Category: Lajme

  • Ronaldo merr vendimin e papritur për Portugalinë pas përplasjes me Jorge Jesusin

    Ronaldo merr vendimin e papritur për Portugalinë pas përplasjes me Jorge Jesusin

    Cristiano Ronaldo mund të mos rikthehet te Portugalia për sa kohë Jorge Jesus të jetë përzgjedhës i Kombëtares, sipas gazetarit portugez Rui Santos.

    Sulmuesi 41-vjeçar u largua nga grumbullimi i Portugalisë në mes të pushimit ndërkombëtar, pas përplasjes me Jesusin, duke shkaktuar polemika të mëdha.

    Shkak i përplasjes ishte vendimi i Jesusit për të mos e aktivizuar Ronaldon në ndeshjen ndaj Norvegjisë.

    Ish-trajneri i Al Nassr e mbrojti vendimin edhe pas përfundimit të ndeshjes, duke theksuar se të gjithë lojtarët janë të barabartë në skuadër dhe se askush nuk mund të ketë privilegje të veçanta.

    Në ditët e fundit u raportua se situata mes palëve ishte qetësuar, ndërsa edhe Jorge Jesus e kishte cilësuar incidentin si një çështje të kaluar. Madje, ai kishte lënë të hapur mundësinë që Ronaldo të rikthehej në Kombëtare gjatë grumbullimit të ardhshëm.

    Megjithatë, Rui Santos pretendon se situata është shumë më serioze sesa është paraqitur publikisht.

    Sipas tij, Ronaldo është i pakënaqur me deklaratat e fundit të Jesusit në konferencë për shtyp dhe marrëdhënia mes tyre tashmë është dëmtuar përtej riparimit.

    Nëse pretendimet e Santos janë të sakta, Ronaldo mund të mos veshë fanellën e Portugalisë për sa kohë Jorge Jesus vazhdon të jetë në krye të Kombëtares./Telegrafi/

  • “Nga dhjetë gra në pushim të lehonisë, vetëm dy janë të punësuara” - Berisha ngre shqetësimin për punësimin e grave  në Kosovë

    “Nga dhjetë gra në pushim të lehonisë, vetëm dy janë të punësuara” – Berisha ngre shqetësimin për punësimin e grave  në Kosovë

    Ekonomistja Brikena Berisha ka folur për pozitën e grave në tregun e punës në Kosovë, duke ngritur shqetësimin se krijimi i familjes vazhdon të jetë një prej momenteve kur një pjesë e grave shkëputen nga puna.

    Në episodin e tetë të podcastit “Rrugëtimi”, prodhim i Telegrafit, Berisha tha se të dhënat për lehonat e punësuara dhe të papuna tregojnë për një dallim të madh.

    Sipas saj, janë rreth 6,900 lehona të papuna që përfitojnë nga Qeveria, kundrejt rreth 2,200 lehonave të punësuara.

    Berisha e ilustroi këtë raport me shembullin e dhjetë grave me karroca që mund t’i shohim në rrugët e Kosovës.

    “Ne i shohim sot që i kemi gjashtë mijë e nëntëqind lehona të papuna që marrin përfitimin nga Qeveria dhe i kemi vetëm dy mijë e dyqind të punësuara. Domethënë, nëse i shihni, unë gjithmonë po e marr si shembull, nëse i shihni dhjetë gra me karroca sot tu ecë nëpër Kosovë, veç dy prej tyre janë që janë në leje të lehonisë, pushim i lehonisë, sepse tentohet me iu ndërru emri në leje të lehonisë, sepse pushim nuk është, dhe tetë janë të papuna”, tha Berisha.

    Problemi, sipas saj, nuk përfundon vetëm te fakti se një pjesë e madhe e grave janë jashtë tregut të punës në momentin kur bëhen nëna.

    Ajo paralajmëroi se një pjesë e tyre mund të kenë qenë të punësuara më herët, por të mos kthehen më në tregun e punës pas lindjes së fëmijës.

    “Dhe gjasat janë që ndoshta ndonjëra prej tyre ka qenë më parë e punësuar, por nuk ka me u kthy. Bile edhe këtu, te dy të punësuarat, është sfidë sa do të kthehen në treg të punës”, deklaroi Berisha.

    Gjatë diskutimit në “Rrugëtimi”, ajo e lidhi pozitën e grave në tregun e punës edhe me kujdesin ndaj fëmijëve, mungesën e infrastrukturës së mjaftueshme dhe mënyrën se si është rregulluar leja e lehonisë.

    Intervistën e plotë me Brikena Berishën mund ta ndiqni në episodin e tetë të podcastit “Rrugëtimi”, prodhim i Telegrafit. /Telegrafi/

    – YouTube www.youtube.com

  • Bullgaria dënon sulmin me dronë ndaj dy anijeve në Detin e Zi, vazhdon kërkimi për ekuipazhin e zhdukur

    Bullgaria dënon sulmin me dronë ndaj dy anijeve në Detin e Zi, vazhdon kërkimi për ekuipazhin e zhdukur

    Kryeministri bullgar Rumen Radev e ka dënuar si “absolutisht të papranueshëm” sulmin me dronë ndaj dy anijeve tregtare në Detin e Zi, njëra prej të cilave u fundos.

    Sulmi ndodhi brenda zonës ekonomike ekskluzive të Bullgarisë, ndërsa autoritetet kanë vijuar kërkimet për anëtarët e ekuipazhit të anijes së fundosur, transmeton Telegrafi.

    “Një sulm i tillë brenda zonës ekonomike ekskluzive bullgare është absolutisht i papranueshëm”, tha Radev të martën, në nisje të një takimi urgjent për incidentin.

    Sipas kryeministrit, anijet u goditën nga dronë detarë dhe ajrorë rreth orës 03:00 sipas kohës lokale, rreth 70 milje detare në lindje të qytetit Byala.

    Radev nuk bëri të ditur se kush qëndron pas sulmit, ndërsa autoritetet bullgare vijojnë hetimet për të përcaktuar origjinën e dronëve dhe përgjegjësinë për incidentin.

    Sulmi ndaj anijeve bullgare ndodhi vetëm një ditë pas fundosjes së një anijeje transportuese të grurit në Detin e Zi, pranë ujërave territoriale të Rumanisë.

    Helikopterë dhe një avion ushtarak janë përfshirë gjithashtu në operacionin e kërkim-shpëtimit, ndërsa ekipet po përpiqen të gjejnë anëtarët e ekuipazhit që rezultojnë të zhdukur pas fundosjes. /Telegrafi/

  • Deputetja e VV: Sot presim të përfundojnë të gjitha çështjet, do të shohim si rrjedhin situatat (VIDEO)

    Deputetja e VV: Sot presim të përfundojnë të gjitha çështjet, do të shohim si rrjedhin situatat (VIDEO)

    Deputetja e VV: Sot presim të përfundojnë të gjitha çështjet, do të shohim si rrjedhin situatat (VIDEO)

    Dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje Fatmire Mulhaxha-Kollçaku dhe Adnan Rrustemi, janë pyetur nga gazetarja e Klan Kosovës Endrita Bajrami, se a do të kenë seancë të Kuvendit.

    “Për të gjitha zhvillimet do të jemi këtu dhe do t’i shohim më pastaj”, deklaroi Mulhaxha-Kollçaku.

    Tutje, deputetja u pyet nëse do të kenë votë në lexim të dytë për Projektligjin e Speciales dhe nëse do të ketë president të ri.

    “Sot presim të përfundojnë të gjitha çështjet, por do të shohim se si do të rrjedhin krejt situatat”, deklaroi ajo.

  • Hapja e madhe – Eli-Ab po vjen në Veternik

    Hapja e madhe – Eli-Ab po vjen në Veternik

    Për nder të hapjes së pikës sonë të re, kemi përgatitur zbritje të mëdha, oferta speciale dhe shumë befasi për të gjithë klientët tanë!

    Fletushka me oferta vlen nga 08 deri më 12 Tetor.

    Shfrytëzojeni rastin për të bërë blerjet tuaja me më shumë kursim dhe për të përfituar nga ofertat e përgatitura enkas për këto ditë!

    Hapje e re, oferta të mëdha!

    Ju presim në Veternik!

    Data: 08 Tetor 2026

    Ora: 10:00

    Lokacioni: Rr. Behar Begolli, Veternik

  • Dogana e Maqedonisë: Shkatërrohet një grup kriminal ndërkombëtar i lidhur me tregti të drogës, janë ndaluar pesë persona

    Dogana e Maqedonisë: Shkatërrohet një grup kriminal ndërkombëtar i lidhur me tregti të drogës, janë ndaluar pesë persona

    Pas një hetimi të kryer nga Departamenti i Hetimeve i Sektorit të Kontrollit dhe Hetimeve, është shkatërruar një grup kriminal ndërkombëtar i lidhur me trafikimin e paligjshëm të drogës, njofton Drejtoria e Doganave të Maqedonisë së Veriut. Pesë persona janë ndaluar dhe kundër tyre janë ngritur kallëzime penale për prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve.

    “Aksioni filloi pas informacioneve të inteligjencës nga Departamenti i Inteligjencës, pas të cilave ekipet mobile nga Departamenti i Operacioneve ndërmorën aktivitete operative dhe në pikën kufitare të Dojranit në dalje nga vendi, parandaluan një përpjekje për tregti të paligjshme të 79 kg marihuanë që supozohej të përfundonte në tregun turk. Marihuana u sekuestrua, ndërsa shoferi, një shtetas i Bosnjës dhe Hercegovinës, u ndalua nga Departamenti i Hetimeve, i cili, në bashkëpunim me Zyrën e Prokurorit Publik GOKK, filloi procedurë të plotë paraprake hetimore për të identifikuar të gjithë autorët”.

    “Hetimi paraprak përcaktoi se kamioni i drejtuar nga shoferi nga Bosnjë dhe Hercegovina hyri në Maqedoni i ngarkuar me profile hekuri që do të transportoheshin në Greqi. Pas një marrëveshjeje të mëparshme me individë nga Maqedonia, marihuana u ngarkua në kamion në një vend të paracaktuar, pas së cilës u vulos me një vulë që shoferi e kishte me vete. Kamioni më pas vazhdoi udhëtimin e tij drejt Greqisë përmes pikës kufitare të Dojranit, ku u kap nga njësitë mobile”.

    “Me këtë veprim, Administrata Doganore konfirmon edhe një herë se shtyp sistematikisht krimin përmes veprimeve të forta të inteligjencës dhe operacioneve dhe hetimeve të hollësishme”, thonë nga Dogana e Maqedonisë.

  • Studimi në Zvicër: Ja sa zviceranë janë të gatshëm të heqin dorë nga vetura për hir të klimës

    Studimi në Zvicër: Ja sa zviceranë janë të gatshëm të heqin dorë nga vetura për hir të klimës

    Një studim i ri tregon se cilat masa individuale kursejnë më shumë gazra serrë dhe cilat do të ishin të gatshëm të miratonin qytetarët zviceranë.

    Shumica e njerëzve në Zvicër janë të gatshëm të ndërmarrin masa për të zvogëluar emetimet e gazrave serrë, por heqja dorë nga vetura mbetet një nga opsionet më pak të preferuara, tregon një studim i ri.

    Studiuesit e ETH Zürich kanë analizuar të dhënat e 2,793 personave nga një mostër përfaqësuese në Zvicër, duke shqyrtuar se cilat masa personale do të ishin të gatshëm t’i ndërmerrnin për të ulur emetimet e tyre të gazrave serrë me 30 për qind.

    Rezultatet tregojnë se 56 për qind e të anketuarve arritën objektivin e reduktimit prej 30 për qind përmes masave që zgjodhën, raporton Watson.ch.

    Më tërheqëse rezultuan masat që kërkojnë më pak ndryshime në jetën e përditshme. Rreth 58 për qind e personave për të cilët ishte e përshtatshme zgjodhën instalimin e pompës së nxehtësisë, ndërsa 54 për qind instalimin e paneleve diellore.

    Edhe ndryshimet në sjelljen e përditshme gjetën mbështetje. Rreth 53 për qind zgjodhën uljen e temperaturës së ambienteve të banimit, ndërsa 36 për qind deklaruan se do të reduktonin fluturimet në distanca të gjata.

    Pak persona të gatshëm të heqin dorë nga vetura

    Megjithëse heqja dorë plotësisht nga vetura mund të sjellë një reduktim të konsiderueshëm të emetimeve personale, kjo masë ishte ndër më pak të preferuarat, transmeton Telegrafi.

    Sipas studimit, heqja dorë plotësisht nga vetura do të ulte mesatarisht me 14 për qind emetimet e përgjithshme personale, por vetëm një pjesë e vogël e të anketuarve zgjodhën këtë mundësi.

    Dallime u vunë re edhe në varësi të të ardhurave. Rreth 8 për qind e personave me të ardhura më të ulëta ishin të gatshëm ta shisnin veturën, krahasuar me vetëm 4 për qind të personave me të ardhura të larta.

    Në anën tjetër, personat me të ardhura më të larta ishin më të prirur të zgjidhnin masa më të kushtueshme teknologjike, si instalimi i pompave të nxehtësisë ose ndërrimi i automjetit.

    Pompat e nxehtësisë ndër masat më efektive

    Studimi tregon se instalimi i pompës së nxehtësisë kishte ndikimin më të madh mes pronarëve të shtëpive për të cilët kjo masë ishte e zbatueshme. Ata që e zgjodhën atë mund të reduktonin mesatarisht me 44 për qind emetimet e tyre të llogaritura.

    Reduktimi i fluturimeve në distanca të gjata sillte mesatarisht një ulje prej 29 për qind të emetimeve totale të llogaritura.

    Studiuesit vlerësojnë se politikat klimatike duhet të fokusohen veçanërisht te masat ku ndërthuren ndikimi i madh në klimë dhe gatishmëria e qytetarëve për t’i zbatuar ato. Ndër propozimet përmenden mbështetja e familjeve me të ardhura më të ulëta për kalimin në pompa të nxehtësisë dhe masa që synojnë personat që fluturojnë shpesh.

    Anketa mbi të cilën bazohet studimi është realizuar në vitin 2022, ndërsa studiuesit theksojnë se nuk është matur nëse pjesëmarrësit i kanë zbatuar realisht masat që kishin zgjedhur./Telegrafi/

  • Balde mund të largohet nga Barcelona në janar, interesim nga Liga Premier

    Balde mund të largohet nga Barcelona në janar, interesim nga Liga Premier

    Alejandro Balde po shqyrton mundësinë e largimit nga Barcelona në afatin kalimtar të janarit, pasi ka humbur hapësirë në planet e Hansi Flick.

    Alejandro Balde mund të jetë një nga emrat e Barcelonës që do të kërkojë një ndryshim gjatë afatit kalimtar të janarit.

    Mbrojtësi i majtë spanjoll ka tërhequr interesimin e Sunderlandit, i cili po shqyrton mundësinë e transferimit të tij në formë huazimi për pjesën e dytë të sezonit.

    Synimi i klubit anglez është që 22-vjeçari të fitojë vazhdimësi dhe minuta të rregullta në Ligën Premier.

    Sipas raportimeve të TEAMtalk, drejtuesit e Barcelonës i kanë dhënë Baldes dritën jeshile për të shqyrtuar një largim në mes të sezonit, pas rënies së rolit të tij në planet e Hansi Flick.

    Balde iu bashkua ekipit të parë të Barcelonës në korrik të vitit 2022 dhe ka kontratë me klubin katalanas deri në qershor të vitit 2028.

    Pavarësisht se vlera e tij në treg vlerësohet rreth 50 milionë euro dhe ai ka shtatë paraqitje me kombëtaren e Spanjës, mbrojtësi ka humbur terren në konkurrencën për pozitën e krahut të majtë.

    Interesimi për të nuk vjen vetëm nga Sunderland, sipas raportimeve, përfaqësuesit e Baldes kanë pasur kontakte edhe me Evertonin dhe Fulhamin, ndërsa huazimi i tij u është ofruar gjithashtu Manchester Unitedit dhe Liverpoolit.

    Sunderland po analizon mundësitë financiare për të përballuar pagën e Baldes në rast të një huazimi në janar, duke respektuar njëkohësisht kufizimet financiare të klubit.

    Vetë futbollisti thuhet se është i hapur për një transferim në futbollin anglez gjatë pjesës së dytë të sezonit 2026/27.

    Një nga çështjet që mbetet për t’u përcaktuar është nëse marrëveshja do të përfshijë edhe një opsion jo të detyrueshëm blerjeje në fund të huazimit.

    Drejtuesit e Sunderlandit besojnë se Balde do t’i shtonte dinamizëm krahut të majtë dhe do të ishte një përforcim i rëndësishëm për pjesën e dytë të sezonit.

    Përfaqësuesit e mbrojtësit pritet të zhvillojnë kontakte më konkrete me drejtuesit e Sunderlandit gjatë pushimit të nëntorit për ndeshjet e kombëtareve.

    Nëse klubi anglez arrin marrëveshje për të mbuluar pagën e Baldes, Barcelona do të ishte e gatshme të formalizonte huazimin përpara hapjes së afatit kalimtar dimëror. /Telegrafi/

  • Çështja e kompetencave presidenciale, Haxhiu i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

    Çështja e kompetencave presidenciale, Haxhiu i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

    Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar interpretim lidhur me ushtrimin e kompetencave presidenciale pas përfundimit të mandatit të saj gjashtëmujor, në rast se Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri.

    Zyra e Presidencës e konfirmoi këtë për Telegrafin, gjersa thuhet se Haxhiu ka kërkuar përcaktohet se si dhe nga kush ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, kur Presidenti i ri ende nuk është zgjedhur.

    “Presidentja Haxhiu i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, në bazë të nenit 113, paragrafi 3, nënparagrafi 1, të Kushtetutës. Kemi kërkuar të përcaktohet se si dhe nga kush ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, kur Presidenti i ri ende nuk është zgjedhur”, thuhet në përgjigjen e Presidencës për Telegrafin.

    Më tej, Presidenca thekson se Kushtetuta ia njeh të drejtën presidentit që t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

    “Kushtetuta këtë kompetencë ia njeh Presidentit. Përcaktimi i autoritetit që mund ta ushtrojë atë në rrethanat e krijuara është një nga çështjet kryesore që ia kemi shtruar Gjykatës”, thuhet ndër të tjera.

    Presidenca thekson më tej se dispozitat kushtetuese duhet të interpretohen në ndërlidhje, në mënyrë që përfundimi i një afati të mos e bëjë të pamundur përmbushjen e detyrimeve të tjera kushtetuese.

    “Për të përcaktuar zgjidhjen që garanton këtë vijimësi brenda rendit kushtetues, i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigje. /Telegrafi/

  • Oferta e tetorit në Grand Blue Fafa Resort & Spa

    Oferta e tetorit në Grand Blue Fafa Resort & Spa

    Tetori është koha ideale për t’u shkëputur pak nga rutina, për të kaluar disa ditë me familjen dhe për të shijuar qetësinë e bregdetit. Në Grand Blue Fafa Resort & Spa, ky muaj vjen me oferta të veçanta për një pushim të shkurtër pranë detit, me SPA dhe akomodim të përfshirë.

    Për muajin tetor, mund të zgjidhni mes dy paketave:

    Bed & Breakfast

    Përfshin akomodim, mëngjes dhe SPA.

    • 1 natë – 45 euro/person
    • 2 net – 42 euro/person për natë
    • 3 net – 38 euro/person për natë

    Full Board

    Përfshin akomodim, mëngjes, drekë, darkë dhe SPA.

    • 1 natë – 74 euro/person
    • 2 net – 71 euro/person për natë
    • 3 net – 69 euro/person për natë

    Një fundjavë me familjen, pak kohë pranë detit dhe disa momente relaksi në SPA mund të jenë pikërisht shkëputja që ju duhet këtë tetor.

    Për rezervime: +355 69 708 6352 / +355 69 706 7501
    Adresa: Golem, Durrës, Shqipëri
    Uebfaqe: www.fafa.al
    Email: grandbluefafa@fafa.al