Category: Lajme

  • Franca pezullon përdorimin e granatave trullosëse pas humbjes së dorës nga një 15-vjeçar

    Franca pezullon përdorimin e granatave trullosëse pas humbjes së dorës nga një 15-vjeçar

    Franca ka pezulluar përdorimin e granatave trullosëse nga policia gjatë protestave të nxënësve, pasi një 15-vjeçar humbi dorën gjatë një incidenti në qytetin Lens në veri të vendit.

    Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, tha se kishte kërkuar pezullimin e përdorimit të këtyre mjeteve derisa të sqarohen plotësisht rrethanat e incidentit të së hënës. Autoritetet dhe protestuesit kanë dhënë versione të ndryshme për mënyrën se si ndodhi ngjarja.

    Sipas autoriteteve, i riu e kishte marrë në dorë granatën, e cila më pas shpërtheu. Nxënës të tjerë, megjithatë, pretendojnë se ai u godit drejtpërdrejt nga granata e hedhur nga një efektiv policie.

    Incidenti ndodhi pranë shkollës së mesme Auguste-Béhal në Lens, ndërsa policia ishte përballur me një grup prej rreth 200 deri në 250 nxënësish, të cilët, sipas prefekturës lokale, po hidhnin gurë dhe fishekzjarrë drejt forcave të rendit.

    Nuñez tha për radion RTL se Inspektorati i Përgjithshëm i Policisë Kombëtare, IGPN, ka hapur 18 hetime për të përcaktuar nëse veprimet e policisë gjatë protestave kanë qenë proporcionale, transmeton Telegrafi.

    “Ka një veprim policor që na ngre pikëpyetje të gjithëve në Ministrinë e Brendshme; bëhet fjalë për atë që ndodhi në Lens”, tha ai, duke konfirmuar se përdorimi i granatave do të pezullohet derisa të qartësohen rrethanat e incidentit.

    Granatat në fjalë konsiderohen armë me rrezik më të ulët vdekjeprurës, por mund të shkaktojnë dëmtime serioze. Franca i ka përdorur ato si pjesë të mjeteve për shpërndarjen e turmave.

    Protestat e nxënësve kanë vazhduar të mërkurën, ndërsa më shumë se 500 shkolla janë mbyllur plotësisht ose pjesërisht. Ministria franceze e Arsimit tha se 528 nga rreth 3,700 lice ishin të prekura nga ndërprerjet.

    Qindra mijëra njerëz dolën në rrugë të martën për të kërkuar përmirësimin e kushteve në shkolla. Në disa qytete pati përleshje me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës dhe topa uji.

    Ministria e Brendshme tha se 488 persona u arrestuan, ndërsa 43 pjesëtarë të forcave të sigurisë u lënduan gjatë protestave të së martës.

    Kryeministri Sébastien Lecornu pritet të mbajë një fjalim mbrëmjen e së mërkurës, në një kohë kur protestat janë përhapur nga nxënësit e shkollave të mesme te prindërit, studentët universitarë dhe sindikatat.

    Rasti i 15-vjeçarit në Lens nuk është incidenti i vetëm që ka shtuar shqetësimet për mënyrën se si policia po përballet me protestuesit e rinj.

    Javën e kaluar, një tjetër nxënës 14-vjeçar u godit në fytyrë nga një granatë me gaz lotsjellës në Saint-Ouen-l’Aumône, në veriperëndim të Parisit. Avokati i tij tha se i riu kishte humbur disa dhëmbë dhe kishte pësuar frakturë të nofullës. Një polic është ngarkuar me akuza lidhur me incidentin.

    Ndërkohë, prokurorët njoftuan të mërkurën hapjen e një hetimi për tentativë vrasjeje, pasi një protestues 17-vjeçar pretendoi se një efektiv policie “ia kishte mbajtur kokën nën ujë” gjatë arrestimit pranë një lumi në Belfort, në verilindje të Francës.

    Që nga fillimi i protestave në mesin e shtatorit, kryeministri Lecornu ka dënuar dhunën e shfaqur në disa prej tyre. Sipas shifrave të qeverisë, deri tani janë lënduar 215 nxënës, 85 pjesëtarë të stafit shkollor dhe 715 policë. Më shumë se 6,500 persona janë ndaluar ose arrestuar gjatë kësaj periudhe.

    Presidenti Emmanuel Macron zhvilloi një takim urgjent të martën në mbrëmje me Lecornun dhe ministra të tjerë të rëndësishëm, pasi protestat e asaj dite prekën gati një të katërtën e të gjitha liceve në vend.

    Sipas qeverisë, në demonstratat e së martës morën pjesë më shumë se 250,000 persona, ndërsa sindikatat e nxënësve e vlerësuan pjesëmarrjen në rreth 450,000.

    Organizatat studentore kanë paralajmëruar një raund të katërt protestash të enjten në Paris dhe qytete të tjera.

    Ryad Rani, drejtues i sindikatës së nxënësve të shkollave të mesme USL, i bëri thirrje ministrit Nuñez që të ulë tensionet.

    “Po i themi z. Nuñez: qetësoni policët tuaj dhe bëni thirrje për përmbajtje”, tha ai për radion franceze RTL. /Telegrafi/

  • Mustafa: Zgjedhja e Presidentes dhe votimi i Ligjit për Specialen, dëshmi e pjekurisë institucionale

    Mustafa: Zgjedhja e Presidentes dhe votimi i Ligjit për Specialen, dëshmi e pjekurisë institucionale

    Mustafa: Zgjedhja e Presidentes dhe votimi i Ligjit për Specialen, dëshmi e pjekurisë institucionale

    Ish-kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, duke i cilësuar vendimet e marra si tregues të një pjekurie të lartë institucionale.

    Në një prononcim për Klankosova.tv, Mustafa ka vlerësuar në veçanti miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, si dhe zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës në postin e presidentes.

    Ai theksoi se fakti që ndryshimet ligjore janë miratuar me më shumë se dy të tretat e votave, së bashku me zgjedhjen e presidentes së re, përbën një zhvillim të rëndësishëm për funksionimin institucional të vendit.

    “Miratimi nga Parlamenti me votë prej mbi dy të tretave i ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale me seli në Hagë dhe zgjedhja e Presidentes së Kosovës, akademike Justina Shiroka Pula, është një pjekuri e lartë institucionale”, deklaroi Mustafa.

    Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka veçuar edhe numrin e votave të marra nga presidentja e re, duke e lidhur atë me shumicën e nevojshme për ndryshime kushtetuese.

    “Presidentja ka marrë 81 vota të Kuvendit, aq sa parashihen edhe për ndryshimet dhe miratimin e Kushtetutës. Është një personalitet me vlera të larta profesionale, intelektuale dhe njerëzore; ajo që në këto momente, dhe jo vetëm në këto, i nevojitet vendit tonë”, theksoi ai.

  • Si ndodhi sulmi ku u lënduan tre pjesëtarë të ekipit të Kiks Kosova? (VIDEO)

    Si ndodhi sulmi ku u lënduan tre pjesëtarë të ekipit të Kiks Kosova? (VIDEO)

    Si ndodhi sulmi ku u lënduan tre pjesëtarë të ekipit të Kiks Kosova? (VIDEO)

    Një ekip i emisionit Kiks Kosova në Klan Kosova është sulmuar sot në qytetin e Ferizajt, në kohën që ishin në terren për kryerjen e punës së tyre.

    Kameramanët Erand Hyseni dhe Gramos Shala, si dhe gazetarja Arbenita Ilazi dhe shoferi Sefer Xhema janë sulmuar fizikisht nga disa persona të paidentifikuar, brenda veturës së televizionit, transmeton Klankosova.tv.

    Autorja e emisionin, Ardiana Thaçi, në emisionin “Kosova Today” ka bërë të ditur se Hyseni, Shala dhe Xhema kanë pranuar tretman mjekësor në Emergjencën e Ferizajt.

    “Aktualisht ndodhem pranë Emergjencës së Ferizajt, aty ka kanë marrë trajtimin tre prej anëtarëve të ekipit të Kiks Kosovës, Erand Hysni, Gramos Shala, i cili duhet të përmendet se ka pasur vetëm ditën e dytë të punës, dhe Sefer Xhema. Ndërkohë që Arbenita Ilazi, gazetare, ndodhet në stacionin e policisë”.

    Pos tjerash, Thaçi bëri të ditur se si ndodhi sulmi.

    “Ata kanë qenë duke trajtuar një çështje pronash në Ferizaj, dhe pasi kanë kryer të gjitha xhirimet, kanë hipur në veturë, dhe kanë qenë duke kaluar rreth një lagjeje, e cila ka qenë rrugë me dalje, në atë moment iu kanë dalë dy vetura dhe i kanë ndalur, njëra para dhe njëra pas, dhe nga ajo veturë kanë dalë të paktën tre persona, të cilët kanë filluar të sulmojnë fillimisht shoferin përmes xhamave, dhe më pas kanë hapur dyert duke sulmuar goxha rëndë kameramanin Erand Hysenin, i cili ka lëndime në nofull dhe qafë, e po ashtu kanë sulmuar edhe kameramanin tjetër, Gramos Shalën”, tha Thaçi në Klan Kosova.

  • Vlora Çitaku për Çlirim Hazirin: Ti e ke bërë krenar babën!

    Vlora Çitaku për Çlirim Hazirin: Ti e ke bërë krenar babën!

    Vlora Çitaku për Çlirim Hazirin: Ti e ke bërë krenar babën!

    Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar me një mesazh për Çlirim Hazirin, organizatorin e protestave të mbajtura për 21 ditë radhazi në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kundër aktgjykimit të Speciales në Hagë.

    Çitaku e ka vlerësuar angazhimin e Hazirit, duke thënë se ai qëndroi në ballë të protestave ditë e natë dhe se përmes zërit të tij mijëra qytetarë gjetën shprehjen e pakënaqësisë së tyre, transmeton Klankosova.tv.

    “Çlirim, ti e ke ba krenar babën!”, ka shkruar Çitaku, duke iu referuar babait të tij, heroit të luftës së UÇK-së, Xhavit Haziri.

    Ajo ka theksuar se përmes qëndresës së tij, Haziri u bë, sipas saj, simbol i revoltës qytetare dhe i vlerave që bashkojnë qytetarët.

    “Babai u ngrit për lirinë. Ti ngrihesh për dinjitetin e atyre që na e sollën atë. E njëjta dashuri për Kosovën, nga një brez te tjetri”, ka shkruar Çitaku, transmeton Klankosova.tv.

    “Çlirim, mos u ndal. Ruaje atë za të sinqertë dhe atë zemër patrioti që të nxori në shesh. Qytetarët kanë ende shumë për të thënë përmes teje”.

  • Pas protestave, pastrohet sheshi i kryeqytetit

    Pas protestave, pastrohet sheshi i kryeqytetit

    Pas protestave, pastrohet sheshi i kryeqytetit

    Mijëra qytetarë për disa ditë protestuan në sheshet e Prishtinës, duke kërkuar votimin e ndryshimeve të Ligjit për Specialen.

    Të hënën e të marten, protestuesit patën edhe përplasje me policinë derisa mbrëmë gjithçka përfundoj mirë, me votimin e Ligjit si dhe me zgjedhjen e Presidentes, Justina Shiroka-Pula.

    Pas përfundimit të kësaj proteste, sheshi i kryeqytetit u pastrua.

  • Publikohen të dhënat e punës së Spitalit të Ferizajt për janar–shtator 2026

    Publikohen të dhënat e punës së Spitalit të Ferizajt për janar–shtator 2026

    Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt ka publikuar të dhënat e aktiviteteve shëndetësore për periudhën janar–shtator 2026, si dhe raportin e veçantë për muajin shtator.

    Sipas njoftimit të spitalit, raportet pasqyrojnë aktivitetet dhe shërbimet e ofruara gjatë kësaj periudhe, përfshirë vizitat ambulatore, hospitalizimet, ndërhyrjet kirurgjikale dhe lindjet.

    Në raportet e publikuara janë përfshirë edhe të dhënat për shërbimet radiologjike, analizat laboratorike, hemodializën, shërbimet endoskopike, si dhe shërbime të tjera diagnostike dhe terapeutike.

    Spitali ka theksuar se publikimi i këtyre të dhënave bëhet në kuadër të përkushtimit për transparencë, llogaridhënie dhe informim të vazhdueshëm të qytetarëve për punën dhe shërbimet që ofrohen në këtë institucion shëndetësor.

    “Raporti periodik janar-shtator dhe raporti mujor shtator” përmban të dhënat e aktiviteteve të Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt për vitin 2026. /Telegrafi/

  • Ngritet kallëzim penal ndaj një prokurori në Manastir, sekuestrohen gjashtë telefona dhe kompjuter

    Ngritet kallëzim penal ndaj një prokurori në Manastir, sekuestrohen gjashtë telefona dhe kompjuter

    MPB njofton se është ndaluar një prokuror i Lartë Publik në Manastir, ndaj të cilit është dorëzuar kallëzim penal për shkak se dyshohet se ka kryer veprën penale “Marrje Shpërblimi për Ndikim të Paligjshëm”.

    “Sot (07.10.2026), Departamenti për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë pranë Ministrisë së Brendshme ngriti kallëzim penal në Prokurorinë Publike për Hetime Penale kundër P.V. (61) nga Prilepi, për shkak të arsyeshëm se ai ka kryer veprën penale “marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm” sipas nenit 359, paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 2 të Kodit Penal.

    P.V. në cilësinë e tij si Prokuror i Lartë Publik i Prokurorisë së Lartë Publike në Manastir ka ndikuar vazhdimisht në vendimet e prokurorëve të tjerë publikë, me qëllim që të shqiptojë dënime më të buta për autorët.

    P.V. është ndaluar, dhe me qëllim mbledhjen e provave shtesë dhe gjetjen e sendeve, u krye një kontroll në shtëpinë e tij në Prilep, si dhe në ambientet e zyrës që ai përdor, ku u gjetën dhe u sekuestruan gjashtë telefona celularë, një USB dhe një kompjuter personal”, thonë nga MPB./Telegrafi/

  • BE-ja liron 1.24 miliardë euro për dronë dhe municione të prodhuara në Ukrainë

    BE-ja liron 1.24 miliardë euro për dronë dhe municione të prodhuara në Ukrainë

    Bashkimi Evropian ka liruar 1.24 miliardë euro për Ukrainën, të cilat do të përdoren për blerjen e dronëve, sistemeve kundërdron, municioneve për dronë dhe armatimeve të prodhuara në vend.

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se fondet do të ndihmojnë Ukrainën të mbrojë njerëzit dhe infrastrukturën nga sulmet ajrore ruse dhe të forcojë industrinë e saj të mbrojtjes.

    Financimi vjen në një kohë kur Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës, duke vënë veçanërisht Kievin në alarm të vazhdueshëm, transmeton Telegrafi.

    Kryeministri ukrainas Sergii Koretskyi e mirëpriti ndihmën, duke thënë se fondet do të shkojnë për nevojat më urgjente të mbrojtjes. Presidenti Volodymyr Zelensky, pas sulmeve vdekjeprurëse në disa qytete ukrainase, theksoi se sistemet e mbrojtjes ajrore janë një nevojë jetike.

    Paketa është pjesë e kredisë së BE-së për Ukrainën, në vlerë totale prej 90 miliardë eurosh për vitet 2026–2027. Rreth dy të tretat e kësaj shume janë parashikuar për nevoja ushtarake dhe të mbrojtjes. /Telegrafi/

  • Arbnor Morina merr drejtimin e Ferizajt

    Arbnor Morina merr drejtimin e Ferizajt

    Ferizaj ka emëruar Arbnor Morinën në postin e trajnerit të skuadrës, duke i besuar atij drejtimin e ekipit për pjesën e mbetur të kampionatit.

    Klubi ferizajas ka bërë të ditur marrëveshjen përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku ka konfirmuar se Morina do të jetë në krye të ekipit në vazhdim të sezonit.

    Trajneri me përvojë rikthehet kështu në skenën e futbollit kosovar, ndërsa me Ferizajn do të synojë të japë kontributin e tij në përmbushjen e objektivave të klubit.

    Në periudhën e mbetur të kampionatit, Morinën e pret një detyrë e rëndësishme për ta organizuar ekipin dhe për të nxjerrë maksimumin nga futbollistët në dispozicion.

    FC Ferizaj i ka uruar mirëseardhje trajnerit të ri dhe suksese në detyrën e tij.

    “FC Ferizaj ka arritur marrëveshje me trajnerin Arbnor Morina, i cili do të drejtojë skuadrën tonë në vazhdim të kampionatit”.

    “Morina i bashkohet klubit me synimin për të sjellë përvojën, profesionalizmin e tij në ekip, ndërsa së bashku do të punojmë për të arritur objektivat e klubit në pjesën e mbetur të sezonit”.

    “I urojmë trajnerit Arbnor Morina mirëseardhje në familjen e FC Ferizajt dhe shumë suksese në detyrën e re!”, thuhet në njoftimin e klubit. /Telegrafi/

  • Hargreaves uron Shiroka-Pulën: Pres të punoj me presidenten dhe të gjitha institucionet e Kosovës

    Hargreaves uron Shiroka-Pulën: Pres të punoj me presidenten dhe të gjitha institucionet e Kosovës

    Hargreaves uron Shiroka-Pulën: Pres të punoj me presidenten dhe të gjitha institucionet e Kosovës

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

    Përmes një mesazhi, Hargreaves i ka uruar Shiroka-Pulës suksese në detyrën e re, duke theksuar gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me presidenten e re dhe institucionet e Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

    “Urimet e mia të përzemërta për Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj si Presidente e Republikës së Kosovës. I uroj çdo sukses në këtë rol të rëndësishëm”, ka shkruar Hargreaves.

    Ai ka thënë se pret të punojë me presidenten dhe të gjitha institucionet e Kosovës për të thelluar partneritetin afatgjatë mes dy vendeve.

    “Pres të punoj me Presidenten dhe të gjitha institucionet e Kosovës për të thelluar partneritetin tonë të kahershëm, ndërsa Kosova ecën drejt së ardhmes së saj multietnike, demokratike dhe euroatlantike”, thuhet në mesazhin e ambasadorit britanik.

    Mund të jetë një imazh i teksti