Ekskluzive | U intervistua si dëshmitar, doli i dyshuar për plagosjen e 16-vjeçarit në Rahovec – ky është 21-vjeçari që përfundoi në pranga

Ekskluzive | U intervistua si dëshmitar, doli i dyshuar për plagosjen e 16-vjeçarit në Rahovec – ky është 21-vjeçari që përfundoi në pranga

Written by

in

Ekskluzive | U intervistua si dëshmitar, doli i dyshuar për plagosjen e 16-vjeçarit në Rahovec – ky është 21-vjeçari që përfundoi në pranga

Një kthesë e papritur ka marrë hetimi për plagosjen me armë zjarri të një 16-vjeçari në Rahovec. Personi që fillimisht ishte intervistuar nga Policia si dëshmitar i ngjarjes, tashmë është identifikuar si i dyshuar për tentim vrasjen e të miturit dhe ka përfunduar në pranga, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, bëhet fjalë për Usame Zllanogën, 21 vjeçar, i cili dyshohet se më 29 tetor kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të 16-vjeçarit N.Z., duke e plagosur në kraharor.

Ngjarja kishte ndodhur rreth orës 00:35, në rrugën “Vëllezërit Shabandula” në Rahovec.

I mituri kishte kërkuar ndihmë në Qendrën e Mjekësisë Urgjente, ku kishte deklaruar se një person i panjohur kishte shtënë në drejtim të tij.

Pas ndihmës së parë, ai ishte dërguar në Spitalin Rajonal të Gjakovës për trajtim të mëtejshëm. Sipas vlerësimit të atëhershëm mjekësor, gjendja e tij ishte jashtë rrezikut për jetë.

Në vendin e ngjarjes kishin dalë hetuesit dhe njësia e forenzikës, por gjatë ekzaminimit fillestar nuk ishte gjetur ndonjë provë e dyshimtë.

Megjithatë, hetimet e zhvilluara nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Gjakovë kanë sjellë zhvillime të reja.

Nga provat e mbledhura, hetuesit kanë identifikuar Zllanogën si personin e dyshuar për plagosjen, ndonëse ai fillimisht ishte marrë në pyetje vetëm në cilësinë e dëshmitarit.

Pas identifikimit, 21-vjeçari është lokalizuar dhe arrestuar nga Policia.

Hetuesit kanë kryer edhe kontroll në vendbanimin e tij, ndërsa i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

Me vendim të Prokurorisë së Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Rasti po hetohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali