MPB njofton se është ngritur kallëzim penal ndaj katër të punësuarve në „Pyjet Kombëtare“ në Demir Kap të cilët dyshohen për punë të pandërgjegjshme në detyrë.
“NJPB Negotinë ngriti kallëzim penal kundër V.I.(64), T.K.(58) dhe L.L.(60) nga Demir Kapia dhe U.U.(55) nga një fshat në Komunën e Demir Kapisë, mbi dyshime të bazuara për kryerjen e veprës penale „punë e pandërgjegjshme në detyrë“.
Të kallëzuarit, nga 31.07.2026 deri më 03.08.2026, si të punësuar në Ndërmarrjen Publike „Pyjet Kombëtare“, filiali Demir Kapi, në vendin e punës si roje të një trualli në Demir Kapi, nuk kanë bërë mbikëqyrjen e detyrueshme, me ç’rast kanë lejuar që kryerësit të nxjerrin dhe marrin një fletë alumini nga një automjet transportues, i cili ishte objekt i veprës penale dhe ruhej në truall, me ç’rast kanë shkaktuar dëm material në vlerë prej 25.000 denarësh”, thonë nga MPB./Telegrafi/
Dua Lipa ka tërhequr sërish vëmendjen me një paraqitje të guximshme gjatë qëndrimit të saj në Paris, duke rikthyer në qendër të vëmendjes trendin, pra veshjen pa pantallona.
Këngëtarja ka ndarë në rrjetet sociale fotografi nga Parisi, ku shfaqet me një kombinim në ngjyrë vjollcë, të përbërë nga një xhaketë e strukturuar me detaje të valëzuara dhe temina, si dhe një bluzë transparente në të njëjtën nuancë.
Pjesa që tërhoqi më shumë vëmendje ishte zgjedhja për të mos veshur pantallona.
Foto: Instagram
Artistja shqiptare e kompletoi ‘look’-un me gete të zeza dhe këpucë elegante me majë.
Ajo e përfundoi veshjen me një zinxhir të madh ari rreth belit, ndërsa flokët e lëshuara dhe grimi natyral i dhanë pamjes një tjetër element elegant.
Foto: Instagram
“E zënë duke qenë e zënë në Paris”, shkroi Dua krahas fotografive.
Gjatë qëndrimit në Paris për Javën e Modës, këngëtarja ka ndarë edhe momente të tjera nga daljet e saj, takimet me stilistin Simon Jacquemus dhe pjesëmarrjen në eventet e modës, përfshirë atë të Chanel. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka bërë të ditur se po vazhdojnë punimet për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në fshatin Grizime, në një projekt në vlerë prej 170 mijë eurosh.
Rahimaj, së bashku me drejtorin Zotrim dhe kryeshefin ekzekutiv të KRU “Hidromorava”, Ymer Salihu, ka inspektuar punimet që po zhvillohen në këtë projekt.
Sipas Rahimajt, projekti do të mundësojë kyçjen e 170 ekonomive familjare në rrjetin e ujësjellësit.
“Një projekt që mundëson kyçjen e 170 ekonomive familjare në ujësjellës dhe me një gjatësi prej 2,900 metrash”, ka shkruar Rahimaj.
Ai ka bërë të ditur se punimet janë duke vazhduar, ndërsa ka theksuar se sigurimi i kushteve për mirëqenie të qëndrueshme për qytetarët mbetet një nga detyrat e komunës.
“Punimet po vazhdojnë, e detyrë e jona mbetet plotësimi i të gjitha kushteve për mirëqenie të qëndrueshme për qytetarët tanë”, ka deklaruar Rahimaj. /Telegrafi/
Robert Berisha ka folur së fundmi për jetën private dhe angazhimet profesionale, gjatë një interviste për ‘Prive by Liberta Spahiu’.
Këngëtari dhe prezantuesi ka ndarë disa detaje nga vera që lamë pas, duke treguar se ka pasur një sezon të ngarkuar me angazhime.
Mes momenteve që ka veçuar ishin edhe pushimet në Paris, ku udhëtoi së bashku me vajzën e tij, Rene dhe ish-partneren, Nora Istrefin.
Roberti tregoi se udhëtimi në Paris ishte një premtim që ia kishte bërë vajzës së tij, pasi ajo kishte përfunduar klasën e pestë me rezultate të shkëlqyera.
Ndërkohë, vëmendje mori edhe pjesa e intervistës që lidhej me jetën e tij sentimentale.
I pyetur për statusin e tij aktual, Roberti nuk la vend për dilema dhe konfirmoi se është beqar.
“Jam single dhe po dua të merrem me veten”, deklaroi tutje.
Një “vizitore” e pazakontë nga Kanadaja ka përfunduar në brigjet e Irlandës, pasi një bovë e Rojës Bregdetare Kanadeze, me peshë rreth 3.5 tonë, është gjetur e nxjerrë në breg në ishullin Achill, në County Mayo.
Autoritetet lokale po përgatiten ta largojnë objektin nga bregdeti, pasi ekziston frika se ai mund të rikthehet në det dhe të përbëjë rrezik për anijet dhe infrastrukturën detare, transmeton Telegrafi.
Pas kontaktit me Rojën Bregdetare Kanadeze, Këshilli i Qarkut Mayo tha se ishte informuar se bovave kanadeze u njihet një prirje për të “udhëtuar” larg vendit të origjinës.
“Bovat e tyre njihen si shumë miqësore dhe herë pas here krijojnë zakon të udhëtojnë larg shtëpisë”, shkruan këshilli, duke e trajtuar me humor këtë rast të pazakontë.
Bova, e cila shërben si ndihmë për navigimin detar, mund të pajiset me dritë navigimi dhe prodhon një tingull karakteristik fishkëllime të gjeneruar nga lëvizja e valëve, për të paralajmëruar anijet që ndodhen pranë saj.
Këshilli i Mayo-s po bashkëpunon me Rojën Bregdetare Kanadeze për operacionin e rikuperimit. Autoritetet duan ta largojnë bovën nga bregu përpara se ajo të rikthehet në ujë dhe të bëhet rrezik për lundrimin ose infrastrukturën bregdetare.
David Mellett, drejtor i shërbimeve në Këshillin e Mayo-s me përgjegjësi për çështjet detare, tha se rasti është i pazakontë, por njëkohësisht shërben si kujtesë për lidhjet e forta historike dhe bashkëkohore mes Mayo-s dhe Kanadasë, të krijuara ndër breza emigrimi.
Distanca e saktë që ka përshkuar bova nuk dihet, por për të arritur nga ujërat kanadeze deri në Irlandë, ajo do të duhej të kalonte më shumë se 3 mijë milje detare përtej Atlantikut.
Sipas planit të autoriteteve lokale, bova pritet të tërhiqet nga zona bregdetare dhe të dërgohet në një vend më të sigurt.
Ndërkohë, Këshilli i Mayo-s ka lënë edhe një “mesazh” me humor për pronarët e saj: nëse kanadezët duan ta shohin sërish bovën e tyre, mund t’u duhet të bëjnë një udhëtim të veçantë në Mayo për ta marrë atë. /Telegrafi/
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, ka kërkuar që hetimet lidhur me përdorimin e gazit lotsjellës ndaj protestuesve më 5 tetor të përfundojnë deri në fund dhe që përgjegjësit të japin llogari.
Përmes një postimi, Ramadani ka reaguar ndaj përdorimit të gazit lotsjellës, për të cilin pretendon se ishte me afat të skaduar, duke kërkuar që rasti të trajtohet nga drejtësia.
“Hetimet duhet të shkojnë deri në fund. Secili duhet të japë përgjegjësi. Përdorimi i gazit lotsjellës ndaj protestuesve më 5 tetor me afat të skaduar duhet të dënohet nga të gjithë ne dhe të ndëshkohet nga drejtësia!”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka kërkuar gjithashtu që gjetjet e Inspektoratit Policor të bëhen publike, duke theksuar rëndësinë e transparencës institucionale.
“Gjetjet e Inspektoratit Policor duhet të jenë transparente dhe populli duhet t’i dijë!”, ka deklaruar ai.
Ramadani e ka cilësuar punën e Inspektoratit Policor si dëshmi se, sipas tij, sistemi institucional mund të funksionojë në Kosovë.
Publikimi dhe shpërndarja e videove intime të kompozitorit shqiptar, Adi Hilës me fytyra të njohura për publikun, është bërë temë diskutimi tash e mbi një javë në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
Në emisionin “Kosova Today”, eksperti i teknologjisë, tha se viktimat u dhunuan edhe një herë pas publikimit të materialeve, transmeton Klankosova.tv.
Ai shtoi se publikimi i materialeve u bë në një kohë, ku sipas tij, Shqipëria përballet me skandale të tjera.
“Fatkeqësisht, viktima u dhunuan edhe pasi dolën materialet, dhe kjo është e papranueshme, por nuk duhet të harrojmë mënyrën se si dolën materialet. Ato dolën në një kohë kur Shqipëria është e mbushur me skandale, pra u shfrytëzuan dhe u përdorën filmime, video të bëra në mënyrë joligjore për të zhvendosur vëmendjen”, tha Semanaj.
Nga ana tjetër, gazetarja Era Berisha tha se populli shqiptar është i etur për të parë privatësinë e tjetrit.
“Kjo është për keqardhje, dhe është interesant që kur kemi të bëjmë me afera seksuale, këto konsumohen jashtëzakonisht shpejt në shoqërinë tonë, sepse ne jemi shumë të etur si popull për me e pa privatësinë e të tjerëve, dhe me pa mënyrën se si funksionojnë të tjerët”, tha Berisha.
Bayern Munich po monitoron Dani Olmon dhe mund të ofrojë deri në 90 milionë euro për mesfushorin e Barcelonës. Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë ofertë zyrtare.
Olmo dëshiron të qëndrojë në Barcelonë, ndërsa për të interesohen edhe Chelsea, Manchester United, Manchester City dhe Arsenal.
Katalanasit nuk kanë arsye ta shesin, pasi lojtari ka kontratë deri në vitin 2030./Klankosova.tv
Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, është dënuar me gjobë me kusht për sigurimin e një certifikate të rreme të COVID-19.
34-vjeçari e bëri të ditur vetë vendimin përmes një postimi në Instagram, raporton media zvicerane “Bluewin”, transmeton Klankosova.tv.
Sipas aktgjykimit të shkurtuar, Xhaka është dënuar me 50 ditë-gjobë, me nga 3 mijë franga zvicerane për secilën, ndërsa periudha e kushtit është dy vjet.
Kjo do të thotë se Xhaka nuk do ta paguajë gjobën, nëse gjatë kësaj periudhe nuk kryen shkelje të tjera. Ai tashmë ka paguar shpenzimet gjyqësore.
“E pranoj vendimin dhe marr përgjegjësinë”, shkroi Xhaka, duke shtuar se më herët kishte dhënë një deklaratë të plotë në prokurori.
Kapiteni i Zvicrës kishte folur publikisht për akuzat disa javë më parë. Pas vendimit, ai falënderoi mbështetësit për mesazhet që kishte marrë gjatë kësaj periudhe. /Klankosova.tv