Category: Lajme

  • Mbretëria e Bashkuar do të dislokojë aeroplanë luftarakë për të ndihmuar në mbrojtjen e Arabisë Saudite nga sulmet e Houthëve

    Mbretëria e Bashkuar do të dislokojë aeroplanë luftarakë për të ndihmuar në mbrojtjen e Arabisë Saudite nga sulmet e Houthëve

    Qeveria britanike njoftoi të martën se do të dislokojë aeroplanë luftarakë për të ndihmuar Arabinë Saudite të mbrohet kundër sulmeve në rritje nga lëvizja Houthi e Jemenit.

    Ministria e Mbrojtjes deklaroi se ky dislokim është pjesë e një “mbështetjeje ushtarake mbrojtëse shtesë” për Riadin, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

    “Mbretëria e Bashkuar do të kryejë misione mbrojtëse ajrore për të mbështetur mbrojtjen e qyteteve saudite dhe infrastrukturës kritike kombëtare kundër sulmeve nga ajri, duke përdorur aeroplanë luftarakë ‘Typhoon’ të Forcave Ajrore Mbretërore (RAF)”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes.

    Siç theksohet më tej, “këta aeroplanë do të veprojnë në një rol mbrojtës dhe nuk do të kryejnë sulme ofensive kundër Houthëve”.

    Britania do të dislokojë gjithashtu një aeroplan transporti ushtarak “për të mbështetur lëvizjen e materialeve mbrojtëse brenda Arabisë Saudite, së bashku me këshilltarë ushtarakë britanikë që do të asistojnë oficerët e stafit saudit”, shtohet në deklaratë.

    “Sulmet e vazhdueshme të Houthëve ndaj aleatit tonë, Arabisë Saudite, janë absolutisht të neveritshme”, citohet të ketë thënë ministri i Mbrojtjes, Wes Streeting.

    “Veçanërisht, shënjestrimi i aeroportit në Riad tregon se deri ku janë të gatshëm të shkojnë Houthët për të përshkallëzuar situatën në rajon”, ka shtuar ai.

    Aeroporti ndërkombëtar i kryeqytetit saudit është goditur 20 herë që nga fillimi i muajit; një sulm i fundit la të vdekur 13 persona dhe plagosi më shumë se 300 të tjerë. /Telegrafi/

  • Zjarri në Gjykatën e lartë, pezullohen të gjitha gjyqet: Do të shtyhen deri në përfundim të procesit të verifikimit të dëmeve

    Zjarri në Gjykatën e lartë, pezullohen të gjitha gjyqet: Do të shtyhen deri në përfundim të procesit të verifikimit të dëmeve

    Dëmtime materiale dhe në infrastrukturë, përfshirë edhe dosje gjyqësore, janë shkaktuar në ambientet e Gjykatës së Lartë nga zjarri gjatë protestave të 17 tetorit 2026.

    Për këtë arsye, seancat gjyqësore do të shtyhen, me përjashtim të çështjeve urgjente, deri në përfundimin e verifikimit të dëmeve dhe vlerësimit të gjendjes së dokumentacionit.

    Përmes një njoftimi zyrtar, Gjykata e Lartë bën me dije se situata e krijuar ka ndikuar në kushtet për zhvillimin normal të veprimtarisë gjyqësore, duke e bërë të domosdoshme marrjen e masave për evidentimin e dëmeve dhe garantimin e integritetit të dosjeve.

    Aktualisht, prioritet i institucionit është identifikimi dhe verifikimi i dokumentacionit gjyqësor të dëmtuar, si dhe vlerësimi i plotë i pasojave të zjarrit.

    “Si pasojë e zjarrit të shkaktuar gjatë protestave, në datën 17 tetor 2026, ambientet e Gjykatës së Lartë kanë pësuar dëmtime materiale dhe në infrastrukturë, përfshirë edhe dosje gjyqësore. Kjo situatë e jashtëzakonshme ka ndikuar në kushtet e zhvillimit normal të veprimtarisë gjyqësore, duke bërë të domosdoshme marrjen e masave për vlerësimin e plotë të dëmeve dhe garantimin e integritetit të dokumentacionit gjyqësor.

    Në këto rrethana, seancat gjyqësore të planifikuara për t’u zhvilluar në Gjykatën e Lartë, përveç çështjeve me natyrë urgjente, do të shtyhen deri në përfundim të procesit të verifikimit të dëmeve, evidentimit dhe vlerësimit të gjendjes së dosjeve gjyqësore, si dhe për të rikthyer kushtet e nevojshme për vijimin e rregullt të veprimtarisë së institucionit.

    Gjykata e Lartë ka angazhuar të gjitha kapacitetet e saj njerëzore dhe ka ndërmarrë me përgjegjësi e përkushtim të plotë çdo masë të nevojshme për përballimin e kësaj situate të pa precedentë. Prioriteti i Gjykatës mbetet vlerësimi i saktë i dëmeve, identifikimi dhe verifikimi i dokumentacionit gjyqësor të dëmtuar. Subjektet që do të rezultojnë të prekur nga kjo situatë do të njoftohen individualisht nëpërmjet të dhënave të tyre te kontaktit.

    Punonjësit e Gjykatës së Lartë janë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka vijimësia e proceseve gjyqësore dhe për ndikimin që kjo situatë mund të ketë te palët ndërgjyqëse, përfaqësuesit e tyre ligjorë dhe të gjithë përdoruesit e sistemit të drejtësisë. Për këtë arsye, kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, në përballimin e këtyre rrethanave, të cilat kërkojnë kohën dhe kujdesin e maksimal për të garantuar vijimin e sigurt dhe të rregullt të veprimtarisë gjyqësore.

    Gjykata e Lartë mbetet e vendosur dhe thellësisht e përkushtuar në përmbushjen e misionit të saj kushtetues, në garantimin e vijimësisë së drejtësisë dhe në mbrojtjen e të drejtave të palëve, duke vepruar me përgjegjësi dhe transparencë.

    Për datat e reja të zhvillimit të seancave gjyqësore, palët dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë do të informohen në vijim përmes faqes zyrtare të internetit dhe kanaleve zyrtare të komunikimit të Gjykatës së Lartë”, thuhet në njoftimin zyrtar. /Tch/

  • Pse zbutet lakra turshi? Gabimet më të shpeshta që mund t’i shmangni lehtësisht

    Pse zbutet lakra turshi? Gabimet më të shpeshta që mund t’i shmangni lehtësisht

    Lakra turshi mund të humbasë fortësinë dhe të bëhet e butë gjatë fermentimit për shkak të disa gabimeve të zakonshme, si sasia e gabuar e kripës, temperatura e lartë dhe mos-mbulimi i plotë me lëng.

    Sipas udhëzuesve të universiteteve amerikane Vermont, Oregon State dhe Penn State, këta faktorë ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e lakrës.

    Sasia e rekomanduar e kripës është 15–25 gramë për çdo kilogram lakër.

    Lakra turshi

    Shumë pak kripë mund të favorizojë zhvillimin e mikroorganizmave të padëshiruar, ndërsa sasia e tepërt mund të ngadalësojë fermentimin dhe të ndikojë në ngjyrën e lakrës.

    Për rezultate më të mira, kripa duhet të peshohet dhe të shpërndahet njëtrajtshëm.

    Edhe temperatura është thelbësore.

    Lakra duhet të fermentohet në rreth 21–24 gradë Celsius, proces që zakonisht zgjat tri deri në katër javë.

    Temperaturat mbi 27 gradë mund ta zbusin lakrën dhe të rrisin rrezikun e prishjes, ndërsa në temperatura më të ulëta fermentimi zgjat më shumë.

    Një tjetër gabim është lënia e lakrës jashtë lëngut.

    Ajo duhet të jetë gjithmonë e zhytur plotësisht në shëllirë, në mënyrë që të parandalohet zhvillimi i mykut.

    Për këtë arsye, rekomandohet të vendoset një peshë sipër saj dhe të përdoren enë të përshtatshme për ushqime, si ato prej qelqi ose plastike të certifikuar për kontakt me ushqimin.

    Rëndësi ka edhe zgjedhja e lakrës.

    Më të përshtatshme janë kokat e forta, të shëndetshme dhe të ëmbla, veçanërisht varietetet e vona, të cilat përmbajnë më shumë sheqerna të nevojshme për fermentim.

    Lakra turshi e përgatitur siç duhet duhet të jetë e fortë, me shije të këndshme të thartë dhe pa shenja myku.

    Nëse bëhet e rrëshqitshme, ka erë të pakëndshme ose shfaq myk, nuk duhet provuar dhe duhet hedhur.

    Pasi fermentimi të përfundojë, lakra mund të ruhet në frigorifer, në një enë të mbyllur mirë, për disa muaj. /Telegrafi/

  • Aksident trafiku në Shkup, lëndohet një 49-vjeçar

    Aksident trafiku në Shkup, lëndohet një 49-vjeçar

    MPB njofton se ka ndodhur një aksident në trafik në Shkup, në të cilën ka mbetur i lënduar një motoçiklistë.

    “Më 19.10.2026, në orën 07:30, SPB Shkup është njoftuar se në kryqëzimin e rr. „Blagoja Stefkovski” dhe rr. „Metodija Andonov Çento” në Shkup ka ndodhur një aksident trafiku ndërmjet një automjeti udhëtarësh „Volkswagen Golf” me targa të Shkupit, i drejtuar nga R.A. (51) nga Shkupi dhe një motoçiklete me targa të Shtipit, e drejtuar nga S.M. (49) nga fsh. Jargulicë, rajoni i Radovishit.

    Në aksident, drejtuesi i motoçikletës ka pësuar lëndime të rënda trupore, të cilat janë konstatuar në Kompleksin e Klinikave „Nëna Terezë” në Shkup. Një ekip i SPB Shkup ka bërë këqyrje të vendit të ngjarjes”, thonë nga MPB./Telegrafi/

  • LEX | Ekskluzive – “Një djalë e kisha, ma lanë të vdekur – tash na provokojnë me vetura para syve tanë” – nëna e Molos Delijës për Sinjalin “Kurrë s’ua falim gjakun”

    LEX | Ekskluzive – “Një djalë e kisha, ma lanë të vdekur – tash na provokojnë me vetura para syve tanë” – nëna e Molos Delijës për Sinjalin “Kurrë s’ua falim gjakun”

    LEX | Ekskluzive – “Një djalë e kisha, ma lanë të vdekur – tash na provokojnë me vetura para syve tanë” – nëna e Molos Delijës për Sinjalin “Kurrë s’ua falim gjakun”

    Tri jetë të reja u shuan tragjikisht në mbrëmjen e 16 dhjetorit 2023, në autostradën “Ibrahim Rugova”, si pasojë e një gare të dyshuar me vetura. Gati tri vjet pas kësaj ngjarjeje, nëna e 20-vjeçarit Molos Delija, njërit prej viktimave, ka kontaktuar ekskluzivisht Gazetën Sinjali për të rrëfyer dhimbjen e humbjes së djalit të saj të vetëm dhe për të denoncuar sjelljen e dy të akuzuarve, Arlind Syla dhe Irfan Hoti. Ajo thotë se të dy vazhdojnë të shëtisin të lirë nëpër Prizren, madje duke bërë manovra me vetura para syve të familjarëve, të cilët ende po përballen me pasojat e tragjedisë.

    Nëna e Molosit, në gjendje të rënduar emocionale, ka rrëfyer dhimbjen për humbjen e djalit të saj të vetëm, i cili ishte student i dalluar në Fakultetin Ekonomik, kur humbi jetën më 16 dhjetor 2023.

    “Nga garat me vetura i lanë të vdekur tre persona, sot shëtisin nëpër Prizren duke bërë shllajfa para syve neve që e kemi zemrën shkrumb. Një djalë e kam pas, ma lanë të vdekur”, ka deklaruar ajo për Gazetën Sinjali.

    Ajo pretendon se dy të akuzuarit nuk kanë shfaqur përgjegjësi apo pendim për tragjedinë dhe se sjelljet e tyre vazhdojnë t’ia rëndojnë dhimbjen familjes.

    “Të dy janë të lirë duke shëtitur, e djali jem po han dhe ”, ka thënë nëna e Molosit.

    Sipas saj, njëri nga të akuzuarit paraqitet edhe në seancat gjyqësore me sjellje që ajo i konsideron arrogante.

    “Vjen si kapadai në seancë, del e shëtit, na bën shllafja”, ka deklaruar ajo.

    Nëna ka ngritur shqetësime edhe për faktin se, sipas saj, të akuzuarit vazhdojnë të drejtojnë automjete, pavarësisht aksidentit tragjik dhe historikut të kundërvajtjeve në trafik.

    Ndryshe, procesi gjyqësor ndaj Arlind Sylës dhe Irfan Hotit ishte përballur edhe me shtyrje të seancave. Më 14 janar 2025, gjykimi ndaj dy të akuzuarve për organizimin e garave automobilistike, që përfunduan tragjikisht me vdekjen e tre të rinjve, kishte dështuar sërish për shkak të mungesës së të dëmtuarve. Rasti vazhdon të trajtohet në gjykatë, ndërsa familjarët e viktimave presin epilogun gjyqësor.

    “Nuk ua kemi falur, as kurrë s’kemi me ua falë”

    Një tjetër deklaratë e fuqishme e nënës së Molos Delijës lidhet me çështjen e faljes së gjakut.

    “Nuk ua kemi falur, as kurrë s’kemi me ua falë”, ka deklaruar ajo për Sinjalin.

    Ajo thotë se nuk mund t’ua falë personave që i konsideron përgjegjës humbjen e djalit të saj të vetëm.

    Ndryshe, më 17 dhjetor 2023, pas varrimit të viktimës tjetër të aksidentit, Lordon Sylës, në fshatin Berjahë të Gjakovës, Sinjali kishte raportuar se familja Syla kishte përcjellë një mesazh faljeje përmes hoxhës.

    “Familja më porositi, se nëse kemi diçka për të falur, veç se është e falur vetëm për hatër të Zotit”, kishte deklaruar hoxha atë ditë.

    Ky ishte qëndrim i përcjellë në emër të familjes Syla, ndërsa deklarata e tanishme për mosfaljen e gjakut i përket nënës së Molos Delijës.

    Sinjali kishte zbuluar dhjetëra gjoba të dy shoferëve para tragjedisë

    Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht më 18 dhjetor 2023 se Arlind Syla dhe Irfan Hoti kishin qenë të njohur për Policinë e Trafikut për shkak të kundërvajtjeve të shumta.

    Sipas burimeve të Sinjalit, gjatë vitit 2023, para aksidentit, Arlind Syla ishte gjobitur rreth 10 herë nga Policia e Trafikut Rajonal në Gjakovë, ndërsa Irfan Hoti rreth 15 herë.

    Madje, sipas të njëjtave burime, Hotit i ishte konfiskuar patentë shoferi për tre muaj, disa muaj para tragjedisë.

    Sinjali kishte raportuar gjithashtu për largimin nga pozita të komandantit të Trafikut Rajonal në Prizren, Hasan Tërshana, pas aksidentit tragjik.

    Si ndodhi tragjedia që ua mori jetën tre të rinjve?

    Mbrëmjen e 16 dhjetorit 2023, rreth orës 22:45, në kilometrin e 15-të të autostradës “Ibrahim Rugova”, një garë e dyshuar e kundërligjshme me vetura përfundoi tragjikisht.

    Sipas hetimeve fillestare, njëra nga veturat humbi kontrollin dhe goditi tre të rinj që ndodheshin në autostradë.

    Si pasojë, jetën e humbën Molos Delija, Lordon Syla dhe Nue Bibaj, ndërsa tre persona të tjerë pësuan lëndime trupore.

    Lidhur me rastin u arrestuan Arlind Syla dhe Irfan Hoti, ndërsa më 18 dhjetor 2023 Gjykata Themelore në Prizren ua caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

    Ngjarja kishte shkaktuar reagime të shumta dhe kishte ngritur shqetësime për garat ilegale me automjete dhe sigurinë në komunikacion.

    Të premten, më 23 tetor, seanca e radhës ndaj dy të akuzuarve

    Në Gjykatën Themelore në Prizren me gjyqtaren Ajsere Skenderi seanca e radhës është caktuar, mëson eksluzivisht Sinjali.

    Të premten, pritet të mbahet seanca e radhës gjyqësore ndaj Arlind Sylës i cili punon në Zvicërr Sinjali mëson se ka ardh në Kosovë për shkak të seances dhe Irfan Hotit, lidhur me tragjedinë që mori tri jetë.

    Në kuadër të procedurës gjyqësore është kryer edhe ekspertiza nga një grup ekspertësh.

    Ndërkohë, nëna e Molos Delijës kërkon drejtësi për djalin e saj të vetëm, duke shprehur indinjatën për sjelljen që ua atribuon të akuzuarve dhe për faktin se, sipas saj, ata vazhdojnë jetën në liri.

    Për të, koha nuk e ka zbehur dhimbjen e humbjes së Molosit, ndërsa procesi gjyqësor për tragjedinë e 16 dhjetorit 2023 vazhdon.

    Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • Takim urgjent për “Prishtina 2030”, Qeveria pritet t’i përgjigjet ICMG-së deri të mërkurën

    Takim urgjent për “Prishtina 2030”, Qeveria pritet t’i përgjigjet ICMG-së deri të mërkurën

    Takim urgjent për “Prishtina 2030”, Qeveria pritet t’i përgjigjet ICMG-së deri të mërkurën

    Përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” janë rikthyer në fokus, pas shqetësimeve të ngritura nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) lidhur me hapat që duhet të ndërmerren për realizimin e këtij eventi sportiv.

    Sipas burimeve të KosovaPress-it, sot është mbajtur një takim urgjent ndërmjet ministrit të Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, dhe drejtuesve të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK).

    Në takim është diskutuar situata e krijuar dhe veprimet që duhet të ndërmerren për të vazhduar procesin e organizimit të Lojërave Mesdhetare.

    Burimet e KosovaPress-it bëjnë të ditur se është vendosur që Qeveria e Kosovës t’i përgjigjet ICMG-së deri të mërkurën, lidhur me vërejtjet e adresuara për përgatitjet e këtij organizimi.

    Kjo vjen pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, publikoi letrën e ICMG-së, në të cilën shprehen shqetësime për përmbushjen e obligimeve dhe çështjet financiare që lidhen me organizimin e Lojërave Mesdhetare.

    E ardhmja e “Prishtina 2030” pritet të diskutohet edhe në takimin e radhës të ICMG-së, më 19 dhjetor.

    Përgjigjja e Qeverisë dhe masat që do të ndërmerren në vijim pritet të jenë të rëndësishme për ecurinë e përgatitjeve dhe vendimet që do të merren në dhjetor.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • ‘Kam miliona, s’kam nevojë të punoj’, babai i Yamalit ndez rrjetet sociale

    ‘Kam miliona, s’kam nevojë të punoj’, babai i Yamalit ndez rrjetet sociale

    Nasraoui, i cili ka më shumë se 1.4 milionë ndjekës në Instagram, ka reaguar ndaj kritikave të disa përdoruesve, të cilët i kanë sugjeruar të punojë. Përgjigjja e tij ka nxitur diskutime të shumta në internet, duke rikthyer vëmendjen te sjellja e tij publike.

    “Unë nuk kam nevojë të punoj, djalosh. Nuk kam nevojë të punoj, sepse kam miliona, falë Zotit”, ka deklaruar ai.

    Kjo përgjigje ka shkaktuar reagime të ndryshme, ndërsa një pjesë e ndjekësve kanë shprehur pakënaqësi ndaj mënyrës se si babai i futbollistit u përgjigjet kritikave.

    Fama e Mounir Nasraouit është rritur ndjeshëm paralelisht me suksesin e djalit të tij, Lamine Yamalit, i cili është shndërruar në një prej futbollistëve më të spikatur të Barcelonës dhe përfaqësueses spanjolle.

    Megjithatë, prania e shpeshtë e Nasraouit në rrjetet sociale dhe deklaratat e tij publike kanë ngjallur vazhdimisht debate. Disa tifozë të Yamalit kanë kritikuar qëndrimet e të atit, duke e konsideruar sjelljen e tij të papërshtatshme përballë vëmendjes së madhe mediatike që rrethon talentin e ri.

    Kjo nuk është hera e parë që Mounir Nasraoui bëhet temë diskutimi në rrjetet sociale, ku çdo deklaratë e tij tërheq interes të madh për shkak të famës ndërkombëtare të djalit të tij.

    Burimi: RTKLive

  • Parlamenti i BE-së synon të përfshijë Zvicrën në rrjetin e trenave me shpejtësi të lartë

    Parlamenti i BE-së synon të përfshijë Zvicrën në rrjetin e trenave me shpejtësi të lartë

    Parlamenti Evropian ka miratuar një raport që kërkon krijimin e një rrjeti hekurudhor me shpejtësi të lartë në të gjithë Evropën, duke përfshirë edhe lidhjet me vendet fqinje të BE-së, si Zvicra, Norvegjia dhe Mbretëria e Bashkuar.

    Parlamenti Evropian ka votuar në favor të një rrjeti hekurudhor me shpejtësi të lartë që do të lidhë jo vetëm kryeqytetet evropiane, por edhe qytetet e mesme dhe rajonet periferike, raporton Watson.

    Raporti u miratua të martën në Strasburg, me 558 vota pro, 23 kundër dhe 73 abstenime.

    Eurodeputetët theksuan se zhvillimi i linjave hekurudhore me shpejtësi të lartë deri më tani është përqendruar kryesisht në nivel kombëtar, ndërsa lidhjet ndërkufitare mbeten të pamjaftueshme.

    Për këtë arsye, Parlamenti kërkon bashkëpunim më të ngushtë me vendet fqinje, veçanërisht me Zvicrën, Norvegjinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, në mënyrë që rrjeti i ardhshëm hekurudhor evropian të jetë më i integruar, transmeton Telegrafi.

    Raporti përbën përgjigjen e Parlamentit Evropian ndaj planit të Komisionit Evropian për zgjerimin e transportit hekurudhor me shpejtësi të lartë në kontinent.

    Në nëntor të vitit 2025, Komisioni Evropian prezantoi synimin që deri në vitin 2040 qytetet kryesore evropiane të lidhen përmes trenave që udhëtojnë me shpejtësi prej të paktën 250 kilometrash në orë.

    Nisma synon të përmirësojë lidhjet ndërmjet vendeve evropiane dhe të krijojë një rrjet më të koordinuar të transportit hekurudhor, duke kapërcyer boshllëqet ekzistuese në linjat ndërkufitare./Telegrafi/

  • Protestuesit nxjerrin molotovët te Rruga e Durrësit, i kishin fshehur te qesja e kifleve

    Protestuesit nxjerrin molotovët te Rruga e Durrësit, i kishin fshehur te qesja e kifleve

    Një ditë e re proteste, me ide të reja për studentët protestues dhe qëllimet e tyre.

    Ata janë futur te Rruga e Durrësit paqësisht, ndërsa më pas kanë nisur duke goditur me gurë drejt Ministrisë, çka solli përgjigjen e policisë me ujë me presion.

    Por të rinjtë edhe sot nuk kanë ardhur të papërgatitur. Ata siç raporton Top Channel kanë marrë sërish molotovë me vete, të cilët i kanë fshehur në qeset e kifleve (kroasanëve), në mënyrë që të mos pikaseshin nga policia gjatë rrugës për në protestë. /Tch/

  • Real Madridi kërkon miliona euro dëmshpërblim nga klubet angleze shkaku i Superligës Evropiane

    Real Madridi kërkon miliona euro dëmshpërblim nga klubet angleze shkaku i Superligës Evropiane

    Real Madridi dëshiron që klubet angleze t’u kthejnë një pjesë të parave të shpenzuara për themelimin e Superligës Evropiane.

    Sipas The Athletic, klubi spanjoll beson se Arsenali, Chelsea, Liverpooli, Manchester City, Manchester United dhe Tottenhami duhet të rimbursojnë pjesën e tyre të kostove fillestare të instalimit të projektit, pavarësisht se në fund janë tërhequr.

    Një burim tregoi për mediumin se shuma totale që klubet angleze mund të paguajnë arrin deri në 80 milionë euro.

    Shpenzimet promovuese dhe organizative për turneun ishin mbuluar më parë midis Real Madridit, Barcelonës dhe Juventusit, kështu që Los Blancos kërkojnë paratë.

    Krijimi i Superligës Evropiane, një turne ndërkombëtar i mbyllur që përfshin 12 klube kryesore, u njoftua fillimisht në prill 2021. Shumica e klubeve themeluese u tërhoqën brenda pak ditëve të para.

    Juventusi u tërhoq zyrtarisht nga projekti në vitin 2023, ndërsa Barcelona dhe Real Madridi u tërhoqën në vitin 2026. /Telegrafi/