Ish-deputetja e LDK-së, Adelina Thaçi-Meta, ka reaguar për zhvillimet e fundit politike, duke i adresuar një mesazh të drejtpërdrejtë partisë së saj.
“Dashuria për një parti nuk duhet të jetë më e madhe se dashuria për parimet që ajo parti thotë se i përfaqëson”, ka shkruar Thaçi-Meta.
Ajo ka kërkuar nga LDK-ja më shumë vendosmëri, konsistencë dhe përgjegjësi, duke kritikuar inatet personale dhe “pazaret e vogla”.
“Nëse nuk i afroni njerëzit dhe nuk e kuptoni se askush nuk fiton duke i larguar njerëzit e vet, atëherë do të shkoni aty ku nuk dëshiron askush që ju ka besuar”, ka thënë artistja.
Thaçi-Meta ka theksuar se kritikat nuk po i bën nga inati.
“Po e them sepse më dhemb. Dhe ndoshta pikërisht sepse më dhemb, nuk mund të hesht”, ka shkruar ish-deputetja.
Ajo ka shprehur shqetësim edhe për zhvillimet në institucionet e vendit, duke thënë se qytetari shpesh mbetet jashtë vëmendjes.
Në fund, ajo ka kërkuar qetësi, përgjegjësi dhe punë, duke e mbyllur reagimin me një mesazh për LDK-në: “Partia ime, Zoti të ndihmoftë. Por mbi të gjitha, kthjellohu”. /Klankosova.tv
Tetori njihet si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, një periudhë që rikthen vëmendjen te rëndësia e informimit, njohjes së faktorëve të rrezikut, simptomave që nuk duhen neglizhuar dhe kontrolleve të rregullta shëndetësore.
Në këtë episod u diskutua për kancerin, parandalimin, diagnostikimin e hershëm, trajtimet moderne, rolin e familjes dhe rëndësinë e mbështetjes psikologjike për pacientët.
Bislimi tha se përballja me një pacient të diagnostikuar me sëmundje malinje është një nga pjesët më sfiduese të profesionit, jo vetëm për shkak të seriozitetit të diagnozës, por edhe për shkak të ngarkesës emocionale që e shoqëron atë.
“Kisha me u drejtu më tepër se sa është e vështirë dhe sa është sfiduese të kemi përpara një pacient që është diagnostikuar me sëmundje malinje, që është diagnostikuar me kancer”, tha ai.
Sipas tij, në vendin tonë ende ka raste kur familjarët kërkojnë që diagnoza të mos i tregohet pacientit, apo e kundërta, çka tregon se kanceri vazhdon të mbetet temë e ndjeshme dhe shpesh tabu.
Duke folur për diagnostikimin e hershëm, Bislimi theksoi se sa më herët të identifikohet sëmundja, aq më të mira janë mundësitë për trajtim dhe menaxhim.
“Sa më herët që e identifikojmë, në stad sa më të mirë, edhe potenciali i trajtimit, i kurimit është më i favorshëm dhe më i mirë”, u shpreh ai.
Onkologu tha se çdo ndryshim i pazakontë në trup nuk duhet të neglizhohet. Në rastin e kancerit të gjirit, ai përmendi ndryshimet në strukturë, prekjen e ndonjë mase apo kokrre, ndryshimet në simetri dhe çdo shenjë që nuk ka qenë më herët.
“Në fakt, çdo ndryshim që e vërejmë në organizmin tonë, diçka që po ndodh e pazakontë dhe të cilën nuk e kemi pas më herët, nuk duhet ta neglizhojmë”, tha Bislimi.
Ai theksoi se gratë duhet të fillojnë me njohjen e trupit të tyre dhe vetëekzaminimin, ndërsa pas moshës 40-vjeçare rekomandohet mamografia si pjesë e skriningut.
“Me rekomandimet janë pas moshës dyzet vjeçare, çdo grua duhet të bëjë mamografi”, tha ai, duke shtuar se kjo nuk do të thotë që duhet pritur medoemos mosha 40 vjeç nëse vërehet një ndryshim më herët.
Për gratë më të reja, Bislimi tha se vetëkontrolli, shikimi në pasqyrë, vëzhgimi i simetrisë dhe ultrazëri janë hapa të rëndësishëm për identifikim më të hershëm.
Sipas tij, ultrazëri është i mirëseardhur në çdo periudhë, ndërsa nëse identifikohet diçka, mund të vazhdohet me procedura të tjera diagnostike si mamografia apo rezonanca magnetike.
Ai foli edhe për sekrecionin nga gjiri, duke sqaruar se nuk është gjithmonë shenjë e kancerit, por nuk duhet injoruar.
“Sekrecioni nga mamilla mund të jetë një sinjal që na çon diku dhe nuk duhet neglizhuar. Jo gjithmonë na orienton se po zhvillohet një kancer apo sëmundje malinje”, tha Bislimi.
Në lidhje me stilin e jetës, Bislimi tha se disa faktorë të rrezikut mund të menaxhohen, përfshirë mbipeshën, mungesën e aktivitetit fizik dhe stresin. Ai theksoi se obeziteti mendohet se rrit rrezikun për sëmundje malinje, në veçanti për kancerin e gjirit, ndërsa aktiviteti fizik lidhet me një mbrojtje më të mirë të organizmit.
Një pjesë e bisedës iu kushtua edhe mitit se pacientët me kancer duhet ta ndalojnë plotësisht sheqerin. Bislimi tha se organizmi ka nevojë për gjithçka, por ushqimi duhet të jetë i balancuar.
“Në fakt, organizmi ka nevojë për të gjitha. Ka nevojë edhe për sheqer, ka nevojë edhe për yndyrën, për gjithçka. Po duhet të jetë i balancuar”, tha ai.
Sipas tij, krijimi i një sëmundjeje malinje është proces kompleks dhe nuk mund të thjeshtohet vetëm te konsumimi apo moskonsumimi i sheqerit.
“Është më komplekse krijimi i një, dëmtimi i një qelize, i një bërthame, krijimi i mutacionit se sa aq e thjeshtë të thuhet se konsumimi apo moskonsumimi i sheqerit mund të favorizojë një sëmundje malinje”, u shpreh ai.
Bislimi foli edhe për trajtimet moderne në onkologji, duke theksuar se sot qasja ndaj pacientit është gjithnjë e më shumë e personalizuar. Ai tha se dy pacientë me diagnozë dhe stad të njëjtë mund të kenë përgjigje të ndryshme në terapi, prandaj trajtimi duhet përshtatur me karakteristikat individuale të pacientit dhe tumorit.
Ai përmendi imunoterapinë, target terapinë dhe terapitë biologjike si trajtime inovative që po bëjnë diferencë dhe kanë përmirësuar rezultatet krahasuar me një dekadë më parë.
Duke folur për trashëgiminë, Bislimi tha se potenciali gjenetik ekziston, sidomos kur bëhet fjalë për vijën e parë të familjes, si nëna apo motra. Në këto raste, sipas tij, masat e kujdesit duhet të jenë më të mëdha, ndërsa testet gjenetike, përfshirë BRCA 1 dhe BRCA 2, mund të japin informata të rëndësishme.
Ai foli edhe për mendimin e gabuar të disa qytetarëve që, nëse ndihen mirë dhe nuk kanë dhimbje, nuk kanë pse të kontrollohen. Sipas tij, kontrolli nuk duhet të lidhet vetëm me dhimbjen, pasi skriningu dhe depistimi synojnë identifikimin e hershëm të sëmundjeve.
Një nga mesazhet më të forta të Bislimit ishte se kanceri nuk duhet të shihet menjëherë si dënim fatal.
Ai tha se kjo tabu duhet të zbutet dhe të rrëzohet, ndërsa pacientët duhet të shikojnë mundësitë e ballafaqimit dhe trajtimit.
“Të mos mendohet menjëherë fataliteti. Mos të mendohet më e keqja, por të shikojmë mundësitë e ballafaqimit”, tha ai.
Ai theksoi se trajtimi i kancerit ka ecur shumë përpara, jo vetëm për kancerin e gjirit, por për sëmundjet malinje në përgjithësi.
Sipas tij, sot mblidhen parametra klinikë, laboratorikë, patologjikë dhe gjenetikë për të krijuar një pasqyrë më të saktë për pacientin dhe mënyrën e trajtimit.
Bislimi shpjegoi edhe imunoterapinë, duke thënë se ajo nuk e lufton drejtpërdrejt tumorin, por nxit mekanizmat imunë të organizmit që të detektojnë dhe të pengojnë zhvillimin e qelizave malinje.
“Nuk është se e luftojmë direkt tumorin përmes imunoterapisë, por përmes nxitjes së këtyre mekanizmave imunë”, tha ai.
Në aspektin emocional, Bislimi tha se mbështetja e familjes është shumë e rëndësishme për pacientët me kancer, por në shumë raste nevojitet edhe mbështetje profesionale nga psikologu.
“Mbështetja e familjes është shumë e rëndësishme”, tha ai, duke shtuar se në shumicën e rasteve pacientët kanë nevojë edhe për mbështetje psikologjike gjatë periudhës së trajtimit.
Në fund, Arben Bislimi dha një mesazh për të gjithë qytetarët: të mos frikësohen nga kontakti me mjekun dhe të mos e neglizhojnë asnjë ndryshim të pazakontë në trup.
“Çdo ndryshim, çdo e pazakontë që vërejmë në organizmin tonë, të kërkohet ndihma e mjekut”, tha ai.
Sipas tij, gjithçka fillon nga njohja e trupit dhe kujdesi për shëndetin.
“Ta njohim trupin tonë fillimisht, pastaj të vazhdojmë më tutje”, përfundoi Bislimi. /Telegrafi/
Një segment i rrugës “Sadik Rama” në Klinë do të mbyllet përkohësisht për qarkullim për shkak të punimeve në rrugë.
Sipas njoftimit, mbyllja do të bëhet sot, më 7 tetor 2026, nga ora 17:00, në segmentin nga pika e karburantit “Petrol Company”, përballë rrugës “Prend Prendi”, deri te hyrja në rrugën “Haxhi Zeka”, përballë vetëshërbimit “Viva Fresh”.
Ky segment do të jetë i mbyllur deri më 8 tetor 2026, në orën 07:00.
Qytetarët dhe pjesëmarrësit në komunikacion janë bërë thirrje që gjatë kësaj periudhe të përdorin rrugët alternative dhe të respektojnë sinjalizimin e vendosur në terren.
Nga qytetarët është kërkuar mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë zhvillimit të punimeve, të cilat, sipas njoftimit, synojnë përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët e Klinës. /Telegrafi/
Një ekip i emisionit Kiks Kosova në Klan Kosova është sulmuar këtë të mërkurë në qytetin e Ferizajt, në kohën që ishin në terren për kryerjen e punës së tyre profesionale.
Kameramanët Erand Hyseni dhe Gramos Shala, si dhe gazetarja Arbenita Ilazi dhe shoferi Sefer Xhema janë sulmuar fizikisht nga disa persona të paidentifikuar, brenda veturës së televizionit.
Hyseni, Shala dhe Xhema kanë marrë lëndime serioze nga sulmi dhe po trajtohen në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt.
Përmes një reagimi, AGK-ja e dënon në termat më të ashpër këtë sulm brutal fizik dhe kërkon nga Policia identifikimin dhe arrestimin e menjëhershëm të autorëve.
“Sulme si këto shpërfaqin sërish ambientin e vështirë të të bërit gazetari në Kosovë. AGK-ja bën thirrje për hetime të shpejta e efikase dhe gjithashtu bën thirrje për respektimin e punës së rëndësishme të gazetarëve për informimin e opinionit publik”, thuhet në reagim, transmeton Klankosova.tv.
Një ekip i emisionit ‘Kiks Kosova’ në Klan Kosova është sulmuar para pak kohësh gjatë kryerjes së detyrave profesionale.
Derisa ekipi ka qenë në terren, dy automjete tjera ua kanë bllokuar rrugën derisa ishin në lëvizje me automjetin e punës.
Rastin për Klankosova.tv e ka konfirmuar Policia përmes zëdhënësit rajonal të Ferizajt, Kanun Veseli.
“Ju njoftojmë se sot, më 07.10. 2026, rreth orës 11:40, në fshatin Doganaj të Ferizajt, katër operatorë të një televioni vendor dyshohet se janë sulmuar fizikisht nga një person. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ndërsa i dyshuari është paraqitur në stacionin policor Ferizaj, ku ka dorëzuar edhe një kamerë të dëmtuar, që dyshohet se u përket operatorëve. Për rastin janë njoftuar hetimet rajonale, të cilët në koordinim me prokurorin e shtetit po ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore policore. Për detaje tjera do të njoftoheni me raport vijues”, tha Veseli për Klankosova.tv.
Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku është deklaruar rreth mosvotimit për presidenten e re të vendit, Justina Shiroka-Pula.
Në emisionin “Kosova Today”, Sadiku tha se ai është pozicionuar me vendimin e mendimin e partisë së tij, transmeton Klankosova.tv.
“Unë kam hy në seancë se unë mendoj që ne të gjithë u dashtë me hy aty, nuk kemi pse me ikë prej askujt, unë mendoj që duhet me qenë pjesë kur bëhen votime, por nuk e kam votuar, pasi si parti politike ne kemi thënë që nuk marrim pjesë në këtë proces dhe e kemi shpjeguar arsyen pse”, u shpreh Sadiku në Klan Kosova.
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka bërë të ditur se punimet në rrugën brenda fshatit Mushtisht, në kuadër të rrugës R118, po avancojnë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha ka thënë se aktualisht po punohet në betonimin e urës dhe ndërtimin e trotuareve, ndërsa segmenti po përgatitet për nisjen e asfaltimit.
“Për momentin po punohet aktualisht në betonimin e urës dhe ndërtimin e trotuareve, ndërsa segmenti po përgatitet që në ditët në vijim të nisë asfaltimi”, ka shkruar Basha.
Ai ka bërë të ditur se gjatë realizimit të projektit janë trajtuar edhe çështjet pronësore dhe dislokimi i trafos, duke theksuar se tashmë punimet në terren janë intensifikuar.
“Kemi punuar ngushtë për zgjidhjen e çështjeve pronësore dhe dislokimit të trafos, kështu që puna në terren tani është intensifikuar për ta çuar projektin drejt fazës përfundimtare”, ka deklaruar ministri.
Sipas Bashës, në këtë projekt janë investuar mbi 1 milion euro, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës, rritjes së sigurisë në qarkullim dhe krijimit të kushteve më të mira për banorët e Mushtishtit dhe përdoruesit e kësaj rruge. /Telegrafi/
Paga nuk është faktori i vetëm që po i shtyn qytetarët të largohen nga Kosova, sipas ekonomistes Brikena Berisha.
Në episodin e tetë të podcastit “Rrugëtimi”, Berisha ka folur për emigrimin dhe rezultatet e hulumtimeve të realizuara lidhur me tregun e punës, duke thënë se problemet sistemike kanë rol të rëndësishëm në vendimin e njerëzve për t’u larguar.
Ajo mori si shembull një hulumtim në sektorin e gastronomisë, ku, sipas saj, është parë se paga nuk është domosdoshmërisht arsyeja kryesore për largim.
“Na, kur e kemi bo në 2022 dhe 2025 një hulumtim në sektorin e gastronomisë në Kosovë, na ka dalë, domethënë, një sektor i cili ka fillu me u pagu në Kosovë, edhe pse ka shumë probleme të përgjegjësive profesionale, sepse mirë është, domethënë, prej punës në kuzhinë deri ndoshta edhe pastrimi i tualetit”, tha Berisha.
Megjithatë, sipas saj, përgjigjet e punëtorëve kanë nxjerrë në pah probleme të tjera.
“Mirëpo është thënë që nuk është paga arsyeja e largimit. Janë qeto probleme sistemike: shëndetësia, shkollimi, mbrojtja sociale dhe për shkak të këtyre arsyeve zgjedhin për me e lanë Kosovën”, deklaroi ajo.
Berisha tha se liberalizimi i vizave ka krijuar gjithashtu më shumë mundësi që qytetarët të shkojnë jashtë vendit dhe ta provojnë jetën dhe punën në një shtet tjetër.
Çështja e emigrimit, sipas saj, duhet parë përtej krahasimit të thjeshtë të pagave ndërmjet Kosovës dhe vendeve të tjera.
Gjatë podcastit ajo argumentoi se siguria që një qytetar e ka për shëndetësinë, shkollimin, mbrojtjen sociale dhe të ardhmen e familjes ndikon drejtpërdrejt në vendimin nëse do të vazhdojë jetën në Kosovë apo do të largohet. /Telegrafi/
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, në deklaratën e sotme për mediat, njoftoi opinionin në lidhje me serinë e vaksinës BCG se ato janë seria nr. 6831 nga 22.12.2022 dhe seria nr. 807-1 nga 11.12.2023, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ai tha se të dyja seritë janë përdorur plotësisht deri në verën e këtij viti.
“Në vendin tonë, nuk ka efekte anësore të dokumentuara që lidhen me përdorimin e këtyre serive. Ministria, së bashku me institucionet kompetente, po kryen analiza shtesë, dhe publiku do të informohet për rezultatet e tyre në kohën e duhur.
Ministria e Shëndetësisë do të sigurojë vazhdimin e pandërprerë të vaksinimit me vaksinën BCG, në bashkëpunim me UNICEF-in. U bëjmë thirrje prindërve të vazhdojnë vaksinimin e rregullt të fëmijëve sipas Kalendarit të Imunizimit. Vaksinimi mbetet mbrojtja më e besueshme për shëndetin e fëmijëve tanë”, theksoi Ministri Klekovski./Telegrafi/
Gjatë orës së fundit të mbrëmjes të së martës dhe orës së parë të së mërkurës, Kuvendi i Kosovës votoi akademiken Justina Shiroka-Pula si presidente të vendit. Por, a e keni ditur se njëri nga djemtë e saj ishte një futbollist i njohur në futbollin e Kosovës?
Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidentja e shtatë e Kosovës, pasi u votua me 81 vota pro në raundin e parë nga deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës.
Megjithatë, presidentja e re e vendit në të kaluarën është hasur shpesh edhe në shkallët e stadiumeve duke shikuar futboll.
Lekë Pula së bashku me presidenten Justina Shiroka-Pula
Arsyeja është e thjeshtë. Djali i saj i madh, Lekë Pula, ishte një futbollist i njohur në futbollin e Kosovës, duke bërë karrierë në disa prej klubeve më të njohura, shkruan Telegrafi.
Leka karrierën e kishte nisur në vitet para luftës në shkollën e futbollit 2 Korriku, ku u formua si lojtar dhe kaloi grupmoshat deri në ekipin e parë.
Lekë Pula te 2 Korriku
Paraqitjet e tija të mira si mbrojtës, zakonisht në qendër të mbrojtjes bënë që Leka të ngjitet edhe më lartë.
Ai bëri karrierë për disa vite edhe te klubi më i madh kosovar, Prishtina, ku ndër tjerash fitoi edhe titullin kampion.
Lekë Pula duke festuar një gol gjatë kohës te Prishtina
Më vonë, djali i presidentes luajti edhe me klubin tjetër kryeqytetas, Flamurtari, për shumë vite.
Megjithatë, Leka, edhe pse një lojtar me cilësi të larta dhe karrierë të pëlqyeshme, vendosi të pensionohet nga futbollit rreth të 30-tave.
Arsyeja e pensionimit ishte fokusimi në studime dhe botën akademike, ku tani punon me shumë sukses.
Lekë Pula është Doktor i Shkencave Ekonomike në fushën Ekonomiks dhe tash e shumë vite është profesor i asociuar në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës. /Telegrafi/