Category: Lajme

  • LEX | Apeli rrëzoi dënimin me 13 vjet e 11 muaj burgim, gjykimi nis sërish – Labeat Kastrati para drejtësisë për vrasjen e vitit 2001

    LEX | Apeli rrëzoi dënimin me 13 vjet e 11 muaj burgim, gjykimi nis sërish – Labeat Kastrati para drejtësisë për vrasjen e vitit 2001

    LEX | Apeli rrëzoi dënimin me 13 vjet e 11 muaj burgim, gjykimi nis sërish – Labeat Kastrati para drejtësisë për vrasjen e vitit 2001

    Labeat Kastrati, ish-truproja e presidentit Ibrahim Rugova, pritet të dalë sot sërish para Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rigjykimin për rastin e vrasjes së ndodhur më 2001 në lokalin “Inter Klub”. Procesi rikthehet në shkallën e parë pasi Gjykata e Apelit anuloi aktgjykimin ndaj tij dhe dy të akuzuarve të tjerë, Fahri Kajtazit dhe Hamdi Mavriqit.

    Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht se, më 26 janar 2026, Kastratit i ishte shqiptuar dënimi unik prej 13 vjetësh e 11 muajsh burgim. Ai ishte dënuar me 11 vjet për vrasje dhe katër vjet për vrasje në tentativë, por ky aktgjykim u anulua pas shqyrtimit të ankesave në Apel.

    Me vendimin e 7 korrikut 2026, Apeli konstatoi shkelje esenciale të procedurës penale dhe mungesë arsyetimi të qartë për faktet vendimtare.

    Në rigjykim kërkohet të sqarohet dinamika e të shtënave, pozita e qitësit dhe e viktimës, trajektorja e predhave dhe se cili prej të akuzuarve e kishte goditur viktimën. Për këtë, Apeli kërkoi të shqyrtohet angazhimi i një eksperti të balistikës ose i një fushe tjetër përkatëse.

    Gjykata e shkallës së dytë evidentoi gjithashtu se një prej shkeljeve të konstatuara ishte ngritur edhe nga Gjykata Supreme më 2009, por nuk ishte eliminuar gjatë rigjykimit.

    Ngjarja kishte ndodhur më 17 dhjetor 2001 në “Inter Klub” në Prishtinë. Sipas aktakuzës së ngritur më 24 qershor 2002, pas fjalosjeve, sharjeve dhe kërcënimeve, personat e përfshirë kishin shtënë me armë ndaj njëri-tjetrit.

    Prokuroria pretendon se, derisa Kastrati dhe Mavriqi po shtinin në drejtim të Kajtazit, një predhë nga arma e njërit prej tyre kishte goditur për vdekje A.M. Qytetarët e kishin dërguar në spital, ku mjekët kishin konstatuar vdekjen. Në aktakuzën fillestare ishte përfshirë edhe Milaim Cakaj.

    Rasti ka kaluar nëpër një proces të gjatë gjyqësor. Aktgjykimi i parë ishte shpallur më 2002, ndërsa më 26 nëntor 2009, Gjykata Supreme kishte anuluar pjesën që lidhej me Kastratin, Kajtazin dhe Mavriqin, duke e kthyer çështjen në rigjykim. Pjesa e aktgjykimit ndaj Cakajt ishte lënë në fuqi.

    Bashkë me vendimin e Apelit të këtij viti, çështja është kthyer të paktën dy herë në rigjykim, ndërsa gati 25 vjet pas ngjarjes, procesi ndaj tre të akuzuarve ende nuk ka marrë epilog përfundimtar.

    Pavarësisht anulimit të dënimit, me vendimin e korrikut Apeli ia kishte vazhduar Kastratit masën e paraburgimit deri në një vendim tjetër të Gjykatës Themelore. Për ndonjë ndryshim të mëvonshëm të kësaj mase nuk ka konfirmim në të dhënat e verifikuara.

    Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post LEX | Apeli rrëzoi dënimin me 13 vjet e 11 muaj burgim, gjykimi nis sërish – Labeat Kastrati para drejtësisë për vrasjen e vitit 2001 appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali

  • Policia në Prishtinë ndalon një person të kërkuar

    Policia në Prishtinë ndalon një person të kërkuar

    Policia në Prishtinë ndalon një person të kërkuar

    Policia e Kosovës ka arrestuar në Prishtinë një 40-vjeçar, i cili ishte në kërkim për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës” dhe “Përdorimi i armës”.

    Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari me inicialet A. F. ishte dënuar me një vit e katër muaj burgim për këto vepra penale, transmeton Klankosova.tv.

    Arrestimi u realizua më 19 tetor nga zyrtarët e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë.

    Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, 40-vjeçari është dërguar në vuajtje të dënimit.

  • E kërcënoi punëtoren me thikë dhe grabiti 8 mijë euro, një muaj paraburgim për të dyshuarin

    E kërcënoi punëtoren me thikë dhe grabiti 8 mijë euro, një muaj paraburgim për të dyshuarin

    E kërcënoi punëtoren me thikë dhe grabiti 8 mijë euro, një muaj paraburgim për të dyshuarin

    Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke i caktuar një muaj paraburgim të pandehurit Ç. Zh., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të grabitjes.

    Sipas njoftimit të gjykatës, rasti ka ndodhur më 10 tetor 2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Anton Çeta” në Gjakovë, te “R. M. T.”.

    I pandehuri, i maskuar, dyshohet se ka hyrë në lokal, ku punëtorja M. F. ishte duke punuar, dhe ka nxjerrë një thikë. Nën kërcënimin se do ta sulmonte, ai e ka urdhëruar punëtoren që t’ia japë të gjitha paratë.

    “…nën kërcënimin e thikës, e urdhëron punëtoren që t’ia japë të gjitha të hollat. Mirëpo, kjo e fundit, duke qenë e frikësuar dhe në panik, pa ditur se si të reagojë, i pandehuri e hap dollapin e vendit ku ndodheshin paratë, i merr të gjitha të hollat në shumën prej rreth 8.000 €. Më pas, i drejtohet punëtores duke i thënë që të mos e shikojë në fytyrë dhe del nga lokali, nga ku, me të hollat e grabitura, largohet nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftim.

    Gjyqtari i procedurës paraprake, Samedin Cena, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.

    “Me këtë vendim, i pandehurit Ç. Zh., do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data e arrestimit me 15 tetor 2026 deri më 15 nëntor 2026. Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”./Klankosova.tv

  • Deputetja australiane lëndohet në një incident pranë zyrës së saj

    Deputetja australiane lëndohet në një incident pranë zyrës së saj

    Deputetja australiane lëndohet në një incident pranë zyrës së saj

    Deputetja e pavarur australiane, Helen Haines, është lënduar në një incident pranë zyrës së saj në Wangaratta, në rajonin e Viktorias.

    Shërbimet emergjente kanë intervenuar pas thirrjeve për ndihmë në rrugën Murphy, pak para orës 16:00. Si pasojë e incidentit, rruga është mbyllur në të dy drejtimet, ndërsa policia ka reaguar në vendin e ngjarjes.

    Familja e deputetes ka konfirmuar se ajo po merr trajtim mjekësor, duke falënderuar qytetarët që i dolën në ndihmë, personelin shëndetësor dhe policinë për reagimin e shpejtë, raporton Abc,net.au, transmeton Klankosova.tv.

    “Familjarët tanë dhe stafi i Helenës nuk do të bëjnë komente të tjera për momentin dhe kërkojnë që privatësia e tyre të respektohet nga publiku dhe mediat”, thuhet në deklaratën e familjes.

    Helen Haines është deputete federale për zonën e Indit që nga viti 2019. Deri më tani, nuk janë bërë publike detaje të tjera rreth rrethanave të incidentit.

  • Fëmijët përballë algoritmeve, bullizmit digjital dhe shëndetit mendor

    Fëmijët përballë algoritmeve, bullizmit digjital dhe shëndetit mendor

    Një njoftim. Një koment. Një video. Një tjetër mesazh.

    Telefoni dhe interneti janë bërë pjesë e përditshmërisë edhe për fëmijët. Për disa, është mënyra më e lehtë për të komunikuar me familjen dhe shoqërinë. Për të tjerë, është mjet për mësim, argëtim dhe lojëra. Por koha që kalojnë para ekranit dhe përmbajtja me të cilën përballen nuk janë gjithmonë të njëjta me ato që pranojnë se përdorin.

     “Ne i përdorim, por jo edhe aq shumë. Për të kontaktuar me prindërit dhe për detyra. Telefonin e përdor kur kam nevojë.”

    “Unë e përdor internetin dhe luaj në qetësi, pa më ngacmuar askush.”

    “Rreth katër apo pesë orë në ditë, vikendeve pak më shumë. I përdor për lojëra dhe për mësime. Edhe për pyetje, e pyes ChatGPT-në.”

    “Unë flas vetëm me shokët që u besoj. Më shumë e përdor Snapchat-in për komunikim. TikTok-un e përdor vetëm për të shikuar video. Nuk e përdor për bullizëm dhe nuk dua që dikush të më bullizojë mua.”

    “Unë e kam telefonin me kufizim kohor, prej orës shtatë të mëngjesit deri në nëntë të mbrëmjes. Pastaj më mbyllen aplikacionet. Më së shumti që kam qëndruar në telefon ka qenë katër orë.”

    Në internet, ku komunikimi ndodh me shpejtësinë e një klikimi, kufiri mes argëtimit dhe lëndimit mund të zhduket shumë shpejt.

    Psikologia Tringa Visoka, e angazhuar në shkollën “Asim Vokshi” në Prishtinë dhe në shkollën “Ali Kelmendi” në Barilevë, thotë se në punën e saj të përditshme përballet edhe me raste të bullizmit përmes rrjeteve sociale.

    “Fëmijët po e përdorin telefonin jashtëzakonisht shumë. Fatkeqësisht, një pjesë e madhe e tyre nuk kanë kontroll se sa e përdorin telefonin, çfarë shikojnë, në cilat rrjete sociale kyçen dhe me kë komunikojnë. Disa prej tyre e përdorin internetin edhe për gjëra jo të mira. Njëra prej tyre është bullizimi”, thotë Visoka.

    Krijimi i profileve të rrejshme dhe shpërndarja e fotografive pa leje mund ta cenojnë privatësinë dhe sigurinë emocionale të fëmijëve. Në raste të caktuara, fotografitë manipulohen dhe përdoren për t’i tallur dhe poshtëruar bashkëmoshatarët.

    Në këto raste, nxënësit  e prekur kërkojnë ndihmë te mësimdhënësit, drejtoria dhe stafi profesional i shkollës, thotë psikologia Visoka.

    “Ndihen jashtëzakonisht keq, janë shumë të shqetësuar dhe fillojnë të kenë ankth. Cenimi i privatësisë është një gjë shumë e keqe edhe për ne të rriturit. Tani po bëjnë edhe gjëra të tilla, kur marrin vetëm pjesën e fytyrës dhe pjesën tjetër të trupit e kombinojnë me gjëra të pahijshme. Kështu që fëmijët ndihen shumë keq, përjetojnë ankth dhe kërkojnë që të gjendet një zgjidhje”, thekson psikologia.

    Ndryshe nga një konflikt verbal apo fizik që mund të përfundojë kur fëmijët largohen nga shkolla, bullizmi në internet mund t’i ndjekë edhe në shtëpi. Përmbajtjet e shpërndara mund të ruhen, të kopjohen dhe të qarkullojnë sërish.

    Kur rastet zbulohen, ndërhyrja bëhet përmes bisedave me fëmijën e prekur dhe me atë që ka ushtruar bullizëm. Sipas Visokës, synimi është që fëmija të kuptojë pasojat e veprimeve të tij, ndërsa viktima të marrë mbështetjen e nevojshme.

    “Me fëmijën që në këtë rast e bullizon viktimën, bisedoj dhe ia tërheq vërejtjen. Rastet e tilla ndonjëherë shkojnë në ekstrem, prandaj duhet t’i vendosim kufij fëmijës dhe t’i tregojmë se këto veprime po e dëmtojnë nxënësin tjetër. Jo me vrazhdësi, por duke e vetëdijesuar. Në shumë raste, fëmijët i fshijnë fotografitë pasi ndërhyjnë edhe drejtori, sekretari apo pedagogia. Ndërsa fëmijët që janë viktima mundohem t’i qetësoj dhe t’u them se do ta gjejmë një zgjidhje”, pohon ajo.

    Visoka thotë se ndërgjegjësimi për raportimin e rasteve është rritur dhe se mësimdhënësit e prindërit po kërkojnë gjithnjë e më shumë ndihmë profesionale.

    “Mesatarisht, brenda ditës i kam tri deri në katër raste. Fatmirësisht, është rritur vetëdija për t’i referuar rastet te psikologu. Mësueset i referojnë, por edhe prindërit e kërkojnë ndihmën e psikologes. Vitin e kaluar, kur jemi bashkuar me shkollën ‘Zenel Hajdini’, në periudhën e mësimit tërëditor dhe me dy ndërrime, ka pasur ditë kur i kam pasur deri në shtatë raste brenda ditës”, sqaron ajo.

    Këto shifra nuk mund të përgjithësohen për të gjitha shkollat e Kosovës. Megjithatë, ato ngrenë shqetësimin  për kapacitetet e sistemit arsimor, dhe se sa mbështetje profesionale kanë fëmijët kur përballen me dhunë dhe bullizëm.

    Merita Jonuzi, udhëheqëse e Divizionit për Shkencë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, thotë se në sistemin arsimor janë të punësuar profesionistë të shërbimeve pedagogjike dhe psikologjike. Sipas saj, është punuar edhe në zhvillimin e kapaciteteve për psikologjinë shkollore.

    “Aktualisht i kemi në sistem shërbime pedagogjike dhe psikologjike 300 të punësuar, prej tyre 108 pedagogë dhe 192 psikologë. Proporcioni është i planifikuar një psikolog për 685 nxënës. Dhe, ashtu siç e kalkulova numrin e nxënësve në shkollat e mesme të ulëta dhe shkollat e mesme të larta, që është 130 mijë e 429 nxënës, në raport me 192 psikologët i bie një psikolog me 679 nxënës. Ndërkaq, nëse e bëjmë kalkulimin në raport me 300 të punësuar, pedagogë e psikologë, se afërsisht funksionin e kanë të ngjashëm në funksion të mbarëvajtjes dhe elementeve të edukimit të nxënësve, i bie në raport një me 432”, sqaron Jonuzi.

    Përtej numrit të profesionistëve, rëndësi ka edhe shpërndarja e tyre dhe qasja reale e nxënësve në shërbime.

    Sipas Ministrisë, gjatë vitit të fundit shkollor janë raportuar 129 raste të dhunës në sistemin arsimor. Shumica janë raste të dhunës fizike, ndërsa vetëm një rast është identifikuar si dhunë digjitale. Kjo shifër pasqyron rastet e regjistruara dhe të klasifikuara në sistem, por nuk dëshmon domosdoshmërisht se vetëm një rast i dhunës digjitale ka ndodhur në shkolla, pohon znj.Jonuzi.

    “Kur flasim për dhunën digjitale, online, në kohën e sotme digjitale është shumë e mundshme, sepse ka përdorim enorm dhe ka edhe papërgjegjësi prindërore për mënyrën e mbikëqyrjes së fëmijëve se si e përdorin teknologjinë. Shto këtu edhe atë se a edukohen mjaftueshëm për përdorim të sigurt të teknologjisë dhe shmangie të dhunës, e raportim cilësor edhe në kontekst shkolle. Po, mekanizma ka, legjislacion ka, sistem të raportimit dhe të referimit ka, veçse duhet secili ta kryejë punën e vet dhe t’u dalë fëmijëve në mbrojtje sa herë që është e nevojshme”, thekson ajo.

    Për ta kuptuar më mirë përmasën e problemit, nevojiten të dhëna të hollësishme dhe bashkëpunim mes shkollave, familjeve dhe institucioneve.

    Sidoqoftë, përballë këtyre sfidave, prindërit përpiqen t’i mbrojnë fëmijët pa ua ndaluar plotësisht përdorimin e teknologjisë.

    Lindita Mirena, nënë e dy fëmijëve, thotë se përpiqet të kufizojë kohën që ata kalojnë në telefon dhe të mbikëqyrë përmbajtjet që përdorin.

    “I përdorin, por shumë pak, rreth dy orë në ditë pasi të vijnë nga shkolla, sepse është e pamundur të mos ua lejosh pak telefonin, pasi edhe ne punojmë. Unë gjithmonë i kam nën kontroll. Edhe pse ua lë telefonin për dy orë, e di çfarë shikojnë. E kam të lidhur me telefonin tim dhe më vijnë njoftime për atë që kanë përdorur. Për këtë arsye e di se nuk shikojnë diçka që nuk duhet ta shohin”, tha ajo.

    Kontrolli prindëror mund të ndihmojë në kufizimin e kohës dhe të përmbajtjeve të papërshtatshme, por nuk e zëvendëson komunikimin. Një fëmijë mund të ketë kufizime në aplikacione dhe prapëseprapë të kërcënohet, përqeshet apo shantazhohet.

    Prandaj, përveç rregullave, rëndësi ka që fëmijët të ndihen të sigurt për të folur me prindërit, pa pasur frikë se do të fajësohen.

    Qerim Maksuti, socionom, respektivisht punonjës social i specializuar në psikoterapi që punon në Suedi, thekson rëndësinë e identifikimit të sjelljeve negative dhe zëvendësimit të tyre me sjellje pozitive.

    “Ajo që duhet të dihet në çdo rast, te çdo individ dhe para së gjithash tek fëmijët, është se kur kemi një sjellje negative, atëherë kemi një vegël kryesore: sjelljen alternative. Në këtë rast, bëhet fjalë për zëvendësimin e sjelljeve negative, destruktive, me sjellje pozitive dhe funksionale, që janë në të mirën e fëmijës apo individit”, thotë ai.

    Sipas Maksutit, familja dhe shkolla kanë rol të rëndësishëm për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë përvojat që hasin dhe të dallojnë sjelljet e dëmshme nga ato të dobishme.

    “Mendoj se duhet të njihet më tepër problemi dhe më pas t’u ofrohen veprime dhe përjetime pozitive. Kemi nevojë për praninë më të afërt të prindit, të pedagogut shkollor dhe të personave të tjerë me të cilët fëmija është vazhdimisht në kontakt. Fëmija përballet me dukuri të cilat nuk ka gjithmonë mundësi t’i vlerësojë nëse janë negative apo pozitive. Prandaj, prania e të rriturve dhe e të afërmve duhet të jetë e madhe”, tha ai.

    Ndikimi i algoritmeve të rrjeteve sociale nuk kufizohet te rastet e bullizmit. Ato ndikojnë edhe në mënyrën se si fëmijët e perceptojnë veten, ndërtojnë identitetin dhe krijojnë marrëdhënie me të tjerët.

    Sociologu Besnik Fetahu thotë se interneti ofron mundësi për zhvillimin e aftësive teknologjike dhe kreativitetit, por njëkohësisht i ekspozon fëmijët ndaj rreziqeve që mund të ndikojnë në zhvillimin e tyre shoqëror.

    “Ne e dimë edhe nga përvoja jonë se shpeshherë rrjetet sociale janë edhe si hapësira të bullizimit, keqpërdorimit dhe, fatkeqësisht, rasteve që mund të përfundojnë me dhunë fizike e pasoja fatale. Këto ndikojnë edhe në formimin kulturor dhe identitar të fëmijëve. Një tjetër rrezik është ekspozimi ndaj gjuhës së urrejtjes, seksualizimit të hershëm dhe dezinformimit. Të gjitha këto ofrohen përmes rrjeteve sociale, ndërsa fëmijët janë ndër grupet më të ndjeshme”, thotë Fetahu.

    Sipas Fetahut, ndikimet mund të shfaqen në mënyra të ndryshme, varësisht nga mosha dhe përvojat e fëmijëve.

    “Fëmijët dhe adoleshentët mund të përballen me ankth, depresion dhe forma të varësisë digjitale, sepse një pjesë e madhe e socializimit, komunikimit dhe marrjes së informacionit po zhvillohet përmes rrjeteve sociale. Prandaj, këto grupmosha janë veçanërisht të ndjeshme ndaj ndikimeve negative”, pohon ai.

    Megjithatë, përdorimi i shpeshtë i telefonit nuk nënkupton automatikisht varësi, ashtu siç jo çdo problem i shëndetit mendor mund të shkaktohet nga rrjetet sociale. Rëndësi ka nëse përdorimi i teknologjisë ndërhyn në gjumë, mësim, marrëdhënie dhe jetën e përditshme të fëmijëve, thotë Dren Rexha, specialist për politika sociale në zyrën e UNICEF-it në Kosovë.

    “Fenomenet si bullizmi, përmbajtjet e dëmshme, krahasimi i vazhdueshëm i fëmijëve me të tjerët, presioni për dukjen fizike apo për pëlqime mund të ndikojnë në vetëvlerësim dhe në mirëqenien emocionale të fëmijëve. Për disa fëmijë, këto përvoja mund të shoqërohen edhe me ankth, tërheqje sociale ose ndjenjën se nuk janë mjaftueshëm të mirë. Prandaj, mesazhi ynë nuk është që fëmijët duhet të tërhiqen domosdoshmërisht nga interneti, por të mësohen ta përdorin atë në mënyrë të sigurt dhe të ekuilibruar”, tha ai.

    Rexha thekson se dhuna digjitale është dhunë reale dhe mund të ketë pasoja edhe pasi fëmija largohet nga ekrani.

    “Dhuna që ndodh online është dhunë reale dhe mund të ketë pasoja të rënda në shëndetin mendor, vetëbesimin dhe marrëdhëniet shoqërore të fëmijëve. Shpesh, ajo nuk përfundon kur fëmija del nga shkolla apo e mbyll telefonin, por mund ta ndjekë vazhdimisht. Bullizmi, kërcënimet, shpërndarja e fotografive pa pëlqim, shantazhi apo keqpërdorimi i imazheve intime mund të shkaktojnë frikë, turp dhe izolim. Veçanërisht shqetësues është fakti se një fotografi apo mesazh mund të përhapet shumë shpejt, të arrijë te shumë njerëz dhe të jetë vështirë të hiqet nga interneti. Për fëmijët, pasojat mund të jenë afatgjata, edhe kur publikimi ka ndodhur vetëm një herë”, theskon ai.

    Sipas Rexhës, Kosova ka mekanizma ligjorë dhe institucionalë për mbrojtjen e fëmijëve, por nevojitet bashkëpunim më i mirë mes shkollave, policisë, qendrave për punë sociale dhe familjeve.

    “Fëmijët duhet të dinë ku të drejtohen dhe të kenë besim se do të dëgjohen, do të mbrohen dhe se askush nuk do t’i fajësojë. Po ashtu, prindi duhet të reagojë me qetësi dhe mbështetje kur fëmija i tregon për një përvojë të dhunës online”, tha ai.

    Parandalimi, sipas Rexhës, kërkon edukim digjital, shërbime të koordinuara dhe përgjegjësi edhe nga platformat teknologjike.

    “UNICEF-i e mbështet parandalimin, shërbimet e koordinuara, edukimin digjital dhe përgjegjësinë e platformave online për sigurinë e fëmijëve. Mesazhi ynë përfundimtar është shumë i qartë: asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet i vetëm përballë dhunës online. Mbrojtja e tij është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, familjeve, shkollave dhe kompanive të teknologjisë”, sqaron ai.

    Për një fëmijë, telefoni mund të jetë hapësira ku krijon miqësi, kërkon pranim, por edhe vendi ku përballet me fjalë e përvoja që e lëndojnë.

    Prandaj mbrojtja e fëmijëve kërkon vëmendje, komunikim dhe, mbi të gjitha, besimin se, kur diçka nuk shkon mirë, fëmija mund të flasë pa frikë dhe pa u ndier fajtor.

    Burimi: RTKLive

  • Një muaj paraburgim për të dyshuarin për grabitjen e 8 mijë eurove në Gjakovë

    Një muaj paraburgim për të dyshuarin për grabitjen e 8 mijë eurove në Gjakovë

    Sipas komunikatës së gjykatës, rasti ka ndodhur më 10 tetor 2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Anton Çeta” në Gjakovë, në një lokal të identifikuar në komunikatë si “R. M. T.”.

    Sipas kërkesës së Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se, i maskuar dhe nën kërcënimin me thikë, ka hyrë në lokal dhe i ka kërkuar punëtores që t’ia dorëzojë të gjitha paratë.

    “Nën kërcënimin e thikës, e urdhëron punëtoren që t’ia japë të gjitha të hollat”, thuhet në komunikatën e gjykatës.

    Më tej, sipas përshkrimit të rastit, punëtorja, e frikësuar dhe në panik, nuk ka ditur si të reagojë, ndërsa i dyshuari dyshohet se e ka hapur dollapin ku mbaheshin paratë dhe i ka marrë ato.

    “I pandehuri e hap dollapin e vendit ku ndodheshin paratë, i merr të gjitha të hollat në shumën prej rreth 8.000 €”, thuhet në komunikatë.

    Pas marrjes së parave, i dyshuari dyshohet se i ka kërkuar punëtores të mos e shikonte në fytyrë dhe më pas është larguar nga lokali, duke marrë me vete paratë e grabitura.

    Sipas komunikatës, gjyqtari i procedurës paraprake, Samedin Cena, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.

    “Me këtë vendim, i pandehuri Ç. Zh., do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet në komunikatë.

    Periudha e paraburgimit, sipas gjykatës, llogaritet nga 15 tetori 2026, data e arrestimit, deri më 15 nëntor 2026.

    Në fund të komunikatës bëhet e ditur se palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

    Burimi: RTKLive

  • Çka po ndodh me ligat më të mëdha në Evropë? Flasin gazetarët (VIDEO)

    Çka po ndodh me ligat më të mëdha në Evropë? Flasin gazetarët (VIDEO)

    Çka po ndodh me ligat më të mëdha në Evropë? Flasin gazetarët (VIDEO)

    Gazetarët Erblina Okrashtica dhe Shkumbin Pireva kanë diskutuar në emisionin “Ora 7” për garën në Ligën e Kampionëve, formën e skuadrave kryesore evropiane dhe favoritët për ta fituar këtë garë.

    Gjatë diskutimit, vëmendje iu kushtua Barcelonës, PSG-së, Bayern Munichut dhe Arsenalit, si dhe sfidave që klubet përballen për shkak të kalendarit të ngjeshur të ndeshjeve.

    Po ashtu, u diskutua edhe për përballjen mes Barcelonës dhe Real Madridit, me theks te forma aktuale e skuadrave dhe pritjet për këtë duel.

    Për detajet e plota, ndiqni videon vijuese:

  • Aksident në Bresje të Fushë Kosovës (FOTO)

    Aksident në Bresje të Fushë Kosovës (FOTO)

    Aksident në Bresje të Fushë Kosovës (FOTO)

    Një aksident ka ndodhur në Bresje të Fushë Kosovës.

    Sipas fotos së siguruar nga Klan Kosova, shihet se janë përfshirë dy vetura.

    Nuk dihet ende nëse ka të lënduar nga ky aksident.

    Klankosova.tv ka kontaktuar me Policinë, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka pranuar ndonjë informacion zyrtar./ Klankosova.tv.

  • 107-vjeçari zbulon “sekretin” e jetëgjatësisë: Kam jetuar me peshk dhe patate të skuqura

    107-vjeçari zbulon “sekretin” e jetëgjatësisë: Kam jetuar me peshk dhe patate të skuqura

    107-vjeçari zbulon “sekretin” e jetëgjatësisë: Kam jetuar me peshk dhe patate të skuqura

    Një burrë nga Uellsi, i cili raportohet të jetë më i moshuari në vend, ka festuar ditëlindjen e tij të 107-të, duke ia atribuar jetëgjatësinë një jete të thjeshtë dhe ushqimit që ka konsumuar ndër vite.

    Owen Filer, nga Cwmbran, thotë se nuk ekziston ndonjë sekret i veçantë për të jetuar gjatë, përveçse të jetosh shëndetshëm dhe të mos e teprosh me ushqimin.

    “Gjithmonë kam punuar. Nuk ka asnjë sekret, thjesht duhet të jetosh siç duhet. Nuk kam ngrënë kurrë më shumë seç duhet. Jam ushqyer me peshk dhe patate të skuqura”, ka thënë ai, shkruan Mirror, transmeton Klankosova.tv.

    I lindur në vitin 1919, Filer shërbeu në ushtrinë britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai ka katër fëmijë, 10 nipër e mbesa dhe 15 stërnipër e stërmbesa.

    Me rastin e ditëlindjes, veterani u nderua për shërbimin e tij ushtarak dhe festoi me familjarë, miq dhe bashkëluftëtarë.

    Pavarësisht moshës së tij, Filer vazhdon ta nisë ditën me përkushtim, duke u veshur me kujdes dhe duke ruajtur rutinën e përditshme.

    Miku i tij, Darren Foote, e përshkroi si një njeri të thjeshtë dhe të dashur, nga i cili të gjithë mund të mësojnë diçka për mënyrën se si duhet jetuar jeta./Klankosova.tv

  • Krasniqi: Ka abuzim me çmimet në Kosovë, shteti duhet të ndërhyjë (VIDEO)

    Krasniqi: Ka abuzim me çmimet në Kosovë, shteti duhet të ndërhyjë (VIDEO)

    Krasniqi: Ka abuzim me çmimet në Kosovë, shteti duhet të ndërhyjë (VIDEO)

    Gazetari Vullnet Krasniqi ka folur për çmimet e larta të produkteve në Kosovë, duke thënë se disa produkte janë më të shtrenjta në vend sesa në Gjermani.

    Në emisionin “Ora 7”, Krasniqi deklaroi se këtë dallim e ka dëgjuar shpesh nga qytetarët që jetojnë në diasporë, ndërsa ka vlerësuar se çmimet e larta mund të jenë rezultat i abuzimeve nga tregtarët.

    “…Prej naftës deri te produktet e tjera, kemi të bëjmë me abuzime prej tregtarëve dhe këtë abuzim duhet ta ndalë shteti”, ka deklaruar Krasniqi në Klan Kosova.

    Ndiqni diskutimin e plotë: