Trafiku ajror në Maqedoni po përjeton një rritje të ndjeshme dhe, sipas Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Transportit, Aleksandar Nikolloski, rezultatet janë për shkak të politikës së subvencionimit të linjave ajrore, e cila u krijua në vitin 2024 dhe filloi të zbatohet në vitin 2025.
Nikolloski theksoi se numri i pasagjerëve në të dy aeroportet e vendit është vazhdimisht në rritje. Në korrik të këtij viti, trafiku u rrit me 21 përqind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa në gusht rritja arriti në 31 përqind.
“Kur u zgjodhëm, frekuenca totale e trafikut në të dy aeroportet së bashku ishte diku rreth 2 milionë e 400 mijë. Prisja që deri në fund të mandatit të parë të kësaj qeverie të OBRM-PDUKM-së diku rreth 3.2 – 3.3 milionë pasagjerë, dhe ne tashmë kemi arritur 3 milionë pasagjerë në një vit dhe këtë vit është vetëm çështje fati, fjalë për fjalë dhjetëra mijëra pasagjerë, nëse do të arrijmë 4 milionë pasagjerë”, tha Nikolloski.
Ai shtoi se Maqedonia, me një popullsi prej rreth 1.8 milionë banorësh, mund të arrijë 4 milionë pasagjerë në vit në të dy aeroportet./Telegrafi/
Përfundimi i fakultetit sjell njohuri dhe bazën profesionale, por hyrja në tregun e punës shpesh tregon se teoria nuk është gjithmonë e mjaftueshme. Në shumë profesione, sfida kryesore nis pikërisht atëherë kur njohuritë duhet të zbatohen në situata konkrete pune.
Për këtë temë u diskutua në episodin e radhës të podcastit “Gati për Tregun e Punës”, ku moderatorja Fiona Xhema Troshupa bashkëbisedoi me Ideal Vejsën Ceo nga Maden Group, njëkohësisht përfaqësues i partneritetit mes Adapt Academy dhe projektit Matching Skills to Jobs – MSJ.
Sipas Vejsës, mungesa e përvojës praktike është një nga boshllëqet që vazhdon të vërehet te profesionistët e rinj, sidomos në fushën e arkitekturës.
“Në pjesën e vizatimeve jemi shumë të mirë, kurse kur të vjen puna e ekzekutimit të punëve, çalojmë.”
Pikërisht kjo nevojë ka qenë edhe një nga arsyet për krijimin e Adapt Academy, e cila synon t’i afrojë aftësitë profesionale me kërkesat konkrete të industrisë, përmes trajnimeve praktike dhe bashkëpunimit me kompani private.
Duke folur nga përvoja personale, Vejsa tregoi se një pjesë shumë të madhe të njohurive profesionale i kishte fituar vetëm pasi kishte filluar punën.
“Nëntëdhjetë për qind të punës time e kam mësuar kur kam filluar me punu, jo në fakultet.”
Sipas tij, kjo nuk e zbeh rolin e fakultetit, por tregon se zhvillimi profesional duhet të vazhdojë edhe pas diplomimit. Njohuritë teorike krijojnë bazën, ndërsa përvoja praktike ndihmon që ato të kthehen në aftësi që mund të përdoren drejtpërdrejt në punë.
Ky hendek mes arsimit dhe praktikës reflektohet edhe në tregun e punës. Edhe pse numri i të diplomuarve është i madh, bizneset vazhdojnë të përballen me vështirësi në gjetjen e stafit që është i gatshëm të përfshihet menjëherë në procese konkrete pune.
Vejsa thekson se pikërisht pjesa praktike është ajo që mund t’i ndihmojë kandidatët të plotësojnë më mirë kriteret që kërkojnë punëdhënësit dhe të përshtaten më shpejt me kërkesat e profesionit.
Biseda përcjell një mesazh të qartë: diploma është baza, por praktika është ajo që e afron profesionistin me realitetin e tregut të punës.
Dhe ky proces nuk ndalet me punësimin e parë. Zhvillimi i vazhdueshëm, sipas Vejsës, mbetet pjesë e çdo profesioni.
“Gjithmonë ka me pas mësime të vazhdueshme, e mësimi i vazhdueshëm është shumë i rëndësishëm.”
“Matching Skills to Jobs” është projekt i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i implementuar nga Swisscontact.
Dani Carvajal ishte vetëm një hap larg rikthimit në futbollin spanjoll, por një pengesë e papritur ka vënë në pikëpyetje transferimin e tij te Getafe.
Mbrojtësi 34-vjeçar kishte arritur marrëveshje me klubin madrilen për kushtet personale dhe, sipas AS, kishte kaluar edhe testet mjekësore. Megjithatë, procedura e transferimit ka ngecur pasi LaLiga nuk ka dhënë dritën jeshile për regjistrimin e kontratës.
Problemi lidhet me vlerën financiare të marrëveshjes. LaLiga, në kuadër të kontrollit të saj financiar, mund të përcaktojë një vlerë të parashikuar për kontratën e një futbollisti, e cila përdoret për të llogaritur ndikimin e tij në kufirin financiar të klubit. Kjo vlerë nuk nënkupton domosdoshmërisht pagën reale që do të marrë lojtari.
Në rastin e Carvajalit, autoritetet e LaLigës e kanë konsideruar pagën e dakorduar me Getafen shumë të ulët në raport me profilin e mbrojtësit dhe të ardhurat që ai ka pasur gjatë viteve të fundit.
Kjo është bërë problem për Getafen, e cila aktualisht operon shumë pranë kufirit të saj financiar. Nëse Carvajal regjistrohet me vlerën e llogaritur nga LaLiga, klubi nuk do të kishte hapësirën e nevojshme financiare për ta përfshirë atë në skuadër.
Presidenti i Getafes, Angel Torres, e pranoi se situata është komplikuar, duke lënë megjithatë të hapur mundësinë që gjërat të ndryshojnë.
“Në thelb, marrëveshja ka dështuar. Në futboll, ajo që është e bardhë sot mund të jetë e zezë nesër”, deklaroi Torres.
Megjithatë, historia nuk duket të ketë marrë fund. Sipas AS, përfaqësuesit e Carvajalit pritet të rikthehen në Spanjë më 12 tetor dhe atëherë mund të zhvillohen negociata të reja për të gjetur një formulë që do t’i mundësonte Getafes regjistrimin e ish-mbrojtësit të Real Madridit./Telegrafi/
Një Chevrolet Corvette C7 Grand Sport e vjedhur në dhjetor të vitit 2020 në Waynesboro, Georgia, është gjetur pas gati gjashtë vitesh në fund të një lumi.
Makina u zbulua rastësisht nga një zhytës gjatë një zhytjeje rutinë dhe u nxor nga uji e mbuluar me baltë dhe mbetje.
Corvette ishte ende e identifikueshme falë mbështjellësit karakteristik në ngjyrë të zezë dhe blu, si dhe një ngjitëseje në xhamin e përparmë që e kishte edhe kur u raportua e vjedhur.
Megjithëse pjesa e jashtme ka qëndruar çuditërisht mirë, fenerët janë mbushur me ujë, ndërsa edhe kabina ka qenë e përmbytur.
Pas kaq vitesh nën ujë, dëmtimi i elektronikës dhe sistemeve të tjera të makinës është pothuajse me siguri i pariparueshëm.
Ende mbetet mister se si Corvette përfundoi në lumë, por dyshohet se hajdutët e braktisën aty pasi e përdorën. /Telegrafi/
Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar më 7 tetor në rrugën “Serdara Janka Vukotica” në Mitrovicë të Veriut, ku persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë hyrë me forcë në një shtëpi dhe kanë marrë gjësende me vlerë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 15:20, pronari i shtëpisë, D. T, ka njoftuar Policinë pasi ka vërejtur se dera hyrëse e shtëpisë ishte thyer.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë patrulluese dhe hetuesit, të cilët kanë kryer këqyrjen e vendit, ndërsa pronari është intervistuar lidhur me rastin.
Sipas deklarimit të tij, nga shtëpia janë vjedhur dy ora dore, një valixhe me parfume dhe një monedhë, me vlerë të përgjithshme të deklaruar prej rreth 700 eurosh.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me udhëzim të të cilit është iniciuar procedura për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Personi apo personat e dyshuar ende nuk janë identifikuar, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka thënë që ndihet “thellësisht e shqetësuar” për ndryshimet që i bëri Kuvendi i Kosovës të hënën në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ligjvënësit kosovarë e ndryshuan ligjin për t’ia kufizuar kompetencat gjykatës me bazë në Hagë gjatë një votimi pak para mesnatës të martën.
Në një përgjigje për Radio Evropën e Lirë, zëdhënësja e Ambasadës së Gjermanisë, Catalina Heine, tha se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë institucion i pavarur gjyqësor dhe se pavarësia e tyre nuk bën të cenohet.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion gjyqësor i pavarur dhe u themeluan në bazë të ligjit të Kosovës dhe mbështetën në Kushtetutën e Kosovës. Qëllimi i tyre është të sigurojnë llogaridhënie dhe drejtësi për viktimat nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Për të përmbushur këtë synim, pavarësia e tyre duhet të respektohet plotësisht”, thuhet në përgjigje.
Ambasada gjithashtu theksoi se e mbështet qëndrimin e BE-së kundër ndryshimeve në këtë ligj.
Më herët, Bashkimi Evropian tha se këto ndryshime bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj bllokut.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, deklaroi zëdhënësi i BE-së, Christian Wiegand.
Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në orën 10:00, ku në qendër të seancës plenare është projektligji për ndarjen e re administrativo-territoriale me 46 bashki, një reformë kjo e kundërshtuar nga opozita.
Ndarja e re, që parashikon 15 bashki më pak, kërkon 84 vota për t’u miratuar, por dy deputetët socialistë, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, kanë shprehur kundërshtime ndaj hartës së re.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla u kujtoi atyre se ky është një vendim politik dhe të gjithë deputetët e PS-së duhet ta votojnë.
Dyshime për votën unison të socialistëve ngriti një ditë më parë në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN edhe gazetari Anri Bala, i cili tha se deputetet Elisa Spiropali dhe Marjana Koçeku mund të rrezikojnë votimin në Kuvend të Reformës Territoriale.
Ndërkohë opozita ka paralajmëruar protesta brenda dhe jashtë Kuvendit. Një ditë më parë kreu demokrata Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve nga mbarë Shqipëria, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, të bashkohen në protestë për të mbrojtur interesat qytetare.
Sipas tij, Edi Rama reformën territoriale e bën për interesin e tij, ndaj kërkoi që pjesëmarrja të jetë masive.
Por në të njëjtën orë me protestën e opozitës është planifikuar edhe protesta e flamingove, që vijon prej më shumë se 120 ditësh.
Në rendin e ditës janë parashikuar katër interpelanca, mes tyre një kërkesë e grupit parlamentar të PD-së me ministrin e Brendshëm Ervin Demo për reagimin e policisë ndaj protestuesve. Tre interpelanca të tjera janë ndaj ministrave Enea Karakaçi dhe Petrit Malaj, për çështje që lidhen me autostradën Milot-Balldre, TEC-et lundruese në Vlorë dhe çmimet e produkteve bazë.
Seanca përfshin gjithashtu nëntë projektligje të tjera, që lidhen me marrëveshje ndërkombëtare, bankat, pagesat, mjedisin, treguesit gjeografikë, markat tregtare dhe patentat.
Në rend dite është edhe projektvendimi për ngritjen e një komisioni hetimor për kompaninë shtetërore KAYO, si dhe ndryshime në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit./A2CNN
Policia ka konfiskuar një pushkë të tipit AK-47, 119 fishekë dhe pajisje ushtarake gjatë kontrollit të një shtëpie të pabanuar në fshatin Dren të Leposaviqit.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti është raportuar më 7 tetor 2026, rreth orës 16:30. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes pas pranimit të informatës dhe gjatë kontrollit kanë gjetur armën dhe municionin.
Në mesin e gjësendeve të konfiskuara janë një AK-47, dy karikatorë të zbrazët të kësaj arme, 119 fishekë të kalibrit 7.62×39 mm, pantallona ushtarake, një kapelë dhe një termos ushtarak, transmeton Klankosova.tv.
Lidhur me rastin është njoftuar dhe konsultuar prokurori, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kërkuar përgjegjësi për rastin e ngujimit të minatorëve të Trepçës.
Pas disa orëve të qëndrimit në horizontin e 11-të të minierës në Stantërg, 63 minatorët kanë arritur të dalin nëpër rrugët emergjente, pasi ata ishin bllokuar si pasojë e një defekti me energjinë elektrike.
“I lumtur që 63 minatorët shpëtuan. Do të kërkoj përgjegjësi nga Qeveria. Kjo nuk ishte hera e parë që minatorëve tanë – krenarisë së nëntokës së Kosovës – u ndodh të ngujohen në qindra metra thellësi. Problemi me energji elektrike nuk duhet të trajtohet si problem teknik. Asessi. Përgjegjësi duhet të ketë!”, ka shkruar Ramadani. /Klankosova.tv
Një nga konfliktet më të njohura të krimit të organizuar në Turqi ka marrë një kthesë të papritur, pas pajtimit publik të dy figurave rivale.
Më 26 shtator 2026, lideri i MHP-së, Devlet Bahçeli, bashkoi në selinë e partisë në Ankara Sedat Sahin, të lidhur me grupin “Sahinler”, dhe Burhanettin Saral, të lidhur me grupin “Sarallar”.
Pas më shumë se 22 vitesh armiqësi, dy rivalët shtrënguan duart publikisht, shkruan JOQ Albania, transmeton Klankosova.tv.
Përplasja mes dy grupeve daton që nga viti 2004 dhe është shoqëruar ndër vite me të shtëna, atentate dhe sulme në Turqi dhe vende të ndryshme të Evropës.
Sipas raportimeve të fundit, konflikti ka shkaktuar të paktën 50 viktima. Vetëm disa javë para takimit në Ankara, policia turke raportohet se kishte parandaluar një komplot të dyshuar për atentat ndaj Sahin, duke sekuestruar një raketahedhës, municion antitank, armë “Kallashnikov” dhe MP5.
Pajtimi erdhi pas disa zhvillimeve të tjera, përfshirë një tubim ku morën pjesë rreth 4 mijë persona të familjes Saral në Trabzon.
Ndërkohë, figura e njohur e botës së krimit turk, Sedat Peker, i cili jeton në Emiratet e Bashkuara Arabe, falënderoi publikisht Bahçelin dhe personat e tjerë që kontribuuan në ndërmjetësimin mes palëve.
Pas më shumë se dy dekadash përplasjeje dhe gjakderdhjeje, dy grupet rivale kanë shpallur publikisht armëpushimin.