Category: Lajme

  • SUV-i GT i Mercedes-AMG është më shumë sesa thjesht një bishë me 1.153 kuaj-fuqi

    SUV-i GT i Mercedes-AMG është më shumë sesa thjesht një bishë me 1.153 kuaj-fuqi

    Mercedes-AMG po zhvillon SUV-in e tij të parë plotësisht elektrik, GT SUV, i cili vjen me deri në 1.153 kuaj fuqi dhe synon të ofrojë shumë më tepër sesa performancë të jashtëzakonshme në vijë të drejtë.

    Modeli bazohet në platformën AMG.EA dhe do të ofrohet në tri versione: GT 53, GT 55 dhe GT 63.

    Versioni bazë, GT 53, ka dy motorë elektrikë me 536 kuaj fuqi dhe 800 Nm çift rrotullues.

    Ai përshpejton nga 0 në 100 km/h për 4,2 sekonda dhe ofron autonomi deri në 668 kilometra, sipas ciklit WLTP.

    GT 55 e rrit fuqinë në 805 kuaj fuqi dhe çift rrotulluesin në 1.860 Nm, duke arritur shpejtësinë 100 km/h për vetëm 3,1 sekonda.

    Në krye të gamës qëndron GT 63, me tre motorë elektrikë që prodhojnë gjithsej 1.153 kuaj fuqi dhe 2.000 Nm çift rrotullues.

    Ky version arrin 100 km/h për 2,7 sekonda, ndërsa shpejtësinë 200 km/h e kap për vetëm 7,2 sekonda.

    Sipas të dhënave të publikuara, përshpejtimi i tij deri në 200 km/h është vetëm 0,4 sekonda më i ngadaltë se ai i hipermakinës së famshme McLaren P1.

    Mercedes-AMG ka kushtuar vëmendje edhe karikimit të baterisë.

    GT 53 mbështet karikim deri në 600 kW, ndërsa GT 55 me baterinë më të madhe, prej 128 kWh, mbështet deri në 710 kW dhe mund të shtojë 83 kWh energji brenda 10 minutash, sipas prodhuesit.

    Autonomia e GT 55 arrin deri në 700 kilometra me baterinë më të madhe, ndërsa versioni GT 63 ruan të njëjtën autonomi maksimale të deklaruar si GT 55.

    Përtej shifrave mbresëlënëse, Mercedes-AMG pretendon se SUV-i i ri ruan ADN-në sportive të markës dhe nuk është thjesht një automjet familjar me fuqi të tepruar.

    Megjithatë, dizajni i tij me përmasa të fryra mund të jetë një nga elementet më të diskutueshme, duke e lënë pamjen në vlerësimin e publikut. /Telegrafi/

  • Zvicra rrit importet me 25 për qind, dyfishohen blerjet e produkteve farmaceutike

    Zvicra rrit importet me 25 për qind, dyfishohen blerjet e produkteve farmaceutike

    Eksportet e Zvicrës u rritën me 1.5 për qind në shtator, pas rënies së ndjeshme në gusht. Ndërkohë, importet u rritën me gati 25 për qind, të nxitura kryesisht nga produktet kimike dhe farmaceutike.

    Eksportet zvicerane shënuan rimëkëmbje të lehtë në shtator, duke arritur në 23.23 miliardë franga, në terma nominalë dhe pas korrigjimit për efektet sezonale. Sipas Zyrës Federale për Doganat dhe Sigurinë Kufitare (BAZG), rritja mujore ishte 1.5 për qind, ndërsa në terma realë, të korrigjuar për ndryshimet e çmimeve, eksportet shënuan një rënie të lehtë prej 0.1 për qind, raporton Bluewin.

    Rimëkëmbja vjen pas një gushti të dobët, kur eksportet kishin rënë me 17.7 për qind. Në atë periudhë, ndikimin kryesor e kishte pasur rënia prej më shumë se 32 për qind e eksporteve të produkteve kimike dhe farmaceutike.

    Në shtator, ky sektor u stabilizua, me një rritje të lehtë prej 0.5 për qind. Ndërkohë, kategoria e bizhuterive dhe stolive të çmuara regjistroi një rritje më të theksuar, prej 14.9 për qind.

    Rriten eksportet drejt SHBA-së

    Eksportet zvicerane drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës u rritën me 8.5 për qind në shtator, duke arritur në 3.32 miliardë franga.

    Kjo shënon një kthesë pas rënies prej gati 30 për qind të regjistruar në muajin gusht, transmeton Telegrafi.

    Importet farmaceutike dyfishohen

    Ndryshe nga eksportet, importet shënuan një rritje të fortë. Në terma nominalë, ato u rritën me 24.9 për qind, duke arritur në 21.88 miliardë franga. Në terma realë, rritja ishte 7 për qind.

    Sipas të dhënave të BAZG-së, importet arritën kështu nivelin e dytë më të lartë mujor të regjistruar ndonjëherë.

    Rritja u nxit kryesisht nga produktet kimike dhe farmaceutike, importet e të cilave u shtuan me 88 për qind. Vetëm importet farmaceutike u rritën me 130.8 për qind, duke kaluar pak mbi 7 miliardë franga.

    Ngushtohet suficiti tregtar

    Rritja e ndjeshme e importeve ndikoi drejtpërdrejt në bilancin tregtar të Zvicrës. Suficiti tregtar u ngushtua në 1.35 miliardë franga në shtator, pasi vlera e mallrave të importuara u rrit dukshëm më shpejt se ajo e eksporteve.

    Të dhënat tregojnë se, ndonëse eksportet u stabilizuan pas rënies së gushtit, zhvillimet në sektorin farmaceutik vazhduan të luanin rol kyç në lëvizjet mujore të tregtisë së jashtme zvicerane./Telegrafi/

  • Turqia gjen pasuesin e Montellas, e konfirmon vetë trajneri

    Turqia gjen pasuesin e Montellas, e konfirmon vetë trajneri

    Sergen Yalcin ka konfirmuar se do të marrë përsipër detyrën e përzgjedhësit të ri të Kombëtares së Turqisë, madje edhe para një njoftimi zyrtar.

    Kombëtarja turke shkarkoi së fundmi Vincenzo Montellan pas një serie rezultatesh katastrofike, duke filluar nga Kupa e Botës 2026.

    Pushimi i fundit ndërkombëtar (ndeshjet e Ligës së Kombeve) rezultoi të ishte gozhda e fundit në ‘arkivolin e tij’.

    Megjithatë, drejtuesit e federatës turke të futbollit nuk kanë qëndruar duarkryq duke arritur marrëveshje me trajnerin Sergen Yalcin.

    Sergen Yalcin

    Koha e fundit e Yalcin erdhi me Besiktas, ku ai kaloi sezonin 2025/26 përpara se të ndahej me pëlqimin e ndërsjellë, ndërsa emërimi i tij është konfirmuar nga vetë legjenda e futbollit turk.

    “Ky është një rol shumë i rëndësishëm. Stema e gjysmëhënës dhe yllit është mbi gjithçka. Është vendi ku çdo trajner dëshiron të jetë. Është e mrekullueshme të jesh trajner i popullit. Është një burim krenarie dhe lumturie për mua”, zbuloi fillimisht Yalcin.

    “Me mbështetjen e të gjithëve, shpresoj që një rrugë e suksesshme për Ekipin Kombëtar na pret. Do t’i bashkojmë njerëzit përsëri pas Ekipit Kombëtar”, përfundoi trajneri 53-vjeçar. /Telegrafi/

  • Christina Applegate: Mjekët më diagnostikuan gabim, nuk kam sklerozë të shumëfishtë

    Christina Applegate: Mjekët më diagnostikuan gabim, nuk kam sklerozë të shumëfishtë

    Aktorja Christina Applegate ka zbuluar në podcastin e saj “MeSsy” se mjekët i kanë komunikuar se nuk vuan nga skleroza multiple, ndonëse prej vitesh kishte jetuar me këtë diagnozë.

    Lajmi e ka tronditur, pasi simptomat e saj jo vetëm që nuk janë zhdukur, por, sipas saj, janë përkeqësuar.

    Gjatë rrëfimit emocional, 54-vjeçarja tregoi se një mjeke i kishte thënë: “Urime, nuk keni sklerozë multiple”.

    Megjithatë, ky lajm nuk i solli lehtësim, pasi ajo vazhdon të përballet me vështirësi të mëdha shëndetësore dhe ende nuk e di se çfarë po i shkakton simptomat.

    Aktorja shpjegoi se diagnozat e gabuara për këtë sëmundje nuk janë të rralla, pasi nuk ekziston një test i vetëm që e konfirmon atë.

    Sipas neurologes dr. Marwa Casey, e cila ishte e ftuar në podcast, gati një në pesë persona të diagnostikuar me sklerozë multiple mund të mos e kenë në të vërtetë këtë sëmundje.

    Applegate theksoi se tani mjekët po nisin një hetim të detajuar për të kuptuar se çfarë ka ndodhur që nga viti 2021 dhe cili është shkaku i vërtetë i problemeve të saj shëndetësore.

    Ajo foli edhe për pasojat emocionale që ka përjetuar, duke treguar se ka kaluar nëpër një periudhë të rëndë depresioni dhe se problemet shëndetësore i kanë ndikuar edhe karrierën. /Telegrafi/

    – YouTube www.youtube.com

  • Hoxhaj përfaqësues i PDK-së në Grupin Punues për strategjinë e Apelit në Hagë

    Hoxhaj përfaqësues i PDK-së në Grupin Punues për strategjinë e Apelit në Hagë

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, është votuar sot nga Grupi Parlamentar i kësaj partie për ta përfaqësuar PDK-në në Grupin Punues për hartimin e strategjisë shtetërore për procedurat e Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Telegrafi mëson se emri i Hoxhajt është miratuar në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të PDK-së, duke e përcaktuar atë si përfaqësues të kësaj partie në procesin që synon koordinimin e angazhimeve institucionale për fazën e Apelit në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ky zhvillim vjen pas vendimit të Kryesisë së Kuvendit për caktimin e nënkryetares së Kuvendit, Vlora Çitaku, si përfaqësuese të legjislativit në të njëjtin grup punues.

    Grupi Punues është themeluar nga Qeveria e Kosovës dhe kryesohet nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca. Mandati i tij përfshin hartimin dhe harmonizimin e strategjisë shtetërore për procedurat e Apelit, si dhe bashkërendimin e veprimeve institucionale dhe diplomatike në mbështetje të këtij procesi.

    Përbërja e grupit përfshin përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe partive parlamentare, me synimin e koordinimit të angazhimeve dhe bashkëpunimit me ekipet mbrojtëse. /Telegrafi/

  • Nga shëndeti mendor te inteligjenca artificiale: Çfarë sjell Lifestyle Conference 2026?

    Nga shëndeti mendor te inteligjenca artificiale: Çfarë sjell Lifestyle Conference 2026?

    A mund të parandalohet sëmundja para se të kërkojë trajtim? Si duhet të flasim për shëndetin mendor? Si mund të reduktohen dëmet dhe të menaxhohen më mirë rreziqet shëndetësore? Dhe çfarë roli do të ketë mjeku në epokën e inteligjencës artificiale? Këto janë disa nga çështjet që do të hapin diskutime në edicionin e dytë të Lifestyle Conference, që mbahet nesër në Prishtinë.

    Shëndeti nuk fillon në ordinancë dhe as nuk përfundon me një diagnozë. Ai lidhet me mënyrën se si jetojmë, zgjedhjet që bëjmë çdo ditë, kujdesin ndaj vetes dhe aftësinë për t’i identifikuar rreziqet para se ato të kthehen në probleme serioze. Pikërisht këto dimensione do të jenë në qendër të Lifestyle Conference 2026, përmes një programi që ndërthur perspektiva të ndryshme profesionale dhe sfida aktuale të shëndetësisë.

    Programi do të trajtojë disa nga çështjet më të rëndësishme të shëndetit bashkëkohor, duke nisur me shëndetin mendor dhe kalimin nga ndërgjegjësimi te veprimi konkret, përmes diskutimit mbi sfidat dhe rëndësinë e mbështetjes profesionale. Vëmendje do t’i kushtohet edhe reduktimit të dëmit dhe qasjeve ndaj shëndetit, rrezikut dhe zgjedhjes, me fokus në rolin e profesionistëve dhe institucioneve në mbrojtjen e shëndetit publik. Një tjetër temë qendrore do të jetë parandalimi i sëmundjeve kronike përmes stilit të jetesës, duke vënë në pah rëndësinë e ushqyerjes, kujdesit parandalues dhe zakoneve të shëndetshme. Ndërkaq, prezantimi “Përtej Diagnozës: Parandalimi, Zbulimi i Hershëm dhe Shëndeti i Gruas” do të theksojë rëndësinë e kontrolleve parandaluese dhe identifikimit të hershëm, ndërsa “Prapa Algoritmit: Roli i Mjekut në Inteligjencën Artificiale” do të hapë diskutimin mbi mundësitë që sjell teknologjia në mjekësi dhe rëndësinë e ekspertizës njerëzore në këtë proces.

    Përmes këtyre temave, Lifestyle Conference 2026 synon të nxisë një diskutim që shkon përtej identifikimit të sfidave, duke vënë theksin te rëndësia e parandalimit, vendimmarrjes së informuar dhe bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve, institucioneve dhe shoqërisë.

    Nën moton “PËRTEJ NDËRGJEGJËSIMIT: E ARDHMJA E SHËNDETIT FILLON ME VEPRIM”edicioni i këtij viti përcjell një mesazh të qartë: ndërgjegjësimi ka vlerë kur shndërrohet në hapa konkretë për një të ardhme më të shëndetshme.

    Të gjithë të interesuarit janë të ftuar të marrin pjesë në Lifestyle Conference 2026, e cila mbahet nesër, më 21 tetor 2026, nga ora 09:00, në Hotel Emerald, Salla Strauss, në Prishtinë.

  • Fshati Koshtovë në Mitrovicë do mbetet nesër pa ujë

    Fshati Koshtovë në Mitrovicë do mbetet nesër pa ujë

    Banorët e fshatit Koshtovë do të përballen me ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë të pijes, për shkak të punimeve për pastrimin e dy rezervuarëve të ujit.

    Sipas njoftimit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, ndërprerja do të bëhet gjatë orëve të vona të natës, ndërsa punimet do të nisin në mëngjesin e 21 tetorit 2026.

    Kompania ka bërë të ditur se punimet synojnë të përfundojnë sa më shpejt, në mënyrë që furnizimi me ujë të pijes të rikthehet në kohën më të shkurtër të mundshme.

    KRU “Mitrovica” ka falënderuar banorët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. /Telegrafi/

  • Procesi i Berlinit, Kurti e Rama në listën e të ftuarve

    Procesi i Berlinit, Kurti e Rama në listën e të ftuarve

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, do të marrin pjesë në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet pasnesër në Miloçer të Budvës, në Mal të Zi.

    Në mesin e pjesëmarrësve do të jenë edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, si dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe institucioneve ndërkombëtare.

    Në samit do të marrë pjesë edhe komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila gjatë qëndrimit në Mal të Zi do të zhvillojë takime me udhëheqësit e vendit dhe përfaqësues të tjerë politikë.

    Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, Kos do të diskutojë me përfaqësuesit malazezë për përparimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe për reformat e nevojshme në këtë proces.

    Ndërkaq, mediat malazeze raportojnë se komisionarja evropiane pritet të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin do të diskutojë zhvillimet e fundit në vend.

    Bashkëpunimi rajonal, ndërlidhja dhe integrimi evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor pritet të jenë ndër temat kryesore të samitit.

    Në listën e publikuar nga Qeveria e Malit të Zi figurojnë edhe drejtues të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe organizatave rajonale, përfshirë Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Botërore, Bankën Evropiane të Investimeve dhe Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal.

    Burimi: Dukagjini

  • Inteligjenca Artificiale befason me parashikimin për super sfidën PSG - Barcelona

    Inteligjenca Artificiale befason me parashikimin për super sfidën PSG – Barcelona

    Inteligjenca artificiale ka parashikuar rezultatin e përballjes mes Paris Saint-Germainit dhe Barcelonës, e vlefshme për xhiron e tretë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.

    Mediumi Kooora ka vendosur t’ia parashtrojë inteligjencës artificiale disa pyetje të debatueshme nga bota e futbollit, duke publikuar përgjigjet pa ndërhyrje editoriale. Pyetja e radhës lidhet me një nga ndeshjet më të shumëpritura të kësaj xhiroje: kush do të fitojë mes PSG-së dhe Barcelonës?

    Përgjigjja e inteligjencës artificiale është e qartë: PSG pritet ta mposhtë Barcelonën me rezultat 3-2.

    Pse PSG shihet si favorite?

    Sipas analizës, epërsia e skuadrës franceze lidhet kryesisht me faktorin vendas dhe forcën e saj në sulm. PSG kishte dhënë sinjale të forta në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, duke fituar 4-2 ndaj Manchester Cityt në udhëtim.

    Shpejtësia në kalimin nga mbrojtja në sulm dhe aftësia për të shfrytëzuar hapësirat prapa vijës defanzive të Barcelonës mund të jenë vendimtare në këtë përballje.

    Problemet në mbrojtjen e Barcelonës

    Një tjetër faktor që mund të ndikojë në rezultat janë mungesat te katalunasit. Sipas artikullit, Jules Kounde, Eric Garcia dhe Andreas Christensen janë jashtë për shkak të lëndimeve, duke ia kufizuar trajnerit Hansi Flick alternativat në repartin defensiv.

    Inteligjenca artificiale vlerëson se këto mungesa mund ta vështirësojnë ruajtjen e ekuilibrit mbrojtës ndaj një kundërshtari me potencial të madh ofensiv.

    Barcelona pritet të shënojë

    Pavarësisht mungesave, parashikimi nuk e sheh Barcelonën pa gola. Lamine Yamal, Raphinha dhe pjesa tjetër e repartit ofensiv kanë cilësinë për të krijuar raste edhe nën presion.

    Fitorja me rezultat 4-0 ndaj Galatasarayt në xhiron paraprake, sipas analizës, është një tjetër arsye për të besuar se katalunasit mund ta gjejnë rrugën drejt rrjetës edhe në Paris.

    Parashikimi përfundimtar

    Inteligjenca artificiale pret një ndeshje të hapur, me gola nga të dyja skuadrat, ku PSG do të ketë epërsi falë shfrytëzimit të hapësirave dhe rasteve të krijuara.

    Rezultati i parashikuar është 3-2 për Paris Saint-Germainin, ndërsa si alternativë shihet një barazim 2-2 nëse Barcelona arrin t’i neutralizojë kundërsulmet e vendasve./Telegrafi/

  • Maresca sheh Guehin si kapiten të ardhshëm të Man Cityt

    Maresca sheh Guehin si kapiten të ardhshëm të Man Cityt

    Guehi iu bashkua Manchester Cityt në afatin kalimtar të janarit, pasi klubi arriti marrëveshje me Crystal Palace për transferimin e tij, në një operacion me vlerë fillestare prej 20 milionë funtesh. Mbrojtësi anglez nënshkroi kontratë deri në vitin 2031 dhe shpejt u shndërrua në një prej lojtarëve të rëndësishëm të ekipit të Marescas.

    Deri më tani, 26-vjeçari ka regjistruar dhjetë paraqitje me fanellën e Cityt, duke kontribuar edhe me një gol dhe një asistim. Paraqitjet e tij kanë bindur trajnerin që ta përfshijë në grupin drejtues të skuadrës, së bashku me Ruben Diasin, Erling Haalandin dhe Gianluigi Donnarummën.

    “Është shumë e lehtë të flasësh për Marcin, sepse ai është një djalë fantastik dhe një njeri i shkëlqyer. Është shumë modest. Ndoshta ai vetë nuk e sheh veten si lider, por për ne është një nga udhëheqësit e skuadrës”, ka deklaruar Maresca.

    Trajneri italian ka theksuar se udhëheqja nuk shfaqet gjithmonë përmes fjalëve, duke nënvizuar se Guehi është një lider më i qetë, por me cilësi të rëndësishme për këtë rol.

    “Ekzistojnë lloje të ndryshme liderësh. Disa duhet të flasin më shumë, ndërsa ai është një lider më i heshtur. Megjithatë, i ka të gjitha karakteristikat për të qenë udhëheqës. Ai është njëri nga katër kapitenët dhe, pa dyshim, në të ardhmen mund të bëhet kapiteni i skuadrës”, ka shtuar Maresca.

    Nga ana e tij, Guehi ka pranuar se nuk e ka konsideruar veten si lider, por është përpjekur të japë shembull përmes sjelljes dhe paraqitjeve në fushë.

    “Është interesante, sepse unë nuk e shoh veten si lider. Ky është perceptimi i të tjerëve dhe mënyra se si ata më shohin. E respektoj shumë këtë. Unë thjesht përpiqem të jem vetvetja dhe të jap shembull, sidomos tani që vëmendja është më e madhe”, ka thënë mbrojtësi anglez.

    Ai ka shtuar se vazhdon të mësojë se si të përmirësohet në rolin e udhëheqësit, duke e konsideruar këtë proces si pjesë të rëndësishme të zhvillimit të tij profesional.

    Guehi ka qenë titullar në të shtatë ndeshjet e Manchester Cityt në Premier League këtë sezon, ndërsa skuadra kryeson kampionatin anglez. Mbrojtësi pritet të jetë një nga emrat e rëndësishëm edhe në përballjen e radhës ndaj AEK Athinës në Ligën e Kampionëve.

    Burimi: RTKLive