Category: Lajme

  • A bazohen Arka e Noas - dhe Përmbytja - në një katastrofë të vërtetë të lashtë?

    A bazohen Arka e Noas – dhe Përmbytja – në një katastrofë të vërtetë të lashtë?

    Pllakat me shkrim kuneiform zbulojnë se rrëfimet për përmbytje të ngjashme me atë të Noas qarkullonin në Mesopotami shekuj përpara rrëfimit biblik.

    Nga: Ratha Tep / History
    Përkthimi: Telegrafi.com

    Për shekuj me radhë, eksploruesit janë ngjitur në male, kanë ekzaminuar një formacion gjeologjik në trajtë anijeje dhe kanë shqyrtuar me kujdes fragmente të drurit të lashtë, me shpresën për të gjetur një nga objektet më të famshme e të humbura të historisë: Arkën e Noas. Deri më tani, asnjë zbulim i pretenduar nuk ka dalë i vërtetë.

    Por, nëse Arka ka rezultuar e pakapshme, origjina e rrëfimit të përmbytjes ofron gjurmë më konkrete. Gjeologët dhe arkeologët kanë gjetur prova të bollshme për përmbytje shkatërrimtare në botën e lashtë, ndërsa pllakat me shkrim kuneiform zbulojnë se rrëfime jashtëzakonisht të ngjashme me rrëfimin e Besëlidhjes së Vjetër për Përmbytjen e Noas qarkullonin në Mesopotami shekuj përpara se të shkruhej rrëfimi biblik.

    A mund të fshihet një katastrofë e vërtetë e lashtë pas rrëfimit të Përmbytjes së Noas?

    Kërkimet e hershme për Arkën e Noas

    Libri i Zanafillës në Bibël e vendos vendin ku u ndal Arka në “malet e Araratit”, pa përcaktuar një majë të veçantë. Kjo paqartësi çoi në përpjekje shekullore për ta gjetur Arkën. Që në shekullin V, një tekst që i atribuohet historianit armen, Faustusit të Bizantit, tregon për peshkopin e shekullit IV, Jakobin e Nisibisit, duke u ngjitur në një mal të quajtur Mali Ararat në Gortouk, në atë që sot është Turqia juglindore. Sipas rrëfimit, Jakobi po i afrohej majës kur një engjëll i tha të mos shkonte më tej dhe i la një fragment të Arkës.

    Frati dominikan i shekullit XIII, Vinçenci i Bovesë, përshkroi një Arkë që qëndronte në një mal tjetër Ararat, shumë më në veri, pranë kryeqytetit mesjetar armen Ani, në atë që sot është Turqia verilindore. Në rrëfimin e tij, një murg pa emër u përpoq vazhdimisht të ngjitej, derisa më në fund arriti te anija dhe mori me vete një nga trarët e saj.

    Disa dekada më vonë, tregtari dhe aventurieri venecian Marco Polo përshkroi një arkë në ndoshta të njëjtin mal në Armeni, në rrëfimin e tij të famshëm, Udhëtimet e Marco Polos: “Pikërisht në këtë vend të Armenisë ndodhet Arka e Noas në majën e një mali të madh”, shkroi ai, duke shtuar, megjithatë, se bora ishte aq e vazhdueshme pranë majës “sa askush nuk mund të ngjitet”.

    Ngjitja në Malin Ararat

    Shekuj më vonë, eksploruesit u ngjitën në atë që ka të ngjarë të ishte i njëjti mal që Polo e kishte konsideruar të pangjitshëm. Në vitin 1829, natyralisti gjerman Friedrich Parrot realizoi ngjitjen e parë të dokumentuar në Malin Ararat, në një territor që historikisht ishte Armeni, por që sot është Turqi.

    Pasuan edhe alpinistë të tjerë. Në vitin 1876, historiani dhe politikani britanik James Bryce gjeti një copë druri të punuar në një lartësi prej më shumë se 13 mijë këmbësh në mal dhe mori me vete në shtëpi një fragment, duke bërë shaka se “askush nuk është i detyruar ta vërë në dyshim reliken e vet”. Në vitet 1950-1960, eksploruesi francez Fernand Navarra pretendoi se kishte dalluar konturat e një anijeje nën akullin glacial të Malit Ararat dhe u kthye me ato që pretendonte se ishin pjesë të drurit të saj. Megjithatë, testet me radiokarbon e datuan drurin afërsisht në periudhën nga shekulli III deri në shekullin VIII pas Krishtit, mijëra vjet më i ri për të qenë nga Arka e Noas.

    Kërkimi për gjurmë të Arkës vazhdon. Në vitin 2026, studiuesit filluan shpimet në Formacionin Durupınar, një veçori gjeologjike në trajtë anijeje rreth 20 milje në jug të Malit Ararat, duke mbledhur qindra mostra bërthamore për analiza laboratorike.

    Por, edhe zbulimi i një anijeje të lashtë prej druri nuk do ta zgjidhte domosdoshmërisht misterin. Datimi me radiokarbon mund të japë një interval datash të mundshme, por jo një datë të caktuar, shpjegon Jodi Magness, arkeologe e periudhës klasike dhe biblike në Universitetin e Karolinës së Veriut në Çapel-Hill.

    Kryesorja, edhe sikur druri të rezultonte i lashtë, “nuk do të kishte asnjë mënyrë për ta lidhur atë me Noan”, thotë Magness, “pasi nuk e dimë nëse ai ka ekzistuar dhe, nëse ka ekzistuar, kur do të kishte jetuar”.

    Magness bën shaka se një provë përfundimtare do të kërkonte, në fakt, gjetjen e një anijeje të lashtë me një mbishkrim autentik të kohës që do të deklaronte: “Kjo është Arka e Noas”.

    Çështjen e ndërlikon edhe më tej fakti se Noa nuk ishte i vetmi i mbijetuar i lashtë i një përmbytjeje në letërsinë e lashtë të Lindjes së Afërt. Rrëfime më të hershme paraqesin protagonistë të ndryshëm.

    “Ajo që kemi te Zanafilla është vetëm një version i këtij rrëfimi për përmbytjen, i cili kishte qarkulluar gjerësisht për një kohë të gjatë”, thotë Magness. Kjo ngre një pyetje tjetër: Në vend që të pyesim se ku mund të jetë Arka e Noas, cila ngjarje reale, nëse ka pasur ndonjë, qëndron pas rrëfimit biblik të përmbytjes?

    Rrëfime për përmbytje para Noas

    David Montgomery, gjeomorfolog në Universitetin e Uashingtonit dhe autor i Shkëmbinjtë nuk gënjejnë: Gjeologu heton Përmbytjen e Noas [The Rocks Don’t Lie: A Geologist Investigates Noah’s Flood], e quan rrëfimin biblik një “trashëgimi babilonase”, të formësuar prej rrëfimeve për përmbytje që kishin qarkulluar në Mesopotami për shekuj me radhë.

    Në Epin e Gilgameshit, i mbijetuari i përmbytjes Utnapishtim paralajmërohet për një përmbytje të afërt, ndërton një anije, merr në bord familjen dhe kafshët e tij, lëshon zogj për të kërkuar tokë të thatë dhe ofron një flijim pasi ujërat të tërhiqen. Kanë mbijetuar edhe rrëfime të tjera mesopotamiane për përmbytje të periudhës para Biblës, përfshirë epin akadian të Atrahasisit dhe rrëfimin sumer për përmbytjen, i mbijetuari i të cilit, i ngjashëm me Noan, është një mbret me emrin Ziusudra.

    “Këto rrëfime mesopotamiane për përmbytje, të periudhës para Biblës, e bëjnë më të mundshme që një përmbytje e vërtetë, ose një seri përmbytjesh, ta ketë frymëzuar rrëfimin biblik”, thotë Montgomery.

    Përmbytje globale apo fatkeqësi rajonale?

    Përmbytja e përshkruar te Zanafilla është globale për nga përmasat: ujërat mbulojnë malet, ndërsa e gjithë jeta tokësore jashtë Arkës zhduket. Megjithatë, të dhënat gjeologjike tregojnë një histori tjetër. “E dimë me siguri se nuk ishte përmbytje globale”, thotë Montgomery. “Kjo ide u hodh poshtë më shumë se një shekull më parë, kur shkenca e gjeologjisë i dha fund atij interpretimi të veçantë”.

    Është interesante, vëren ai, se “shumica e studiuesve të hershëm, puna e të cilëve vërtetoi mungesën e çfarëdo prove reale për një përmbytje globale, ishin klerikë të krishterë”. Mes tyre ishte William Buckland, një prift anglikan i shekullit XIX dhe profesori i parë i gjeologjisë në Oksford, i cili fillimisht ia atribuoi Përmbytjes së Noas depozitimet e përhapura të zhavorrit në mbarë Britaninë. Puna e tij në terren tregoi përfundimisht se depozitimet ishin rezultat i disa ngjarjeve të veçanta.

    Por, përjashtimi i mundësisë së një përmbytjeje globale nuk e përjashton një përmbytje katastrofike rajonale. Montgomery vë në dukje “dy shpjegime të mundshme gjeologjikisht”. Një burim i mundshëm është Lugina e Tigrit dhe Eufratit, ku përmbytjet e mëdha ishin të zakonshme në kohët parahistorike. Kur “këta lumenj kapërcenin argjinaturat e tyre”, thotë Montgomery, fusha e ulët përreth “mbushej si një vaskë, duke përmbytur botën e njohur për banorët vendas”.

    Mundësia e dytë, vëren Montgomery, ndodhet më në veri. Gjeologët William Ryan dhe Walter Pitman kanë propozuar se, mijëra vjet më parë, ujërat e Mesdheut kapërcyen Ngushticën e Bosforit, duke përmbytur një luginë të ulët dhe duke e shndërruar një liqen të madh me ujë të ëmbël në atë që sot njihet si Deti i Zi. Edhe pse disa studiues e kanë kundërshtuar këtë, Ryan dhe Pitman ngritën hipotezën se komunitetet e hershme përgjatë brigjeve të tij do të ishin zhvendosur, ndërsa disa banorë do t’i kishin çuar kujtimet e fatkeqësisë në Mesopotami.

    Secili prej këtyre skenarëve mund ta ketë frymëzuar rrëfimin biblik të përmbytjes, thotë Montgomery, por nuk ka gjasa të përcaktohet se cili prej tyre. Madje, ato mund të mos e përjashtojnë njëri-tjetrin. Kujtimet e një përmbytjeje më të hershme të Detit të Zi mund të kenë gjetur jehonë te banorët e mëvonshëm të Mesopotamisë, një rajon i prirur ndaj përmbytjeve. Prej andej, thotë ai, “rrëfimi u përpunua më tej në traditat e njëpasnjëshme mesopotamiane dhe më pas u integrua në atë biblike”.

    Me disa përmbytje të lashta të mundshme dhe pa asnjë mënyrë për ta gjurmuar një traditë gojore deri në fillimin e saj, Montgomery dyshon se fatkeqësia, ose fatkeqësitë, që qëndrojnë pas rrëfimit biblik, do të identifikohen ndonjëherë përfundimisht. /Telegrafi/

  • Sulmi ndaj deputetit Fahrush Rexhepi, arrestohet i dyshuari F.Z

    Sulmi ndaj deputetit Fahrush Rexhepi, arrestohet i dyshuari F.Z

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka bërë ditur se është ndaluar për 48 orë, një person me inicialet F.Z, me dyshimin për sulm ndaj deputetit Fahrush Rexhepi.

    Lajmin e konfirmoi për Telegrafin, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kaltrina Shala.

    “Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 ore, një person me inicialet F.Z., nën dyshimin e kryerjes se veprës penale ‘Sulmi ndaj personit zyrtar’, nga neni 402 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha Shala.

    Lidhur me rastin në fjalë, Prokurori i Shtetit, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.

    “Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është duke zhvilluar veprime intensive ne identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast”, tha ajo. /Telegrafi/

  • Gjini: Situata me Specialen, presidentin dhe zgjedhjet ishin të programuara (VIDEO)

    Gjini: Situata me Specialen, presidentin dhe zgjedhjet ishin të programuara (VIDEO)

    Gjini: Situata me Specialen, presidentin dhe zgjedhjet ishin të programuara (VIDEO)

    “Kam qenë te Grupi Parlamentar, kemi biseduar me të gjithë kolegët, po që ky është një kaos i programuar, e kam thënë edhe më herët, fatkeqësisht gjendemi në një situatë e cila është tepër e ndërlikuar, e kemi situatën me Gjykatën e Hagës, situatën me presidentin, zgjedhjet, të gjitha kanë qenë të programuara, fatkeqësisht”, tha Gjini, raporton Klan Kosova.

  • IPK nis hetim preliminar për veprimet policore gjatë protestës

    IPK nis hetim preliminar për veprimet policore gjatë protestës

    IPK nis hetim preliminar për veprimet policore gjatë protestës

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se, sipas detyrës zyrtare, ka monitoruar angazhimet dhe veprimet e zyrtarëve policorë gjatë protestës së mbajtur në hapësirat përreth objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

    Sipas IPK-së, për monitorimin e protestës është aktivizuar plani operativ dhe zyrtarët e Inspektoratit kanë përcjellë nga afër menaxhimin e situatës, ndërveprimin e policisë me protestuesit, përdorimin e forcës, si dhe përdorimin e pajisjeve dhe mjeteve të tjera të autorizuara.

    Ndërkohë, hetuesit e IPK-së kanë pranuar edhe një ankesë, e përcjellë përmes Policisë së Kosovës, në të cilën një qytetar pretendon se ka pasur tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës.

    “Bazuar në të dhënat e siguruara gjatë monitorimit, pamjet e publikuara në media dhe burime të tjera relevante, si dhe në kuadër të autorizimeve ligjore, IPK ka iniciuar sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar me qëllim të vlerësimit të veprimeve policore gjatë menaxhimit të protestës”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

    IPK ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të sqaruar rrethanat dhe, në bazë të gjetjeve të hetimit preliminar, do të vlerësojë hapat e mëtejmë që mund të ndërmerren.

    Inspektorati ka theksuar se mbetet i përkushtuar në ushtrimin e mandatit në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të pavarur, me qëllim të garantimit të respektimit të ligjshmërisë, të drejtave të qytetarëve dhe standardeve profesionale në zbatimin e ligjit.

  • “Zgjedhjet e reja s’iu konvenojnë krerëve të UÇK-së në Hagë” (VIDEO)

    “Zgjedhjet e reja s’iu konvenojnë krerëve të UÇK-së në Hagë” (VIDEO)

    “Zgjedhjet e reja s’iu konvenojnë krerëve të UÇK-së në Hagë” (VIDEO)

    Ish-deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha, në Speciale të Klan Kosova ka deklaruar se zgjedhjet e reja, sipas tij, nuk i konvenojnë ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, raporton Klankosova.tv.

    Ai shtoi se zgjedhjet e reja nuk i konvenojnë as Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

    “Po mendoj orientim pozitiv i zotëri Kurtit kish mundur me kriju seancën e re që mbahet sot, dhe votimin në lexim të dytë të Ligjit, por sigurisht edhe zgjedhjen e presidentit. Sepse Kosovës nuk i konvenojnë zgjedhjet, UÇK-së, krerëve të saj në Hagë nuk i konvenojnë zgjedhjet, me shku edhe sa muaj të procesit e ata me qëndru pa mbrojtje shtetërore, po e them popullorqe, me qëndru jetim në gjithë këtë proces dhe kauzë kombëtare pa pasur shtetin mbrapa”, u shpreh Hoxha.

  • I moshuari kërkon votimin e Ligjit për Specialen: S’do të ndalemi (VIDEO)

    I moshuari kërkon votimin e Ligjit për Specialen: S’do të ndalemi (VIDEO)

    I moshuari kërkon votimin e Ligjit për Specialen: S’do të ndalemi (VIDEO)

    Një i moshuar, i cili po proteston para Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar që ky institucion të mblidhet për të votuar në lexim të dytë Projektligjin për ndryshim/plotësimin e Ligjit për Specialen.

    Ai tha se Parlamenti duhet të mblidhet sot, transmeton Klankosova.tv.

    I njëjti tha se qytetarët nuk do të ndalen deri të arrihet ky qëllim.

  • Veterani i UÇK-së me deklaratë të ashpër për Sveçlën: Dezertor, frikacak, i ka ikur betejave (VIDEO)

    Veterani i UÇK-së me deklaratë të ashpër për Sveçlën: Dezertor, frikacak, i ka ikur betejave (VIDEO)

    Veterani i UÇK-së me deklaratë të ashpër për Sveçlën: Dezertor, frikacak, i ka ikur betejave (VIDEO)

    Njëri nga veteranët e UÇK-së tha se nuk e di a do të mblidhen sot deputetët e Kuvendit për ta votuar në lexim të dytë Projektligjin e Speciales.

    “Ne nuk përfaqësojmë parti politike, ne jemi ushtarë të UÇK-së, veteranë. Ne kemi dal për t’i përkrahur për ta votuar ligjin, ato pazaret që i bëjnë partitë, a e zgjedhin presidentin apo nuk e zgjedhin, ajo nuk na takon neve”, deklaroi ai.

    Ai pati deklarata të ashpra ndaj ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla, të cilin e quajti dezertor.

    “Një frikacak që i ka ikur betejave dhe ia kanë thënë njerëzit troç”, theksoi veterani i UÇK-së.

    Veterani deklaroi se është një nga të akuzuarit nga Beogradi.

    “Jam arrestuar para 2 vjet në Maqedoninë e Veriut. 40 vite burgim i kam të prera në Serbi. Çka është kjo luftë kundër çlirimtarëve”, shtoi ai.

  • Forcat e shtuara të Policisë te Kuvendi i Kosovës (VIDEO)

    Forcat e shtuara të Policisë te Kuvendi i Kosovës (VIDEO)

    Forcat e shtuara të Policisë te Kuvendi i Kosovës (VIDEO)

    Policia e Kosovës po vazhdon të qëndrojë te Kuvendi i Kosovës, me njësi të shtuara.

    Në pamjet që vijnë nga pjesa jashtë Parlamentit, shihen zyrtarët policorë, që po ofrojnë siguri, ndërsa pas pak pritet të fillojë protesta.

    Sot është dita vendimtare për Kosovën, sa i përket presidentit apo mundësisë për shkuarje në zgjedhje.

    Në anën tjetër, PDK po kërkon që fillimisht të miratohet edhe në lexim të dytë Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Specialen. /Klankosova.tv

  • Bayerni përgatit një listë të gjatë portierësh për zëvendësimin e Neuerit, shumë emra të njohur janë objektiva

    Bayerni përgatit një listë të gjatë portierësh për zëvendësimin e Neuerit, shumë emra të njohur janë objektiva

    Bayern Munichu është duke shqyrtuar disa emra të njohur portierësh për t’i transferuar gjatë verës si pjesë e një reformimi pas largimit të Manuel Neuerit.

    Sipas Sky Sport Germany, Bayern Munich po kërkon të rekrutojë një portier me përvojë verën e ardhshme kur të mbarojnë kontratat e Manuel Neuer dhe Sven Ulreich.

    Ndërsa po zhvillohen bisedime me dyshen për të ardhmen e tyre, Bayern tashmë ka filluar të planifikojë zëvendësimet e tyre të mundshme.

    Jonas Urbig është i zgjedhuri për të pasuar Neuerin dhe Bayern nuk dëshiron të sjellë një portier të ri për të konkurruar me të.

    Në vend të kësaj, ata po kërkojnë të punësojnë një portier me përvojë për rolin e rezervistit, me një mori emrash që tashmë janë në listën e tyre të dëshirave.

    Objektivat e transferimit përfshijnë Oliver Baumann (Hoffenheim), Marvin Schwabe (FC Koln), Bernd Leno (Fulham), Finn Dahmen (Augsburg), Juan Musso (Atletico Madrid), Kevin Trapp (Paris FC), Nick Pope (Newcastle United), Rui Silva (Sporting Lisbona), Koen Casteels (Al Qadsiah), Frederik Ronnow (Union Berlin) dhe Lukas Hradecky (Monaco). /Telegrafi/

  • Azem Gagica zbulon se është në një lidhje dashurie

    Azem Gagica zbulon se është në një lidhje dashurie

    Azem Gagica duket se po shijon një romancë të re.

    Ish-banori i Big Brother VIP Kosova 2 ka publikuar disa momente intime në rrjetet sociale, ku shfaqet pranë një vajze, duke nxitur aludime se ajo mund të jetë partnerja e tij e re.

    Në njërën prej fotografive, vajza shihet duke iu afruar Azemit për ta puthur, ndërsa ai ka preferuar të mos e zbulojë identitetin e saj.

    Foto: Instagram

    Fytyra e saj është mbuluar, duke e mbajtur ende misterioze se kush është personi që i ka rrëmbyer zemrën.

    Azemi nuk ka dhënë asnjë koment apo detaj rreth raportit të tyre, duke lënë që fotografitë të flasin vetë.

    Mbetet të shihet nëse ish-banori i BBVK-së do të vendosë ta prezantojë së shpejti partneren para publikut apo do të vazhdojë ta mbajë lidhjen larg vëmendjes mediatike.

    Për publikun mori vëmendje e u bë më i njohur me paraqitjen në edicionin e dytë të Big Brother. /Telegrafi/

    Foto: Instagram