Category: Lajme

  • Dogana e Kosovës zbulon mallra të padeklaruara në Vërmicë, vlera mbi 10 mijë euro

    Dogana e Kosovës zbulon mallra të padeklaruara në Vërmicë, vlera mbi 10 mijë euro

    Dogana e Kosovës zbulon mallra të padeklaruara në Vërmicë, vlera mbi 10 mijë euro

    Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar mallra të padeklaruara në vlerë të përafërt prej 10 mijë e 300 euro, gjatë kontrollit të një dërgese në Zyrën e Brendshme Doganore në Vërmicë.

    Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, parregullsitë janë identifikuar pas analizës së riskut, kur dërgesa është përzgjedhur për kontroll fizik, transmeton Klankosova.tv.

    Fillimisht, zyrtarët doganorë kanë verifikuar dokumentacionin përcjellës, ndërsa më pas kanë kontrolluar mallrat për të krahasuar të dhënat e deklaruara me gjendjen faktike, përfshirë përshkrimin dhe sasinë e tyre.

    Gjatë kontrollit janë konstatuar mospërputhje në sasinë e mallrave, përkatësisht produkte që nuk ishin deklaruar në dokumentacionin doganor.

  • Seanca e së enjtes, në rend dite edhe përzgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së

    Seanca e së enjtes, në rend dite edhe përzgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së

    Seanca e së enjtes, në rend dite edhe përzgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca e radhës plenare do të mbahet të enjten, duke filluar nga ora 10:00.

    Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka njoftuar se seanca do të nisë me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare, për të vazhduar më pas me çështje që lidhen me funksionimin e institucioneve dhe sundimin e ligjit.

    Në rend dite është shqyrtimi në lexim të dytë i Projektligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

    Deputetët pritet të shqyrtojnë edhe zgjedhjen e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, si dhe formimin e Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK)./Klankosova.tv

     

  • Presidentja Shiroka-Pula pret sot në takim dy senatorë amerikanë

    Presidentja Shiroka-Pula pret sot në takim dy senatorë amerikanë

    Presidentja Shiroka-Pula pret sot në takim dy senatorë amerikanë

    Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, do të takohet sot në orën 17:00 me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin.

    Sipas njoftimit, takimi do të mbahet në kabinetin e Presidentes, ndërsa mediat do të kenë mundësi të marrin pamje në fillim të takimit.

    “Pas përfundimit të takimit, do të publikohet një komunikatë për media”, thuhet në njoftim./Klankosova.tv

  • Liga e Kampionëve rikthehet me ndeshjet e xhiros së dytë, këto janë përballjet e javës

    Liga e Kampionëve rikthehet me ndeshjet e xhiros së dytë, këto janë përballjet e javës

    Liga e Kampionëve rikthehet këtë javë me ndeshjet e xhiros së dytë të fazës së ligës, të cilat do të zhvillohen të martën dhe të mërkurën, më 13 dhe 14 tetor.

    Ndryshe nga xhiroja e parë, e cila u zhvillua përgjatë tri ditëve, ndeshjet e mbetura të kësaj faze do të luhen në dy ditë.

    Të martën, vëmendja do të jetë te përballja mes Atlético Madridit dhe Manchester Unitedit, si dhe te ndeshjet e tjera, përfshirë atë mes Villarrealit dhe Napolit dhe përballjen mes Vikingut dhe Bayern Munichut.

    Ndërkaq, të mërkurën, Real Madridi do të përballet me Romën, ndërsa Manchester City do të luajë kundër Paris Saint-Germainit (PSG).

    Më poshtë është orari i ndeshjeve të xhiros së dytë dhe të tretë, sipas orarit të publikuar në kalendar.

    Xhiroja e dytë

    E martë, 13 tetor

    • 12:45 – RC Lens – Sporting CP
    • 12:45 – Sabah FC – Slavia Praha
    • 15:00 – Arsenal – Lille
    • 15:00 – Atlético Madrid – Manchester United
    • 15:00 – Inter – Club Brugge
    • 15:00 – Galatasaray – Barcelona
    • 15:00 – RB Leipzig – PSV Eindhoven
    • 15:00 – Viking FK – Bayern Munich
    • 15:00 – Villarreal – Napoli

    E mërkurë, 14 tetor

    • 12:45 – Feyenoord – Como 1907
    • 12:45 – LASK – Liverpool
    • 15:00 – Roma – Real Madrid
    • 15:00 – Aston Villa – Fenerbahçe
    • 15:00 – Shakhtar Donetsk – AEK Athens
    • 15:00 – Bodø/Glimt – Borussia Dortmund
    • 15:00 – Manchester City – PSG
    • 15:00 – Real Betis – Porto
    • 15:00 – Slovan Bratislava – VfB Stuttgart

    Xhiroja e tretë

    E martë, 20 tetor

    • 12:45 – Fenerbahçe – Slavia Praha
    • 12:45 – Sabah FC – Borussia Dortmund
    • 15:00 – Roma – Slovan Bratislava
    • 15:00 – Porto – PSV Eindhoven
    • 15:00 – Liverpool – Villarreal
    • 15:00 – Manchester City – AEK Athens
    • 15:00 – PSG – Barcelona
    • 15:00 – Napoli – Bodø/Glimt
    • 15:00 – VfB Stuttgart – Atlético Madrid

    E mërkurë, 21 tetor

    • 12:45 – Como 1907 – Manchester United
    • 12:45 – Lille – Galatasaray
    • 15:00 – Aston Villa – Viking FK
    • 15:00 – Club Brugge – RC Lens
    • 15:00 – Bayern Munich – Arsenal
    • 15:00 – Inter – Shakhtar Donetsk
    • 15:00 – Real Madrid – RB Leipzig
    • 15:00 – Real Betis – Feyenoord
    • 15:00 – Sporting CP – LASK

    Në përfundim të fazës së ligës, tetë skuadrat e para në renditje do të kualifikohen drejtpërdrejt në fazën e eliminimit, ndërsa 16 skuadrat pasuese do të garojnë në fazën e plejofit për të siguruar një vend në raundin e ardhshëm.

    Burimi: Dukagjini

  • 43 raste të dhunës në familje brenda një jave, ZMNV trajton 52 raste të reja

    43 raste të dhunës në familje brenda një jave, ZMNV trajton 52 raste të reja

    43 raste të dhunës në familje brenda një jave, ZMNV trajton 52 raste të reja

    Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave (ZMNV) ka trajtuar 52 raste të reja gjatë periudhës 2–9 tetor 2026, prej të cilave 43 kanë të bëjnë me dhunën në familje.

    Sipas njoftimit të ZMNV-së, gjatë kësaj periudhe është trajtuar edhe një rast i trafikimit, dy raste të dhunës seksuale, një rast i sulmit seksual, dy raste të vrasjes dhe tri raste të tjera.

    Gjatë kësaj jave, mbrojtësit e viktimave kanë përcjellë gjithashtu 91 seanca gjyqësore dhe 11 seanca në prokurori, ndërsa kanë ofruar 34 këshilla juridike.

    Sa u përket procedurave gjyqësore, janë aprovuar pesë kërkesa për urdhër mbrojtje dhe gjashtë kërkesa për urdhër mbrojtje emergjente. Po ashtu, janë aprovuar katër kërkesa për urdhër mbrojtje të përkohshme emergjente, ndërsa nëntë kërkesa për urdhër mbrojtje janë ende në proces. Gjykata ka refuzuar dy kërkesa për urdhra mbrojtës.

    Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar pesë aktgjykime dënuese dhe një aktgjykim lirues, si dhe janë paraqitur dy ankesa në shkallë të dytë dhe nëntë parashtresa.

    ZMNV ka bërë edhe dy kërkesa për kompensim pranë komisionit të Ministrisë së Drejtësisë, ka përfaqësuar një rast në Polici dhe ka referuar tri raste në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas dhe një rast në Qendrën për Punë Sociale.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post 43 raste të dhunës në familje brenda një jave, ZMNV trajton 52 raste të reja appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali

  • Yamal i afrohet rekordit të Mbappe-s në Ligën e Kampionëve

    Yamal i afrohet rekordit të Mbappe-s në Ligën e Kampionëve

    Talenti i Barcelonës po dëshmon se është i gatshëm të rivalizojë me emrat më të mëdhenj të futbollit evropian, ndërsa një nga objektivat e tij është rekordi i Kylian Mbappe-s.

    Yamali ka realizuar 12 gola në Ligën e Kampionëve para se të mbushë 19 vjeç, duke lënë pas shifrën e Mbappe-s në të njëjtën moshë, sipas statistikave të përmendura në raportim.

    Sulmuesi francez i Real Madridit, megjithatë, mbetet një pikë referimi për të rinjtë që synojnë të lënë gjurmë në këtë garë. Mbappe kishte realizuar 13 gola në Ligën e Kampionëve para se të mbushte 20 vjeç, një statistikë që tashmë është në shënjestër të yllit të Barcelonës.

    Yamali vazhdoi të kontribuojë me gola dhe asistime në këtë kompeticion. Pas paraqitjes kundër Feyenoordit në ndeshjen e parë të fazës së ligës këtë sezon, ai kishte regjistruar 12 gola dhe 11 asistime në 34 paraqitje në Ligën e Kampionëve.

    Duke pasur parasysh moshën dhe ndikimin e tij në lojën e Barcelonës, Yamali ka mundësi të vazhdojë përmirësimin e statistikave dhe të vendosë standarde të reja në futbollin evropian.

    Rekordi i Mbappe-s mbetet një objektiv i rëndësishëm, por forma e talentit spanjoll e bën këtë garë edhe më interesante.

    Burimi: RTKLive

  • Përmbyllet me sukses ushtrimi fushor “VALOR SHIELD 2026” i Operacioneve Speciale të FSK-së

    Përmbyllet me sukses ushtrimi fushor “VALOR SHIELD 2026” i Operacioneve Speciale të FSK-së

    Përmbyllet me sukses ushtrimi fushor “VALOR SHIELD 2026” i Operacioneve Speciale të FSK-së

    Operacionet Speciale të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në bashkëpunim me partnerët strategjikë nga ShBA-ja, Shqipëria dhe Kroacia, kanë përmbyllur me sukses ushtrimin fushor “VALOR SHIELD 2026”.

    Ushtrimi u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet e tjera të sigurisë në Kosovë, me fokus në avancimin e kapaciteteve operacionale dhe rritjen e gatishmërisë profesionale të forcave pjesëmarrëse, transmeton Klankosova.tv.

    Sipas njoftimit, aktiviteti u përqendrua në zhvillimin e aftësive në fushën e luftës jokonvencionale, testimin e kapaciteteve profesionale dhe specialistike, si dhe forcimin e ndërveprueshmërisë ndërmjet njësive pjesëmarrëse.

    Një tjetër objektiv i rëndësishëm i ushtrimit ishte harmonizimi i procedurave dhe standardeve të Operacioneve Speciale ndërmjet partnerëve, me synim rritjen e efektivitetit dhe koordinimit gjatë operacioneve të përbashkëta.

  • Kosova ka nevojë për rezultate, jo për një tjetër kapitull pritjesh: Dhjetë prioritetet për presidenten Justina Shiroka-Pula

    Kosova ka nevojë për rezultate, jo për një tjetër kapitull pritjesh: Dhjetë prioritetet për presidenten Justina Shiroka-Pula

    Kosova ka nevojë për rezultate, jo për një tjetër kapitull pritjesh: Dhjetë prioritetet për presidenten Justina Shiroka-Pula

    Nga Arianit Shehu

    Është padyshim një lajm i mirë që Republika e Kosovës, pas një periudhe të gjatë të ngërçit politik dhe institucional, më në fund ka arritur të funksionalizojë institucionet e saj dhe të zgjedhë Presidenten e re, Justina Shiroka-Pula. Pas muajsh të tërë përplasjesh politike, kalkulimesh partiake dhe vonesash të panevojshme e vështirë të justifikueshme, qytetarët e Kosovës kanë arsye të ndihen të lehtësuar dhe optimistë. Megjithatë, ky entuziazëm, sado i natyrshëm dhe i mirëpritur, do të zbehet shumë shpejt nëse institucionet e reja nuk fillojnë të prodhojnë rezultate konkrete. Kosova nuk mund të vazhdojë të humbasë kohë të çmuar në betejat e pafundme politike, ndërkohë që qytetarët e saj përballen me sfida të mëdha ekonomike, sociale dhe zhvillimore. Funksionalizimi i institucioneve nuk është sukses në vetvete, por vetëm parakushti për suksesin e vërtetë: përmirësimin e jetës së qytetarëve, forcimin e shtetit dhe përshpejtimin e integrimit euroatlantik.

    Realiteti është se Kosova, pavarësisht përparimeve të rëndësishme që ka shënuar që nga shpallja e pavarësisë, vazhdon të mbetet dukshëm prapa një pjese të konsiderueshme të vendeve të rajonit, si në zhvillimin ekonomik, ashtu edhe në integrimin ndërkombëtar. Shqipëria dhe Mali i Zi janë anëtare të NATO-s dhe kanë avancuar në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Maqedonia e Veriut është gjithashtu anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për BE, ndërsa Serbia ka vite që zhvillon negociata anëtarësimi me Bashkimin Evropian. Kosova, ndërkohë, ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për BE dhe vazhdon të përballet me pengesa serioze drejt integrimit në NATO. Edhe në aspektin ekonomik, hendeku mbetet shqetësues. Sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin 2026, produkti i brendshëm bruto për frymë i Kosovës, i matur sipas fuqisë blerëse, përfaqëson vetëm rreth 27% të mesatares së Bashkimit Evropian. Ekonomia vazhdon të mbështetet ndjeshëm në konsum, remitanca dhe importe, ndërsa investimet produktive, eksportet dhe krijimi i vendeve cilësore të punës mbeten sfida strukturore. Këto dallime nuk janë thjesht statistika ekonomike apo diplomatike. Ato përkthehen në mundësi të humbura për qytetarët, në largimin e të rinjve dhe në dobësimin e pozitës konkurruese të Kosovës në rajon.

    Pikërisht për këtë arsye, zgjedhja e Presidentes Justina Shiroka-Pula duhet të shënojë më shumë sesa përfundimin e një krize institucionale. Ajo duhet të përfaqësojë fillimin e një kapitulli të ri të përgjegjësisë shtetërore, bashkëpunimit politik dhe orientimit strategjik të vendit.

    Presidentja nuk e drejton qeverinë dhe nuk mund të zëvendësojë përgjegjësitë e ekzekutivit apo të Kuvendit. Megjithatë, autoriteti i saj kushtetues, roli përfaqësues, përgjegjësitë në politikën e jashtme dhe aftësia për të ndërtuar konsensus i japin mundësinë të ndikojë fuqishëm në drejtimin strategjik të Republikës.

    Presidentja e Republikës ka një rol të rëndësishëm në hartimin dhe promovimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, e cila do të bashkërendonte veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen, dokumentimin dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri dhe çlirim. Kjo strategji duhet të mbështetet në fakte historike, dokumente dhe argumente juridike, duke siguruar një angazhim të unifikuar të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës në mbrojtjen e së vërtetës historike dhe të dinjitetit të luftës çlirimtare.

    Në këtë kontekst, dhjetë prioritete duhet të jenë në qendër të mandatit të saj presidencial.

    Garantimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës

    Mbrojtja e sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës nuk është vetëm prioritet politik, por detyrim themelor kushtetues dhe përgjegjësi historike e Presidentes së vendit. Sulmi terrorist në Banjskë, ku në mbrojtje të Republikës ra heroikisht rreshteri Afrim Bunjaku, mbetet një kujtesë e dhimbshme se kërcënimet ndaj sigurisë dhe shtetësisë së Kosovës janë reale dhe kërkojnë vigjilencë të përhershme. Presidentja duhet të marrë rol udhëheqës në sigurimin e një koordinimi të fuqishëm, të vazhdueshëm dhe efektiv ndërmjet Qeverisë, Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë, Agjencisë së Inteligjencës dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, duke garantuar, brenda kompetencave kushtetuese, një qasje të unifikuar shtetërore për identifikimin, parandalimin dhe përballimin e çdo kërcënimi. Ky koordinim duhet të mbështetet në bashkëpunim të ngushtë strategjik me SHBA-në dhe NATO-n. Siguria kombëtare nuk guxon të mbetet peng i rivaliteteve politike, mungesës së koordinimit apo reagimeve të vonuara. Mbrojtja e Republikës, e ndërtuar me gjakun dhe sakrificën e brezave, kërkon institucione që veprojnë si një trup i vetëm, me përgjegjësi, vendosmëri dhe vigjilencë të pandërprerë.

    Unifikimi politik dhe shoqëror

    Presidentja duhet të jetë nismëtare e unifikimit politik, por mbi të gjitha e unifikimit të njerëzve të Kosovës. Pavarësisht se deputetët e AAK-së nuk morën pjesë në votimin e saj, tani është përgjegjësi e Presidentes të kërkojë dialogun dhe përfshirjen e tyre, sepse edhe ata përfaqësojnë qytetarë të Republikës. Nga momenti i zgjedhjes, nuk bëhet më fjalë për 81 votat që e zgjodhën Presidente, por për 100 për qind të qytetarëve të Kosovës që ajo duhet t’i përfaqësojë.

    Kosova duhet ta tejkalojë njëherë e përgjithmonë ndarjen mes “krahut të luftës” dhe “krahut të paqes”. Të dyja janë pjesë e historisë sonë të përbashkët dhe e rrugëtimit drejt lirisë dhe shtetësisë. Demokracia ndërtohet mbi konkurrencën e ideve, politikave dhe platformave për të ardhmen, jo duke e shndërruar historinë në instrument përçarjeje. Serbia ka interes të përfitojë nga ndarjet brenda Kosovës dhe t’i shfrytëzojë ato për dobësimin e kohezionit tonë shoqëror e institucional. Prandaj, unifikimi është më shumë se nevojë politike – është interes strategjik kombëtar. Kosova ka dëshmuar se kur njerëzit e saj bashkohen rreth interesit të vendit, sfidat më të mëdha mund të kapërcehen. Presidentja ka mundësinë ta shndërrojë këtë frymë unifikimi në forcën tonë më të madhe, një popull, një shtet dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen.

    Rikthimi dhe fuqizimi i partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara

    Partneriteti me Shtetet e Bashkuara është një nga shtyllat strategjike të sigurisë dhe shtetësisë së Kosovës. Kosova duhet të kompensojë vitet e humbura dhe ta rikthejë këtë marrëdhënie në nivelin më të lartë të koordinimit dhe besimit strategjik. Në një botë të tronditur nga luftërat, rivalitetet gjeopolitike dhe kërcënimet e reja ndaj sigurisë evropiane, nuk kemi më luksin e distancave apo keqkuptimeve me aleatin tonë kryesor. Presidentja duhet të udhëheqë një angazhim të fuqishëm me administratën amerikane, Kongresin dhe institucionet e sigurisë, duke e pozicionuar Kosovën jo vetëm si përfituese të mbështetjes amerikane, por si aleate të besueshme, të përgjegjshme dhe strategjike të SHBA-së në Ballkan. Pikërisht një Kosovë e unifikuar dhe fuqishëm e ankoruar pranë SHBA-së është skenari që Beogradi ka më së paku interes ta shohë të realizuar dhe arsyeja pse forcimi i kësaj aleance duhet të jetë interes i përhershëm shtetëror i Kosovës.

    Fuqizimi i partneritetit strategjik me Shqipërinë është obligim jetik kombëtar

    Shqipëria dhe Kosova nuk ndajnë vetëm historinë, gjuhën dhe sakrificat për liri, por edhe përgjegjësinë për një të ardhme të përbashkët më të sigurt dhe më të begatë. Presidentja duhet ta ngrejë partneritetin me Shqipërinë në nivelin më të lartë strategjik, duke e shndërruar nga bashkëpunim tradicional në një mekanizëm të përhershëm koordinimi politik, diplomatik, ekonomik dhe të sigurisë kombëtare. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe përparimi i saj drejt BE-së janë asete strategjike që Kosova duhet t’i shfrytëzojë shumë më fuqishëm. Kjo kërkon një këshill të përbashkët strategjik, koordinim të rregullt të institucioneve të sigurisë, stërvitje të përbashkëta ushtarake, iniciativa diplomatike për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe projekte konkrete në energji, infrastrukturë e ekonomi. Shqipëria është zëri më i fuqishëm i Kosovës brenda NATO-s dhe në proceset evropiane, ndërsa Kosova duhet ta shohë fuqizimin e Shqipërisë si fuqizim të pozitës së saj strategjike. Në një botë gjithnjë e më të pasigurt, ky partneritet nuk është luks diplomatik, por domosdoshmëri kombëtare. Dy shtete sovrane, një vizion strategjik dhe një përgjegjësi e përbashkët për sigurinë, dinjitetin dhe të ardhmen e qytetarëve tanë.

    Përshpejtimi drejt anëtarësimit në NATO

    Anëtarësimi në NATO duhet të kalojë nga aspiratë politike në një plan konkret shtetëror, me afate, përgjegjësi dhe rezultate të matshme. Presidentja, në koordinim me Qeverinë, duhet të udhëheqë hartimin e një strategjie kombëtare për integrimin në NATO, me synim sigurimin e pranimit në programin Partneriteti për Paqe (PfP) dhe avancimin drejt Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP). Prioritet duhet të jenë angazhimi i drejtpërdrejtë diplomatik me katër vendet anëtare që nuk e njohin Kosovën, thellimi i bashkëpunimit me SHBA-në dhe aleatët kryesorë, përshpejtimi i modernizimit të FSK-së sipas standardeve të NATO-s dhe zgjerimi i pjesëmarrjes në stërvitje e misione ndërkombëtare. Kosova nuk mund të vazhdojë të presë që rrethanat ndërkombëtare t’ia hapin rrugën drejt NATO-s por duhet të ndërtojë çdo ditë kushtet politike, diplomatike dhe ushtarake për anëtarësimin e saj.

    Një ofensivë energjike diplomatike për integrimin në Bashkimin Evropian

    Kosova nuk mund të mbetet vendi i fundit në rajon në rrugën drejt BE-së. Presidentja, në koordinim me Qeverinë, duhet të udhëheqë një ofensivë diplomatike me një objektiv të qartë: avancimin e aplikimit të Kosovës dhe sigurimin e statusit të vendit kandidat. Duhet krijuar një ekip i përbashkët Presidencë–Qeveri, me plane të veçanta angazhimi për pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, Spanjën, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron, si dhe një ofensivë në kryeqytetet kryesore evropiane për të ndërtuar mbështetje politike për avancimin e Kosovës. Çdo ambasadë duhet të ketë objektiva dhe rezultate të matshme. Diplomacia nuk duhet të numërojë takime, por rezultate: njohje, mbështetje, vota dhe hapa konkretë drejt anëtarësimit.

    Vendosja e zhvillimit ekonomik në qendër të diplomacisë shtetërore

    Pa ekonomi të fuqishme nuk ka as shtet të fuqishëm. Presidentja duhet ta vendosë diplomacinë ekonomike në qendër të agjendës së saj ndërkombëtare dhe, në koordinim me Qeverinë, të përcaktojë objektiva konkrete për investime, eksporte dhe partneritete strategjike. Çdo vizitë shtetërore duhet të shoqërohet me agjendë biznesi dhe projekte konkrete, ndërsa ambasadave duhet t’u vendosen objektiva të matshme për tërheqjen e kapitalit dhe hapjen e tregjeve. Presidenca duhet të thërrasë rregullisht Forumin e Investimeve të Kosovës, duke sjellë kompani, fonde dhe investitorë strategjikë nga SHBA-ja, Evropa dhe Gjiri. Dhe këtu rezultatet maten lehtë: sa investime të reja erdhën, sa kompani u sollën në Kosovë, sa tregje u hapën, sa fabrika u ndërtuan dhe sa vende të reja pune u krijuan. Kosova duhet të kalojë nga promovimi i potencialit tek rezultatet konkrete.

    Mbajtja dhe rikthimi i rinisë dhe beteja për të ardhmen e Kosovës

    Kosova mund t’i fitojë të gjitha betejat diplomatike, por nëse humb rininë e saj, rrezikon të humbasë të ardhmen. Presidentja duhet ta shpallë mbajtjen dhe rikthimin e të rinjve një objektiv kombëtar, duke mbledhur Qeverinë, komunat, universitetet, bizneset dhe diasporën rreth një strategjie me objektiva të matshme. Duhet të krijohen programe konkrete për punësimin e të diplomuarve, mbështetjen e start-up-eve, bursa të lidhura me punësimin, rikthimin e profesionistëve nga diaspora dhe partneritete mes universiteteve dhe sektorit privat. Suksesi duhet të matet çdo vit: sa të rinj u punësuan, sa biznese krijuan, sa profesionistë u kthyen dhe, mbi të gjitha, sa më pak të rinj e panë largimin si të vetmen rrugë drejt një jete më të mirë. Qëllimi duhet të jetë i thjeshtë dhe i fuqishëm: ta bëjmë Kosovën vendin ku rinia jonë dëshiron të ndërtojë jetën, jo vendin që detyrohet ta lërë.

    Një komb, një zë i fuqishëm

    Shqiptarët në Luginën e Preshevës, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi nuk duhet të ndihen kurrë vetëm, të harruar apo peng i përçarjeve politike. Presidentja mund të ndihmoj drejt unifikimit të faktorit politik shqiptar në rajon në një prioritet të përhershëm strategjik, duke nxitur dialogun, koordinimin dhe platforma të përbashkëta për mbrojtjen e të drejtave, dinjitetit dhe interesave të tyre. Marrëveshja e fundit për listën e përbashkët të partive shqiptare në Serbi, e arritur me ndërmjetësimin e Kryeministrit Kurti, është një hap domethënës që duhet përshëndetur dhe shndërruar në model bashkëpunimi afatgjatë. Por unifikimi nuk mund të fillojë dhe të përfundojë me zgjedhjet. Presidentja në koordinim me Qeverinë duhet të institucionalizojë konsultime të rregullta me përfaqësuesit politikë shqiptarë në këto tri shtete, në koordinim me Shqipërinë dhe me respekt të plotë për sovranitetin e tyre. Partitë mund të kenë dallime, por të drejtat, dinjiteti dhe e ardhmja e shqiptarëve duhet të mbeten përgjegjësi e përbashkët. Historia na ka mësuar sa shtrenjtë kushton përçarja; e ardhmja kërkon që forcën tonë ta ndërtojmë mbi unifikimin.

     Rikthimi i besimit qytetar përmes një presidence aktive, transparente dhe gjithëpërfshirëse

    Suksesi i institucioneve nuk matet me numrin e takimeve, deklaratave apo ceremonive zyrtare, por me ndikimin që ato kanë në jetën e qytetarëve. Presidentja duhet të ndërtojë një presidencë të hapur, të përgjegjshme dhe të orientuar drejt interesit publik. Ajo duhet të jetë zëri i të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim përkatësie politike, etnike apo fetare, dhe njëkohësisht një faktor aktiv në promovimin e dialogut, tolerancës dhe kohezionit shoqëror.

    Zgjedhja e Presidentes Justina Shiroka-Pula krijon një mundësi të rëndësishme për rikthimin e stabilitetit institucional dhe ndërtimin e një fryme të re bashkëpunimi politik. Përvoja e saj akademike dhe institucionale mund të shërbejë si një bazë e vlefshme për ushtrimin e këtij roli. Megjithatë, sfidat me të cilat përballet Kosova janë shumë më të mëdha sesa përfundimi i një krize politike. Qytetarët nuk kanë nevojë vetëm për institucione që funksionojnë formalisht. Ata kanë nevojë për institucione që prodhojnë zhvillim ekonomik, siguri, drejtësi, mundësi dhe perspektivë.

    Koha kur stabiliteti institucional konsiderohej arritje e mjaftueshme duhet të marrë fund. Kosova ka nevojë për një vizion të qartë shtetëror, për një diplomaci më ambicioze, për një ekonomi më konkurruese dhe për një klasë politike që e vendos interesin kombëtar mbi interesat afatshkurtra partiake. Presidentja Justina Shiroka-Pula ka mundësinë të luajë një rol të rëndësishëm në këtë transformim. Jo duke zëvendësuar institucionet e tjera, por duke i bashkuar ato rreth një vizioni të përbashkët për të ardhmen e Republikës. Sepse Kosova nuk mund ta përballojë luksin e një tjetër dekade të humbur në përplasje politike, izolim diplomatik dhe zhvillim të pamjaftueshëm ekonomik. Tani është koha që institucionet të fillojnë të prodhojnë rezultate dhe që qytetarët të ndiejnë përfitimet konkrete të shtetit për të cilin kanë sakrifikuar aq shumë.

    Arianit Shehu sjell më shumë se 30 vjet përvojë në drejtimin e programeve të financuara nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në fushat e promovimit të demokracisë, shtetndërtimit, paqes dhe sigurisë. Aktualisht shërben si Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Amerikane për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit (ACCET), me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për më shumë se 27 vjet, Shehu ka shërbyer si Drejtor i Lartë në Institutin Demokratik Kombëtar (NDI) për Lindjen e Mesme, si dhe ka drejtuar misione dhe programe në më shumë se 16 vende të botës. Për shumë vite, ai gjithashtu ka shërbyer si këshilltar politik i ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, në kuadër të angazhimeve të saj në Institutin Aspen dhe Këshillin Atlantik. Shehu ka ligjëruar për më shumë se dhjetë vjet në Universitetin e Filadelfias, në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe ka drejtuar katedrën e marketingut ndërkombëtar. Gjatë luftës në Kosovë, Arianit Shehu ka shërbyer si korrespondent lufte për gazetën amerikane Los Angeles Times, duke raportuar drejtpërdrejt nga terreni për zhvillimet e luftës.

  • Elezi: Njerëzit që i kërkon Kosova për vepra penale, janë bërë argatë të Serbisë (VIDEO)

    Elezi: Njerëzit që i kërkon Kosova për vepra penale, janë bërë argatë të Serbisë (VIDEO)

    Elezi: Njerëzit që i kërkon Kosova për vepra penale, janë bërë argatë të Serbisë (VIDEO)

    Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, në emisionin “Kosova Today” ka folur rreth ikjes në Serbi, së personave të kërkuar nga Kosova.

    Sipas Elezit, këta persona janë bërë argatë të Serbisë, transmeton Klankosova.tv.

    “Të ndjekurit e Kosovës për vepra penale janë bërë argatë grupeve të sigurisë, përfaqësuesve të institucioneve të Serbisë, për të vazhduar me vepra të ndryshme. Ka shumë organizime, sidomos me narkotikë. Por edhe për treg të armëve”, tha Elezi.

  • Lokalizimi i Remzi Arifit? Avokati: Mund të krijojë alibi për t’i ndihmuar në gjykim (VIDEO)

    Lokalizimi i Remzi Arifit? Avokati: Mund të krijojë alibi për t’i ndihmuar në gjykim (VIDEO)

    Lokalizimi i Remzi Arifit? Avokati: Mund të krijojë alibi për t’i ndihmuar në gjykim (VIDEO)

    Avokati Leutrim Syla, në emisionin “Kosova Today” ka bërë të ditur se Remzi Arifi, i dyshuar për vrasjen e djalit të tij në Pogragjë të Gjilanit, pas pretendimit që është lokalizuar, siç thotë ai, tashmë ai mund të ndërtojë një alibi që t’i ndihmojë në fazën e gjykimit.

    Ai bëri thirrje që disa informacione të rëndësishme për hetimin, të mos bëhen publike, transmeton Klankosova.tv.

    “Në raport me deklaratën që ka dhënë nëna, konsideroj që është një indicie e mjaftueshme për ta dërguar në hetim që kryerësi ka qenë babai i viktimës, dhe në këtë rast që i njëjti është larguar, konsideroj që është një pistë e qartë nga duhet të drejtohen hetimet”, tha Syla.

    “Në rastin kur edhe pretendohet i lokalizuar, mund të thërras dëshmitarë, të ndikojë persona apo edhe të ndërtojë alibi, që mund të i ndihmojnë gjatë fazës së gjykimit”, tha ai.

    Shënim: Personi i përmendur prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.