Kurti takohet me Haddad: Partneriteti me Francën po sjell rezultate konkrete

Kurti takohet me Haddad: Partneriteti me Francën po sjell rezultate konkrete

Written by

in

Partneriteti me Francën po sjell rezultate konkrete dhe po hap mundësi të reja për bashkëpunim. Kështu është shprehur kryeministri Albin Kurti për takimin që ka pasur sot në Shën Stefan me Ministrin e Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, e që vjen në prag të vizitës së tij në Paris për Forumin e Paqes, në nëntor.

“Pas nënshkrimit të pesë marrëveshjeve dhe instrumenteve gjatë vizitës së tij në Kosovë, tani po punojmë për zbatimin e tyre, me synim avancimin e bashkëpunimit në drejtësi, arsim dhe sport. Ratifikimi këtë muaj nga Kuvendi i kredisë prej 60 milionë eurosh për infrastrukturën e Lojërave Mesdhetare 2030 është një rezultat konkret i këtij partneriteti”, ka shkruar Kurti.

Ai tutje ka thënë se gjatë këtij takimi kanë diskutuar gjithashtu për dinamikat politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar që paqja dhe siguria janë të ndërlidhura ngushtë me demokracinë, sundimin e ligjit dhe integrimin evropian.

“Mbështetja e Francës mbetet e rëndësishme për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian”, ka shtuar Kurti.

Burimi: RTKLive