Category: Lajme

  • Oferta e tetorit në Grand Blue Fafa Resort & Spa

    Oferta e tetorit në Grand Blue Fafa Resort & Spa

    Tetori është koha ideale për t’u shkëputur pak nga rutina, për të kaluar disa ditë me familjen dhe për të shijuar qetësinë e bregdetit. Në Grand Blue Fafa Resort & Spa, ky muaj vjen me oferta të veçanta për një pushim të shkurtër pranë detit, me SPA dhe akomodim të përfshirë.

    Për muajin tetor, mund të zgjidhni mes dy paketave:

    Bed & Breakfast

    Përfshin akomodim, mëngjes dhe SPA.

    • 1 natë – 45 euro/person
    • 2 net – 42 euro/person për natë
    • 3 net – 38 euro/person për natë

    Full Board

    Përfshin akomodim, mëngjes, drekë, darkë dhe SPA.

    • 1 natë – 74 euro/person
    • 2 net – 71 euro/person për natë
    • 3 net – 69 euro/person për natë

    Një fundjavë me familjen, pak kohë pranë detit dhe disa momente relaksi në SPA mund të jenë pikërisht shkëputja që ju duhet këtë tetor.

    Për rezervime: +355 69 708 6352 / +355 69 706 7501
    Adresa: Golem, Durrës, Shqipëri
    Uebfaqe: www.fafa.al
    Email: grandbluefafa@fafa.al

  • Dugolli thotë se qëllimi i PDK-së janë zgjedhjet, publikon një video të Hamzës

    Dugolli thotë se qëllimi i PDK-së janë zgjedhjet, publikon një video të Hamzës

    Enver Dugolli nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë sot se qëllimi i Partisë Demokratike të Kosovës janë zgjedhjet.

    Dugolli ka thënë se këtë po e shohin edhe qytetarët, gjersa ka publikuar një video të kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza teksa flet për zgjedhjet.

    Lexoni të plotë postimin e Dugollit:

    “E thënë troç dhe pa lajka nga kryetari i PDK-së z. Hamza: “Në zgjedhje po shkojmë.”

    Pra, që nga fillimi, ky duket të ketë qenë qëllimi. Nuk është as Haga, as ligji, as dënimet e shqiptuara atje, e aq më pak presidenti. Synimi është që vendi të dërgohet sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme, me shpresën se kësaj radhe do ta mundin Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen.

    Besoj se këtë tashmë po e shohin edhe qytetarët. /Telegrafi/

  • “Askush nuk shfaqi asnjë shenjë pendese”: Juristi amerikan që nxori nazistët para gjyqit

    “Askush nuk shfaqi asnjë shenjë pendese”: Juristi amerikan që nxori nazistët para gjyqit

    Më 29 shtator 1947 filloi “gjyqi më i madh për vrasje në histori”. Shtatëdhjetë vjet më vonë, kryeprokurori Ben Ferencz i tregoi BBC-së se si luftoi për t’i nxjerrë 22 vrasës para drejtësisë.

    Nga: Fiona Macdonald / BBC (titulli: ‘No one showed any sign of remorse’: The heroic US lawyer who put Nazi death squad members on trial at Nuremberg)
    Përkthimi: Telegrafi.com

    “Kam shkruar diku se kisha hedhur shikimin në ferr – mendoj se ferri do të ishte parajsë krahasuar me atë që pashë”.

    Në vitin 2017, Ben Ferencz i tregoi BBC-së për skenat rrëqethëse që kishte parë në kampin e përqendrimit Buhenvald në fund të Luftës së Dytë Botërore – një përvojë e cila parapriu që ai, në moshën 27-vjeçare, të bëhej prokurori më i ri amerikan në gjyqet për krime lufte në Nuremberg.

    Ferencz – njujorkezi hebre me prejardhje hungareze, i cili u regjistrua në ushtri sapo u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Harvardit në vitin 1943 – zbarkoi në plazhet e Normandisë. Më vonë, si hetues i krimeve të luftës, ai ishte një nga ushtarët e parë amerikanë që hynë në kampet e sapoçliruara naziste të vdekjes. Ai parapëlqente të mos i diskutonte ato kujtime, siç i tha Zeinab Badawit në vitin 2017. “Nuk më pëlqen të flas shumë për këtë, sepse e kam të vështirë t’i kontrolloj emocionet e mia”.

    Megjithatë, edhe në moshën 97-vjeçare ai ishte në gjendje të rrëfente me hollësi atë që kishte parë. “Mund t’jua përshkruaj mjaft qartë, sepse kujtimi është shumë i ngulitur në mendjen time. Por, në të njëjtën kohë, nuk do ta kuptoni kurrë se si ishte, sepse mendja racionale njerëzore nuk mund ta rrokë plotësisht”. Ai kujtonte se kishte parë trupa në tokë kur hyri në Buhenvald dhe të burgosur aq të dobësuar sa ishin “skelete të veshura me lecka”.

    Kur Ferenczi u kthye në Nju Jork në vitin 1945, Pentagoni (selia e Departamentit të Mbrojtjes të ShBA-së) e pyeti nëse mund të ndihmonte me gjyqet që po zhvilloheshin në Nuremberg. “Shtetet e Bashkuara, në veçanti, mendonin se Tribunali Ushtarak Ndërkombëtar kundër Hermann Göringut ishte vetëm një shkrepje e një mostre të vogël”, tha ai.

    “Dhe, për të kuptuar vërtet se si një vend i qytetëruar si Gjermania mund të kryente dhe të toleronte llojin e mizorive që u kryen, duhet të kuptoni pozitën e mjekëve që kryenin eksperimente mjekësore, të avokatëve dhe gjykatësve që shtrembëruan ligjin, të vrasësve të SS-it, natyrisht, që kryenin vetë vrasjet, dhe të industrialistëve që i detyronin njerëzit të punonin deri në vdekje. Të gjitha këto ishin grupe të veçanta”.

    Ferenczit iu caktua detyra të “merrte një mostër nga secili prej këtyre grupeve” për të ndihmuar në shpjegimin e veprimeve të tyre. Ai fluturoi për në Berlin, ku ai dhe një ekip prej rreth 50 studiuesish kontrolluan imtësisht arkivat naziste për prova të krimeve të kryera nga gjermanë të të gjitha shtresave të shoqërisë.

    Pastaj, ekipi i tij bëri një zbulim të papritur. “Një nga hulumtuesit e mi … hasi në raportet ditore të këtyre skuadrave të posaçme të shfarosjes, puna e të cilave ishte të vrisnin, pa mëshirë apo pendesë, çdo burrë, grua dhe fëmijë hebre që mund të kapnin … dhe çdo kundërshtar tjetër të perceptuar ose të dyshuar të Rajhut”.


    Hulumtuesit kishin gjetur prova të vrasjeve të kryera nga ato që quheshin Einsatzgruppen ose skuadra të lëvizshme të vdekjes që ndiqnin ushtrinë gjermane teksa ajo pushtonte shtetet. Vlerësohej se deri në tre mijë burra gjermanë kishin qenë anëtarë të këtyre njësive vrasëse, duke kryer operacione të pushkatimeve masive në shumë vende, përfshirë Poloninë dhe Bashkimin Sovjetik.

    Ferencz besonte se anëtarët e Einsatzgruppen-it duhej të viheshin në bankën e të akuzuarve në Nuremberg, secili i akuzuar për vrasje masive – por, shpejt hasi në një pengesë. “Asnjë gjyq i tillë nuk ishte planifikuar. Fluturova nga Berlini për në Nuremberg, fola me gjeneralin Telford Taylor [kryeprokurorin amerikan për gjyqet e krimeve të luftës] dhe ai tha: ‘Nuk mund ta zhvillojmë këtë gjyq tani, sepse të gjithë avokatët tashmë janë caktuar. Gjyqet janë në zhvillim. Pentagoni nuk e ka miratuar. Dyshoj se do ta miratojë’”.

    Megjithatë, Ferencz ishte këmbëngulës. “Thashë: ‘Kam këtu në dorë shembuj të vrasjeve masive në një shkallë që nuk është parë kurrë më parë në historinë njerëzore. Nuk mund t’i lini këta njerëz të ikin’. [Taylor] tha: ‘A mund ta bësh këtë krahas punës tjetër?’ Dhe unë thashë: ‘Sigurisht.’ Dhe, e bëra … Ishte rastësi që u bëra kryeprokuror”.

    Ai shpjegoi se si i përzgjodhi të akuzuarit sipas një sërë kriteresh. I pari ishte që ata duhej të ishin në paraburgim, sepse “nëse i ke provat dhe nuk e ke të burgosurin, nuk ke asgjë”. Megjithatë, ai nuk donte të ndiqte penalisht vetëm ushtarët e rangut të ulët. “Zgjodha ata me gradat më të larta dhe më pas kontrollova prejardhjen e tyre nga dosjet e Partisë Naziste, të cilat i kapëm në Berlin. Kishin përparësi ata që kishin doktoratura ose ishin gjeneralë”.

    Edhe atëherë ai mund të ndiqte penalisht vetëm një pjesë të vogël të autorëve. “Nga tre mijë, të gjithë bashkëfajtorë në vrasje masive … zgjodha 22. Pse jo 28? Sepse kishim vetëm 22 vende në bankën e të akuzuarve. A është absurde kjo? Sigurisht që është absurde. Kishte vetëm 22 vende në bankën e të akuzuarve për Hermann Göringun dhe të tjerët. Pra, ke një përzgjedhje nga një mostër. Kaq është”.

    Ai i njihte kufizimet e gjyqit që në atë kohë. “Kurrë nuk parashikova apo u përpoqa të vija drejtësi në kuptimin e gjerë, duke bërë që çdo kriminel të jepte llogari. Kjo do të kishte qenë praktikisht e pamundur”.

    Ferencz tregoi kujdes në përzgjedhjen e secilit prej burrave, për t’u siguruar që ekipi i tij kishte prova përtej çdo dyshimi për fajësinë e të pandehurit. “Kisha raportin e tij, tepër sekret, drejtuar komandantëve të tij, ku thuhej se sa njerëz kishte ekzekutuar”. Megjithëse pranoi se raportet mund të mos kishin qenë plotësisht të sakta – “e ekzagjeronin numrin e të vrarëve” – ai tha se ishte “broçkull” mbrojtja se këta burra thjesht po zbatonin urdhrat e eprorëve të tyre, sepse ata i kishin zbatuar urdhrat “me aq entuziazëm, sa donin të mburreshin se sa njerëz kishin vrarë”.

    Të gjithë të pandehurit u deklaruan të pafajshëm, tha Ferencz. “Askush nuk tregoi kurrë asnjë shenjë pendese … Këta njerëz shkruan faqen më të errët në historinë njerëzore. Njerëzit u vranë sepse nuk kishin të njëjtën racë, ngjyrë dhe ideologji me ekzekutuesit e tyre. Unë bëra thirrje për një sundim të ligjit që, në të ardhmen, do t’i mbronte njerëzit nga ai lloj mizorie”.

    Associated Press e quajti atë “gjyqin më të madh për vrasje në histori”. Gjykata shpalli fajtorë 20 zyrtarë nazistë për krime lufte për rolin e tyre në vrasjen e më shumë se një milion njerëzve. Dy të pandehur të tjerë u shpallën fajtorë për anëtarësim në një organizatë kriminale, por u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Ferencz kujtoi deklaratën e tij në gjykatë gjatë intervistës për BBC-në: “Këtu ne zbulojmë vrasjen e më shumë se një milion burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm dhe të pambrojtur. Hakmarrja nuk është qëllimi ynë. As nuk kërkojmë thjesht një ndëshkim të drejtë. I kërkojmë kësaj gjykate që, përmes veprimit penal ndërkombëtar, të pohojë të drejtën e njeriut për të jetuar në paqe dhe me dinjitet, pavarësisht nga raca apo besimi i tij. Çështja që paraqesim është një thirrje e njerëzimit drejtuar ligjit”.

    Më vonë, ai u bë një zë i rëndësishëm në fushën e krimeve të luftës, duke luajtur rol vendimtar në krijimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare në vitin 1998. Kur u pyet në vitin 2017 se çfarë kishte mësuar për natyrën e së keqes dhe aftësinë e njerëzve për të kryer akte të tmerrshme dhune kundër njerëzve të tjerë, ai tha: “Mësova se lufta i shndërron në vrasës, në vrasës masivë, njerëz që përndryshe janë të ndershëm. Dhe, kjo vlen për të gjitha luftërat dhe të gjitha kombësitë, dhe unë e kam parë këtë në të gjitha luftërat”.

    Edhe krimet më të tmerrshme të luftës nuk kryhen nga “kafshë të egra”, theksoi ai. “Këta janë patriotë që përpiqen të bëjnë detyrën e tyre për të mbrojtur ose fenë e tyre, ose kombësinë e tyre, ose sigurinë e tyre ekonomike … Këto nuk janë krime të kryera nga djaj me brirë. Ato kryhen nga njerëz të arsimuar, me qëllime të mira dhe patriotë”.

    Ferencz besonte se na takonte të gjithëve “të ndryshojmë zemrat dhe mendjet e njerëzve, në mënyrë që ata ta kuptojnë se nuk është burracakëri të jesh i gatshëm për kompromis, të jesh pajtues dhe të tregosh dhembshuri në marrëdhëniet me njerëzit që kanë pikëpamje të tjera”.

    Ai pranoi se ky “riedukim i shpirtit njerëzor” do të ishte një punë e gjatë dhe e vështirë. Por, që nga Nurembergu ishte bërë një përparim. “Dhe, unë them: mos hiqni dorë. Ligji është gjithmonë më i mirë se lufta”. /Telegrafi/

  • Ish-kreu i inteligjencës gjermane arrestohet nën dyshimin për spiunazh

    Ish-kreu i inteligjencës gjermane arrestohet nën dyshimin për spiunazh

    Ish-kreu i inteligjencës gjermane, August Hanning, akuzohet se ka marrë informacione të klasifikuara nga një ish-punonjës i Shërbimit Federal të Inteligjencës (BND) dhe se i ka përdorur ato në kuadër të punës së tij private si konsulent.

    Zyra e Prokurorit Federal të Gjermanisë thuhet se po heton ish-presidentin 80-vjeçar të BND-së, nën dyshimin për vepra penale që përfshijnë marrjen e sekreteve shtetërore dhe spiunazhin që lidhet me “tradhtinë ndaj shtetit”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

    Hanning dyshohet se ka vazhduar të marrë dokumente konfidenciale nga shërbimi i inteligjencës për vite me radhë pasi ishte larguar nga detyra.

    Ish-shefi i tij i kabinetit dyshohet se ia ka siguruar atij këto materiale dhe gjithashtu raportohet se është arrestuar.

    Sipas raportimeve të gazetës “Süddeutsche Zeitung”, dokumentet përfshinin raporte të inteligjencës të destinuara për Kancelarinë Gjermane.

    Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu nëse informacione të klasifikuara u janë përcjellë fuqive të huaja.

    Hetimi thuhet se ka nisur nga informacione të zbuluara gjatë procedurave që lidhen me biznesmenen gjermane Christina Block dhe me rrjedhjen e dyshuar të dokumenteve nga Kancelaria.

    Akuzat bazohen në raportime të përbashkëta të gazetës “Süddeutsche Zeitung” dhe transmetuesve publikë gjermanë WDR dhe NDR. /Telegrafi/

  • "Focus on the Road“ – kontrolle të intensifikuara për përdorimin e telefonave celularë dhe pajisjeve elektronike në trafik

    “Focus on the Road“ – kontrolle të intensifikuara për përdorimin e telefonave celularë dhe pajisjeve elektronike në trafik

    Nga 5 deri më 11 tetor, në kuadër të fushatës ndërkombëtare të ROADPOL-it „Focus on the Road“, Ministria e Punëve të Brendshme zhvillon kontrolle të intensifikuara në trafik, me fokus në përdorimin e parregullt të telefonave celularë, kufjeve dhe pajisjeve të tjera elektronike gjatë pjesëmarrjes në trafik.

    Siç thonë nga MPB, fushata po zhvillohet njëkohësisht në 34 shtete evropiane, me një qëllim të përbashkët – uljen e rreziqeve të shkaktuara nga shpërqendrimi i vëmendjes dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

    “Shkrimi i mesazheve, bisedat telefonike, kontrollimi i njoftimeve ose përdorimi i rrjeteve sociale gjatë drejtimit të automjetit e shpërqendrojnë vëmendjen nga rruga. Mjaftojnë vetëm disa sekonda pakujdesi që shoferi të mos e vërejë me kohë rrezikun dhe të reagojë”.

    “Ministria e Punëve të Brendshme u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik të jenë të përgjegjshëm dhe plotësisht të përqendruar në rrugë. Mos lejoni që një shikim në ekran të bëhet shkak për tragjedi rrugore. Vozitni me kujdes – shikoni rrugën. Telefonin lëreni për më vonë”, thonë nga MPB.

  • Burim Ramadani dorëzon kallëzim penal ndaj Albulena Haxhiut për rastin e Auditorit të Përgjithshëm

    Burim Ramadani dorëzon kallëzim penal ndaj Albulena Haxhiut për rastin e Auditorit të Përgjithshëm

    Nënkryetari i Aleancës, Burim Ramadani, ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

    Ramadani ka thënë se Haxhiu ka shkelur ligjin me vendimin për propozimin e Vlorës Spanca për një mandat tjetër si Auditore e Përgjithshme.

    Sipas Ramadanit, më 2 shtator 2026, Haxhiu ka nxjerrë vendimin për propozimin e Spancës pa konkurs të hapur dhe pa intervistim nga një komision i pavarur, procedura që, sipas tij, përcaktohen me ligj.

    “Ligji është mbi të gjithë! Askush nuk duhet të keqpërdorë pozitën zyrtare!”, ka thënë Ramadani pas dorëzimit të kallëzimit penal.

    Ai ka thënë se me këtë vendim janë shkelur dispozitat e nenit 4 të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, përkatësisht paragrafët 4.4, 4.5.2 dhe 4.9.

    Ramadani ka deklaruar se Haxhiu, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së presidentes, e ka shfrytëzuar pozitën zyrtare për t’i mundësuar një personi përfitim të kundërligjshëm. /Telegrafi/

  • Street Fest Prishtina 2026 -Tri ditë sport, muzikë dhe kulturë urbane

    Street Fest Prishtina 2026 -Tri ditë sport, muzikë dhe kulturë urbane

    Street Fest Prishtina 2026 sjellë tri ditë me sport, muzikë, art urban, performanca dhe aktivitete të ndryshme për publikun.

    Festivali organizohet nga Street Fest 2026 në bashkëpunim me Prishtina Mall, ndërsa IPKO është sponsor i eventit, duke mbështetur një aktivitet që synon të bashkojë të rinjtë, familjet, artistët dhe sportistët. Programi është konceptuar si një kombinim i kulturës urbane dhe argëtimit, me aktivitete ku vizitorët mund të jenë edhe pjesëmarrës aktivë.

    Detajet

    Data: 9–11 tetor 2026
    Vendndodhja: Prishtina Mall
    Lloji i eventit: Festival
    Hyrja: Falas

    Programi?

    Gjatë tri ditëve, Street Fest Prishtina 2026 do të sjellë një program të kombinuar me sport, muzikë dhe performanca live.

    Në program përfshihen:

    • Streetball
    • Urban Dance
    • Akrobatik Show
    • Guitar Show
    • Lojëra dhe aktivitete për vizitorët
    • Aktivitete me shpërblime

    Programi është i hapur për publikun dhe përfshin aktivitete të përshtatshme për grupmosha të ndryshme.

    Arsyet pse duhet të merrni pjesë

    • Për të ndjekur nga afër Streetball, Urban Dance, Akrobatik Show dhe Guitar Show.
    • Për të marrë pjesë në lojëra dhe aktivitete ku parashihen edhe shpërblime.
    • Për të kaluar një fundjavë me aktivitete të ndryshme së bashku me familjen ose miqtë.
    • Për të njohur nga afër artistë, sportistë dhe pjesëmarrës të kulturës urbane.
    • Për të qenë pjesë e një hapësire që bashkon sportin, muzikën, kreativitetin dhe komunitetin.

    Informatat tjera për pjesëmarrësit

    Hyrja në Street Fest Prishtina 2026 është falas dhe nuk nevojiten bileta.

    Festivali zhvillohet gjatë tri ditëve, nga 9 deri më 11 tetor, në Prishtina Mall.

    Për programin dhe njoftimet e tjera rreth eventit, publiku mund të ndjekë Street Fest Prishtina në Facebook dhe Instagram.

  • Prej vitesh dhuron 2 për qind të pagës për qytetin e njohur kroat – Olmo emocionon me gjestin e tij

    Prej vitesh dhuron 2 për qind të pagës për qytetin e njohur kroat – Olmo emocionon me gjestin e tij

    Dani Olmo ka bërë prej vitesh një gjest humanitar në heshtje, të cilin nuk e kishte bërë kurrë publik. Ylli i Barcelonës dhuron dy për qind të pagës së tij vjetore bruto për Vukovarin, në Kroaci.

    Këtë detaj të panjohur e ka zbuluar agjenti i tij, Andy Bara, gjatë një paraqitjeje në “Podcast Inkubator”, duke treguar se Olmo e ka bërë këtë rregullisht që prej largimit nga Dinamo Zagrebi.

    “Që kur u largua nga Dinamo, ai jep dy për qind të pagës së tij vjetore bruto për Vukovarin. Janë shuma serioze, pasi ai fiton shumë në terma bruto. Këtë e ka bërë që nga koha kur ishte te Leipzig dhe vazhdon edhe sot te Barcelona”, ka deklaruar Bara.

    Sipas agjentit, Olmo nuk ka dashur që kjo të bëhej publike dhe nuk ka folur asnjëherë vetë për donacionet. Bara madje tha se shpresonte që futbollisti të mos i mbante inat për zbulimin e këtij detaji, duke theksuar se Olmo e meritonte të vlerësohej publikisht për gjestin e tij.

    Lidhja e Olmos me Kroacinë daton që nga adoleshenca. Ai u largua nga akademia e Barcelonës dhe iu bashkua Dinamo Zagrebit në vitin 2014, në moshën 16-vjeçare. Në Zagreb kaloi rreth gjashtë vite, duke u zhvilluar si futbollist dhe duke bërë debutimin me ekipin e parë të Dinamos.

    Një nga lidhjet e tij të veçanta me Vukovarin daton pikërisht nga vitet e para në Kroaci. Sipas mediave kroate, një turne në Vukovar ishte ndër momentet e rëndësishme në fillimet e tij me Dinamon dhe qyteti i la përshtypje të veçantë.

    Pas largimit nga Dinamo në vitin 2020, Olmo vazhdoi karrierën te Leipzig dhe më pas u transferua te Barcelona. Sipas Barës, praktika e dhurimit të dy për qind të pagës bruto ka vazhduar gjatë të dyja këtyre periudhave.

    Olmo, ndërkohë, vazhdon ta mbajë një lidhje të fortë me Kroacinë dhe Dinamon, klubin ku u formua si futbollist dhe nga ku nisi rrugëtimin drejt majës së futbollit evropian./Telegrafi/

  • Për çdo stinë - Golden Eagle

    Për çdo stinë – Golden Eagle

    Çdo stinë sjell ritmin e vet. Vera vjen me udhëtime dhe net më të gjata, vjeshta me rikthimin te angazhimet, dimri me ditë të ngarkuara, ndërsa pranvera me më shumë lëvizje dhe plane të reja. Në secilën prej tyre, ka momente kur duhet pak më shumë energji për të vazhduar ditën.

    Golden Eagle është aty pikërisht për këto momente.

    Në ditët e ngrohta të verës, gjatë udhëtimeve, në pushime apo në takime me shoqëri, Golden Eagle është pjesë e momenteve kur kërkohet më shumë energji. Por edhe me ardhjen e vjeshtës, kur ditët bëhen më dinamike dhe obligimet shtohen, një Golden Eagle i ftohtë vazhdon të jetë zgjedhje për ata që duan ta mbajnë ritmin.

    Nga mëngjeset e hershme dhe ditët e ngarkuara, deri te mbrëmjet me shoqëri, aktivitetet sportive apo eventet, Golden Eagle përshtatet me secilën stinë dhe me shumë momente të ditës.

    Kjo prani e vazhdueshme në momente, ritme dhe stinë të ndryshme e ka pozicionuar Golden Eagle si një prej emrave më të njohur të kategorisë – një brend që vazhdon të jetë pjesë e përditshmërisë së konsumatorëve, kudo që dita kërkon më shumë energji.

    Sepse stinët ndryshojnë, planet ndryshojnë dhe ritmi i ditës ndryshon – por energjia mbetet gjithmonë pjesë e saj.

    Për çdo stinë – Golden Eagle.

  • Telefonata të dyshimta nga sigurimet shëndetësore në Zvicër: Ja si mund t’i raportoni

    Telefonata të dyshimta nga sigurimet shëndetësore në Zvicër: Ja si mund t’i raportoni

    Thirrjet e pakërkuara në sektorin e sigurimeve shëndetësore janë të ndaluara që nga viti 2025, por në praktikë raportimi dhe ndjekja e tyre mbeten të ndërlikuara.

    Call center-at nuk lejohen më t’u telefonojnë personave që nuk kanë qenë asnjëherë të siguruar te një kompani e caktuar sigurimesh, ose që kanë më shumë se tre vjet që nuk janë më klientë të saj, raporton SRF.

    Megjithatë, në praktikë, agjentët e shitjeve shpesh nuk tregojnë emrin e kompanisë së sigurimit për të cilën punojnë. Në vend të kësaj, ata përpiqen të caktojnë një takim me një ndërmjetës sigurimesh.

    Personat e siguruar kanë pasur tashmë mundësi të raportojnë telefonatat problematike. Për sigurimin bazë, ankesat mund t’i drejtohen me email Zyrës Federale të Shëndetit Publik (FOPH), ndërsa për sigurimet suplementare ato mund të raportohen përmes një formulari online te Autoriteti Zviceran i Mbikëqyrjes së Tregut Financiar (FINMA).

    Tani, edhe shoqata zvicerane e sigurimeve shëndetësore, Prio.Swiss, ka krijuar platformën Inter-mieux, ku mund të raportohen lloje të ndryshme të telefonatave abuzive.

    Ndërhyrje e drejtpërdrejtë te kompanitë e sigurimeve

    Roland Chlapowski është anëtar i komisionit të marrëveshjes së sektorit për ndërmjetësit, pra për agjentët dhe brokerët që shesin sigurime, transmeton Telegrafi.

    Duke folur në emisionin “On en parle”, ai mbron platformën Inter-mieux dhe shpjegon se qëllimi është zgjidhja e drejtpërdrejtë e problemeve me kompanitë e sigurimeve.

    Sipas tij, FINMA dhe FOPH merren kryesisht me aspektet ligjore, ndërsa platforma synon të ndërhyjë drejtpërdrejt te siguruesit.

    Raportimet e bëra përmes platformës kanë çuar tashmë në anulimin e disa policave të sigurimit.

    “Konstatuam se disa ndërmjetës nuk kishin respektuar marrëveshjet me kompanitë e sigurimeve dhe as nuk kishin ofruar këshillim cilësor. Arritëm t’i anulonim policat dhe të gjenim një zgjidhje të përshtatshme për klientët”, shpjegon Chlapowski.

    Një rast tjetër lidhet me transferimin e një klienti të siguruar. Në një rast, pasi sigurimi suplementar i një klienti ishte ndërprerë, ai e kishte shumë të vështirë të lidhte një policë të re me një kompani tjetër, për shkak se gjendja e tij shëndetësore kishte ndryshuar.

    “Klienti nuk mund të merrte më sigurim të ri. Arritëm ta bindnim siguruesin e mëparshëm që ta merrte sërish në sigurim”, thotë Chlapowski.

    Mashtruesit po bëhen gjithnjë më të sofistikuar

    Formulari i ankesës në platformën Inter-mieux kërkon, ndër të tjera, emrin e kompanisë së sigurimit, orën e telefonatës dhe numrin e telefonit nga i cili është bërë thirrja.

    Por pikërisht këtu qëndron një nga vështirësitë kryesore: agjentët shpesh refuzojnë të tregojnë emrin e siguruesit ose përdorin emra të sajuar, si “zyra e kërkimit për fondet e sigurimeve shëndetësore” apo “Instituti për Sigurimet Shëndetësore”.

    “Telefonatat mund të vijnë nga jashtë vendit, madje edhe duke përdorur numra zviceranë. Ne ende këshillojmë që njerëzit të bëjnë pyetje dhe të shënojnë numrin e telefonit të telefonuesit. Por kur bëhet fjalë për call center-a jashtë vendit, është shumë e vështirë të ndërmerren masa kundër tyre”, pranon Chlapowski.

    Sipas tij, sapo identifikohet emri i një kompanie sigurimesh, ndërhyrja bëhet më e lehtë.

    “Kompania mund të kontrollojë nëse numri i telefonit është i regjistruar në bazën e të dhënave të saj”, shpjegon ai.

    Rreth 100 raste të raportuara në një vit

    Platforma Inter-mieux ka regjistruar rreth 100 raste gjatë një viti, duke ofruar një kanal shtesë për konsumatorët që përballen me telefonata të padëshiruara ose praktika abuzive në tregun e sigurimeve shëndetësore.

    Megjithëse ndalimi i telefonatave të pakërkuara ka hyrë në fuqi, praktika tregon se zbatimi i rregullave mbetet sfidues, veçanërisht kur telefonatat kryhen nga call center-a jashtë Zvicrës dhe telefonuesit fshehin identitetin e kompanisë për të cilën punojnë./Telegrafi/