20 tetor, rreth orës 14:40, pas së cilës janë aktivizuar rojet e peshkimit, të cilat kanë ndërhyrë dhe e kanë ndaluar personin gjatë aktivitetit të dyshuar ilegal.

    Gjatë aksionit janë konfiskuar varka, rrjetat dhe peshqit, ndërsa ndaj personit është ngritur kallëzim penal, sipas procedurave përkatëse.

    Kryetari i FPSRK-së, Milaim Vitia, ka bërë të ditur se federata do të vazhdojë angazhimin për mbrojtjen e ujërave të Kosovës dhe parandalimin e peshkimit ilegal.

    “Ujërat e Kosovës janë pasuri e përbashkët dhe duhet të mbrohen!”, thuhet në njoftimin e FPSRK-së. /Telegrafi/

  • Motra e modeles Sahara Ray me dedikim prekës për të: Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë këtë dhimbje

    Motra e modeles Sahara Ray me dedikim prekës për të: Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë këtë dhimbje

    Motra e vogël e modeles dhe sipërmarrëses Sahara Ray, e cila ndërroi jetë në moshën 34-vjeçare, ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen e madhe për humbjen e saj.

    Ruby Ray publikoi disa fotografi me motrën e saj të ndjerë, duke e përshkruar Saharën si një person plot jetë, inteligjente, të dashur dhe me një shpirt të jashtëzakonshëm.

    Ajo tha se bota tashmë i duket shumë më e errët pa praninë e saj.

    Foto: Instagram

    “Është mizore ta duash dikë kaq shumë dhe më pas të mos dish ku ta çosh gjithë atë dashuri”, shkroi Ruby, duke shtuar se nuk ekzistojnë fjalë që mund ta përshkruajnë dhimbjen që po përjeton.

    Sahara ishte vajza e sërfistit profesionist Tony Ray. Ajo u lind në Australi dhe u rrit në Kaliforni, ku krijoi markën e saj të rrobave të banjës, Sahara Ray Swim.

    Foto: Instagram

    Emri i saj tërhoqi vëmendjen e mediave edhe në vitin 2016, kur u përfol për një lidhje me këngëtarin Justin Bieber.

    Në vitin 2024, modelja kishte bërë të ditur se ishte diagnostikuar me sindromën Guillain-Barre, një çrregullim i rrallë neurologjik, e më vonë kishte treguar se simptomat po fillonin të zbuteshin.

    Në fillim të këtij viti, Sahara u bë nënë për herë të parë, duke sjellë në jetë vajzën e saj, Snow. /Telegrafi/

  • Van Dijk i gatshëm për epokën e re te Liverpooli nën drejtimin e Iraolas

    Van Dijk i gatshëm për epokën e re te Liverpooli nën drejtimin e Iraolas

    Kapiteni i Liverpoolit, Virgil van Dijk, ka shprehur vendosmërinë për ta udhëhequr skuadrën drejt një kapitulli të ri, nën drejtimin e trajnerit Andoni Iraola.

    Pas largimit të Arne Slotit dhe përfundimit të sezonit të kaluar në vendin e pestë në Ligën Premier, Liverpooli po përgatitet për një fazë të re, me ndryshime në përbërjen e skuadrës dhe synime të qarta për t’u rikthyer në nivelet më të larta.

    Në një intervistë për revistën Man About Town, mbrojtësi holandez ka theksuar se motivimi i tij për të fituar mbetet i njëjtë, pavarësisht ndryshimeve që po ndodhin në klub.

    “Jam në fushë, në palestër dhe në shtëpi, gjithmonë me të njëjtën uri për sukses”, deklaroi Van Dijk.

    Duke folur për ndryshimet në skuadër dhe periudhën e re që po nis te Liverpooli, 35-vjeçari theksoi se e ndien përgjegjësinë për të dhënë maksimumin, si ndaj tifozëve, ashtu edhe ndaj vetes.

    “E kam këtë përgjegjësi ndaj tifozëve tanë, por edhe ndaj vetes. Nuk dal në fushë për të dhënë vetëm gjysmën e mundësive të mia apo për të menduar se gjithçka është ndryshe tani. Unë luaj futboll dhe stërvitem për të fituar. Kjo nuk do të ndryshojë kurrë”, u shpreh kapiteni i Liverpoolit.

    Van Dijk vazhdon të jetë një nga figurat kryesore të skuadrës angleze dhe një lider i rëndësishëm në repartin defensiv.

    Sezonin e kaluar, ai regjistroi gjashtë gola në 38 paraqitje në Ligën Premier, duke dëshmuar se mbetet një element me ndikim edhe në fazën ofensive.

    Tashmë, me një kapitull të ri që po hapet në ‘Anfield’, Liverpooli do të mbështetet edhe te përvoja dhe lidershipi i kapitenit holandez për t’u rikthyer në garën për objektivat më të mëdhenj. /Telegrafi/

  • Ekskluzive| Përleshje me çekan mes shtetasve turq në Pejton – arrestohen tre persona, njëri përfundon në QKUK

    Ekskluzive| Përleshje me çekan mes shtetasve turq në Pejton – arrestohen tre persona, njëri përfundon në QKUK

    Ekskluzive| Përleshje me çekan mes shtetasve turq në Pejton – arrestohen tre persona, njëri përfundon në QKUK

    Tre persona raportohet se janë arrestuar pas një përleshjeje fizike që dyshohet se ka ndodhur pasditen e sotme në rrugën “Sejdi Kryeziu”, në lagjen Pejton të Prishtinës.

    Sipas informacioneve ekskluzive që ka siguruar Gazeta Sinjali, në përleshje dyshohet se janë përfshirë disa shtetas turq, ndërsa njëri prej tyre dyshohet se është goditur me çekan.

    I lënduari është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se lidhur me këtë incident janë arrestuar tre persona.

    Motivi dhe rrethanat e përleshjes mbeten ende të paqarta, ndërsa pritet konfirmimi zyrtar nga Policia e Kosovës.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • Haxhiu priti në takim drejtoreshën e NDI-së në Kosovë

    Haxhiu priti në takim drejtoreshën e NDI-së në Kosovë

    Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim drejtoreshën e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) në Kosovë, Nancy Soderberg, me të cilën diskutoi për prioritetet e agjendës legjislative të Kuvendit, për mbështetjen që NDI do t’i ofrojë Institutit Parlamentar, si dhe për avancimin e një agjende ligjvënëse që merr parasysh nevojat dhe përvojat e grave dhe burrave në mënyrë të barabartë.

    Sipas njoftimit nga Kuvendi, duke falënderuar Soderbergun për përkushtimin e saj personal dhe për mbështetjen e vazhdueshme që NDI i ka dhënë Kuvendit ndër vite, kryeparlamentarja Haxhiu tha se i gëzohet vazhdimit të këtij bashkëpunimi, me bindjen se institucionet e Kosovës bëhen më të forta kur përfitojnë nga dija, përvoja dhe partneritetet e qëndrueshme.

    “Besoj se ligjet e mira fillojnë nga njohja e mirë e nevojave të qytetarëve. Prandaj, është e rëndësishme që Kuvendi të ketë kapacitete të fuqishme profesionale dhe që barazia gjinore të jetë pjesë e vetë procesit të hartimit dhe shqyrtimit të ligjeve”, tha Haxhiu.

    Burimi: RTKLive