Category: Lajme

  • “Ambienti” organizon trajnim për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve në Istog

    “Ambienti” organizon trajnim për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve në Istog

    Kompania Regjionale e Mbeturinave “Ambienti” ka organizuar një trajnim për punëtorët e Njësisë Operative në Istog, me fokus në sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës.

    Trajnimi, i udhëhequr nga zyrtarja për Siguri dhe Shëndet në Punë, kishte në fokus parandalimin e zjarreve dhe ofrimin e ndihmës së parë në raste emergjente.

    Gjatë trajnimit, punëtorët u informuan lidhur me masat e sigurisë, mënyrat e reagimit në situata emergjente, si dhe rëndësinë e njohurive praktike që mund të jenë vendimtare për shpëtimin e jetës në raste të rrezikut.

    Nga kompania kanë theksuar se “Ambienti” mbetet e përkushtuar në ngritjen e vazhdueshme të vetëdijes për sigurinë në punë dhe në krijimin e një ambienti sa më të sigurt për të gjithë punëtorët.

    “Siguria fillon me parandalimin, ndërsa njohuritë e duhura mund të bëjnë dallimin në momentet më të rëndësishme”, thuhet në njoftimin e kompanisë. /Telegrafi/

  • Një film skocez mund ta rrëmbejë kurorën e “filmit të parë me zë në botë”

    Një film skocez mund ta rrëmbejë kurorën e “filmit të parë me zë në botë”

    I shkruar prej skocezëve, Derisa të bien kambanat [Till the Bells Ring] pati premierën një vit përpara filmit të Holivudit në të cilin Al Jolsoni shqiptonte fjalë.

    Nga: Eve Livingston / The Guardian (titulli: Scottish film could steal The Jazz Singer’s crown as ‘world’s first talkie’)
    Përkthimi: Telegrafi.com

    Për gati një shekull, Këngëtari i xhazit [The Jazz Singer] është cilësuar si filmi i parë artistik me metrazh të gjatë në botë që përmbante dialog të sinkronizuar (i njohur si “film me zë”), ndërsa anglishtja si gjuha e parë e kinemasë. Por, një zbulim i rastësishëm kërcënon ta përmbysë historinë e filmit, me lajmin se mund t’ia ketë marrë këtë titull plot një vit më herët një film i realizuar në Glasgou dhe i shkruar në gjuhën skoceze.

    Zbulimin e bëri historiani dhe “maniaku i filmit”, siç e quan vetë veten Marc David Jacobs, i cili po kryente kërkime për një libër mbi valën e parë të filmave britanikë me zë kur hasi në historinë e Derisa të bien kambanat.

    Filmi artistik 46-minutësh, me pjesë të folura dhe zë të sinkronizuar gjatë gjithë rrjedhës, pati premierën në Edinburg në tetor 1926, një vit përpara se Këngëtari i xhazit, me Al Jolsonin në rol kryesor, të shfaqej në kinematë e Nju-Jorkut mes bujës së madhe dhe të zinte vendin e tij në librat e historisë.

    “Ky ishte fillimi i asaj që ne do ta konsideronim film modern”, tha Jacobs. “Në atë kohë ishte një formë krejtësisht e re arti dhe, sikur të ishte përqafuar në Britani, mund të kishim pasur një histori vërtet alternative të kinemasë ku amerikanët nuk do ta kishin marrë kontrollin dhe nuk do të kishin krijuar një epërsi kaq të madhe”.

    Krijim i dramaturgut skocez Graham Moffat, Derisa të bien kambanat është komedi familjare e vendosur në Glasgou dhe e interpretuar nga trupa shëtitëse gjashtanëtarëshe e Moffatit, ku përfshiheshin gruaja e tij Margaret, dhe vajza Winifred, në atë që ai e quante lowland braid Scots: një term për dialektin skocez në gjuhë të thjeshtë, me prejardhje nga Skocia qendrore dhe jugore.

    Graham Moffat e bëri regjinë dhe luajti në “Derisa të bien kambanat” përkrah gruas së tij, Maggie.Libraria Britanike

    Në atë kohë u reklamua si një “superfilm me zë … mbi jetën familjare viktoriane” dhe, në premierën e tij, u çmua si një moment historik i kinemasë. Edinburgh Evening News shkroi në një recension: “As Amerika nuk ka tentuar ndonjëherë një vepër të tillë … Sinkronizimi mes imazhit në ekran dhe dialogut në gjuhën skoceze, të shqiptuar prej figurave në ekran, ishte aq i përsosur sa fare mirë mund të mendoje se po dëgjoje një version të mirëfilltë skenik të komedisë”.

    Por, Jacobsi tha se filmi u harrua shpejt. “Kjo përshtatet në një rrëfim më të gjerë për kinemanë britanike, e cila është lënë pas dore në mënyrë të veçantë”, tha ai. “Mendoj se, sikur të ishte vlerësuar si një prodhim qartësisht skocez, mund të kishte mbijetuar ose të ishte zbuluar deri tani. Por, ai ka përfunduar nën kategorinë e kinemasë britanike dhe nuk ekziston ndonjë ndjesi e vërtetë se historia e kinemasë britanike ia vlen në fakt të shqyrtohet”.

    Në atë kohë filmi u reklamua si një “superfilm me zë”Foto: Biblioteka Kombëtare e Skocisë

    Nuk ka asnjë dëshmi se filmi është shfaqur ndonjëherë përsëri publikisht pas shfaqjeve të tij njëjavore në teatrin [Poole’s Synod Hall] e Edinburgut, aty ku sot ndodhet teatri “Traverse” i qytetit. Moffat vdiq në vitin 1951 pa realizuar më kurrë një film tjetër.

    Ndër zbulimet e Jacobsit është fakti se dy nga bobinat e filmit, që përbëjnë më shumë se gjysmën e kohëzgjatjes së tij, ruhen në Arkivin Kombëtar të BFI-së në Hertfordshir, por nuk janë shfaqur asnjëherë qëkur u morën nga arkivi më shumë se 50 vjet më parë. Meqë këtë vit shënohet njëqindvjetori i filmit, Jacobs shpreson se kjo do të ndryshojë.

    “Shpresoj që kjo të bëhet më shumë sesa thjesht një histori skoceze dhe që arkivat në mbarë botën të mund të hedhin një sy e ndoshta të gjejnë bobinën që mungon”, tha ai. “Por, ky është një film që e kishte zanafillën si shfaqje teatrore dhe dorëshkrimet kanë mbijetuar, kështu që mund ta përfytyrosh, ndoshta, shfaqjen e atyre bobinave që kanë mbijetuar dhe më pas interpretimin në skenë të asaj pjese që mungon. Do të ishte një moment i jashtëzakonshëm ta rikrijoje këtë pikë të rëndësishme në historinë e kinemasë botërore. Por, përtej kësaj, shpresojmë që kjo t’i nxisë njerëzit ta rishqyrtojnë historinë e kinemasë britanike në tërësi dhe të mendojnë: nëse kjo ka qëndruar aty për 100 vjet, çfarë tjetër mund të ketë ende për t’u zbuluar”? /Telegrafi/

  • Kosova lë prapa 8 përfaqësuese në Ligën B pas katër xhirove

    Kosova lë prapa 8 përfaqësuese në Ligën B pas katër xhirove

    Të martën mbrëma ka përfunduar periudha e gjatë e ndeshjeve ndërkombëtare në futboll. Janë luajtur edhe ndeshjet e fundit në Ligën B të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

    Në këtë ligë janë 16 përfaqësuese evropiane, të ndara në katër grupe. Dhe saktësisht gjysmën e tyre Kosova i ka lënë prapa sa u takon pikëve të mbledhura, përkatësisht rezultateve, pas katër xhirove të para.

    Kosova po garon për herë të parë në Ligën B dhe për short ishte e fundit në vazon e fundit. Në bazë të këtyre faktorëve vlerësimet reale do të mund të ishin që Kosova të ishte kah fundi i 16 përfaqësueseve pas katër prej gjashtë xhirove sa janë gjithsej.

    Por Kosova është në pjesën e epërme, ndonëse në Ligën B ka përfaqësuese shumë cilësore që nuk mungojnë asnjëherë në Kampionate Evropiane dhe Kampionate Botërore.

    Në Grupin 3, që po del të jetë më i forti, Kosova ka pesë pikë në vendin e dytë. Pesë pikë i ka edhe Irlanda në vendin e tretë, ndërsa Austria është lidere me tetë pikë. Pos Irlandës, Kosova në grup ka lënë prapa edhe Izraelin, që i ka dy pikë.

    Grupi 1 është dominuar plotësisht nga Zvicra, që ka mbledhur 12 pikët maksimale. Më shumë pikë se Kosova ka edhe Sllovenia – shtatë. Ndërkohë Skocia me katër dhe Maqedonia e Veriut, pa pikë, janë në dy pozitat e fundit. Dhe rrjedhimisht nën Kosovën në tabelën e përgjithshme të të gjitha përfaqësueseve të Ligës B.

    Në Grupin 2, Irlanda e Veriut i ka tetë pikë, kurse Hungaria shtatë. Ukraina është e treta me katër pikë, ndërsa Gjeorgjia i ka dy.


    source

  • Gjykata Speciale thotë të mos jetë konsultuar për ndryshimet në Ligj

    Gjykata Speciale thotë të mos jetë konsultuar për ndryshimet në Ligj

    Gjykata Speciale thotë të mos jetë konsultuar për ndryshimet në Ligj

    Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë nuk janë konsultuar për ndryshimet ligjore të miratuara në Kuvendin e Kosovës gjatë ditës së djeshme (6 tetor).

    Kështu është thënë në një përgjigje për gazetaren e Klan Kosova, Rina Mujku, nga ky institucion.

    “DhSK nuk janë konsultuar. Për momentin, nuk kemi koment tjetër”, është thënë në përgjigjen e shkurtë ndaj pyetjes që u është parashtruar para se të merrej vendimi që ndryshimet e propozuara nga PDK për Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të miratoheshin edhe në lexim të dytë në Kuvend të martën, raporton Klankosova.tv.

    Më tej, në përgjigje është theksuar se Dhomat e Specializuara janë plotësisht të përqendruara në përmbushjen e mandatit të tyre për të garantuar procese gjyqësore “të drejta, të paanshme dhe të sigurta, si dhe për të siguruar mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave”.

    Kuvendi i Kosovës, të martën i ka votuar edhe në lexim të dytë ndryshimet e propozuara në Ligjin për DhSK dhe ZPS, duke përmbyllur kështu procedurën parlamentare për projektligjin e iniciuar nga PDK-ja.

    Ligji i ndryshuar prek disa prej elementeve kryesore të funksionimit të Gjykatës Speciale: juridiksionin, periudhën kohore që mbulon, dënimet, vendin ku ato mbahen dhe trajtimin e rasteve që do të mbeteshin jashtë kompetencës së saj. /Klankosova.tv

  • Mikel Arteta flet pas nënshkrimit të kontratës së re me Arsenalin

    Mikel Arteta flet pas nënshkrimit të kontratës së re me Arsenalin

    Mikel Arteta e ka cilësuar si një “privilegj” nënshkrimin e kontratës së re afatgjatë me Arsenalin, duke konfirmuar zyrtarisht vazhdimin e qëndrimit të tij në krye të kampionëve të Ligës Premier.

    Trajneri spanjoll u shpreh i nderuar që do të vazhdojë ta udhëheqë klubin në një periudhë të veçantë të historisë 140-vjeçare të Arsenalit.

    “Është një privilegj të angazhohem për të ardhmen time me klubin dhe të vazhdoj të punoj me njerëz të jashtëzakonshëm, të cilët duan më të mirën për Arsenalin”, deklaroi Arteta.

    Arteta theksoi se së bashku me klubin kanë krijuar tashmë kujtime të veçanta, por beson se ende kanë shumë për të arritur.

    “Ne kemi krijuar tashmë disa kujtime të veçanta së bashku, por ky është vetëm fillimi i asaj që mund të arrijmë”, shtoi ai.

    Trajneri spanjoll falënderoi gjithashtu pronarët Stan dhe Josh Kroenke për besimin dhe mbështetjen, ndërsa vlerësoi tifozët e Arsenalit për dashurinë dhe respektin që i kanë treguar gjatë kësaj periudhe. /Telegrafi/

  • Arsenali i beson sërish Artetës, spanjolli nënshkruan kontratë të re

    Arsenali i beson sërish Artetës, spanjolli nënshkruan kontratë të re

    Arsenali ka konfirmuar zyrtarisht se Mikel Arteta ka nënshkruar kontratë të re afatgjatë me klubin.

    Trajneri spanjoll ka vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me “Topçinjtë”, pasi i udhëhoqi drejt titullit të parë të Ligës Premier pas 22 vjetësh.

    Arteta iu bashkua Arsenalit në dhjetor të vitit 2019 dhe që prej atëherë ka qenë në krye të një transformimi të rëndësishëm të skuadrës.

    Nën drejtimin e tij, londinezët janë shndërruar në pretendentë të rregullt për trofetë kryesorë.

    Sezonin e kaluar, spanjolli arriti ta rikthejë titullin e Ligës Premier në “Emirates Stadium”, duke i dhënë klubit një tjetër shtysë për të synuar suksese edhe më të mëdha në Angli dhe Evropë.

    Kontrata e mëparshme e Artetës skadonte në fund të sezonit 2026/27, por marrëveshja e re i garanton vazhdimin e qëndrimit në krye të Arsenalit për një periudhë më të gjatë.

    Rinovimi vjen në një moment të rëndësishëm për klubin, i cili synon të mbrojë titullin e kampionit dhe të vazhdojë ambiciet për trofe të rinj në garat evropiane. /Telegrafi/

  • Hargreaves uron Shiroka-Pulën: Pres të punojmë për të thelluar partneritetin

    Hargreaves uron Shiroka-Pulën: Pres të punojmë për të thelluar partneritetin

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj Presidente e Republikës së Kosovës.

    Hargreaves i ka uruar asaj sukses në detyrën e re, duke theksuar rëndësinë e këtij roli.

    “Urimet e mia të përzemërta për Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj Presidente e Republikës së Kosovës. I uroj çdo sukses në këtë rol të rëndësishëm”, ka shkruar Hargreaves.

    Ambasadori britanik ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për të bashkëpunuar me Presidenten e re dhe institucionet e Kosovës, me synimin për të thelluar partneritetin mes dy vendeve.

    “Pres të punoj me Presidenten dhe të gjitha institucionet e Kosovës për të thelluar partneritetin tonë të kahershëm, ndërsa Kosova shikon drejt një të ardhmeje multietnike, demokratike dhe euro-atlantike”, ka deklaruar ai.


    source

  • “Tangoja e Fundit”, Messi i jep lamtumirën Argjentinës pas 21 vjetësh

    “Tangoja e Fundit”, Messi i jep lamtumirën Argjentinës pas 21 vjetësh

    Lionel Messi i ka dhënë fund karrierës së jashtëzakonshme ndërkombëtare, që zgjati plot 21 vjet.

    Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, legjenda argjentinase u përshëndet për herë të fundit me tifozët e Argjentinës, ndërsa edhe paraqitja e tij e fundit me fanellën e kombëtares ishte e mbushur me shkëlqim.

    Në një mbrëmje thuajse të përsosur, 39-vjeçari realizoi golin e tij të 126-të ndërkombëtar, ndërsa Argjentina fitoi 3:0 ndaj Beninit në Buenos Aires.

    Rreth 85 mijë tifozë ishin të pranishëm në stadiumin ikonik “Monumental” për të përcjellë nga afër paraqitjen e fundit të njërit prej futbollistëve më të mëdhenj në histori.

    Messi zhvilloi ndeshjen e tij të 208-të me Argjentinën, duke vendosur një tjetër rekord. Përveç golit, ai asistoi edhe për Nicolas Otamendin, i cili realizoi golin e parë të takimit. Në listën e realizatorëve u regjistrua edhe Nico Paz.

    Por rezultati dhe statistikat ishin në plan të dytë.

    E gjithë vëmendja ishte te Messi dhe lamtumira e tij me fanellën që e veshi për më shumë se dy dekada. Ai shijoi për herë të fundit adhurimin e tifozëve argjentinas në “Monumental”, në një natë të mbushur me emocione.

    Ngjarja ishte pagëzuar “Tangoja e Fundit” – një përshkrim simbolik për mbylljen e kapitullit të jashtëzakonshëm të Messit me Argjentinën.

    Pas 21 vjetësh, 208 paraqitjeve dhe 126 golave, Messi largohet nga skena ndërkombëtare duke lënë pas një trashëgimi të rrallë në historinë e futbollit.


    source

  • BE: Ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës

    BE: Ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës



    Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të miratuara të martën mbrëma nga Kuvendi i Kosovës.

    Një zëdhënës i BE-së ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se ndryshimet, sipas Brukselit, bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

    “Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka deklaruar zëdhënësi.

    BE-ja ka rikujtuar se e ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara si një institucion të pavarur gjyqësor, duke kërkuar që mandati aktual dhe pavarësia e tyre të respektohen plotësisht.

    “Dhomat e Specializuara të Kosovës po vendosin drejtësi bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale”, ka theksuar zëdhënësi i BE-së.

    Në anën tjetër, Brukseli ka përshëndetur përfundimin e bllokadës institucionale në Kosovë, pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës në postin e Presidentes së Republikës.

    BE-ja ka thënë se pret rikthimin e stabilitetit institucional, duke vlerësuar se kjo do t’i mundësojë Kosovës të avancojë në rrugën e saj evropiane dhe të përfitojë nga mundësitë që ofron Bashkimi Evropian.

    Sipas zëdhënësit të BE-së, Kosova përballet me një agjendë të rëndësishme reformash, përfshirë reformat e lidhura me Planin e Rritjes dhe Reformave, zbatimin e mëtejshëm të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si dhe avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin gradual në Tregun e Vetëm të BE-së.

    “Ndonëse BE-ja është e gatshme ta mbështesë Kosovën edhe më tej, partneriteti ynë nënkupton jo vetëm interesa të përbashkëta, por edhe përgjegjësi të përbashkët”, ka nënvizuar zëdhënësi.

    Kuvendi i Kosovës i miratoi ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara në lexim të dytë, pak para votimit për Presidenten e re. Miratimi erdhi pas një marrëveshjeje politike mes partive, e cila i hapi rrugë edhe sigurimit të votave për zgjedhjen e Shiroka-Pulës.

    source

  • ESHS: Inflacioni në shtator shënon rritje të lehtë vjetore prej 2.7%, rriten çmimet në restorante dhe akomodime

    ESHS: Inflacioni në shtator shënon rritje të lehtë vjetore prej 2.7%, rriten çmimet në restorante dhe akomodime

    Enti Shtetëror i Statistikave publikoi sot llogaritjen e inflacionit të shtatorit, e cila tregon se inflacioni vjetor në shtator të këtij viti u përshpejtua me 2.7 përqind krahasuar me vitin 2025, dhe me 0.1 përqind krahasuar me gushtin, kur ishte 2.6 përqind, kështu që shtatori nuk solli një ndryshim të madh në koston e jetesës së qytetarëve.

    Shkalla mujore e inflacionit në shtator u ul krahasuar me gushtin, kur ishte 0.4 përqind në bazë mujore, dhe rritja më e lartë e kostove u regjistrua në kategorinë e sportit dhe rekreacionit me 3.1 përqind, e ndjekur menjëherë nga restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 2.5, ndërsa rritja më e vogël u regjistrua në ushqim dhe pije joalkoolike me 0.5 përqind.

    “Në shtator 2026, krahasuar me gushtin 2026, një rënie e kostos së jetesës u regjistrua në grupet: Rekreacion, sport dhe kulturë me 3.7%, Transport me 3.4%, Restorante dhe shërbime akomodimi me 0.3% dhe Informacion dhe komunikim me 0.1%”, njoftojnë nga Enti Shtetëror të Statistikave të Maqedonisë.

    Çmimet në restorante dhe shërbime akomodimi vazhduan të rriten në shtator. Sipas llogaritjes së ESHS-së, çmimet e këtyre shërbimeve në shtator u rritën me 3.8% në vit dhe vetëm 0.1% në muaj.

    Të dhënat e ESHS-së tregojnë gjithashtu një rritje prej 1.3% të çmimit të energjisë elektrike në gjysmën e parë të këtij viti krahasuar me gjysmën e dytë të vitit të kaluar.

    Tremujori i tretë i vitit 2026 pa gjithashtu një rritje prej 10.3 përqind të çmimeve të pasurive të paluajtshme, të cilat nuk përfshihen në llogaritjet e inflacionit të ESHS-së, por kanë një pjesë të rëndësishme në shpenzimet e qytetarëve.

    Kur llogarit tendencat e inflacionit, ESHS përdor çmimet e produkteve dhe shërbimeve bazë që qytetarët blejnë për nevojat e tyre bazë./Telegrafi/