Kuvendi i Kosovës miratoi sot tri marrëveshje që kanë të bëjnë me çështje juridike ndërmjet Kosovës dhe Suedisë dhe një marrëveshje me Mbretërinë e Belgjikës.
Pro votimit të këtyre marrëveshjeve kanë votuar edhe partitë opozitare.
Projektligji nr. 11/L-024 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Ekstradim u miratua me 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Projektligji 11/L-025 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Transferimin e Personave të Dënuar u votua me 83 për, asnjë kundër, asnjë abstenim, raporton Telegrafi.
Ndërsa pro Projektligjit nr. 11/L-026 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale votuan 85 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Gjatë kësaj seance u miratua edhe Projektligji nr. 11/L-027 për Ratifikimin e Traktatit për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës.
Ky traktat u miratua me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. /Telegrafi/