Category: Lajme

  • Rama uron presidenten: Person që bashkon komunitetin, një mikeshë, një person i mrekullueshëm

    Rama uron presidenten: Person që bashkon komunitetin, një mikeshë, një person i mrekullueshëm

    Rama uron presidenten: Person që bashkon komunitetin, një mikeshë, një person i mrekullueshëm

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka uruar presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka-Pulën, pas zgjedhjes së saj në këtë pozitë.

    Rama ka thënë se është i kënaqur që partitë në pushtet dhe opozita kanë arritur të merren vesh për një figurë si Shiroka-Pula, të cilën e ka cilësuar si mikeshë dhe person me përvojë akademike, shkencore e politike.

    Ai ka thënë se presidentja e re, sipas tij, është një person që mendon përtej partive politike dhe që mund të bashkojë komunitetin dhe shoqërinë.

    “Unë i kam uruar presidentes së re, i uroj të gjithëve, qeverisë, opozitës, që në fund kanë mundur me u marrë vesh për një person si Justina Shiroka-Pula, një mikeshë faktikisht, një person i mrekullueshëm, një person me një eksperiencë gjatë akademike, shkencore, politike, e që mendon faktikisht përtej partive politike. Pra është një person që gjithsesi besoj që bashkon komunitetin, bashkon shoqërinë tonë dhe i uroj çdo të mirë në këtë mision të madh faktikisht që tash e ka në dorë për me i shtyrë përpara proceset e mëdha për vendin tonë. Urime, urime presidentes!”, ka deklaruar Rama. /eo/

    The post Rama uron presidenten: Person që bashkon komunitetin, një mikeshë, një person i mrekullueshëm appeared first on Insajderi.

  • Anne Carson fiton Çmimin Nobel për Letërsi

    Anne Carson fiton Çmimin Nobel për Letërsi

    Shkrimtarja kanadeze Anne Carson është shpallur fituese e Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2026.

    Akademia Suedeze e ka vlerësuar Carson për “veprën e saj të guximshme dhe novatore, e cila, përmes një dialogu lozonjar me traditën klasike, ka krijuar forma të reja për letërsinë bashkëkohore”.

    Vitin e kaluar, Çmimin Nobel për Letërsi e fitoi shkrimtari hungarez Laszlo Krasznahorkai, i njohur për romanet e tij surrealiste dhe anarkike, të ndërthurura me një këndvështrim të zymtë për botën dhe humor të mprehtë. Juria e vlerësoi veprën e tij për ruajtjen e fuqisë së artit në mes të “terrorit apokaliptik”.

    Këtë javë janë shpallur edhe tre çmime Nobel në shkencë. Çmimi për Mjekësi iu dha tre shkencëtarëve, puna e të cilëve çoi në zhvillimin e një teknologjie që përdor dritën për të ndihmuar në zbërthimin e mënyrës se si funksionon truri.

    Çmimi për Fizikë iu dha shkencëtarit Francis Halzen për punën e tij në studimin e neutrinos, ndërsa Çmimi për Kimi u nda mes Henri Kagan dhe Kenso Soai për punën e tyre mbi strukturat pasqyrë të molekulave, një zbulim që është përdorur në zhvillimin e shumë ilaçeve.

    Java e Çmimeve Nobel do të përfundojë të premten me shpalljen e fituesit të Çmimit Nobel për Paqe. Ndërsa Çmimi i Bankës së Suedisë në Shkencat Ekonomike në kujtim të Alfred Nobelit do të shpallet të hënën.

    Vlera e çmimit këtë vit është 12 milionë korona suedeze, rreth 1.2 milionë dollarë amerikanë, pavarësisht nëse çmimi i jepet një individi, një grupi të vogël laureatësh apo një organizate.

    Burimi: Dukagjini

  • Të paktën 30 të vrarë dhe 18 të plagosur pasi një sulm rus goditi dy autobusë në Donetsk.

    Të paktën 30 të vrarë dhe 18 të plagosur pasi një sulm rus goditi dy autobusë në Donetsk.

    Të paktën 30 persona janë vrarë dhe 18 të tjerë janë plagosur pasi një sulm rus goditi dy autobusë të transportit publik në qytetin e Kramatorskut, në rajonin lindor ukrainas të Donetskut, njoftuan autoritetet ukrainase.

    Sulmi ndodhi rreth orës 10:00 sipas kohës lokale, ndërsa pas tij transporti publik në Kramatorsk është pezulluar. Autoritetet lokale thanë se po punojnë për të përcaktuar përmasat e plota të dëmeve, transmeton Telegrafi.

    “Edhe një herë, rusët kanë goditur një vend ku definitivisht nuk ka asnjë objektiv ushtarak. Një autobus publik. Transport civil. Njerëz që thjesht po kryenin punët e tyre”, shkroi Këshilli i qytetit të Kramatorskut në Telegram.

    Prokuroria Rajonale e Donetskut konfirmoi se dy autobusët ndodheshin në zonën e goditur. Sipas autoriteteve ukrainase, autobusët dyshohet se janë goditur nga një bombë ajrore me precizion të lartë.

    Guvernatori i Donetskut, Vadym Filashkin, shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe u bëri thirrje banorëve që ende ndodhen në rajon të largohen drejt zonave më të sigurta të Ukrainës.

    “U bëj thirrje të gjithëve që ende ndodhen në rajonin e Donetskut të evakuohen në pjesë më të sigurta të Ukrainës”, tha Filashkin.

    Në të njëjtën ditë, kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se dy trupa u gjetën pas një sulmi me dron ndaj një dyqani në distriktin Solomianskyi të kryeqytetit.

    Dy persona të tjerë u plagosën nga sulmi, i cili goditi një ndërtesë katërkatëshe. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë.

    Më herët, Klitschko kishte njoftuar se një person ishte vrarë dhe 11 të tjerë ishin plagosur nga sulmet ruse në Kiev. Zhvillimet e reja vijnë një ditë pas një prej sulmeve më të mëdha ajrore ruse ndaj Ukrainës, ku u vranë dhjetëra civilë në disa qytete.

    Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia kishte lëshuar 142 dronë gjatë natës ndaj territorit ukrainas.

    Sipas të dhënave paraprake, deri në orën 09:30, mbrojtja ajrore ukrainase kishte rrëzuar ose neutralizuar 126 dronë, përfshirë mjete të llojeve Shahed dhe Gerber, si dhe dronë të tjerë.

    Megjithatë, sulme u regjistruan në shtatë zona, duke shkaktuar dëme dhe viktima.

    Kramatorsku mbetet një nga qytetet kryesore të Donetskut që ende kontrollohet nga Ukraina dhe është pjesë e brezit mbrojtës në lindje të vendit. Për shkak të avancimit të forcave ruse dhe intensifikimit të sulmeve ajrore, autoritetet ukrainase kanë shtuar thirrjet për evakuimin e civilëve nga zonat pranë frontit. /Telegrafi/

  • Nëna e Gjoko Ristovit: 350 mijë eurot vetë i kam fshehur në mur, i kam fituar nga shalqiri, specat e rrushi

    Nëna e Gjoko Ristovit: 350 mijë eurot vetë i kam fshehur në mur, i kam fituar nga shalqiri, specat e rrushi

    Në seancën e sotme gjyqësore për ish gjyqtarin Gjoko Ristov, dëshmuan prindërit e tij lidhur me 350 mijë eurot e gjetura të fshehura në një bunker special mur. Nëna Donka Ristova, tha se paratë nuk janë personalisht të saja, të cilat i ka përfituar nga shitja e produkteve bujqësore gjatë 50 viteve.

    “Aty i ruaj paratë. Në kuzhinën e katit të dytë, pas shporetit. Pllakat kanë qenë të ngjitura vetëm në 4 vende që lehtë të bien, që pastaj të hapet. Nga vitit 1975 kur e kemi ndërtuar shtëpinë. Kur më kanë mbetur para, i kam vendosur aty. Pllakën e kam si dritare të vogël. Të gjitha paratë që më kanë mbetur, i kam futur në fletë alumini, dhe direkt i kam vendosur aty. I kam pasur për ditë të rënda të pleqërisë”, tha Donka Ristova.

    E pyetur pse nuk i ka dërguar në bankë, nëna e ish gjyqtarit tha se nuk ka besim.

    “Banka nuk garanton mbi 30 mijë euro. U mbyll një bankë përpara disa vitesh, njerëzit vetëvriten, vdesin”. Shtoi Ristova.
    E pyetur se si i kanë fituar paratë, Ristova tha se kanë punuar shumë së bashku me bashkëshortin.

    “Tërë jetën i kam përfituar paratë. Shitja nëpër gjithë tregjet, shalqi, pjepër, spec të kuq, arra, kajsi. Pastaj kemi pasur vreshtari dhe kam shitur rrush në sasi të mëdha.

    Megjithatë, kur gjyqtarja e pyeti pse sipas ekspertizës janë gjetur gjurmët biologjike të djalit të saj Gjoko Ristov e jo të saj, Donka Ristova tha se nuk është e mundur. Të njëjtën përgjigje e dha edhe bashkëshorti i Donkës apo babai i Gjokos, Zdravko.

  • Incident në protestën jashtë parlamentit, një i ri goditet fizikisht gjatë tubimit

    Incident në protestën jashtë parlamentit, një i ri goditet fizikisht gjatë tubimit

    Derisa po vazhdon seanca parlamentare, jashtë parlamentit vijon protesta, ku nuk kanë munguar incidentet me policinë dhe jo vetëm.

    Në pamjet e siguruara nga Top Channel, një djalë i ri sulmohet fizikisht nga një protestues, teksa nuk mungojnë sharjet dhe ofendimet nga ana e protestuesve të tjerë.

    Më pas i riu është larguar edhe me ndihmën e policisë, duke evituar përshkallëzimin akoma më të madh të incidentit.

  • Arrestohet një person në Mitrovicë të Jugut, dyshohet për vrasje në tentativë

    Arrestohet një person në Mitrovicë të Jugut, dyshohet për vrasje në tentativë

    Sipas Policisë së Kosovës, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve e kanë arrestuar të dyshuarin më 7 tetor, pas veprimeve hetimore dhe sigurimit të provave lidhur me rastin.

    I dyshuari, mashkull kosovar madhor, dyshohet se më 30 shtator 2026, në Vushtrri, në bashkëkryerje me persona të tjerë dhe duke përdorur mjete të forta, ka sulmuar një person.

    Viktima, si pasojë e lëndimeve të marra, ka kërkuar tretman mjekësor.

    Pas arrestimit dhe intervistimit, me aktvendim të prokurorit kompetent, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor. Hetimet për rastin janë duke vazhduar.

    Burimi: RTKLive

  • Barça hyn në garë për talentin e Fulhamit, në skenë edhe gjigantët evropianë

    Barça hyn në garë për talentin e Fulhamit, në skenë edhe gjigantët evropianë

    Bëhet fjalë për Josh King, 19-vjeçarin e Fulhamit, i cili ka tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha në Evropë.

    King ka bërë hapa të rëndësishëm në karrierën e tij gjatë 12 muajve të fundit. Vetëm sezonin e kaluar, mesfushori i Anglisë U21 regjistroi 36 paraqitje në të gjitha garat, duke fituar gjithnjë e më shumë hapësirë në ekipin e parë të Fulhamit.

    Kontrata e tij me klubin londinez është e vlefshme deri në vitin 2029, çka i jep Fulhamit një pozicion të fortë negociues. Sipas raportimeve, një transferim i mundshëm mund t’i kushtojë Barcelonës rreth 60 milionë euro.

    Konkurrencë e fortë për Barcelonën

    Interesi për Kingun nuk vjen vetëm nga Spanja. Talenti anglez po ndiqet nga një numër i madh klubesh të njohura evropiane, të cilat po monitorojnë nga afër zhvillimin e tij.

    Përveç Barcelonës, në garë mund të përfshihen Chelsea, Liverpool, Manchester United, Borussia Dortmund, RB Leipzig, Inter dhe Atlético Madrid.

    Megjithatë, një ofertë në afatin kalimtar të janarit duket pak e mundshme. Barcelona dhe klubet e tjera të interesuara pritet të vazhdojnë vëzhgimin e lojtarit përpara se të marrin një vendim konkret.

    Ajo që ka impresionuar veçanërisht skautët është kontrolli i topit, aftësia për të avancuar nga mesfusha dhe depërtimet e tij në fazën sulmuese.

    Nëse vazhdon me këtë ritëm zhvillimi, Josh King pritet të jetë një prej emrave më të kërkuar në tregun e ardhshme.

    Burimi: RTKLive

  • Shala: Albin Kurtin dhe bashkëpunëtorët e VV nuk duhet me i pa në politikë

    Shala: Albin Kurtin dhe bashkëpunëtorët e VV nuk duhet me i pa në politikë

    Shala: Albin Kurtin dhe bashkëpunëtorët e VV nuk duhet me i pa në politikë

    Opinionisti Azdren Shala, e ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës për bashkëpunim me Vetëvendosjen.

    Në emisionin “Kosova Today”, ai tha se kryeministrin Albin Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij, sipas tij, nuk duhet me i pa në politikë, transmeton Klankosova.tv.

    “Për përpara e kam një plan, me pa PDK-në nën prag. Albin Kurtin dhe bashkëpunëtorët e tyre nuk duhet me i pa në politikë, këtë rast PDK-ja është bashkëpunëtori më i nënshtruar i Kurtit”, tha Shala.

    Shala foli edhe për reagimin e Bashkimit Evropian ndaj miratimit të Projektligjit për ndryshim/plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    “Dje pati reagim të BE-së, dhe këtu vijmë te argumenti i PDK-së që presidentja është e jona, që nënkupton që angazhohet për djemtë. A patë aty ndonjë reagim të presidentes, kryeministrit, ndaj BE-së? Asnjë. Zero. Që i bie me atë akt që e ka bërë PDK-ja, me atë ligj që me shumë gjasë është antikushtetues, kjo është tradhtia e parë ndaj Thaçit”, tha ai.

  • Nafta shtrenjtohet mbi 4%, rriten shqetësimet për krizën në Hormuz

    Nafta shtrenjtohet mbi 4%, rriten shqetësimet për krizën në Hormuz

    Nafta shtrenjtohet mbi 4%, rriten shqetësimet për krizën në Hormuz

    Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm të enjten, të nxitura nga shqetësimet për furnizimin global pas një numri rekord sulmesh ndaj tankerëve në ngushticën e Hormuzit.

    Nafta Brent, standardi ndërkombëtar i tregut, u rrit me 4.3%, duke arritur në 104.48 dollarë për fuçi. Ndërkohë, West Texas Intermediate (WTI), referenca amerikane, u rrit me të njëjtën përqindje, në 92.05 dollarë për fuçi.

    Të dhënat e Kpler tregojnë se të martën vetëm shtatë tankerë kaluan përmes ngushticës së Hormuzit, më pak se gjysma e mesatares shtatëditore dhe niveli më i ulët që nga 23 korriku.

    Sipas Kpler, nga 28 shtatori deri më 4 tetor janë sulmuar 10 tankerë në këtë zonë, duke shënuar një rekord të ri javor. Në sulmin e fundit, të raportuar të mërkurën, një tanker u godit nga “predha të shumta”, ndërsa pati edhe viktima, bëri të ditur agjencia britanike UK Maritime Trade Operations, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv

    Presioni mbi çmimet e naftës është shtuar edhe nga shqetësimet për furnizimin në Shtetet e Bashkuara, pasi uragani Isais po i afrohet qendrës kryesore të rafinimit në Gjirin e Meksikës. Kompanitë Shell dhe Chevron kanë njoftuar reduktimin e prodhimit dhe evakuimin e personelit jo esencial.

    Rritja e çmimeve të naftës është shoqëruar edhe me shtrenjtimin e gazit natyror dhe naftës dizel në Evropë, duke shtuar shqetësimet për inflacionin.

    Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka bërë të ditur se rreth 325 milionë fuçi naftë janë nxjerrë deri tani në treg nga rezervat e dakordësuara. Rreth 100 milionë fuçi të tjera pritet të hidhen në treg, ndërsa agjencia ka paralajmëruar se do të përshpejtojë procesin.

  • El Niño mund t’i çojë temperaturat në Paqësor në nivele rekord, kjo do të thotë rrezik për mbarë botën – paralajmëron WMO

    Fenomeni aktual El Niño mund t’i çojë temperaturat e sipërfaqes së detit në Paqësor në nivele rekord, duke rritur rrezikun e nxehtësisë ekstreme, thatësirës dhe përmbytjeve në mbarë botën, njoftoi të enjten Organizata Botërore Meteorologjike (WMO).

    Në përditësimin e saj më të fundit mbi klimën sezonale globale, agjencia e OKB-së për motin deklaroi se ekziston një gjasë prej gati 100 për qind që El Niño të vazhdojë deri në shkurt të vitit 2027, me kulmin e fenomenit që pritet të arrihet rreth muajit dhjetor.

    “El Niño është vendosur fuqishëm dhe po forcohet me shpejtësi”, ka thënë Sekretarja e Përgjithshme e WMO-së, Celeste Saulo, duke paralajmëruar se ai mund të bëhet “një nga më të fuqishmit që nga viti 1950 e këtej”.

    Për periudhën nga tetori deri në dhjetor, parashikohet që temperaturat e sipërfaqes së detit në pjesën qendrore dhe lindore të Paqësorit ekuatorial të jenë mesatarisht rreth 3,7°C mbi normalen.

    Dhe WMO theksoi se ky do të ishte niveli më i lartë i regjistruar që nga fillimi i vëzhgimeve.

    Rekordi i mëparshëm ishte 2,6°C mbi normalen, i regjistruar gjatë periudhës nëntor 2015 – janar 2016.

    Ndryshimi i modeleve të reshjeve

    WMO deklaroi se El Niño ka gjasa të sjellë temperatura mbi mesataren në pjesë të mëdha të botës, duke ndryshuar ndjeshëm modelet e reshjeve.

    Kushte me reshje mbi normalen parashikohen në rajonin e Bririt të Madh të Afrikës, në pjesë të Azisë Qendrore dhe Lindore, në zonat veriore të Gadishullit Arabik, si dhe në pjesë të Amerikës së Veriut dhe të pjesës juglindore të Amerikës së Jugut.

    Kushte më të thata se normalja priten në nënkontinentin indian, në pjesën jugore të Amerikës Qendrore, në zona të Karaibeve dhe në pjesën veriperëndimore të Amerikës së Jugut.

    Saulo shpjegoi se El Niño nuk krijon nxehtësi shtesë planetare, por çliron nxehtësinë që është akumuluar tashmë në oqean.

    Ajo paralajmëroi se oqeani, nga i cili po merr nxehtësi fenomeni aktual, është “më i ngrohti që kemi matur ndonjëherë”.

    WMO njoftoi se shërbimet kombëtare meteorologjike dhe forumet rajonale për klimën po ofrojnë përditësime të rregullta për qeveritë dhe partnerët humanitarë, me qëllim mbështetjen e gatishmërisë dhe menaxhimit të rrezikut. /Telegrafi/