Category: Lajme

  • Punëtori ra nga çatia në Zvicër, gjykata dënon menaxherin me 33 mijë franga

    Punëtori ra nga çatia në Zvicër, gjykata dënon menaxherin me 33 mijë franga

    Një menaxher projekti është shpallur fajtor nga Gjykata e Qarkut në Horgen, në kantonin e Cyrihut, pas një aksidenti në vendin e punës, ku një punëtor ndërtimi ra nga çatia e një ndërtese në Rüschlikon, në shtator të vitit 2024.

    Gjykata e dënoi atë me një gjobë me kusht prej 33 mijë e 600 frangash zvicerane, pasi konstatoi se nuk kishte siguruar masat e nevojshme të mbrojtjes nga rënia. Megjithatë, i dënuari e ka apeluar vendimin, i cili ende nuk është i formës së prerë.

    Aksidenti ndodhi gjatë instalimit të një sistemi fotovoltaik në çatinë e sheshtë të një ndërtese banimi. Sipas aktakuzës, tre anë të çatisë ishin të pajisura me mbrojtje kundër rënies, ndërsa ana që shikonte nga oborri, rreth tre metra më poshtë, nuk kishte masa të tilla sigurie, shkruan Blue News, transmeton Telegrafi.

    Kur disa panele diellore rrezikuan të rrëzoheshin në oborr, njëri nga punëtorët u përpoq t’i mbante ato, por humbi ekuilibrin dhe ra nga një lartësi prej 3.1 metrash, së bashku me panelet.

    Si pasojë, ai theu një kockë të dorës dhe pësoi lëndime në thembër, të cilat kërkuan ndërhyrje kirurgjikale.

    Gjykata: Menaxheri ishte përgjegjës për sigurinë

    Prokuroria e akuzoi menaxherin e projektit për neglizhencë dhe shkelje të rregullave të sigurisë në ndërtim. Sipas saj, në pjesën e pambrojtur të çatisë duhej të ishin vendosur skela ose masa të tjera të përshtatshme për parandalimin e rënies.

    Gjatë gjykimit, mbrojtja kërkoi lirimin e plotë të klientit nga akuzat, duke argumentuar se ai ndodhej në zyrën e tij, rreth 30 kilometra larg kantierit, në momentin e aksidentit.

    Avokati theksoi se punët e instalimit ishin nënkontraktuar dhe se nuk ishte sqaruar mjaftueshëm se kush kishte përgjegjësinë konkrete për sigurinë në kantier. Sipas mbrojtjes, punëtorët ishin informuar paraprakisht për rregullat e sigurisë.

    Megjithatë, gjykata vlerësoi se dokumentet e nënshkruara nga i pandehuri, si dhe deklaratat e punëtorit të lënduar dhe të një dëshmitari, dëshmonin se ai kishte përgjegjësi për projektin.

    Sipas gjykatës, nga deklaratat e tyre rezultonte gjithashtu se udhëzimi për të mos përdorur pajisje sigurie gjatë punës kishte ardhur nga menaxheri.

    Dënimi mund të ndryshojë pas ankesës

    Gjykata e cilësoi fajësinë si të shkallës së ulët dhe vendosi një dënim me kusht prej 120 ditësh-gjobë, me vlerë prej 280 frangash secila, që arrin gjithsej në 33 mijë e 600 franga zvicerane. Periudha e provës është caktuar në dy vjet.

    Vendimi ishte më i butë se kërkesa e prokurorisë, e cila kishte kërkuar një gjobë me kusht prej 31 mijë e 200 frangash, si dhe një gjobë shtesë prej 6 mijë e 200 frangash.

    Menjëherë pas shpalljes së vendimit, menaxheri paraqiti ankesë. Për këtë arsye, çështja do të vazhdojë në instancën e radhës dhe vendimi nuk është ende përfundimtar./Telegrafi/

  • Tetë aksidente trafiku në Ferizaj brenda 24 orëve, gjashtë persona të lënduar

    Tetë aksidente trafiku në Ferizaj brenda 24 orëve, gjashtë persona të lënduar

    Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit në këtë rajon janë raportuar tetë aksidente trafiku, ku gjashtë persona kanë mbetur të lënduar.

    Sipas komunikatës së Policisë, katër aksidente kanë përfunduar me lëndime, ndërsa katër të tjera me dëme materiale.

    Gjatë kësaj periudhe, njësitet policore kanë shqiptuar gjithsej 262 gjoba për kundërvajtje në trafik.

    Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut, si dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes.

    “Me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ngritjes së sigurisë në rrugë”, thuhet në apelin e Policisë.

  • E mitura kapet duke vjedhur produkte në një lokal në Prishtinë, dërgohet në mbajtje

    E mitura kapet duke vjedhur produkte në një lokal në Prishtinë, dërgohet në mbajtje

    Një person ka raportuar se e mitura është zënë duke vjedhur disa produkte nga lokali.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 14:18, në Prishtinë.

    Tutje bëhet e ditur e dyshuara është arrestuar dhe pas intervistimit në prezencën e zyrtares së Qendrës për Punë Sociale dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Prishtinë 08.10.14:18. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se e dyshuara femër e mitur, është zëne duke vjedhur disa produkte nga lokali. E dyshuar është arrestuar dhe pas intervistimit në prezencën e zyrtares së Qendrës për Punë Sociale, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje, ndërsa gjërat i janë kthyer të dëmtuarit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

  • Podujevë: Djali sulmon babanë, vetë përfundon në Psikiatri

    Podujevë: Djali sulmon babanë, vetë përfundon në Psikiatri

    Podujevë: Djali sulmon babanë, vetë përfundon në Psikiatri

    Një person është shoqëruar nga Policia e Kosovës në Podujevë nën dyshimin për ushtrim të dhunës ndaj babait të tij, ngjarje kjo e ndodhur mbrëmjen e së enjtes.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, i dyshuari, i cili dyshohet se është përdorues i substancave narkotike, pas incidentit është dërguar për trajtim të nevojshëm mjekësor në Klinikën e Psikiatrisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

    “Me vendim të prokurorit, ai është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thotë PK.

    Orgat e rendit kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

    The post Podujevë: Djali sulmon babanë, vetë përfundon në Psikiatri appeared first on Insajderi.

  • Klubi i madh anglez interesohet për De Jong, Barcelona mund ta shesë në janar

    Klubi i madh anglez interesohet për De Jong, Barcelona mund ta shesë në janar

    Klubi i madh anglez interesohet për De Jong, Barcelona mund ta shesë në janar

    Chelsea po e monitoron nga afër situatën e Frenkie de Jongut te Barcelona, në prag të afatit kalimtar të janarit.

    Sipas mediumit spanjoll SPORT, klubi londinez po e përcjell me vëmendje mesfushorin holandez, 29-vjeçar, pas shitjes së Enzo Fernandezit te Manchester City.

    De Jongu mund të jetë një prej emrave që Chelsea do ta shqyrtojë për ta përforcuar mesfushën, ndërsa drejtuesit e klubit anglez po i vlerësojnë mundësitë në tregun e transferimeve.

    Nga ana tjetër, Barcelona do ta analizojë minutazhin dhe rolin e holandezit gjatë muajve të ardhshëm. Sipas raportimit, katalunasit nuk e përjashtojnë asnjë skenar për të ardhmen e tij, duke lënë të hapur mundësinë e një largimi në afatin kalimtar të janarit.

    Megjithatë, për momentin nuk raportohet për ndonjë ofertë zyrtare, ndërsa situata e De Jongut pritet të bëhet më e qartë në vazhdim të sezonit.

    The post Klubi i madh anglez interesohet për De Jong, Barcelona mund ta shesë në janar appeared first on Insajderi.

  • Skulptura e Trumpit në Parlamentin Evropian shkakton polemika

    Skulptura e Trumpit në Parlamentin Evropian shkakton polemika

    Instalacioni, i titulluar “Murtaja e Portokalltë”, u prezantua të martën nga artisti danez Jens Galschiot brenda godinës së Parlamentit.

    Skulptura 2,6 metra e lartë paraqet Trumpin të zhveshur, të mbuluar me fletë ari, ulur mbi shpatullat e një burri të dobët, ndërsa mban një shkop golfi dhe peshoren e drejtësisë.

    Në pllakën shoqëruese të veprës shkruhet: “Jam ulur mbi shpinën e një burri. Ai po fundoset nën barrën time; do të bëj gjithçka për ta ndihmuar. Përveçse të zbres nga shpina e tij”.

    Kryeministri sllovak Robert Fico të enjten kërkoi heqjen e skulpturës, duke e cilësuar atë si “shenjë të rënies së gjithë Bashkimit Evropian”.

    “Nuk jam dakord me të gjitha politikat e presidentit amerikan, as që bëhet fjalë. Por në një kohë që kërkon dialog dhe respekt të ndërsjellë, fyerja e partnerëve tanë në ambiente zyrtare tregon një dështim të thellë për të kuptuar kohën në të cilën jetojmë”, shkroi ai në platformën sociale amerikane X.

    Fico pyeti nëse Parlamenti Evropian do të pranonte paraqitje të ngjashme të presidentit francez Emmanuel Macron apo kancelarit gjerman Friedrich Merz, duke theksuar se skulptura duhet të hiqet nga ambientet e Parlamentit.

    Instalacioni ka tërhequr kritika edhe nga disa eurodeputetë.

    Eurodeputetja belge Barbara Bonte e cilësoi skulpturën si “turp”, ndërsa eurodeputeti hungarez Erno Schaller-Baross tha se ekspozimi i një statuje të zhveshur të Trumpit, të cilësuar si “murtajë”, është “hipokrizi” dhe “e padenjë për Parlamentin Evropian”.

    Eurodeputeti irlandez Barry Cowen tha se është e mundur të kundërshtohen politikat e Trumpit, ndërsa skulptura të konsiderohet “e pamend dhe e kundërshtueshme”, duke shtuar se i ka shkruar Parlamentit për të shprehur kundërshtimin e tij.

    Megjithatë, eurodeputeti danez Per Clausen, i cili e ftoi Galschiotin për ta ekspozuar veprën, e mbrojti instalacionin.

    Burimi: RTKLive

  • "Ata e hoqën qafe, ai ishte një bombë me sahat", pretendime tronditëse për vdekjen e Maradonës

    “Ata e hoqën qafe, ai ishte një bombë me sahat”, pretendime tronditëse për vdekjen e Maradonës

    Gjyqi i shtatë punonjësve të shëndetësisë të akuzuar për vdekjen e Diego Armando Maradonës ka sjellë akuza të rënda kundër ekipit mjekësor që u kujdes për futbollistin legjendar argjentinas në ditët e tij të fundit.

    Prokurori Patricio Ferrari tha se Maradona iu la një grupi amatorë të çorganizuar dhe se shtëpia ku po shërohej nuk kishte as pajisjet më themelore mjekësore. Prokuroria filloi argumentet e saj përfundimtare të enjten në një gjykatë në San Isidro, pranë Buenos Airesit.

    Maradona vdiq më 25 nëntor 2020 në moshën 60 vjeçare nga pamjaftueshmëria kardiake dhe edema akute pulmonare. Dy javë më parë, ai i ishte nënshtruar një operacioni për një hemorragji në tru, pas së cilës u lirua për të marrë trajtim në shtëpi në Tigre, në veri të Buenos Airesit.

    Prokuroria beson se ekipi mjekësor e neglizhoi seriozisht jetën e tij dhe se vdekja e Maradonës mund të ishte parandaluar. Shtatë profesionistët mjekësorë të akuzuar i mohojnë akuzat dhe, nëse dënohen, përballen me dënime me burgim nga tetë deri në 25 vjet.

    “Maradona ishte një bombë me sahat më 11 nëntor 2020. Ata e hoqën qafe dhe e çuan në shtëpinë ku vdiq 14 ditë më vonë”, tha Ferrari gjatë prezantimit të tij të fundit, raporton Gazzetta dello Sport.

    Sipas tij, stafi mjekësor ishte në dijeni të gjendjes shëndetësore të Maradonës, por pavarësisht kësaj, ata nuk arritën të siguronin kushte të përshtatshme për trajtim.

    “Pati çorganizim të plotë. Ishte një grup amatorësh që rritën rrezikun përtej kufijve të lejuar, dhe disa prej tyre treguan edhe indiferencë”, tha prokurori.

    Ferrari kritikoi veçanërisht kushtet në shtëpinë ku Maradona kaloi ditët e tij të fundit.

    “Nuk kishte doreza, as garzë, as infuzion intravenoz, as kuti të ndihmës së shpejtë, as defibrilator, as ambulancë, asgjë nga ato që premtuan. Ishte një boshllëk i plotë, nuk kishte asgjë në atë shtëpi”, shtoi Ferrari.

    Leopoldo Luque (i dyti nga e majta), i pandehuri kryesor në gjyqin për vdekjen e legjendës së futbollit Diego Maradona. Foto: Profimedia

    Prokurori theksoi se Maradona kishte probleme komplekse shëndetësore që kërkonin mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore.

    “Ishte një situatë që u zhvillua gjatë disa ditësh. Një komision mjekësor ndërdisiplinor arriti në përfundimin se Maradona nuk ishte një njeri i shëndetshëm që vdiq papritur, por një pacient me një gjendje mjekësore jashtëzakonisht komplekse dhe serioze. Një nga përfundimet ishte se vdekja ishte e shmangshme dhe se kujdesi mjekësor ishte i pamjaftueshëm”.

    Ai e përshkroi ekipin mjekësor si “një grup amatorësh që harruan gjatë gjithë kohës se po merreshin me një pacient të prekshëm me një gjendje të ndërlikuar mjekësore”.

    Pas tij, prokurori Cosme Iribarren filloi argumentet e tij përfundimtare, duke kujtuar momentin kur pa trupin e Maradonës ditën e vdekjes së tij. “Ky imazh do të mbetet i gdhendur në kujtesën time përgjithmonë”, tha ai.

    Shtatë të pandehur rrezikojnë deri në 25 vjet burg

    Shtatë anëtarë të ekipit mjekësor janë në gjyq, përfshirë neurokirurgun Leopoldo Luque, psikiatren Agustina Cosachov, psikologun Carlos Diaz dhe personel mjekësor dhe të kujdesit shëndetësor.

    Ata akuzohen për vrasje me dashje të mundshme, që do të thotë se ishin të vetëdijshëm se veprimet ose mosveprimet e tyre mund të çonin në vdekjen e Maradonës, por ranë dakord për një rezultat të tillë.

    Prokuroria pretendon se Maradona është lënë pas dore dhe se atij nuk i është dhënë kujdesi mjekësor që kërkonte gjendja e tij. Mbrojtja, nga ana tjetër, mohon përgjegjësinë dhe pretendon se Maradona vdiq për shkak të problemeve të tij shëndetësore të gjata dhe se vdekja e tij ishte e papritur dhe e paparashikueshme.

    Gjatë gjyqit u dëgjuan dëshmitarë të shumtë dhe ekspertë mjekësorë. Disa mbështetën pretendimet e prokurorisë për kujdes të pamjaftueshëm, ndërsa të tjerë kundërshtuan përfundimin se vdekja e Maradonës mund të ishte parandaluar.

    Gjyqi i parë u anulua për shkak të një skandali të madh

    Ky është një rigjykim, i cili filloi në prill të këtij viti. Procedurat e para u hapën në mars të vitit 2025, por u anuluan dy muaj më vonë për shkak të një skandali që përfshinte gjyqtaren Juliet Makintach.

    U zbulua se gjyqtarja kishte marrë pjesë në xhirimin e një dokumentari të paautorizuar për çështjen, gjë që shkelte rregullat e procedurës gjyqësore. Si rezultat, gjyqi duhej të fillonte nga e para, përpara një trupi gjykues të ri.

    Rigjykimi përfshiu më shumë se 40 seanca dëgjimore dhe më shumë se 100 deklarata nga të pandehurit dhe dëshmitarët. Pas argumenteve përfundimtare të prokurorisë dhe avokatëve të familjes së Maradonës, avokatët mbrojtës të shtatë të pandehurve do të japin prezantimet e tyre. Vetëm atëherë gjykata do të vendosë për fajësinë e tyre.

    Maradona konsiderohet si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ai fitoi Kupën e Botës me Argjentinën në vitin 1986 dhe e kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij në Napoli, me të cilën fitoi dy tituj kampioni italian dhe Kupën UEFA. /Telegrafi/

  • Trump nderon Elon Musk me medaljen më të lartë shkencore në SHBA: Thomas Edison i kohëve moderne

    Trump nderon Elon Musk me medaljen më të lartë shkencore në SHBA: Thomas Edison i kohëve moderne

    Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka ndarë drejtorit ekzekutiv të SpaceX, Elon Musk, Medaljen Kombëtare të Shkencës, një nga vlerësimet më prestigjioze në Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar atë si “Thomas Edison të kohëve moderne”.

    Ceremonia u mbajt të enjten në Institutin e Paqes në Washington, ku u nderuan edhe disa figura të tjera të rëndësishme të teknologjisë: bashkëthemeluesi i Google, Sergey Brin, drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, si dhe drejtuesja e AMD-së, Lisa Su.

    “Dua t’i falënderoj të gjithë që janë këtu për të festuar përparimin emocionues të shkencës dhe teknologjisë në epokën e artë të Amerikës”, tha Trump në fjalën e tij hyrëse, përpara se t’i kushtonte vëmendje të veçantë Musk-ut, transmeton Telegrafi.

    Presidenti e përshkroi atë si një “gjigant industrial”, duke deklaruar se pak amerikanë në histori kanë bërë më shumë për të çuar përpara interesat kombëtare të vendit.

    “Gjenialiteti dhe vendosmëria e tij e kanë shndërruar fantashkencën në realitet”, tha Trump, përpara se ta përgëzonte Musk-un dhe ta cilësonte mikun e tij si një person “shumë, shumë të veçantë”.

    Megjithatë, pavarësisht fjalëve të ngrohta gjatë ceremonisë, marrëdhënia mes Trump-it dhe Musk-ut ka kaluar nëpër periudha të tensionuara vitet e fundit.

    Musk iu bashkua Trump-it në fazën e fundit të fushatës presidenciale dhe, pas rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2025, mori një rol të profilit të lartë në Departamentin për Efikasitetin e Qeverisë (DOGE). Në praktikë, ai u bë figura kryesore e përpjekjeve për të ulur shpenzimet dhe për të zvogëluar administratën federale.

    Marrëdhënia mes tyre u përkeqësua pasi Musk kritikoi projektligjin e shpenzimeve të Trump-it, të njohur si “One Big Beautiful Bill”, duke nxitur një përplasje publike mes të dyve.

    Së fundmi, megjithatë, Musk është afruar sërish me administratën Trump. Drejtuesi i Tesla-s pritet të marrë rolin e bashkëdrejtuesit të projektit “Meridian”, të porositur nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes.

    Projekti synon të shqyrtojë të ardhmen e luftës, të identifikojë armët dhe teknologjitë që do t’i nevojiten ushtrisë amerikane dhe të propozojë zgjidhje konkrete për zhvillimin, testimin dhe vënien në përdorim të këtyre kapaciteteve.

    Sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, Musk u nderua për arritjet inxhinierike me ambicie dhe përmasa të jashtëzakonshme, të cilat kanë zgjeruar kufijtë e eksplorimit të hapësirës, sistemeve inteligjente dhe komunikimit, si dhe kanë ndihmuar në forcimin e udhëheqjes teknologjike amerikane dhe hapjen e një kapitulli të ri në industrinë prodhuese të vendit. /Telegrafi/

  • Kontrollohet shtëpia e të dyshuarit në Prishtinë, sekuestrohen disa SIM-kartela në rastin e mashtrimit

    Kontrollohet shtëpia e të dyshuarit në Prishtinë, sekuestrohen disa SIM-kartela në rastin e mashtrimit

    Policia e Kosovës ka vazhduar hetimet lidhur me një rast të dyshuar të mashtrimit në Prishtinë, ku gjatë kontrollit të shtëpisë së një të dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar disa SIM-kartela, të cilat dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale.

    Sipas raportit të Policisë, më 9 janar 2026, rreth orës 12:30, me urdhëresë të gjykatës është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit të tretë, mashkull kosovar. Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar disa SIM-kartela që dyshohet se kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale të mashtrimit.

    I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar në lidhje me rastin. Pas intervistimit, në konsultim me prokurorin, ai është liruar dhe rasti do të vazhdojë të trajtohet në procedurë të rregullt.

    Policia nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me rastin, ndërsa hetimet po vazhdojnë. /Telegrafi/

  • Ekskluzive | Goditet grupi i dyshuar për mashtrime me SMS në Kosovë – mbi 150 raste vetëm në Prishtinë, bastisje edhe në Prizren

    Hetimet për një skemë të gjerë mashtrimesh përmes SMS-ve, ku qytetarëve u janë marrë të dhënat bankare duke u paraqitur rrejshëm si institucione shtetërore dhe banka, kanë çuar në identifikimin dhe procedimin e disa personave të dyshuar.

    Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Njësia e Krimeve Kibernetike ka hetuar ankesa të shumta të qytetarëve, të cilët dyshohet se janë mashtruar përmes mesazheve që paraqiteshin kinse vinin nga Policia e Kosovës, banka, ATK-ja apo platforma e-Kosova.

    Përmes këtyre mesazheve, sipas dyshimeve hetimore, janë siguruar të dhëna të kartelave bankare, të cilat më pas janë përdorur për transferime të parave, tërheqje të mjeteve apo blerje online.

    Në kuadër të hetimeve, më 4 qershor 2026, në lagjen Dragodan në Prishtinë, ishte arrestuar Angel Ognyanov Ralchev, ndërsa gjatë kontrollit të apartamentit ishin sekuestruar dy telefona, katër SIM kartela, tetë kartela bankare, pajisje të tjera teknologjike dhe një automjet. Atij më pas i ishte caktuar një muaj paraburgim.

    Katër ditë më vonë, më 8 qershor, në Prizren ishte arrestuar edhe Florian Imer Hoti, ndërsa gjatë kontrolleve në dy lokacione në Krushë të Madhe ishin sekuestruar prova materiale që dyshohet se ndërlidhen me rastin.

    Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, hetimet kanë nxjerrë dyshime për një grup të strukturuar kriminal, ndërsa vetëm në rajonin e Prishtinës janë identifikuar mbi 150 raste mashtrimi, me një dëm financiar të konsiderueshëm.

    Hetuesit kanë identifikuar edhe persona të tjerë që dyshohet se lidhen me skemën, ndërsa veprimet hetimore për lokalizimin dhe verifikimin e rolit të tyre kanë vazhduar.

    Në zhvillimin më të fundit, më 8 tetor 2026, hetuesit kanë realizuar një urdhërkontroll në Prizren, me asistencë të njësive kompetente.

    Gjatë kontrollit të shtëpisë së personit të dyshuar janë gjetur dhe sekuestruar disa SIM kartela, të cilat dyshohet se janë përdorur në kryerjen e veprave penale.

    I dyshuari është shoqëruar për intervistim dhe, pas përfundimit të procedurave, në konsultim me Prokurorin e Shtetit është liruar në procedurë të rregullt.

    Rasti po hetohet për veprat penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo kreditit” dhe “Mashtrimi”, ndërsa hetimet për personat e tjerë të dyshuar po vazhdojnë.

    Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post Ekskluzive | Goditet grupi i dyshuar për mashtrime me SMS në Kosovë – mbi 150 raste vetëm në Prishtinë, bastisje edhe në Prizren appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali