Blog

  • Raporti i BE-së: Kosova ngec në reformat kyç për integrim

    Raporti i BE-së: Kosova ngec në reformat kyç për integrim

    Raporti i BE-së: Kosova ngec në reformat kyç për integrim

    Kosova vazhdon të ngecë në disa nga reformat kryesore që duhet ta afrojnë me Bashkimin Evropian.

    Gjyqësori nuk ka shënuar asnjë përparim, lufta kundër korrupsionit ka dhënë rezultate të kufizuara, ndërsa krizat politike kanë dobësuar funksionimin e institucioneve.

    Kjo është tabloja që paraqet Komisioni Evropian në raportin e tij për Kosovën për vitin 2026, ku paralajmëron se ndikimet politike dhe ekonomike në sistemin e drejtësisë mbeten pengesë serioze për pavarësinë e tij dhe, në disa aspekte, madje janë intensifikuar.

    Raporti evidenton rënie të numrit të vendimeve përfundimtare dhe dënimeve për korrupsion të nivelit të lartë, si dhe mangësi në mbikëqyrjen parlamentare të Qeverisë.

    Megjithatë, jo të gjitha vlerësimet janë negative.

    Komisioni vëren përparim në administratën publike, zgjerimin e shërbimeve digjitale dhe shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, që mundësoi heqjen e masave ndëshkuese të BE-së.

    Dokumenti, i titulluar “Raporti për Kosovën 2026”, është pjesë e Paketës së Zgjerimit të Bashkimit Evropian.

    Ai mbulon periudhën nga 1 shtatori 2025 deri më 1 shtator 2026, por përfshin edhe disa zhvillime të mëvonshme.

    Vlerësimi vjen dhjetë vjet pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe gati katër vjet pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në BE.

    Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, lidhur me gjetjet e raportit të Komisionit Evropian, dhe është në pritje të përgjigjes së tij.

    Politika pengoi reformat

    Dy palë zgjedhje të parakohshme parlamentare, periudha të gjata bllokadash dhe një qeveri me kompetenca të kufizuara për pjesën më të madhe të periudhës së raportimit kanë lënë gjurmë në funksionimin e institucioneve.

    Sipas Komisionit, Kuvendi ka ushtruar kompetencat e tij me mangësi të konsiderueshme, ndërsa mbikëqyrja e ekzekutivit ka qenë shumë e kufizuar.

    Zgjedhjet u vlerësuan përgjithësisht si paqësore dhe konkurruese, por raporti identifikon përpjekje për politizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mangësi në rregullimin e fushatave dhe trajtim të pamjaftueshëm të dezinformimit.

    Një tregues tjetër i ndikimit të krizave politike ishte rënia e pjesëmarrjes në zgjedhje, nga 45 për qind në dhjetor të vitit 2025 në 37 për qind në qershor të vitit 2026.

    Komisioni vlerëson se kjo sugjeron lodhje në rritje të votuesve dhe pakënaqësi me shpeshtësinë e zgjedhjeve.

    Drejtësia, një nga pikat më të dobëta

    Për funksionimin e gjyqësorit, vlerësimi i Komisionit është i qartë: në përgjithësi, nuk është shënuar përparim.

    Ndikimet e papërshtatshme nga interesa politike, ekonomike dhe faktorë të tjerë vazhdojnë të pengojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit, ndërsa paketa e ligjeve për reformimin e drejtësisë mbetet e pamiratuar.

    Komisioni ngre shqetësime edhe për zbatimin e ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe kërkon respektimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

    Megjithatë, evidenton zhvillime pozitive në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe ndryshimet në përbërjen e Këshillit Prokurorial.

    Një shqetësim tjetër është përfaqësimi i pamjaftueshëm i serbëve të Kosovës në gjyqësor, që, sipas raportit, cenon karakterin shumetnik të sistemit të drejtësisë.

    Vëmendje të veçantë marrin edhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara nga Kuvendi më 6 tetor.

    Komisioni paralajmëron se ato ngrenë shqetësime serioze për përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe sigurimin e përgjegjësisë për krimet e luftës.

    Ai ngre gjithashtu shqetësime për kushtetutshmërinë e ndryshimeve, të cilat presidentja i ktheu në Kuvend për rishqyrtim, më 22 tetor.

    Më shumë raportime për korrupsion, më pak dënime të nivelit të lartë

    Në luftën kundër korrupsionit, Komisioni Evropian vlerëson se Kosova ka shënuar përparim të kufizuar.

    Ndërsa numri i vendimeve gjyqësore përfundimtare dhe dënimeve në rastet e korrupsionit që nuk i përkasin nivelit të lartë, është rritur ndjeshëm, në rastet e nivelit të lartë ka shënuar rënie.

    Raporti thekson se Kosova vazhdon të mos ketë një strategji gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit dhe një qasje të koordinuar për luftimin e tij.

    Ndërkohë, numri i raportimeve të sinjalizuesve të pranuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit pothuajse është dyfishuar krahasuar me vitin paraprak.

    Komisioni kërkon gjithashtu përmirësimin e verifikimit të deklarimeve të pasurisë dhe forcimin e hetimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.

    Media të lira, por me sfida

    Përparim i kufizuar është shënuar edhe në lirinë e shprehjes dhe të mediave.

    Komisioni vlerëson se Kosova vazhdon të ketë një mjedis mediatik pluralist, por evidenton probleme me transparencën e pronësisë dhe qëndrueshmërinë financiare të mediave.

    Dialogu me Serbinë: Pak përparim, shumë detyrime të pazbatuara

    Kosova dhe Serbia nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, ndërsa veprimet e njëanshme dhe retorika e të dyja palëve vazhdojnë të pengojnë normalizimin e marrëdhënieve, vlerëson Komisioni Evropian.

    Sipas raportit, dialogu ka vazhduar me takime të rregullta në nivel kryenegociatorësh dhe ekipesh teknike, por zbatimi i detyrimeve të mbetura nga marrëveshjet e dialogut mbetet i kufizuar.

    Komisioni kërkon që Kosova të nisë procesin për vendosjen e aranzhimeve të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, ndërsa Serbia, paralelisht, të fillojë njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës.

    Raporti thekson se Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe duhet të zbatohet pa vonesa apo parakushte.

    Situata në veri të Kosovës vlerësohet e qetë, por e brishtë.

    Komisioni kritikon veprimet e përsëritura të autoriteteve kosovare ndaj strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia, arrestimet e serbëve të Kosovës dhe mospranimin e tërheqjes së dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, që ka penguar riintegrimin e tyre në sistemin e drejtësisë.

    Në anën tjetër, Komisioni kritikon Serbinë për lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Interpolin, si dhe për retorikën nxitëse të zyrtarëve të saj.

    Raporti thekson gjithashtu se Serbia nuk ka ndërmarrë hapa domethënës për të siguruar përgjegjësi për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

    Komisioni paralajmëron se normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i marrëveshjeve të dialogut mbeten kushte thelbësore për rrugën evropiane të të dyja vendeve, të cilat rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme, në mungesë të përparimit. /REL

  • Kos: Kosova e përkushtuar në proceset integruese, në zbatimin e reformave ndikoi bllokada politike

    Kos: Kosova e përkushtuar në proceset integruese, në zbatimin e reformave ndikoi bllokada politike

    Kos: Kosova e përkushtuar në proceset integruese, në zbatimin e reformave ndikoi bllokada politike

    Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se Kosova ka mbetur e përkushtuar në proceset e integrimit evropian.

    Ajo ka thënë se bllokada politike dhe institucionale në Kosovë ka ndikuar në zbatimin e reformave, derisa ka mirëpritur zgjedhjen e presidentes.  

    Këto deklarata ajo i ka thënë derisa ka paraqitur rezultatet e raportit për progresin e arritur nga vendet e Ballkanit Perëndimor për proceset integruese.

    “Kosova ka mbetur e përkushtuar ndaj rrugëtimit të saj evropian, duke gëzuar një mbështetje të gjerë nga publiku. Bllokimi institucional ndikoi në zbatimin e reformave që lidhen me BE-në gjatë periudhës së raportimit. Megjithatë, së fundmi, Kosova ka intensifikuar zbatimin e agjendës së reformave. BE-ja e mirëpret zgjedhjen e presidentit të ri dhe shpresojmë se rikthimi i stabilitetit institucional do t’i mundësojë Kosovës të ecë përpara”, ka thënë ajo.

    Përpara të pranishmëve, Kos ka folur veç e veç për shtetet që kanë aspirata integruese në BE, duke potencuar hapat e ardhshëm që duhen ndërmarrë dhe sfidat me të cilat ballafaqohen. /Klankosova.tv

  • Aksioni AKI-Prokurori Speciale-Polici, 5 të arrestuar - kapen mbi 37 kg narkotikë

    Aksioni AKI-Prokurori Speciale-Polici, 5 të arrestuar – kapen mbi 37 kg narkotikë

    Aksioni AKI-Prokurori Speciale-Polici, 5 të arrestuar - kapen mbi 37 kg narkotikë

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka realizuar një operacion të koduar si ‘Rikthimi’, që rezultoi me sekuestrimin e mbi 37 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë.

    Lidhur me këtë aksion, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, ka bërë të ditur se janë arrestuar pesë persona, dy prej të cilëve shtetas të huaj, raporton Klankosova.tv

    Paca ka theksuar se operacioni është realizuar mbi bazën e informacioneve të siguruara nga AKI-ja dhe falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.

    “Mbrëmë, Prokuroria Speciale, bashkë me AKI-në dhe Policinë e Kosovës, ka realizuar një aksion, ku janë arrestuar pesë persona, dy prej tyre shtetas të huaj. Janë sekuestruar mbi 37 kilogramë heroinë.

    “Mbi bazën e informacioneve të siguruara nga AKI-ja, falë profesionalizmit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, brenda një afati rekord është konkretizuar aksioni”, u shpreh Paca. /Klankosova.tv

  • Të paktën shtatë ligjvënës myslimanë fitojnë vende në Kongresin Amerikan

    Të paktën shtatë ligjvënës myslimanë fitojnë vende në Kongresin Amerikan

    Të paktën shtatë ligjvënës myslimanë kanë fituar vende në Kongresin Amerikan, duke shënuar përparime historike për përfaqësimin mysliman si në Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe në Senat.

    Zgjedhjet ndryshuan ekuilibrin e pushtetit në Uashington, me demokratët që fituan kontrollin e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve nga republikanët.

    Të drejtat civile, kujdesi shëndetësor dhe politika e jashtme u paraqitën në fushata.

    Disa ligjvënës të sapozgjedhur dhe të rikthyer bënë fushatë mbi standardet ligjore ndërkombëtare, ndihmën humanitare dhe kundërshtimin ndaj mbështetjes së pakushtëzuar ushtarake amerikane për Izraelin mes sulmeve të vazhdueshme në Gaza.

    Rastet historike në Senat dhe Dhomë

    Abdul El-Sayed, Michigan

    Kandidati demokrat 42-vjeçar mundi ish-përfaqësuesin republikan Mike Rogers, duke u bërë myslimani i parë i zgjedhur në Senatin Amerikan.

    Një mjek dhe ish-zyrtar i shëndetit publik, El-Sayed fitoi vendin e lënë bosh nga pensionimi i senatorit Gary Peters pas një fushate të diskutueshme në të cilën feja e tij u bë shënjestër e sulmeve nga republikanët dhe presidenti Donald Trump, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

    El-Sayed, i cili fitoi zgjedhjet paraprake Demokratike në gusht, kritikoi transferimet e pakushtëzuara të armëve amerikane në Izrael dhe e përshkroi luftën në Gaza si gjenocid.

    Ish-kundërshtari i tij në zgjedhjet paraprake, përfaqësuesja Haley Stevens, mbështeti Rogers dy ditë para zgjedhjeve të përgjithshme për shkak të qëndrimit të El-Sayed ndaj Izraelit.

    Adam Hamawy, New Jersey

    Demokrati 56-vjeçar mundi republikanin Gregg Mele në Distriktin e 12-të Kongresor të shtetit, duke u bërë myslimani i parë i zgjedhur për të përfaqësuar New Jersey në Kongres.

    Një kirurg plastik, mjek luftarak në pension i Ushtrisë Amerikane dhe veteran i Luftës në Irak, Hamawy punoi vullnetarisht në Spitalin Evropian në Gaza në vitin 2024.

    Ai bëri fushatë për Medicare universale, anulimin e borxhit mjekësor dhe studentor dhe përfundimin e ndihmës ushtarake amerikane për Izraelin.

    Darializa Avila Chevalier, New York

    Demokratja siguroi një vend në Dhomën e Përfaqësuesve pasi më parë mundi përfaqësuesin në detyrë Adriano Espaillat në zgjedhjet paraprake të qershorit.

    Chevalier, një hetuese e të drejtave civile, studente doktorature dhe e konvertuar në Islam, fitoi më shumë se 85 përqind të votave.

    Fushata e saj u përqendrua në organizimin e komunitetit dhe në mbrojtjen e të drejtave palestineze.

    Ligjvënësit myslimanë në detyrë ruajnë vendet e tyre

    Katër anëtarë myslimanë të Dhomës së Përfaqësuesve fituan rizgjedhjen për mandate dyvjeçare, duke ruajtur rolet e tyre në debatet e Kongresit mbi politikën e jashtme dhe të drejtat palestineze.

    Rashida Tlaib, Miçigan

    Demokratja palestinezo-amerikane siguroi një mandat të pestë duke përfaqësuar Distriktin e 12-të Kongresional të shtetit, pasi mundi republikanin James Hooper.

    Si e vetmja anëtare palestinezo-amerikane e Kongresit, Tlaib ka mbrojtur zbatimin e rregulloreve vendase dhe ndërkombëtare për armët, mbrojtjen e civilëve dhe vetëvendosjen palestineze.

    Ilhan Omar, Minesota

    Demokratja fitoi një mandat të pestë duke përfaqësuar Distriktin e 5-të Kongresional të shtetit, duke mundur republikanin John Nagel dhe kandidatin e pavarur DeVelle Jackson.

    Omar, e cila mbërriti në SHBA në moshën 12-vjeçare, u bë ligjvënësja e parë federale somalezo-amerikane në vend kur mori detyrën në vitin 2019.

    Ajo ka mbrojtur ofrimin e ndihmës humanitare dhe mbikëqyrjen e dërgesave të armëve nga SHBA-ja, pavarësisht se është përballur me sulme të përsëritura politike për shkak të prejardhjes së saj.

    Andre Carson, Indiana

    Demokrati ruajti vendin e tij në Distriktin e 7-të Kongresional (që përfshin Indianapolisin), duke mundur republikanin Patrick McAuley dhe kandidatin libertarian James Sceniak.

    Duke shërbyer që nga viti 2008, Carson është ligjvënësi mysliman me shërbimin më të gjatë në Dhomën e Përfaqësuesve.

    Qëndrimet e tij politike kanë vënë theksin te institucionet ligjore ndërkombëtare, dinjitetin e barabartë njerëzor dhe ndihmën humanitare.

    Lateefah Simon, Kaliforni

    Demokratja ruajti vendin e saj duke përfaqësuar Distriktin e 12-të Kongresional të shtetit në zonën “East Bay”, pasi mundi bashkëpartiaken e saj demokrate, Jamie Joyce.

    Simon ka kundërshtuar dërgimin e armëve ofensive nga SHBA-ja.

    Ndërkohë, kandidatja myslimane Aisha Wahab ruajti një avantazh të hershëm në një garë tjetër për Kongresin në Kaliforni, ndërsa numërimi i votave vazhdonte. /Telegrafi/

  • Prokuroria Speciale jep detaje për aksionin ku u sekuestruan mbi 37 kilogramë heroinë

    Prokuroria Speciale jep detaje për aksionin ku u sekuestruan mbi 37 kilogramë heroinë

    Një operacion i përbashkët i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka rezultuar me arrestimin e pesë personave dhe sekuestrimin e mbi 37 kilogramëve substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë.

    Detajet e këtij operacioni janë bërë të ditura në një konferencë për media nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca.

    Ai ka njoftuar se në mesin e pesë të arrestuarve janë edhe dy shtetas të huaj.

    “Mbrëmë Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka realizuar me sukses një aksion gjatë të cilit janë arrestuar pesë persona, dy prej të cilëve janë të huaj”, tha Paca, raporton Telegrafi.

    “Janë sekuestruar mbi 37 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë”, shtoi ai.

    Sipas Pacës, operacioni është rezultat i një hetimi të zhvilluar së fundmi, i cili është bazuar në informacione të siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

    “Ky aksion është rezultat i një hetimi të zhvilluar së fundmi mbi bazën e informacioneve të siguruara nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë, falë bashkëpunimit të ndërsjellë, me çka është realizuar në afat rekord”, deklaroi ai.

    Ndërkaq, prokurori i rastit, Atdhe Dema, ka bërë të ditur se vlera e substancës së sekuestruar vlerësohet të jetë rreth 550 mijë euro.

    “Mbrëmë është zhvilluar një aksion me sukses në një afat rekord të hetimeve në bashkëpunim me Policinë dhe AKI-në. Si rezultat i veprimeve të ndërmarra janë arrestuar pesë persona. Janë sekuestruar sasi prej 37 kg heroinë në vlerë prej 550 mijë euro”, tha Dema. /Telegrafi/

  • Dyshohet se e zuri dera e oborrit të shkollës, lëndohet 8-vjeçari në Podujevë

    Dyshohet se e zuri dera e oborrit të shkollës, lëndohet 8-vjeçari në Podujevë

    Dyshohet se e zuri dera e oborrit të shkollës, lëndohet 8-vjeçari në Podujevë

    Një nxënës 8-vjeçar ka pësuar lëndim në këmbë pasi dyshohet se e ka zënë dera e oborrit të shkollës “Xheladin Rekaliu” në Podujevë. Ngjarja ka ndodhur më 23 tetor, pas përfundimit të mësimit.

    Drejtori i Arsimit në Podujevë, Avni Fetahu, tha për Sinjalin se, sipas informacioneve që ka marrë nga drejtori i shkollës, në ngjarje ishin përfshirë edhe dy nxënës të tjerë. Ai tha se nxënësit e kishin shtyrë derën me forcë dhe se 8-vjeçari kishte pësuar lëndim në këmbë.

    Fetahu tha se drejtori i shkollës i ka shqyrtuar pamjet e kamerave të sigurisë dhe e ka raportuar rastin në Polici. Për ngjarjen janë njoftuar edhe prindërit e nxënësve.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • “Një ditë po, një ditë jo” – Rama flet për thirrjet e shpeshta të drejtoreshës në hetuesi

    “Një ditë po, një ditë jo” – Rama flet për thirrjet e shpeshta të drejtoreshës në hetuesi

    “Një ditë po, një ditë jo” – Rama flet për thirrjet e shpeshta të drejtoreshës në hetuesi

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se prokuroria dje i ka mbajt me orë në intervistë punëkryesin dhe menaxherin e “Ishullit Urban” projektit që u jep qasje 30 mijë banorëve të “Arbërisë” me qendrën e Prishtinës.

    Po ashtu ai ka bërë me dije se edhe drejtoresha e Investimeve Kapitale po thirret në hetuesi, sipas tij, një ditë po e një ditë jo.

    “Mos ushtroni presion mbi njerëzit që po mundohen me e bo punën e vet për kryeqytetin. Nëse ju po përballeni me presion politik, mos ua bartni atyre”, shkruan Rama.

    Burimi: Insajderi

  • Miele Experience Center sjell një përvojë të re

    Miele Experience Center sjell një përvojë të re

    Sa mirë mund ta njohësh një pajisje elektroshtëpiake para se ta blesh?

    Electro Magic dhe Miele po sjellin një mënyrë tjetër për ta bërë këtë zgjedhje, duke e kthyer showroom-in në një hapësirë ku teknologjia nuk shihet vetëm nga afër, por provohet realisht.

    Në Miele Experience Center, pajisjet elektroshtëpiake janë aktive dhe klientët mund t’i testojnë para se të vendosin për blerje. Mund të hapin frigoriferin, të marrin produktet që gjenden brenda dhe të gatuajnë me pajisjet Miele, të provojnë furrat dhe pllakat e shporetit apo të shohin nga afër funksionimin e lavatriçeve, tharëseve dhe pajisjeve të tjera për shtëpinë.

    Për Electro Magic përvoja nuk përfundon kur pajisja del nga showroom-i. Përmes Electro Magic Premium Care, kompania sjell një model të mirëmbajtjes parandaluese, ku ekipi teknik viziton klientin një herë në vit për të kontrolluar gjendjen dhe funksionimin e pajisjeve, edhe kur ato nuk shfaqin ndonjë problem.

    Nëse paraqitet një problem teknik, Electro Magic synon asistencë brenda 24 orëve dhe, kur riparimi kërkon më shumë kohë, ofron pajisje zëvendësuese deri në përfundimin e tij.

    Kjo qasje lidhet me filozofinë e kompanisë për cilësi, jetëgjatësi dhe investim afatgjatë në shtëpi.

    E nëse ende po mendoni çfarë e bën këtë eksperiencë ndryshe nga një showroom tradicional, përgjigjja është e thjeshtë: duhet ta provoni vetë.

  • Kos: Kosova së fundi ka intensifikuar zbatimin e Agjendës së Reformave

    Kos: Kosova së fundi ka intensifikuar zbatimin e Agjendës së Reformave

    Komisionerja për Zgjerim e Komisionit Evropian, Marta Koss në një konferencë për media lidhur me progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian theksoi se Kosova së fundi ka intensifikuar zbatimin e agjendës së reformave.

    Koss në një paraqitje para gazetarëve tha shkurt se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugëtimit evropian.

    “Kosova ka mbetur e përkushtuar ndaj rrugëtimit evropian, me një nivel të lartë mbështetjeje publike. Kosova së fundi ka intensifikuar zbatimin e agjendës së reformave dhe Bashkimit Evropian mirëpret zgjedhjen e presidentes së Kosovës dhe shpreson se stabiliteti institucional i rikthyer do të lejojë Kosovën të avancojë”, tha ajo, raporton Telegrafi.

    Lajmi në përditësim.

  • Gjenden dy trupa të pajetë pranë një veture të djegur në Bogdanci

    Gjenden dy trupa të pajetë pranë një veture të djegur në Bogdanci

    Dy persona janë gjetur të vdekur dje në afërsi të vendit të quajtur „Içeva Çeshma“, në Gorno Sellë, në Bogdanci. Njëri prej tyre është gjetur pranë një veture të djegur, ndërsa trupi i personit tjetër është zbuluar brenda automjetit, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.

    Rasti është raportuar në orën 18:40, kur T.K. nga Bogdanci ka njoftuar policinë se kishte vërejtur një veturë të parkuar që ishte përfshirë nga zjarri, si dhe një trup të pajetë pranë saj.

    Policët e Stacionit Policor të Gjevgjelisë kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar se pranë automjetit të djegur ndodhej 21-vjeçari V.G. nga Bogdanci, i cili nuk jepte shenja jete. Ekipi i Ndihmës së Shpejtë nga Spitali i Përgjithshëm në Gjevgjeli ka konstatuar vdekjen e tij.

    Pasi ekipet e zjarrfikësve kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin, brenda veturës është gjetur edhe një trup tjetër i pajetë.

    Për rastin është njoftuar prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Gjevgjeli. Pas përfundimit të këqyrjes së vendit të ngjarjes, trupat janë dërguar për obduksion.

    Deri më tani nuk dihen shkaqet e zjarrit, rrethanat në të cilat kanë humbur jetën dy personat, si dhe nëse ekziston ndonjë lidhje mes tyre.

    Nga MPB bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.